Kryesore

Meta vlerëson me titullin e lartë këngëtarin Ylli Baka: Një ure lidhëse midis këngës polifonike të Jugut dhe asaj toske të Skraparit

19:08 - 22.01.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vlerësoi sot me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, këngëtarin e mirënjohur të muzikës popullore shqiptare, z.Ylli Baka, me motivacionin: “Me mirënjohje për përpjekjet e suksesshme dhe arritjet e shquara në prezantimin dhe ngritjen në një nivel të ri të këngës popullore e në veçanti të Jugut të Shqipërisë, si dhe për përfaqësimin dinjitoz të saj brenda dhe jashtë vendit. Për kontributin e shquar në fushën e kulturës, në interpretimin e rrallë të këngës popullore, por edhe në mbrojtjen e promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare si pjesë e fondit të artë të Folklorit Kombëtar”.




Në fjalën përshëndetëse drejtuar familjarëve dhe personaliteteve të artit, të pranishëm në ceremoninë solemne të dekorimit, Presidenti Meta theksoi se Ylli Baka ka luajtur rolin e një ure lidhëse, midis këngës polifonike të Jugut dhe asaj Toske të Skraparit.

Ai u shpreh më tej se Ylli Baka është një nga këngëtarët më të preferuar për shqiptarët në Shqipëri dhe kudo në botë.

MESAZHI I PLOTË NË CEREMONI
“Të nderuar pjesëmarrës, kam kënaqësi të veçantë të jem sot, bashku me ju, në këtë ceremoni, për të vlerësuar një nga artistët e mëdhenj të muzikës sonë popullore, z.Ylli Baka, shumë të dashur e të vlerësuar nga publiku shqiptar.
Ylli Baka vjen në këngën shqiptare si një këngëtar me identitet të spikatur, duke krijuar një profil të veçantë dhe të papërsëritshëm.

Midis shumë këngëtarëve, Ylli Baka është i dallueshëm nga të tjerët, jo vetëm me zërin karakteristik, por edhe me stilin e veçantë të këngëve të tij, që ka sjellë një risi pozitive në këngën shqiptare.

Në këngët e Ylli Bakës ndihet në mënyrë të drejtpërdrejtë tingëllimi i polifonisë labe, çka e thjeshtëzon përcjelljen e saj tek dëgjuesit, jo vetëm të trevave të Jugut, por në mbarë publikun shqiptar.

Këngët e tij nuk janë thjeshtë kënge polifonike tradicionale të trevave Labe, të Tepelenës, të Skraparit, të Lumit të Vlorës apo Këngët e Bregut të Himarës e Pilurit, por janë krijime të reja me individualitete, bazuar në motive popullore.

Tematika e këngëve të Ylli Bakës është e gjerë dhe e larmishme dhe prek shumë aspekte të jetës së përditshme, nga temat shoqërore, ato lirike e sociale, e deri tek temat patriotike që Ylli i këndon me tërë pasionin e shpirtit të tij.

Karriera artistike e Ylli Bakës filloi rreth 16 vite më parë, kur u prezantua para publikut në një koncert në qytetin e Tepelenës.
I lindur dhe i rritur në Tepelenë, por edhe me një lidhje të veçantë me Skraparin, nga vjen nëna e tij, Ylli Baka ka luajtur rolin e një ure lidhëse, midis këngës polifonike të Jugut dhe asaj Toske të Skraparit.
Ylli është një interpretues i talentuar dhe i veçantë, që bashkon korifeun e këngës Labe të Bënçës, Mjeshtrin e Madh Golik Jaupi, me këngën e Skraparit të kënduar nga legjenda e iso-polifonisë toske, Demir Zyko.

Në rrugëtimin e tij këngëtari Ylli Baka ka kënduar me qindra këngë dhe ka prodhuar disa dhjetëra videoklipe, që mbajnë individualitetin dhe firmën e tij.
Me miliona klikime në rrjetet sociale, Ylli Baka është një nga këngëtarët më të preferuar për shqiptarët në Shqipëri dhe kudo në botë.

Koncertet e Yllit brenda dhe jashtë vendit janë një moment gëzimi dhe feste për publikun artdashës, i cili i jep pa kursim duartrokitjet.
Vit pas viti Ylli Baka e ka konsoliduar personalitetin dhe individualitetin e tij artistik dhe me zërin e tij të veçantë është kthyer në një ndër figurat më të dashura për publikun dhe popullin shqiptar.
Për kontributin e dhënë në prezantimin e këngës popullore të Jugut, si brenda dhe jashtë vendit, si dhe për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, vlerësoj z.Ylli Baka me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’”, deklaroi Presidenti Meta.

 

 

Ylli Baka nuk ka nevojë për shumë prezantim sepse të rrallë janë shqiptarët, që të mos kenë dëgjuar dhe kënduar të…

Posted by Ilir Meta on E premte, 22 Janar 2021

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.