Kulturë

MINARJA E XHAMISË SË ETHEM BEUT/ Arta Dollani: Është krisje, jo çarje, nuk dëmtohet nga ndërtimet

09:00 - 26.01.21 Gazeta Shqiptare

Fatmira Nikolli – Drejtoresha e Institutit të Trashëgimisë Kulturore, Arta Dollani jep përgjigje për akuzat dhe shqetësimet e ngritura mbi minaren e xhamisë së Ethem Beut. Duke mohuar që ka çarje, ajo shprehet se bëhet fjalë për krisje fugash, që janë në zonat e bashkimit të dy elementëve të ndërtimit.



Prej ditësh në mediat sociale qarkullojnë video dhe fotografi sipas të cilave minarja e xhamisë së Ethem Beut, monument kulture i shek. 18-të, ka çarje që e kërcënojnë seriozisht. Ndërsa për atë që dukej si çarje e tërthortë u sqarua se ishte mbetje silikoni nga mbulesa kur punohej në çati, një video tjetër pretendon se nxjerr çarjet në zonën e kazanit, ose sherefesë, vendi ku myezini thërret ezanin. Drejtoresha e Institutit të Trashëgimisë pranë Ministrisë së Kulturës, Arta Dollani në një intervistë për “News24” e “GSH” jep përgjigje për shqetësimet.

Arta Dollani thotë se “Nuk ka asnjë lloj çarjeje në të gjithë strukturën e xhamisë. Të gjitha ato që ne mund të shikojmë ose janë konstatuar nga grupet e specialistëve, që e kanë inspektuar xhaminë, qoftë pas tërmetit, qoftë edhe në vazhdim, kanë konstatuar krisje të fugave që janë tepër normale, në çdo objekt që është objekt i trashëgimisë kulturore, duke nisur nga tempujt antikë”.

E pyetur se çfarë janë fugat, Dollani sqaron se fugat janë bashkim i elementëve të ndërtimit.

“Në vendet ku bashkohen gurët me njëri-tjetrin, ku vendoset llaç, në momentet kur ka lëvizje të tokës, ose një tërmet, ose një goditje mekanike të objektit, sigurisht kur nuk është aq e fortë sa ta hedhë objektin në tokë, në këto momente, vendet e bashkimit të gurëve ku është llaci, praktikisht nuk është krisur asnjë gur, ose asnjë element strukturor, aty ku shfaqen krisjet janë pjesa e llacit që bashkon elementet. Nuk është asgjë e rrezikshme, janë të gjitha fenomene normale, të gjitha janë të meremetueshme”.

E pyetur nëse ndërtimet afër xhamisë ndikojnë në këto krisje, siç ka bërë tërmeti, Dollani tha: “Nuk kanë asnjë ndikim, absolutisht”.

Ajo tha se pas restaurimit objekti do të jetë i sigurt. “Sigurisht që do të jetë. Çdo element i minares, duke filluar që nga përforcimi i themeleve, e deri në majë të minares, është restauruar dhe përforcuar”.

Sipas Dollanit, mediat nuk mund të aksesojnë në zonën e xhamisë për të xhiruar, duke qenë se punimet bëhen jashtë, ndaj ka një perimetër sigurie që duhet respektuar. Restaurimet në objekt kanë nisur tri vite më parë, dhe kanë përfshirë elemente të jashtme e të brendshme, që nga çatia, deri te pikturat murale.

REAGIMET

Para sqarimit të Dollanit, kanë qenë disa zërat që kanë ngritur shqetësime për minaren e xhamisë. Forumi i Trashëgimisë, shkroi se “përtej shqetësimit që ngritën dje disa qytetarë për dëmtimin e minares së xhamisë së Ethem Beut dhe shfrytëzimit për të bërë politikë nga kryetari i bashkisë & Co, monumenti i minares ka gjasa të jetë në rrezik serioz. Krisja e vërtetë, na njoftojnë se është zbuluar në nivelin e sherefes apo ‘kazanit’ siç i thonë ballkonit të vogël të myezinit. Kjo është e vijueshme në gjithë perimetrin e minares lart dhe shquhet me sy të lirë, qoftë jashtë, qoftë brenda. Kjo duket edhe në videon e postuar. Ç’është më e rënda, ky rrezik nuk hulumtohet nga institucionet përgjegjëse të trashëgimisë, ndonëse ky objekt i dorës së parë për nga rëndësia ndodhet në kërthizë të kryeqytetit, por nga dashamirës amatorë të monumenteve. Tani nevojitet që Veliaj dhe Dollanët të lënë selfiet dhe retorikën në mediat sociale para se të jetë shumë vonë për monumentin”.

Po ashtu, reagime ka pasur edhe nga imami Roald Hysa dhe arkitekti Astrit Seranaj.

Seranaj shkroi se “për xhaminë e Et’hem Beut, dëmtimi është shumë serioz dhe të merren masat e menjëhershme nga institucionet përgjegjëse. Të shmangen pasojat. Ky është hapi i parë dhe më i rëndësishmi për sigurinë e objektit dhe jo vetëm. Të mos shmanget si problem dhe, aq më tepër, të mbulohet duke e lënë rrezikun aty, duke menduar se kështu mund t’iu largoheni përgjegjësive. Dhe mos bërtisni korridoreve, se si dhe pse u lejuan miqtë tanë të futen në ambientet e minares, por t’i falënderoni për konstatimin e dëmtimit, për të cilin ju as që kishit dijeni dhe ishit bërë gati të prisnit shiritin e inaugurimit të punimeve restauruese. Shpëtoni objektin, jo veten”.

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.