Policia e Vlorës ka arrestuar një 26-vjeçar, pasi dyshohet se ka qenë në drejtimin e mjetit gomone, që u zbulua disa ditë më parë, duke tentuar trafikimin e 50 emigrantëve nga Siria drejt Italisë.
Në pranga është vënë Emiljano Likaj 26-vjeç. Ky i fundit është personi i tretë që arrestohet në kuadër të këtij operacioni, ndërsa kujtojmë se ngjarja mund të ishte kthyer në një tragjedi të vërtetë, pasi një pjesë e emigrantëve pësuan djegie në trupin e tyre, për shkak një defekti në gomone.
Njoftimi i policisë:
Vijon puna për zbardhjen e plotë të tentativës për kontrabandim të migrantëve dy javë më parë.
Shkon në tre numri i personave të arrestuar, të cilët janë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Në pranga drejtuesi i mjetit lundrues.
Dy javë me parë, Policia ka vënë në pranga 2 personat përgjegjës për strehimin e shtetasve të huaj emigrantë, përkatësisht pronarin e një hoteli në Tiranë dhe pronarin e një banese në fshatin Trevllazër, Vlorë.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, në vijim të punës për zbardhjen e plotë të tentativës për kontrabandimin e migrantëve në rruge detare dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe ndalimin e autorit të tretë të kësaj ngjarjeje, shtetasin:
E. L.(A.), 26 vjeç, banues në Vlorë.
Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas ka qenë drejtuesi i mjetit lundrues (skafisti), me të cilin migrantët nga vendet e treta do të largoheshin në drejtim të shtetit italian, më datë 08.01.2021.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.