OPINION

Bajdën dhe çështja shqiptare

09:00 - 21.01.21 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti i SHBA-ve i betuar dje, Joe Biden (Xho Bajdën) është një mik i kahershëm i Shqipërisë, Kosovës dhe komunitetit shqiptaro-amerikan. Ai do të vazhdojë të mbështesë sigurinë e Ballkanit, Shqipërisë dhe zhvillimin demokratik dhe ekonomik në rajon. Bajdën e kupton rolin e rëndësishëm të luajtur nga NATO dhe kërcënimet ndaj rajonit të paraqitura nga Rusia. Po çfarë ka bërë Xho Bajden për ne, sidomos për Kosovën? Si senator i Senatit Amerikan në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë (1990-2008), ai ishte një zë i shquar në Kongres, duke e kundërshtuar fuqishëm agresionin e Millosheviçit ndaj Kosovës në vitin 1999. Ai mbrojti interesat e saj, në një kohë kur vëmendja e mbarë botës ishte diku tjetër. Veton Suroi u shpreh në Rambuje në mars 1999 për Bajdën se “Ai ishte personi që ne kontaktonim në Uashington që në fillim të viteve 1990”. Ishte Bajdën ai që përgatiti dhe prezantoi Rezolutën e vitit 1999, që autorizoi Presidentin Clinton të kryente operacione ajrore ushtarake dhe sulme raketore kundër Republikës Federale të Jugosllavisë (Serbi dhe Mal i Zi). Bajdën siguroi mbështetje për fushatën ajrore të NATO-s dhe për përgjigjen humanitare ndaj spastrimit masiv etnik të Millosheviçit ndaj kosovarëve. Xho Bajdën e mbështeti dhe e ka mbrojtur me vendosmëri pavarësinë e Republikës së Kosovës, duke e cilësuar atë të pakthyeshme dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ai ka kërkuar drejtësi për krimet e luftës në Kosovë, duke përfshirë një llogari dhe informacion të plotë të personave të zhdukur. E ka shtyrë vazhdimisht Presidentin serb Vuçiç të ndihmojë në informacionet ndaj personave të zhdukur(kosovarë) në Serbi. Në të njëjtën kohë Bajdën, luftëtar pa kompromis ndaj korrupsionit, ka kërkuar nga udhëheqësit politikë të rajonit ballkanik që të luftojnë “kancerin” e shteteve të pakonsoliduara. E ka mbajtur të lartë interesin dhe përfshirjen e SHBA-ve në Kosovë, duke e vizituar atë dy herë si Zv.president. Në një vizitë më 15 gusht 2016, Xho Bajdën dhe familja e tij u bashkuan me zyrtarët e Kosovës në ceremoninë e emërtimit të Autostradës Kombëtare të Kosovës me emrin e “Joseph R. ‘Beau’ Biden III”, në nderim të djalit të tij të ndjerë, Bo Bajdën, i cili shërbeu si këshilltar ligjor në Kosovë. Presidenti amerikan është i vendosur të angazhohet të përmirësojë qëndrimin e deritanishëm jo fort të njëtrajtshëm të administratës së ish-Presidentit Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke rivendosur drejtësinë dhe barazinë në marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve dhe duke punuar drejt një bashkëpunimi më të madh. Bajdën do të veprojë në partneritet me Bashkimin Evropian dhe jo duke anashkaluar BE-në, për të ringjallur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse midis dy vendeve. Kjo zgjidhje duhet domosdoshmërisht të respektojë integritetin territorial të Kosovës dhe të synojë njohjen e plotë të ndërsjellë. Bajdën do të këmbëngulë që drejtësia për krimet e luftës të ushtrohet pa frikë dhe favor dhe do të kërkojë përgjegjësi të plotë dhe të shpejtë për të gjithë personat e zhdukur në Kosovë. Ai do të mbështesë misionin NATO-KFOR, duke marrë vendime rreth vendosjes së trupave amerikane, bazuar në interesat e sigurisë amerikane, jo në llogaritje politike. Do të inkurajojë Bashkimin Evropian që të përmbushë premtimin e tij për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe për të ndërmarrë hapa të tjerë për të çuar përpara integrimin e Kosovës në BE, përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Bajdën është i vendosur të forcojë marrëdhënien SHBA-Shqipëri, për të siguruar që Shqipëria të mbetet një aleat i fortë i NATO-s, duke zgjeruar marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve dhe duke zhvilluar biseda të sinqerta për të mbajtur të përgjegjshëm njëri-tjetrin ndaj idealeve të përbashkëta demokratike. Bajdën do të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Kjo do të thotë të ndihmojë vendin tonë për t’i kryer plotësisht reformat e vështira. Në radhë të parë, për të përfunduar me sukses reformën e nisur në drejtësi, por edhe luftën totale kundër korrupsionit dhe reformën zgjedhore. Bajdën do të punojë për të siguruar që dyert e BE-së të mbeten të hapura për vende si Shqipëria. Me partnerët dhe aleatët evropianë, Bajden do të ndihmojë ekonomitë e dëmtuara fort të Ballkanit të rimarrin veten nga pandemia dhe të ndërtojnë një të ardhme ekonomike më të sigurt. Me Bajdën, e ardhmja e mbështetjes së plotë dhe pa interesa të shkurtra politike të aleatit tonë më strategjik duket e sigurt.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.