SPORT

Shehi dhe Josa nisin misionin e tyre. Si ndryshojnë Tirana dhe Kukësi

13:50 - 29.01.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Me Orges Shehin që ka marrë tashmë drejtimin e skuadrës së Tiranës, priten gjithashtu edhe ndryshime në formacion. Skema 3-4-1-2 e Dedes pritet të bëhet një 4-2-3-1 me Shehin. Bekaj qëndron i palëvizur në portë, po ashtu treshja Toshevski, Najdovski dhe Hoxhallari në mbrojtje me Ismajlgecin në të majtë. Përpara mbrojtjes pritet Batha dhe rikthimi i Ҫelhakës. Më pas Halili, Torasa dhe Muçi do të mbështesin njëri-tjetrin ndërmjet Seferit dhe Vairinen. Ekipi ka goxha lojtarë me kualitet të lartë dhe ndoshta për Shehin do të jetë “luks” drejtimi i kësaj skuadre që po kalon një formë të keqe kohët e fundit, duke parë edhe trazirat pas largimit të Dedes. Gjithsesi, nuk është e sigurt nëse Muçi do të jetë në dispozicion, pasi mësohet se ka ardhur një ofertë e majme për të. Të interesuar janë zviceranët e Young Boys dhe austriakët e Rapid. Në zyrat e klubit ka mbërritur një ofertë 600 mijë euro. Nuk dihet nëse ai do të largohet, por Tirana nuk mund të refuzojë një shumë kaq të madhe, në dukje shumë e lartë për kampionatin shqiptar. Në anën tjetër, edhe Kukësi me trajnerin e ri Mirel Josa pritet të ndryshojë formacion. Trajneri tiranas preferon dy skema, 4-4-2 dhe 4-2-3-1, por e para duket më e mundshme. Dashamir Xhika pritet në portë, me Baravikas dhe Kotobellin nga krahët, ndërsa Lulaj dhe Kurdiç do të jenë në qendër të mbrojtjes. Limaj dhe Taipi do të organizojnë lojën, me Leiria dhe Demirin nga krahët që do të mbështesin dy sulmuesit, Eze dhe Ibraimi. Më pas, duke u zhvendosur te ekipet e tjera, kemi Apoloninë, që më në fund ka bërë afrimin e parë të kësaj merkatoje. Futbollisti i afruar është Ismaila Diop me origjinë nga Senegali. Ai ka luajtur dhe është rritur në Itali dhe është plot 1.95 metra i gjatë. Për herë të fundit ka luajtur në Serie C në Itali, por vetëm një ndeshje. Ndërkohë, Kukësi ka bërë një tjetër afrim. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin e Kombëtares së Haitit, Rikardo Ade. Ai luan në kampionatin e Kilit dhe pritet të bëjë mjaft mirë me ekipin verilindor. Vlen për t’u përmendur që ai ka pasur duele me Leo Messin, në kohën kur Haiti ndeshej me Argjentinën, por nuk është shquar për ndonjë arritje. Edhe Partizani është parë mjaft aktiv. Pas afrimit të bujshëm të Hasanit, “demat e kuq” janë pranë afrimit të dy lojtarëve. Bëhet fjalë për një qendërmbrojtës dhe një mbrojtës të krahut të majtë, por emrat nuk dihen. Mendohet se klubi po kërkon në kampionatin kroat dhe po shihen futbollistë të talentuar. Më tej, te Skënderbeu ka ndodhur diçka e papritur. Mbrojtësi Harallamb Qaqi ka lënë skuadrën, pasi nuk po i jepen minutat e duhura nga trajneri Ahmataj. Qaqi është ulur në stol nga trajneri dhe është shumë i pakënaqur, ku në vend të tij aktivizohen Bajrami dhe Sadriu. Kjo ndoshta ka bërë që ai të largohet dhe për momentin është pa klub. Mbetet për t’u parë se kush është i interesuar për të. Ndërkaq, në krye të tabelës, Vllaznia ka firmosur me një futbollist nga Guinea. Bëhet fjalë për 28-vjeçarin Salim Cise, i cili është formuar në akademinë e Sportingut të Lisbonës. Në njoftimin e klubit thuhej: “Vllaznia firmos me sulmuesin Salim Cisse. KF Vllaznia bën të ditur se sot ka firmosur me sulmuesin Salim Cisse. Ky i fundit kishte disa ditë që ishte në provë dhe stafi teknik ka dhënë ‘OK’ për marrjen e tij. Kuptohet që pritshmëritë janë të mëdha, sepse kemi të bëjmë me një lojtar cilësor i cili është formuar tek Akademia e Sportingut të Lisbonës. Kontrata e tij është njëvjeçare, me të drejtë zgjatjeje edhe për një tjetër, por kuptohet që performanca e tij në muajt e ardhshëm do të vendosë më shumë për këtë. Mirë se erdhe te Vllaznia, Salim!” Megjithatë, merkatoja ka edhe 2 ditë derisa të përfundojë, dhe ekipet kanë dhe pak kohë për përforcime të nevojshme për pjesën e mbetur të sezonit.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.