SPORT

Mbrojtësi i ri i “demave”, nga të rinjtë më të mirë në Amerikën Latine. Kush është Dominguez i Partizanit

09:47 - 03.02.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Klubi i Partizanit zyrtarizoi afrimin e fundit të merkatos. Ai është mbrojtësi nga El Salvadori, Roberto Dominguez. Ai është vetëm 23 vjeç, por ka luajtur me një numër të konsiderueshëm skuadrash në karrierën e tij deri tani. Në vitin 2014, kaloi nga Turin FESA, te Juventud. Të dyja këto skuadra janë të El Salvadorit, por nuk zhvillojnë më ndeshje profesioniste. Qëndroi vetëm një vit te Juventud dhe më pas kaloi te skuadra tjetër vendase, Santa Tecla, një skuadër e mesit të tabelës në kampionatin vendas. Te kjo skuadër, ai luajti rregullisht për 3 vjet. Më pas, në vitin 2018, u transferua në huazim te skuadra kanadeze Vancouver Whitecaps, që luan në MLS. Në kampionatin amerikan nuk mori fare minuta dhe huazimi përfundoi. Dominguez u kthye në vendin e tij, dhe në vitin 2019, kaloi te skuadra e FAS, po në El Salvador. Aty kaloi një aventurë të shkurtër dhe u rikthye sërish te Santa Tecla, ku qëndroi për sezonin 2019-‘20. Në vitin 2020, e la vendin e tij dhe kaloi në radhët e Bolivar, ku u transferua dhe Armando Sadiku së fundmi. Ai luajti një rol të rëndësishëm te bolivianët, ku edhe shënoi një gol të vlefshëm në Copa Libertadores. Tashmë, ai u transferua në kampionatin shqiptar, ku do përpiqet të japë një kontribut të rëndësishëm te Partizani. Me golin e shënuar në Copa Libertadores, ai ka hyrë në histori, pasi është i vetmi futbollist nga El Salvadori që shënon në këtë kompeticion që nga themelimi i tij si aktivitet. Sigurisht që ai grumbullohet dhe është titullar i palëvizshëm në kombëtaren e El Salvadorit, dhe në ndeshjet e përfaqësueseve të Amerikës Latine, ka pasur mundësinë për t’u përballur me sulmuesit më të mirë të kontinentit. Njëri prej tyre ishte Neymar. Më 12 shtator 2018, El Salvadori u ndesh me Brazilin dhe Dominguez ishte në qendër të mbrojtjes. Ai pati disa duele me Neymar dhe Richarlison, ku u përpoq të mbronte portën e tij. Gjithsesi, Brazili fitoi thellë me rezultatin 5-0 dhe sigurisht që janë dy ekipe që nuk mund të krahasohen me njëri-tjetrin në aspektin e kualitetit të lojtarëve. Nëse shikon në rrjetet e tij sociale, vihet re që ai parapëlqen të gatuajë ushqimin e tij të preferuar, mishin në zgarë. Roberto, gjithashtu është shumë i lidhur me vendlindjen e tij, fshatin e Chalatenango. Ai shkon shpesh atje, dhe ka postuar disa foto duke u kujdesur për kuajt. Salvadoriani është krenar për origjinën e tij dhe shprehet: “Kurrë mos e mohoni origjinën tuaj, ndihuni krenarë”. Ai është një lojtar që gjithmonë jep maksimumin dhe dëshiron të përmirësohet sa më shumë të jetë e mundur. Vlera e kartonit të tij llogaritet diku te 320 mijë euro sipas “Transfermarkt”, dhe kështu ai bëhet një nga lojtarët me vlerën më të lartë te Partizani. Vetë klubi “i kuq” ka marrë një lajm disi të keq, jo në lidhje me lojtarin, por me stadiumin. Mësohet se Federata Shqiptare e Futbollit ka mbyllur për të paktën dy javë stadiumin “Elbasan Arena”. Shkak i këtij vendimi janë bërë reshjet e shumta që kanë dëmtuar tapetin dhe, për të mos e rënduar akoma më shumë gjendjen me zhvillimin e ndeshjeve, u vendos mbyllja e tij deri në përmirësimin e gjendjes. Problemi qëndron se Partizani luan ndeshjen si pritës në këtë stadium, po ashtu edhe Kukësi. Më i keq rezulton lajmi për këta të fundit, pasi luajnë ndeshje si pritës, ndërsa Partizani ka 3 ndeshje radhazi në transfertë. Klubi i Kukësit është njoftuar për mbylljen e stadiumit dhe u është thënë të zgjedhin një impiant tjetër për ndeshjen ndaj Kastriotit. Verilindorëve u është ofruar stadiumi “Loni Papuçiu” i Fierit, por klubi dëshiron një fushë më të mirë dhe tentuan stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Pengesa ishte se Vllaznia luan aty të premten në orën 18:00, por gjithsesi u vendos që ndeshja Kukësi-Kastrioti të luhet në Shkodër, ditën e diel, në orën 13:45. Kujtojmë që Kukësi e luan në tjetër stadium ndeshjen pritëse, për shkak se stadiumi i tyre “Zeqir Ymeri” është në proces rikonstruksioni.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.