OPINION

Jo kontrolleve fizike!

18:41 - 25.01.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve e tha hapur në një emision televiziv të premten: ”Nuk ka kontrolle të tatimorëve nëpër bizneset e vogla gjatë pandemisë! Cilido sipërmarrës i vogël që kontrollohet fizikisht në dyqanin e tij nga tatimore të më telefonojë. Ta denoncojë kontrolluesin”. Mirë do të ishte që kjo drejtoreshë të vendosë një numër celulari të saj vetëm për denoncimet e qytetarëve me programin “What’s App” në celular dhe ta bënte publik. Të mos merrej vetë, por një nëpunës i saj t’i raportonte çdo ditë denoncimet. Dje bleva një tortë për ditëlindjen e një shoku dhe m’u ankua pastiçerja se në dy muajt e fundit e kishin kontrolluar tri herë. Sot bleva mish dhe edhe kasapi u shpreh se ngelën duke i ardhur në dyqan. Një qytetar i tha në një mesazh Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve në televizion parmbrëmë: “Në pesë muajt e fundit jam kontrolluar 12 herë. Pres kontrollin e 13-të”. Çfarë ka ndodhur? Me futjen e fiskalizimit, tatimorët gjobëvënës kanë kuptuar se ‘Eldorado’ e gjobave të tyre po përfundon. Se librat e shitjes dhe inventarët e magazinës që u kërkojnë për kontroll bizneseve ku shkojnë do të dalin online. Do të shihen nga të gjithë, në radhë të parë nga drejtuesit e tatimeve. Dhe nuk kanë më mundësi(të paktën pas shtatorit 2021, kur nis fiskalizimi biznes-klient) t’i shkojnë dyqanxhiut, t’i thonë “Të gjeta me shkelje ose parregullsi në këtë libër shitjeje, blerjeje apo inventar. Prandaj më jep xxx lekë ta mbyll këtë çështje, se ndryshe do të të gjobis 1 milion lekë dhe mund edhe të të sekuestroj mallin”. Sepse, duke dalë online dokumentet e biznesit të sipërmarrësit, nuk do të ketë më çështje për të mbyllur. Prandaj dhe tatimorët gjobëvënës janë bërë si të tërbuar dhe nuk po lënë dyqan e biznes pa vajtur, gjoja në emër të kontrolleve nga Shteti. Përveç denoncimit në adresën në e-mail [email protected], gjë të cilën jo çdo qytetar në sipërmarrje është i prirur ta bëjë, nga frika e raprezaljeve(hakmarrjes) nga kontrollori radhës tjetër, të paktën qytetari t’i kërkojë Urdhrin për Kontroll të lëshuar nga ana e drejtorisë përkatëse rajonale të tatimeve. Në rastin e qytetit ku banoj unë, nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë. Vetë Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve ka dhënë urdhër të kundërt, për të mos kryer asnjë kontroll fizik gjatë pandemisë. Nëse tatimori që kontrollon nuk ta dorëzon ta shohësh këtë urdhër me shkrim nga drejtoria e tij, atëherë është tërësisht një kontroll abuziv për gjobëvënie. Qytetari të rezistojë gjoja sikur nuk di gjë, për të mos marrë hakmarrjen e tatimorit më vonë. Të thotë se kështu e ka këshilluar një avokat i njohur i tij. Kur dëgjojnë për njohës ligjorë, tatimorët abuzues tërhiqen si djalli nga temjani. Ndërsa vendosja e numrit të drejtpërdrejtë të komunikimit të Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, publikimi i tij në çdo televizion, do të bënte që këto kontrolle që tani po bien si breshër mes bizneseve, të pakësohen me herë! E njëjta gjë po ndodh edhe me bizneset më të mëdha. Edhe ato po përmbyten nga tatimorët këto muajt e fundit. Dhe situata do të rëndohet këto muaj të fiskalizimit, pse sërisht “mjeshtrat” e vjeljes së bizneseve “me pare”, kontrollorët tatimorë tek bizneset e mëdha do ta kenë më të vështirë. Edhe pse janë bërë mjeshtra të kontrolleve dhe kapjeve të sipërmarrjeve të mëdha në gabim apo “shkelje ligjore”, që pastaj t’jua mbulojnë, duke e detyruar pronarin apo drejtorin e sipërmarrjes t’ju japin zarfat abuzivë, puna do të nisë t’ju shterohet. Fiskalizimi kërkon informacione të detajuara për kompanitë e mëdha. Këto informacione nuk do të jenë me “pronë” ekskluzive e vetëm kontrollorëve “të shkathët” të drejtorive të hetimit tatimor nëpër rrethe e në Tiranë. Ato do të merren në kohë reale e do të shihen edhe nga serveri qendror i tatimeve, për shkak të fiskalizimit. Ky proces do të fillojë më intensivisht(tani është vetëm për kompanitë që kanë kontrata me shtetin) nga data 1 korrik 2021 në raportet e blerjeve dhe shitjeve biznes-biznes. Kështu që “puna” për vjeljen rehat të bizneseve të mëdha dhe për bashkëpunimin kriminal me fshehjen e detyrimeve tatimore të tyre u vështirësohet shumë me fiskalizimin “mjeshtrave” tatimorë të kontrolleve pranë këtyre bizneseve. Nëse këto biznese do ta flenë mendjen se duhet këtej e tutje të jenë korrekt me tatimet, pse u shihet dhe monitorohet gjithçka, atëherë ato nuk kanë pse durojnë më gjobën e “mjeshtrave”, në një situatë të shëmtuar kur fitonin si biznesi i madh që fshihte detyrimet, edhe tatimori që bënte sikur kontrollonte. Nëse dikush do të donte të shikonte numrin e kontrolleve fizike në bizneset e mëdha dhe numrin e gjobave të vendosura atyre vetëm në tre 3 vitet 2016-2018, do të vinte duart në kokë nga raporti 30 kontrolle me vetëm një gjobë jo në shifër të lartë të vendosur! Dhe ky raport është mesatare e numrit të kontrolleve dhe gjobave në nivel Republike, se disa rrethe e kanë akoma dhe më të lartë.    





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.