Intervista

Zgjedhjet, Ndoka: PD edhe e vetme del forcë e parë, por koalicioni garanton fitoren

11:11 - 25.01.21 Gazeta Shqiptare

Valentina Madani – Demokristianët janë në fazën përfundimtare të nënshkrimit të marrëveshjes zyrtare me Partinë Demokratike dhe të gatshëm për përballjen elektorale të 25 prillit. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka thotë për “Gazeta Shqiptare” se PD-ja pa diskutim që del forcë e parë politike, me epërsi të dukshme ndaj mazhorancës aktuale. Por sipas tij, harmonizimi dhe ndërtimi i harkut opozitar me dy grupime, e bën fitoren të padiskutueshme dhe garanton një qeverisje të qëndrueshme dhe të sigurt për nesër. Z.Ndoka shprehet i bindur se opozita është e qartë, për problematikën e qeverisjes së vendit dhe e gatshme të marrë përgjegjësi konkrete, me programe dhe premtime reale dhe të realizueshme nesër në qeverisje. Aleati i PD-së flet edhe për partitë e reja të Topallit, Patozit e Hajdarit, për të cilët shprehet: “Thjesht kemi disa personazhe, që nuk pranojnë as njëri-tjetrin për kryetar, se kanë krijuar 4-5 parti, pra nuk po kërkojnë liri e standarde, por mbijetesë politike për të gjetur një rrugë për të hyrë në Kuvend. Disa prej tyre kanë si qëllim për t’i shërbyer edhe Ramës”.
Z. Ndoka, a mbeti PDK-ja e kënaqur nga marrëveshja me Partinë Demokratike për mënyrën e përfaqësimit në zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit?
Në fakt, akoma nuk ka një marrëveshje zyrtare mes PD-së dhe PDK-së, por kemi rënë dakord në parim që do kemi kandidatët tanë, si demokristianë në disa qarqe të vendit. Kemi ofruar kandidatë potencialë, konkurrues dhe kontribuues për opozitën, në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Durrës, Vlorë e Korçë.
Ku e sheh veten PDK-ja në gjithë përllogaritjen elektorale? Cila është ambicia e demokristianëve në zgjedhje dhe post 25 prillit?
Demokristianët kanë një mbështetje elektorale në historikun plural ndër vite. Sot jemi në fazën përfundimtare të nënshkrimit të marrëveshjes zyrtare e publike me Partinë Demokratike dhe të gatshëm për përballjen elektorale, për të bërë të mundur përfaqësimin e alternativës demokristiane në Kuvendin e Shqipërisë. Shpresojme që me mundësinë e konkurrimit në lista, të jemi kontribuues, pse jo edhe fitues me kandidatët demokristianë që do garojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
A besoni se Partia Demokratike mund të fitojë e vetme, pa aleatët e saj?
Kodi Zgjedhor, i ndryshuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca aktuale dhe Edi Rama, e ka ndërlikuar mënyrën e ndërtimit të koalicioneve klasike, por ne kemi gjetur mënyrën dhe formën për t’u përballur me mazhorancën të gjithë së bashku në një koalicion. Partia Demokratike pa diskutim që del forcë e parë politike, me epërsi të dukshme ndaj mazhorancës aktuale. Por harmonizimi dhe ndërtimi i harkut opozitar me dy grupime, e bën fitoren të padiskutueshme dhe garanton një qeverisje të qëndrueshme dhe të sigurt për nesër.
PS-ja hyn në garë e vetme, ndërkohë që PD-ja ende nuk ka përmbyllur marrëveshjet me aleatët e saj. Sipas jush, cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e opozitës më 25 qershor?
Edhe e vetme PD-ja është forcë politike e parë. Kodi Zgjedhor na jep mundësinë që të garojmë të gjithë më vete, por kjo skemë nuk maksimalizon votën opozitare dhe nuk krijon epërsi për një mazhorancë solide qeverisëse. Ndaj jemi të kushtëzuar që të dalim në një koalicion së bashku, duke siguruar fitore të thellë dhe përfaqësim dinjitoz. Të gjithë kemi vetëm një qëllim kryesor, largimin e Edi Ramës dhe “Rilindjes” nga pushteti, si një pengesë serioze për vendin, qeverisjen dhe integrimin europian.
Si e konsideroni deklaratën e Kryeministrit Edi Rama se “demokratët ngrohen në diell, kurse memexhinjtë i zunë vendet”?
Rama është një demagog, një model i keq në një demokraci funksionale, që suksesin e tij e mbështet te lufta ndaj kundërshtarit politik. Rama është kthyer në një meme të madhe, është kthyer në “lolo” të rrjeteve sociale dhe një gogol për qytetarët shqiptarë.
Opozita e bashkuar ka muaj që është në fushatë, në kontakte me qytetarët, grupet e interesit, ish-të persekutuarit, ish-pronarët, biznesin, shoqatat e ndryshme etj. Opozita është e qartë se cila është problematika e qeverisjes së vendit dhe e gatshme të marrë përgjegjësi konkrete, me programe dhe premtime reale dhe të realizueshme nesër në qeverisje. Të japë zgjidhje, për ekonominë, uljen e taksave në 9%, përcaktimin e pagës minimale, rritjen e pagës bazë për të gjitha kategoritë, për pensionet, uljen e çmimit të karburantit, të energjisë elektrike e ujit të pijshëm. Forcimin e institucioneve të drejtësisë, zhbërjen e koncesioneve dhe PPP-ve korruptive, duke kthyer në normalitet edhe financat shqiptare, të goditura me rritjen galopante të borxhit publik.
A duhet ta shqetësojnë opozitën partitë e reja si ajo e Topallit, Hajdarit apo më herët e Patozit? A besoni se ato do të rreshtohen përkrah opozitës para dhe pas zgjedhjeve të 25 qershorit?
Opozita duhet të shqetësohet, se të gjitha këto parti e kryetarë partish, kanë dalë nga PD-ja, për fat të keq, asnjëri prej tyre si zë ndryshe apo si reformator. Thjesht kemi disa personazhe, që nuk pranojnë as njëri-tjetrin për kryetar, se kanë krijuar 4-5 parti, pra nuk po kërkojnë liri e standarde, por mbijetesë politike për të gjetur një rrugë për të hyrë në Kuvend. Disa prej tyre kanë si qëllim për t’i shërbyer edhe Ramës. Nuk besoj se ato rreshtohen përkrah opozitës, se qëllimi i tyre është tjetër gjë, dhe kjo po vërehet dukshëm edhe nga qytetarët. Por jam i sigurt se me Kodin Zgjedhor që ato vetë e kanë mbështetur, asnjëra prej këtyre partive nuk do të përfaqësohet në Kuvend. Dëmi i tyre me vota, besoj dhe shpresoj do jetë i papërfillshëm për opozitën, se në fakt ato mund të marrin vetëm vota të majta dhe të rrethit të tyre.
Demokratët në 25 prill, krahas socialistëve do kenë përballë Jozefina Topallin, e cila ka vendosur të kandidojë në qarkun i cili historikisht i ka dhënë mandatin e deputetes, por këtë herë ajo do garojë me siglën e forcës së saj politike. Si e shikoni kandidimin e saj në Shkodër? A do ta dëmtojë të djathtën në këtë qark?
Fryma politike në qarkun e Shkodrës është në anën e rotacionit, në krahun e PD-së dhe opozitës, e për këtë arsye, por edhe për shumë të tjera, Shkodra do ta ndëshkojë me votë Topallin. Topalli ka qenë figura nr.2 e pushtetit për 8 vite dhe e PD-së për shumë vite të tjera, ndaj do të përballet me një realitet qytetar të trishtueshëm dhe të papranueshëm për të. Lëvizja e Topallit nuk ka kauzë, as moral politik, por vetëm mllef, inate e xhelozi patologjike për Lulzim Bashën, të demonstruara në një linjë me Edi Ramën, madje duke u keqpërdorur publikisht e politikisht prej tij.
A shikoni mundësi bashkëpunimi me këto parti, në mënyrë të veçantë me Topallin, për fitoren e opozitës kundër Edi Ramës?
Nuk kam informacion se çfarë do bëjë Topalli, por vërej një zhytje në batakun e “Rilindjes”, çdo ditë e më tepër, me qëndrimet dhe deklarimet e saj publike. Më vjen keq për të; po kërkon e po gjen një fund me turp, se do të ndëshkohet nga vota e qytetarëve. Duhej më mirë të duronte edhe këto zgjedhje, duke vazhduar të bëjë “viktimën” e Bashës, sesa të provojë indiferencën dhe ndëshkimin me votë të atyre, që e kishin mbështetur ndër vite të tëra si deputete.
Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim është shprehur e hapur për të bashkuar votat e saj me Partinë Demokratike, por me një kusht, jo me Lulzim Bashën Kryeministër. Si e shikoni rreshtimin e Topallit kundër z. Basha?
Znj. Topalli po bëhet qesharake me këto deklarime demagogjike dhe bajate. Lulzim Bashën e ka zgjedhur anëtarësia e partisë, ku Topalli ishte anëtare e Këshillit Kombëtar. Topalli në fakt, nuk do Bashën kryeministër, se është “dashuruar” me Ramën kryeministër; ky është një fakt i dukshëm tashmë, si frymëzim nga “sindromi i Stokholmit”. Të tjerat janë lojëra fjalësh, që Jozi as ato nuk po di t’i përcjellë, as t’i shesë si të vërteta, por justifikime paksa më ndryshe si Spiropali.
A besoni se Lulzim Basha po i mbush me shpresë shqiptarët për një të nesërme ndryshe pas 25 prillit 2021?
Lulzim Basha arriti, falë një axhende politike disamujore, që të krijojë besim, shpresë dhe siguri për shumicën e qytetarëve shqiptarë, kjo e testuar edhe nga sondazhet e bëra publike. Basha ka treguar pjekuri politike, guxim, përgjegjshmëri dhe qëndresë të jashtëzakonshme, duke bashkuar anëtarët e partisë se tij, simpatizantët, madje duke fituar simpati edhe te shumë socialistë, të cilët kanë humbur totalisht besimin e shpresën te “Rilindja” e Edi Ramës. Sot Lulzim Basha shihet nga shumica dërrmuese e shqiptarëve, si e vetmja mundësi e shpresë, po ashtu edhe nga shumica e partive politike, të majta, të qendrës e të djathta, por edhe si garanci institucionale edhe nga faktori ndërkombëtar, se nesër Kryeministër do të fillojë një epokë europiane e vendit tonë, në mendësi edhe në qeverisje.
A ka kushte sot Shqipëria për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të barabarta?
Zgjedhjet e lira janë kusht dhe kriter i pakalueshëm nga klasa politike shqiptare. Askush nuk do të guxojë të prekë zgjedhjet në Shqipëri; vëmendja e të gjithëve tashmë është te zgjedhjet dhe te produkti i tyre.
Nga se janë të rrezikuara zgjedhjet e 25 prillit?
Zgjedhjet kanë vetëm një rrezik, grykësinë dhe egon e marrë të Edi Ramës për pushtet. Ai ka treguar, se për pushtetin e tij personal, bën çdo tentativë, t’i vjedhë, t’i blejë apo t’i prishë ato.
Si do t’i mbrojë votat opozita e bashkuar më 25 prill?
Opozita e bashkuar ka marrë të gjitha masat, organizative, politike e institucionale, që të mos përsëritet krimi zgjedhor i “Rilindjes”, i faktuar me prova e fakte nga mediat ndërkombëtare. Gjykim dhe ndëshkim do të ketë për të gjithë ata që guxojnë të prekin procesin zgjedhor.
Për shkak të rrethanave të reja politike, cila formulë e çon opozitën drejt fitores së 25 prillit?
Çdo formulë e çon opozitën drejt fitores, duke garuar më vete çdo subjekt, ku PD-ja del forcë e parë politike duke bërë koalicion me partitë e tjera opozitare pas zgjedhjeve. Me një koalicion të madh, si opozitë e bashkuar, duke konkurruar të gjithë me një listë të përbashkët, apo me dy koalicione, si duken gjasat që do të ndodhë. Besoj se opozita do të zgjedhë variantin më të mirë për të maksimalizuar votën dhe për të krijuar një mazhorancë solide për të drejtuar vendin.



Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.