Opinion-Komente

Ndërmjetësimi shqiptar si mision imagjinar!

10:48 - 21.01.21 Dr. Jorgji KOTE

Vizitat e Kryeministrit Rama në Ankara dhe Athinë u shoqëruan dhe pasuan me një tymnajë e deri në delire mediatike mbi rolin e tij të mundshëm si ndërmjetësues për konfliktin greko-turk. Me avantazhin që të jep përvoja e gjatë diplomatike dhe praktika ndërkombëtare, le të japim një vështrim real politik mbi gjasat tona si ndërmjetësues në përgjithësi dhe krizës së lartpërmendur në veçanti.



Ndërmjetësimi ndërkombëtar është funksion specifik i rëndësishëm sidomos i diplomacisë shumëpalëshe, falë efektit të organizatave ndërkombëtare, përkatësisë në to dhe personaliteteve të shquara që ato caktojnë. Çelësi i suksesit qëndron në besueshmërinë dhe konsensusin zyrtar e publik te të gjitha palët e përfshira. Ndërmjetësuesit janë “ish”-a të shquar – presidentë, kryeministra dhe ministra të Jashtëm, me integritet dhe personalitet të spikatur, karakter konsensual, negociatorë brilantë etj. Përmendim këtu ambasadorin e famshëm amerikan, të ndjerin Richard Holbrooke, ish-Presidentin Jimy Carter, ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, ish-ministrin e Jashtëm algjerian, Lakhdar Brahimi, ish-Kancelarin e Austrisë, Franz Vranitzky, i Dërguari i OSBE-së për krizën tonë më 1997 e të tjerë.

Pjesë përbërëse e ndërmjetësimit është dhe “shuttle diplomacy” ose “diplomacia e ecejakeve”. Atë e ushtrojnë të dërguar specialë që shërbejnë si ndërmjetësues ndërmjet dy palëve në krizë ose konflikt. Ideatori i saj është ish-Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Henry Kissinger, i cili i ra botës “kryq e tërthor”; në fillim të viteve ‘70, ai përgatiti vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kinën me vizitën historike të ish-Presidentit Nikson.

I përmendëm këta aktorë dhe faktorë edhe si një hyrje në arsyet thelbësore që ndërmjetësimin shqiptar e bëjnë mision imagjinar. Sepse te ky proces që në jo pak raste vazhdon me dekada, si me Qipron 47 vjet, nuk bëhet fjalë thjesht për të pajtuar dy liderë ose vende që “janë allnuar” apo që nuk kanë salla e kryeqytete ku të mblidhen dhe vijnë të takohen në Tiranë. Kurrsesi! “Në lojë” janë probleme, kriza dhe interesa gjeopolitike greko-turke, pesha tejet të rënda për “këllqet” tona. Nuk ka një rast të vetëm kur diplomacia e një vendi më të vogël t’i hyjë aventurës së afrimit/pajtimit të dy më të mëdhenjve! Diplomatikisht, kjo do ishte fyese, madje “ulje pjace dhe pazari” për to, për vende më të mëdha, për BE-në, OKB-në, KiE-në dhe OSBE-në që, sipas rastit, i emërojnë këta ndërmjetësues. Sa për ilustrim, me gjithë ndihmesën e madhe ndërkombëtare në të gjitha fushat, si bashkëthemelues dhe selia e BE-së dhe NATO-s, mjediset dhe fondet e shumta që ka vënë në dispozicion për negociata ndërkombëtare, as Belgjika nuk ia ka arritur të fitojë këtë status, ndonëse negociatorët i ka “me shumicë”.

Dikush mund të përmendë Marti Ahtisaarin, që vjen nga një vend i vogël si Finlanda, por që ka shumë tradita dhe besueshmëri falë dhe neutralitetit të saj të gjatë. Krahas Brukselit, Vjenës dhe Gjenevës, Helsinki njihet si “kryeqyteti” i ndërmjetësimit botëror, ku janë zhvilluar negociatat sekrete më të famshme. Pastaj, Ahtisaari “ha bukë veç” si ish-Kryediplomat karriere, President i Finlandës dhe zv.Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së. Po, ka dhe ndonjë ndërmjetësues nga vende të vogla si Sllovenia dhe Sllovakia; por në dallim nga ne, ato kanë gati 20 vjet që janë anëtare të BE-së. Gjithsesi, dhe ata kanë “arbitruar ndeshje me lojtarë” më të vegjël.

Veç sa më lart, si ndërmjetësues potencialë neve na mungon shumë komponenti themelor – besueshmëria politike dhe diplomatike, duke filluar nga “lëmshi në konakun” tonë. Në 30 vitet e fundit, vështirë të ketë mbetur ndërmjetësues me emra tingëllues nga SHBA-të dhe Europa pa ardhur në Tiranë për të zgjidhur krizat me emra të frikshëm. Edhe roli ynë moderues në rajon është venitur së tepërmi. Në 7 vitet e fundit, asgjë të qenësishme nuk “qullosëm” me Beogradin; ndërsa Mini-Shengeni i bujshëm u kthye në “mollë sherri dhe mes vedi”. Madje edhe me Kosovën, në disa raste, negocimi dhe ndërmjetësimi janë zëvendësuar me qejfmbetje personale e deri në padi gjyqësore ndaj një ish-kryeministri.

Besueshmëria diplomatike rrënohet më tej kur politika jonë e jashtme, mbasi bën një hap përpara, sikur e “hanë më sysh” dhe kthehet shumë hapa mbrapsht! Ja, shihni, sapo u kthye nga Ankaraja, kur vetë Erdogan dha mesazhe afrimi e pajtimi ndaj tyre, Rama “siluroi” Francën dhe BE-në; duke harruar se, sado të drejtë të ketë dhe me gjithë “mëkatet” e BE-së e ndonjë vendi të veçantë, problemi nuk trajtohet duke e kthyer në “gurgule publike”, por nëpërmjet kanaleve të shumta diplomatike në Tiranë, Bruksel, Paris e gjetkë, dhe jo me gjuhë të drunjtë, por me etikë dhe kortezi diplomatike. Mungesa e konfidencës së duhur diplomatike e vështirëson më tej besueshmërinë tonë ndërmjetësuese. Politikanët tanë nuk e kanë për gjë të nxjerrin çdo gjë në shesh; siç bëri Kryeministri Rama vjeshtën e kaluar në një takim biznesi në Gjermani, kur tregoi një fragment të një bisede private me Presidentin Macron lidhur me një temë të ndjeshme mbi raportet e brendshme politike në Francë.

Por, edhe sikur t’i plotësonim këto kritere, sërish ndërmjetësimi shqiptar do të mbetej imagjinar për shkak të “konfliktit të interesit” në këto 15 vitet e fundit për detin me Greqinë, me ndikim e ndjeshmëri të madhe te Turqia. Veç të tjerash, ekziston droja që, nëse do kemi një Kryeministër negociator mes tyre, kjo mund të komprometonte interesat tona të brendshme, sidomos me Greqinë, me perceptime publike për lëshime në kurrizin tonë për hir të suksesit ndërmjetësues. Pa lënë mënjanë xhelozitë e njohura greko-turke që do të përplaseshin ndaj nesh, tashmë dhe si ndërmjetësues. Dihet se Ankaraja nuk e do dosjen e Detit Jon në Hagë; ndaj do të luhen të gjithë gurët me procedura që ajo të zgjatet sa më shumë e mundësisht të anulohet nga Tirana. Mirëpo, Athina kërkon të kundërtën, vrapin në Hagë, me synim që të kapë ose kompensojë atë çka humbi në 2009-ën në Tiranë, sipas parimit “rrihe hekurin sa është i nxehtë”.

Ca më keq akoma, çështja e detit me Greqinë që rrokin të na e heqin si sukses, është pezull, plot pikëpyetje pa përgjigje, në pritje të dërgimit të dosjes e pastaj gjykimit të saj në Hagë ose shumë larg zgjidhjes së vërtetë. Në fakt, Rama do ta kishte shumë më të lehtë të ndërmjetësonte konfliktin Sofje-Shkup, se si Zaevin, edhe Borisovin i ka “miq për kokë”. Por, veç të tjerash, nuk e lejon “konflikti i interesit”, sepse për Sofjen jemi nevojtarë dhe lypsarë për negociatat.

Së fundi, ajo çka mund e duhet të bëjë diplomacia jonë – dhe këtu përvoja nuk na mungon me diplomatët e shquar që kemi – janë demarshe të ndryshme afruese dhe pajtuese me vende partnere, sidomos në nivel rajonal. Po, dhe korrierë diplomatikë, d.m.th. të japim e marrim apo dhe si “mashë” për të nxjerrë hera-herës ndonjë “gështenjë nga mangalli” diplomatik, siç ndodh rëndom kudo në diplomaci. Aq!

Lind pyetja: Po atëherë, si dhe pse lindi ideja e ndërmjetësimit “Rama”? Le ta themi “copë”, si nevojë për një PR ose marketing publik për t’u kyçur gjuhën “gojëve të liga” lidhur me “patatet e nxehta” me Greqinë dhe Turqinë brenda vendit, për të qetësuar Brukselin dhe për të lënë në hije problemet “spec” me Hagën, negociatat, Mini-Schengenin etj. Duke vlerësuar pozitivisht hapat, lëvizjet dhe arritjet pozitive me to, realisht jemi përballë dy vendeve që, edhe pse aleate, janë përfshirë me kohë në një “tërheqje litari” politik. Turqia me neo-otomanizmin e saj synon të shtrihet e zgjerohet në botë e sidomos në Ballkan, ku ka pozita të privilegjuara; përballë Greqisë që e ka shprehur publikisht se kërkon të frenojë këto prirje dhe të mbrojë vendet me një popullsi me shumicë myslimane. Ankaraja na premton investime dhe ndihma, por na kërkon dorëzimin e gylenistëve, që të bëhemi shembull për të tjerët; ndërsa me Athinën kemi një vandak dosjesh përvëluese – ligji i luftës, pakicat, pronat, të mos themi pastaj çështjen çame. Ama në planin europian, Athina ka çelësat e Brukselit në dorë për çeljen e negociatave, që të mos shtyhen kalendat greke.

Ja pse, që të mos shtypemi si sanduiç mes tyre, por edhe për të shmangur reagimet negative publike në vend për këtë çështje shpërthyese, Rama po ecën me shumë kujdes në telin e mprehtë të ekuilibrit, sidomos tani, kur as 100 ditë nuk na ndajnë nga 25 prilli. Ndaj, tregohet i mençur që nuk e pohon, por as e përgënjeshtron këtë rol. Sepse ky ndërmjetësim, sado imagjinar, tingëllon muzikë e bukur për veshin e njeriut, e sidomos të Ramës.

 

 

 

Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Ashtu e mendoi dhe Perandoria Osmane Shqiperine ; nje vend i vogel e i pa perfillshem, e qe mund te merrej lehte neper kembe , por Histori tregon se me ne krye Gjergj Kastrioti Skenderbeun mbrojti edhe Europen duke thyer Turqine e duke e penguar te penetronte ne Europe duke u bere barrikade e forte per nje cerek shekulli duke i smbrapsur hordhite Turke! Jemi popull i lashte me kulture inteligjence te zhvilluar dhe nuk kemi pse te habitemi si ky gaztari qe shkruan me kaq mllef kunder Kryeministrit te vendit te tij! Mjafte hodhet balte mbi njerezit qe punojne per te lartesuar Shqiperine; godisni ata qe hedhin llum kunder Shqiperise neper dyert e Kancelarive Europiane!

    Përgjigju ↓