Sociale

Sabjan Memishaj: 80% e ulcerave të këmbëve shkaktohen nga sëmundjet e venave të gjakut

12:00 - 18.01.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Kur lëkura humb vazhdimësinë e saj dhe bakteret bien në kontakt me të, mund të shfaqen disa plagë të hapura në zonën e këmbës, e njohur ndryshe si ulcera e këmbëve. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në ‘Gazeta Shqiptare’ kardiokirurgu Sabjan Memishaj tregon se rreth 80% e ulcerave të tilla shkaktohen nga sëmundjet e venave të gjakut, por thekson se edhe diabeti, apo artriti reumatoid mund të jenë faktorë të shfaqjes së këtyre plagëve. Mjeku tregon të gjitha simptomat kryesore të sëmundjes, mënyrat e diagnostikimit si dhe trajtimin që duhet ndjekur për kurim.




Mund të na shpjegoni se çfarë është ulcera e këmbëve?
Ulcera është një plagë e hapur që zhvillohet kur lëkura humbet vazhdimësinë e saj dhe ajri apo bakteret bien në kontakt me indet nën të. Ajo mund të shkaktohet nga një dëmtim i vogël mbi një zonë të lëkurës në këmbën në të cilën venat janë të sëmura.

Ku gjenden më së shpeshti ato?
Ulcerat janë më të shpeshta në pjesën e brendshme të këmbës mbi gju. Në një njeri normal plaga e hapur nga dëmtimi shërohet brenda disa ditëve ndërsa në personat që kanë problem me enët e gjakut, lëkura nuk shërohet dhe plaga bëhet më e madhe duke u kthyer në ulcerë.

Cilët janë shkaktarët kryesorë që ndikojnë në shfaqjen e ulcerave të këmbëve?
Rreth 80% e ulcerave të këmbëve shkaktohen nga sëmundjet e venave. Kjo ndodh kur valvulat e venave nuk funksionojnë si duhet. Valvulat normale të venave lejojnë qarkullimin e gjakut vetëm në një drejtim drejt zemrës pra nga poshtë lart. Nëse valvulat e venave dëmtohen atëherë kjo bën që gjaku të kthehet prapa drejt këmbëve duke u pellgëzuar në to dhe duke rritur presionin. Kjo rritje e presionit nuk lejon që indet të furnizohen me gjak siç duhet duke bërë që lëkura të bëhet më e hollë dhe e inflamuar. Kjo gjë rrit rrezikun e shfaqjes së ulcerave. Ndërkohë, sëmundja e arterieve të këmbëve është e ngjashme me sëmundjen e venave, por shkaktohet nga mosdërgimi i sasisë së mjaftueshme të gjakut në këmbë. Kjo përfshin rreth 15% të ulcerave. Kjo gjë shkaktohet nga mbyllja e një ose më shumë arterieve të këmbës.

Disa ulcera të këmbëve shkaktohen nga diabeti, artriti reumatoid apo disa gjendje të tjera shumë të rralla.
Mund të na tregoni disa prej simptomave kryesore të sëmundjes?
Shenjat e ulcerave të këmbëve përfshijnë ënjtje të gjunjëve; fryrje dhe zmadhim të venave; rëndim të këmbëve; dhimbje dhe ngërçe në këmbë kur qëndron për një kohë të gjatë; lehtësim të këmbëve kur i ngrini lart ose kur i shtypni; ngjyrosje me ngjyrë kafe të errët apo njolla në lëkurë. Gjithashtu, personi i prekur nga ulcera e këmbëve mund të ketë një lëkurë të irrituar, të skuqur apo delikate si dhe trashje të lëkurës dhe kruajtje përreth plagës.

Cilat janë kategoritë më të riskuara për t’u prekur nga kjo lloj ulcere?

Pacientët që kanë risk më të madh për të pasur ulcera të këmbëve janë: pacientë të moshuar; pacientë me vena varikoze; pacientë me trombozë të venave të këmbëve; pacientë që kanë pasur shumë lindje; pacientë që qëndrojnë për një kohë të gjatë në këmbë; pacientë që kanë vështirësi në lëvizje si: frakturë, obezitet ose paralizë. Probabilitet më të lartë për t’u prekur nga sëmundja janë edhe pacientët që po shërohen nga një operacion kirurgjikal siç është ai i gjurit ose femurit; pacientët që kanë një histori të mëparshme të ulcerës së këmbëve; pacientët që kanë një histori familjare për ulcerë të këmbëve.

Sa të rrezikshme janë këto ulcera?
Rreziku më i madh i ulcerës së këmbëve është predispozita për t’u infektuar. Në momentin që ndodh ky infektim, pacienti mund të shfaqë shenja si përkeqësim të dhimbjes; ngjyrë jeshile, erë e keqe, drenim (rrjedhje) nga ulcera; skuqje dhe ënjtje përreth ulcerës si dhe temperaturë të lartë.

Si bëhet diagnostikimi i sëmundjes?
Ka disa mënyra për të bërë diagnostikimin e ulcerave të këmbëve. Një mënyrë është Echo Doppler venoz dhe arterial për vlerësimin e enëve të gjakut të këmbëve. Një formë tjetër diagnostikimi është edhe skaneri me kontrast i gjymtyrëve të poshtme si dhe mund të verifikohet nëpërmjet analizave të tjera.

Cilat janë mënyrat e trajtimit të ulcerave të këmbëve?
Nëpërmjet trajtimit, ulcerat venoze të këmbëve në pjesën më të madhe të rasteve shërohen brenda 3 muajve. Trajtimi zakonisht përfshin: heqjen e indeve të vdekura (debridimi i plagës); pastrimi i sipërfaqes; mbulimi i plagës me një bandazh jo ngjitës. Pasi ulcera të jetë mbuluar, mbi të vendoset bandazh kompresiv mbi sipërfaqen e ulcerës. Kjo gjë bëhet për të rritur qarkullimin e gjakut në drejtim të zemrës. Kompresioni zakonisht bëhet në disa shtresa. Në fillim pacienti mund të ketë dhimbje dhe për të mposhtur atë mund të jepen ilaçe për dhimbjen. Dhimbjet zakonisht zvogëlohen duke u shëruar plaga dhe mund të zgjasin rreth 12 ditë. Këmba mbahet e ngritur dhe nëse kemi ngjyrosje blu të gishtave atëherë duhet liruar bandazhi.

Si mund të trajtohet një ulcerë e infektuar?
Një ulcerë e infektuar duhet të pastrohet dhe të mbulohet por nuk duhet përdorur bandazh kompresiv deri në momentin kur infeksioni është shëruar. Gjithashtu duhet të mbani këmbën lart sa herë që keni mundësi; duhet të merrni antibiotik. Antibiotikët nuk mund të shërojnë ulcerën, ata thjesht kontrollojnë infeksionin dhe përdoren për një kohë të shkurtër.

A ka ndonjë mënyrë për të parandaluar në kohë këtë sëmundje?
Nëse keni një ulcerë në këmbë ju keni një mundësi më të madhe për të pasur një ulcerë të dytë. Kjo mund të ndodhi brenda disa muajve. Veshja e bandazheve kompresiv (çorape për varice) gjatë gjithë kohës (përjashtuar gjatë natë) ul rrezikun e rikthimit të tyre.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.