AKTUALITET

Erion Dasho: Rreth 5500 vdekje në 2020-ën kanë ndodhur nga koronavirusi

11:20 - 26.01.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Voltiza Duro – Nëse vijojmë me këto ritme, Shqipëria në fund të 2021-it do të ketë vaksinuar deri në 20 për qind të popullatës, duke qenë kështu shumë larg imunitetit të tufës. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, mjeku shqiptar Erion Dasho, drejtor i Shëndetit dhe Inovacionit në Frankfurt tregon se situata lidhur me pandeminë në Shqipëri vijon të mbetet e paqartë. Ai shton se rreth 5500 vdekje në Shqipëri gjatë 2020-ës kanë ndodhur nga COVID 19.




Si paraqitet aktualisht situata lidhur me COVID- 19 në vendin tonë?

Në Shqipëri vazhdojmë të kemi një pamje të paqartë të covid-it, vazhdon numri i rasteve ose përqindja e rasteve pozitivë në raport me rastet e testuara të jetë mbi 20 për qind çka tregon se ne jemi larg njohjes së situatës reale të covid-it. Megjithatë, ato të dhëna që shohim flasin për një numër të stabilizuar rastesh prej disa javësh të cilat kanë pasur ulje-ngritje të variacioneve ditore të shpjeguara me strategji jo të saktë dhe jo të qartë të testimit.

A mendoni se masat ne Shqipëri janë neglizhuar, duke marrë parasysh që shumë vende të Europës dhe me gjerë janë lockdown?

Shqipëria asnjëherë nuk ka pasur një përgjigje propocionale ndaj virusit. Atëherë kur neve nuk kishim raste zbatonim një lockdown absurd, më vonë kur rastet u rritën neve përsëri zbatonim një situatë të relaksuar që është përsëri absurde në krahun tjetër. Duke mos u orientuar nga evidencat, dhe nga situata epidemiologjike, pra nga shifrat, duke mos u orientuar nga praktikat e mira të botës, përgjigjja shqiptare ka ngelur kaotike dhe kjo ka penalizuar qytetarët shqiptarë. Shifrat që janë botuar nga disa media dhe që referojnë shifrat zyrtare të INSTAT-it, sepse gjatë vitit 2020 kemi pasur 6000 vdekje më tepër sesa vitet paraardhës tregon se pandemia ka pasur një impakt shkatërrues mbi jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Nga ato 6000 vdekje shtesë, diku midis 5000 dhe 5500 duke pasur parasysh përllogaritjet që bëjnë institutet shkencore në gjithë botën, pra rreth 5000 dhe 5500 vdekje i dedikohen pikërisht covid-it. Kjo shifër është disa herë më e lartë se shifra zyrtare e publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe flet se ajo që gjithmonë ne ekspertët kemi përmendur se ka manipulime me shifrat e vdekjeve dhe të sëmurëve tashmë po provohet dhe nga burimet zyrtare të vetë qeverisë shqiptare.

Sa është mosha mesatare e vdekshmërisë në Shqipëri krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë?

Për sa i takon moshës së personave që humbin jetën nga covid, më shumë se gjysma e këtyre personave janë nën moshën 70 vjeç, kjo është në kontrast me vendet europiane ku më pak se 10 për qind e personave i përkasin kësaj grupmoshe.

Si shpjegohen vdekjet në moshë kaq të re; keqmjekimi apo mosmjekimi në kohë i pacientëve?

Mendoj se fakti që kemi persona me moshë të re që humbasin jetën në Shqipëri, flet për një përgjigje jo adekuate ndaj covid-it. Trinomi testo-gjurmo-trajto nuk është rekomanduar pa një qëllim të caktuar, në rast se ne nuk testojmë, nuk diagnostikojmë herët, sigurisht që nuk kemi mundësi as të mjekojmë siç duhet dhe të shmangim komplikacionet, të cilat kur kapen herët është plotësisht e mundur të kapërcehen me sukses, ndërsa kur lihet situata të komplikohet çfarëdo që të bëjë sistemi shëndetësor e ka të pamundur për të rikthyer shëndetin e pacientëve. Natyrisht që në kohën që ne flasim kemi dhe futjen në lojë të spitaleve rajonalë, të cilat u futën pa një strategji të qartë, stafi i tyre është i patrajnuar dhe natyrisht që cilësia e kujdesit që ofrohet në to varet nga përpjekjet personale të mjekëve dhe është në dorë të përpjekjeve individuale të mjekëve të caktuar.

Ka patur një trend në rënie të numrit të të shtruarve. A kanë frikë pacientët të hospitalizohen, duke marrë parasysh faktin e zbulimit të skandaleve te “Shefqet Ndroqi”?

Mendoj se pacientët kanë frikë të shtrohen dhe kjo është e drejtë. Unë kam informacion për shumë qytetarë që vazhdojnë të trajtohen në kushte shtëpie dhe sot e kësaj dite duke rrezikuar jetën pasi i tremben shtrimit në spitale. Gjithashtu, ka hyrë në lojë dhe trajtimi në spitalet rajonalë ku përsëri është duke u trajtuar një numër shumë i madh pacientësh në të gjitha këto spitale, pra në spitalet rajonalë. Nga sa kam pasur informacion, nuk ka pasur një trajnim të duhur, të drejtë të mjekëve dhe të infermierëve dhe në këto kushte cilësia e kujdesit që ofrohet në këto spitale është e gjitha në varësi të përpjekjeve individuale që bëjnë stafet mjekësore dhe infermierore. Kjo është fatkeqësi që një vit pas fillimit të pandemisë, stafet tona ende nuk kanë marrë një trajnim të mirëfilltë, i cili t’u mundësojë atyre të trajtojnë covid-in sipas protokollove dhe njohurive bashkëkohore.

A ka rënë virulence e SARS COV 2?

Nuk ka të dhëna për rënie të virulencës të SARS COV2, por natyrisht sa më tepër që kemi shtrirje të imunitetit qoftë të fituar në mënyrë natyrale pra personat që e kanë kaluar sëmundjen, qoftë personat që e kanë fituar nëpërmjet vaksinës, natyrisht që kemi më pak persona që preken nga virusi dhe rriten mekanizmat mbrojtës të vetë individëve dhe popullatës. E dyta, bota tashmë ka krijuar praktikat e mira të menaxhimit të sëmundjes, diagnoza dhe trajtimi I hershëm, trajtimi reanimator dhe kjo ka bërë që duke përmirësuar menaxhimin të ulet numri i komplikacioneve dhe numri i personave që humbin jetën. Pra, duke bërë një përmbledhje, nuk bëjmë fjalë për rënie të virulencës së SARS COV2, por për imunitetin e grupit që është duke u krijuar gradualisht dhe për përmirësim të metodave të diagnozës së hershme, trajtimit të hershëm dhe mjekimit.

Po mutacionet e COVID-19, a paraqesin rrezikshmëri të shtuar?

Mutacionet, sidomos ato që vijnë nga Afrika e Jugut, flasin për një virus, i cili ka ndryshuar më tepër dhe paraqitet më ndryshe sesa viruset që ishin krijuar si pasojë e mutacioneve paraardhëse. Ka një frikë në komunitetin shkencor se këto viruse mund të anashkalojnë mekanizmat mbrojtës që krijohen nga vaksinat që janë deri tani në qarkullim, dhe ajo që është më shqetësuese është që ajo që njihet si mutacioni anglez ka një ide se mund të jetë edhe më virulent se variantet e mëparshme të virusit. Sidoqoftë të dhënat janë ende jo përfundimtare. Ka pasur një deklaratë nga kryemjeku anglez para disa ditësh që shprehte hapur dhe publikisht frikë, por ka pasur dhe një reagim të komunitetit shkencor se është shumë herët për të folur për virulencë të shtuar. Janë duke u analizuar situata, ecuria e të sëmurëve dhe presim nga dita në ditë të dëgjojmë përfundimet e këtyre studimeve dhe vlerësimeve.

Procesi i vaksinimit ka nisur edhe në Shqipëri. A mendoni se do të përmirësohet ndopak situata?

Unë mendoj se sistemi vaksinimit që ka nisur në Shqipëri është qesharak pra kemi 15 ditë që kemi administruar diçka më shumë se 500 doza vaksinash që flasin për një progres qesharak, flasim se kjo nuk është një fushatë vaksinimi por një fushatë propagandistike e cila më tepër se për t’i shërbyer jetës dhe shëndetit së qytetarëve, i shërben propagandës politike dhe fasadave.

A janë të mjaftueshme dozat e vaksinës që janë siguruar deri tani? Për sa kohë mund të përfundojë vaksinimi në Shqipëri?

Thuhet se nga marrëveshja që u investigua nga mediat, sepse nga ministria dhe qeveria nuk u bë asnjëherë publike, doli se brenda dy muajve të parë Shqipëria pret të marrë 40 mijë doza vaksine që janë shumë pak, ato janë të mjaftueshme vetëm për të vaksinuar personelin mjekësor që u ofron kujdes mjekësor në Shqipëri. Më pas gjatë 6 mujorit të dytë pritet të vijnë dhe 470 mijë doza të tjera vaksine. Sigurisht që ky është një skenar shumë pesimist pasi me këto ritme këtë vit synojmë të vaksinojmë më pak se 20 për qind të popullatës. Kjo gjë natyrisht ofron mbrojtje për personat dhe grupet në risk, por nuk arrin dot të sigurojë atë që quhet imunitet i grupit. Në këto kushte unë do të thosha se ato që pretendohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe komiteti i ekspertëve se ekziston një strategji vaksinimi deri tani nuk e kemi parë të materializuar në asnjë dokument që është bërë publik, ose në asnjë dokument që media investigative ka arritur të zbulojë dhe situata duket e zymtë dhe pa një ide të mirëfilltë se kur mund të organizohet kjo fushatë vaksinimi dhe se kur mund të arrihet I shumëprituri imunitet I grupit.

Sipas jush cilat janë kategoritë që duhen vaksinuar më parë?

Teoritë nuk ka nevojë t’i shpikim ne, pothuajse të gjitha vendet e botës kanë diagnostikuar dhe imunizuar personelin mjekësor. Kanë imunizuar më pas personat në moshë të madhe duke nisur nga 80 vjeçarët, për të vazhduar tek 65 vjeçarët dhe për të vazhduar më pas tek kategoritë e tjera. Sigurisht që ka dhe profesione të tjera të cilat diagnostikohen dhe imunizohen herët në varësi të disponueshmërisë të vaksinave dhe strategjive që ka çdo vend. Tashmë, siç e përmenda dhe më herët është çështja të sigurohet një sasi e mjaftueshme vaksine pasi kategoritë vunerabël që duhet të vaksinohen janë shumë të qarta tashmë dhe thjesht duhet të ndjekim shembullin e botës.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Nuk kemi nevoje te na merrni kohe duke intervistuar njerez qe nuk e njohin situaten ne Shqiperi por japin opinione me hamendje! Keto nuk na sherbejne pervec se na nervozojne!

    Përgjigju ↓