AKTUALITET

Ylli Merja: Psoriasis dhe rreziku për të kaluar në artrit

18:37 - 25.01.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Psoriasis vulgaris është një sëmundje kronike autoimune e lëkurës, që shkaktohet në vende të ndryshme të trupit si gjunjët, bërrylat, krahët, veshët dhe në pjesët e poshtme. Në fillim kjo shfaqet si një pullë e kuqe në kafe dhe hera-herës mbulohet nga një cipë e hollë e bardhë. Psoriazma ndiqet nga një model, që në një pjesë të kohës krijon acarime, irritime të lëkurës, kurse në një pjesë tjetër, ajo bie në qetësi. Praktikisht, në stinën e vjeshtës dhe në dimër, kjo sëmundje qëndron e acaruar, ndërsa në verë e pranverë është më e qetë. Pra, psoriasis që ka lidhje me ndryshimin e shtypjes atmosferike dhe rritjen e lagështirës, përafrohet me shenjat e artritit reumatoid.




Problematikat
Limiti i kësaj sëmundjeje përfundon në një artrit. Rreth 70% e njerëzve e zbulojnë këtë sëmundje nga mosha 20-30 vjeç dhe pastaj mësohen të bashkëjetojnë me të derisa kjo sëmundje të përfundojë në një dhimbje kockash dhe kyçesh. Nëse njerëzit do të mundohen dhe të stresohen për shkaqet e sëmundjes dhe evolimin e mëtejshëm të saj, atëherë vetëm do të shtojnë sulmet që kjo sëmundje kryen mbi të sëmurin. Po kështu, kjo sëmundje nxitet edhe nga sëmundje infektive të ndryshme, acarim bajamesh, infeksion në rrugët urinare, plagosjet e lehta, prerjet e ndryshme, helmimet nga ushqimet, viruset apo bakteret (qofshin këto në sistemin urinar, respirator), djegia e tepërt nga dielli, tepria në konsumimin e alkoolit dhe duhanit. Po kështu, ndikim negativ në shfaqjen e psoriasis ka edhe përdorimi i steroideve, antiinflamatorëve të ndryshëm dhe betabllokuesit. Psoriasis Vulgaris është një sëmundje shumë e rrallë tek ata njerëz që dieta është e pakët në yndyra, në ato vende ku vitamina D është brenda normës në organizëm dhe tek ata që vitamina B kompleks, E dhe mineralet janë brenda normave. Ndërkohë te personat e prekur nga kjo sëmundje, një dietë ditore me rreth 50% fruta perime e zarzavate tregon për një shkallë të ulët agresiviteti të psoriasis. Përdorimi i fibrave të shumta dhe i antioksidantëve bën që sistemi i qarkullimit të gjakut, duke përfshirë edhe kapilarët, të kenë elasticitetin e duhur, pra gjaku dhe oksigjeni të qarkullojnë lirshëm në të gjitha pjesët e trupit. Kështu, minimizohet së tepërmi efekti agresiv i psoriasis mbi lëkurën. Nëse pacienti lan trupin me ujë të pastër deti disa herë në ditë dhe qëndron në diell nga ora 8.00-10.00 dhe nga 16.00-18.00 (orare ku rrezet UVB janë më pak shkatërruese për pjesën e sipërme të epidermës së lëkurës). Do të vëmë re se cipat e zbardhura dhe të plasaritura të lëkurës do të pastrohen plotësisht dhe në miniaturë do të ngelet vetëm një lëkurë e kuqe, e brishtë dhe e hollë. Nëse këtë veprim i sëmuri e përsërit disa ditë me radhë, zona e sëmurë fillon të rigjenerohet. Pra, uji i pastër i detit, individit i siguron jo vetëm kripëra minerale, por edhe vitamina dhe antibiotikë që vetëm në këtë ujë gjenden.

Trajtimi me bimë mjekësore
Në frenimin e përhapjes së psoriasis luajnë një rol të rëndësishëm edhe disa bimë mjekësore, të cilat janë jo vetëm një burim i pazëvendësueshëm i kripërave minerale, por edhe i vitaminave të ndryshme si vitamina A, B, C, D, E dhe acide triperpenoike, acidi salicilik, kafeik, kripërat minerale të potasit të cilat rimineralizojnë sipërfaqen e dëmtuar të lëkurës. Pra, zvogëlojnë sëmundjen dhe rigjenerojnë lëkurën e dëmtuar. Rrënja e radhiqes është një burim i pasur vitaminash dhe kripërash minerale, pasi përmban acide organike dhe inulinën (antibiotik që gjendet edhe tek hudhra). Edhe rrënja e çikores përmban kripëra të shumta minerale, që shërojnë lëkurën e dëmtuar e frenon përhapjen e psoriasis dhe zvogëlon maksimalisht efektet dëmtuese të psoriasit mbi qelizat e rregullta të lëkurës që ndodhen në kufi me cipën e përhimtë të psoriasit.

Prania e vitaminës C, K, inulina kanë veti të rigjenerojnë lëkurën. Ndërkohë, lëvorja e shelgut të bardhë përdoret si një shpëlarës i lëkurës, pasi përmbajnë sasi të mjaftueshme të acidit salicilik. Gjithashtu, edhe lulja e kumakut është një bimë shumë efektive në kurimin e sëmundjes dhe në mbylljen e plagëve. Kështu, hidhni në një tenxhere 2 litra ujë dhe zieni në të për 2-3 minuta: 2-3 rrënjë çikoreje, 2-3 rrënjë radhiqesh, 1 dorë lëvore shelgu, 1 lugë gjelle dëllinjë të kuqe ose të zezë e në valën e fundit shtoni 1 lugë gjelle pelinë të ëmbël, 1 dorë kalendul dhe 1 lugë gjelle rigon. Hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet për rreth 15-20 minuta. Me këtë çaj mund të lani 2 herë në ditë vatrat me psoriasis dhe mund të pini 2 gota në ditë, po nga ky çaj. Efektet kurative të kësaj përgatitjeje duken brenda javës së parë. Është mirë që pasi të jetë tharë çaji, të vendosni mbi plagët e psoriasis edhe kremin e përgatitur me esencat e ekstraktet e bimëve të sipërpërmendura të lidhura me dyllin e bletës.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.