Kulturë

Magjia e duarve të arta, të ashpra e të sigurta

11:37 - 23.01.21 Gazeta Shqiptare

Fatmira Nikolli – Një album me portrete, intervista e imazhe sjell në vëmendje zanatçinjtë e artit, që bënë violina, a kostume shfaqjesh, por nxjerrin në pah edhe problematikat e një kryeqyteti pa muze.



Është promovuar këtë të premte libri-album “Sekrete mjeshtërie”, që sjell së bashku duarartët që rrinë larg projektorëve. Një cikël me 15 intervista e portrete profesionistësh, përjetëson restauratorë, këpucëbërës, garderobierë, violinëpunues a kinomekanikë si një qasje drejt atyre zanateve që ndihmojnë artin.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se albumi, erdhi si një ide për të qenë pranë dhe për të pasur vëmendje ndaj njerëzve të thjeshtë. Ndërsa autorja e librit, Alma Mile u shpreh se në të vijnë “sekretet e zanateve që po harrohen dhe që janë përreth nesh”.

Të ftuar në promovimin e albumit, që erdhi si nismë e Ministrisë së Kulturës, specialistët bënë thirrje për vëmendje të shtuar, duke përmendur mungesat.

Isuf Skënderi, gurgdhendës, tha se do ta nisë me kritikë, sepse kush të kritikon, të do. “Duhet muze etnografik në Tiranë, sepse ka shumë gjëra që s’kanë ku ekspozohen. Është turp që nuk kemi muze. Zoti më dhëntë jetë të mund të jap një muze. A keni parë një qytet në botë që s’ka muze etnografik si Tirana? Ose një pazar për këto, se si ju, edhe unë, i çoni turistët në Krujë”, – tha ai.

Pos problematikës, një jetë kujtimesh u shpërfaq me nostalgji e keqardhje.

Kinomekaniku Theodor Ziu kujtoi se shkatërrimi i kinemave është humbje. Po ashtu edhe garderobierja Koralda Prifti, kujtoi se në secilin kostum teatri ka mesazh brenda.

Zanate që po zhduken dhe zanatçinj të heshtur, përcjellin dhe fshijnë me veten të shkuarën dhe proceset e punës që krijonin veglat e artit a mbanin në këmbë jetën sociale e artistike.

PARANTEZË E SEKRETEVE

Si parantezë e sekreteve shërben një prezantim që nis me magjinë e duarve. Alma Mile është ndalur gjatë te ravijëzimet e gishtërinjve që i japin formë drurit a bezes për të sjellë artin e punimit.

Vija të thella si brazda, të ashpra si toka, të sigurta, të duruara…

 

Duar…

Që fëmijë më ka tërhequr gjuha e tyre.

Duar të lidhura kryq, të mbyllura për dialog, duar të varura nga dëshpërimi, duar që të shtrëngojnë, që të përkëdhelin, që të godasin, që të drejtojnë gishtin tregues, që të akuzojnë, që të shprehin besim…

Duar!

Por asgjë nuk më ka mahnitur më tepër sesa gjuha e duarve të mjeshtërve, atyre që fjalët i kanë me kursim, por që krijojnë, që gdhendin gurin, drurin, që punojnë tekstile, argjilë…

Të rrëmbyer nga përditshmëria, nga arritjet teknologjike, gati-gati i kemi harruar ca zanate, pa të cilat gjithsesi nuk bëjmë dot. Gjithmonë do të na duhet një këpucar, një rrobaqepës, një marangoz, një orëndreqës, një akordues… Skenat nuk do ta kishin kurrë atë shkëlqim pa prapavijën. Dhe ata pas janë shumë më shumë sesa ata që rrëmbejnë duartrokitjet.

Këta mjeshtra të heshtur janë mes nesh. Nuk janë thjesht zanatçinj, por trashëgues traditash brez pas brezi, përçues të pasurisë sonë shpirtërore, ruajtës të së bukurës, që fatkeqësisht i kemi lënë në hije.

Jo, jo, ata nuk janë në kërkim të publicitetit apo famës, jemi ne që kemi nevojë për modele modestie dhe pasioni.

Gjatë vitit të fundit të punës sime, kam pasur rastin të takoj shumë të tillë: të vjetër, me një barrë përvojë, e të rinj me etjen për t’i kaluar mësuesit e tyre, dhe kështu m’u forcua bindja se sa shumë na duhen shembuj të tillë në jetën tonë të përditshme; njerëz të thjeshtë, të cilët, larg vëmendjes së projektorëve dhe “Instagram”-eve, punojnë për të na e bërë jetën më të thjeshtë, por edhe më të bukur. Histori suksesi pa bujë, ndërtuar me sakrifica dhe me misionin e stafetës.

Kështu lindi “Sekrete mjeshtërie”, si një nevojë e brendshme për t’iu qasur thjeshtësisë e urtësisë.

Nisi si një ide për të fiksuar mes fotografish procese pune, duar teksa shtrëngojnë daltën, i mëshojnë çekiçit, përziejnë baltën, kalojnë sovajkën, zbërthejnë zemberekë orësh e pianosh, i japin jetë drurit, e mbushin me tinguj, rikthejnë në jetë portrete tablosh të shfytyruara nga koha..

Por, pas atyre duarve kishte edhe një portret. Ata nuk mund të ishin anonimë. Dhe pas një portreti fshihej një histori, e pamundur ta mbaje për vete. Jo vetëm rrëfime profesionale, por njerëzore, përpjekjesh e sakrificash, por mbi të gjitha dashurie e pasioni. Histori, të cilat na kanë bërë më të ndërgjegjshëm për misionin që kemi në ruajtjen e traditave më të mira shqiptare.

Dhe pa e menduar u kthye në një rubrikë rrëfimesh, që vijnë jo vetëm nga Tirana, por edhe nga Korça e Gjirokastra.

Janë realizuar përgjatë muajsh e prej momentit të takimit, shumëçka ka ndodhur në jetët tona.

Zonja Irena ka dalë në pension, po ashtu edhe zoti Ramazan; i miri gurgdhendës, Muhedin Makri, nuk është më mes nesh; ekspozita e Idromenos nuk është më e vizitueshme për publikun…

Por historitë mbeten dhe në fund jam e kënaqur për këmbënguljen deri në “mani” për ta realizuar këtë cikël, që sot vjen si një libërth portretesh, realizuar nga fotografi Aldo Bonata dhe gazetarja Alma Mile.

I falënderoj që më ndoqën dhe e çuan përtej idesë fillestare.

Por, mbi të gjitha, një falënderim për të gjithë mjeshtrit, të vjetër e të rinj, që na hapën dyert, biseduan me ne, pranuan të fotografohen e të bëhen pjesë e “Sekrete mjeshtërie”!

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.