SPORT

Migen Memelli është trajneri i ri i korçarëve. Surprizon Skënderbeu për stolin

11:22 - 04.02.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Drejtuesit e Skënderbeut i kanë surprizuar të gjithë me zgjedhjen e trajnerit të ri të skuadrës. Kur mendohej se trajneri i ri mund të ishte Jani Kaçi ose Artan Mërgjyshi, klubi ka prezantuar Migen Memellin si drejtues i skuadrës. Kështu, Gentian Liçi do të kthehet në rolin e zv.trajnerit. Memelli do të drejtojë ekipin deri në fund të sezonit dhe objektivi do të jetë qëndrimi në Superiore. Më parë, Memelli ka qenë trajner i moshave në akademinë e Tiranës, por edhe te Football Republic. Skuadra e Laçit ka qenë eksperienca e tij e vetme si trajner në kampionatin shqiptar, por kjo aventurë zgjati shumë pak. Si lojtar, ai ka luajtur me Skënderbeun në vitet 1999-2001, por edhe në sezonin 2005-2006. Memelli u prezantua përpara mediave si trajneri i ri i klubit dhe u shpreh mjaft optimist. Ai u shpreh: “Falënderoj klubin për besimin. Shpresoj që gjërat të ecin mirë. Ajo që premtoj për komunitetin e futbollit këtu është puna e madhe dhe përkushtim të pareshtur. Pjesa tjetër, objektivat do t’i shohim ndeshje pas ndeshjeje. Ajo që më bindi të vija ishte përvoja e madhe që ka klubi, ambientet, terrenet, ajo që me bën optimist është baza e lojtarëve individualisht, ka lojtarë me shumë cilësi”. Ndeshja e parë e Memellit në krye të Skënderbeut do të jetë ajo ndaj Tiranës, dhe trajneri i sapoemëruar e sheh Tiranën si një klub të njohur për të, duke thënë: “Tirana është një klub i njohur për mua. Shpresoj që tani që mbroj Skënderbeun, të bëj një ndeshje sa më të mirë. Te Tirana kam shumë miq, brenda 90 minutave do të bëjmë gjithçka për maksimumin. Mbështetja jonë si trajner është te puna jonë, lojtarët dhe klubi. Besoj se me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe ndërgjegje të kthjellët, ne, stafi, Erion Llapanji, Gentian Liçi dhe lojtarët do të dalim sa më shpejt nga kjo situatë”. I pyetur për shanset që Skënderbeu ka për mbijetesë dhe rivalët, Memelli u përgjigj: “Asnjë rival nuk kemi, kemi veten. Do të bëjmë maksimumin për veten. Ekipet e tjera në tabelë duhet të jenë një numër që thjesht nuk duhet të referohemi. Punë kemi me veten tonë”. Në fund të intervistës, ai nuk ngurroi të kujtonte dhe fillimet e karrierës së tij, ku ishte pjesë e korçarëve: “Dinamika e një futbollisti është që në një moment apo në një tjetër të reagojë. Karrierën e kam nisur këtu, Korça është qytet i dashur për mua. I premtoj opinionit punë të palodhur dhe sakrificë”. Të shohim frytet që do të japë puna e Memellit në krye të bardhekuqve, duke nisur që nga ndeshja përballë Tiranës. Pikërisht këta të fundit janë duke zhvilluar përgatitje për ndeshjen ndaj skuadrës së Memellit. Trajneri Orges Shehi ka vënë re që lojtarët kanë mangësi në fazën e finalizimit, pra shënimit të golave. Bardheblutë, në 17 javë, kanë arritur të shënojnë vetëm 15 gola, që i bie më pak se 1 gol për ndeshje në mesatare. Për këtë gjë, trajneri ka organizuar një seancë speciale stërvitore për lojtarë si Muçi, Seferi, Danso, Halili, Torasa, por edhe disa të tjerë. Janë testuar kryesisht sulmuesit për gjuajtjet nga vendi, ato në lëvizje, goditjet me kokë, por edhe shënjestra, që ka qenë objektivi i trajnerit Shehi. Gjatë rreth 20 minutave, lojtarët kanë pasur mundësinë të tregonin veten dhe të ishin kompetitivë për një vend titullari. Fakti për t’u përmendur është se Tirana ka sulmin e tretë më të dobët të kampionatit. Pa dyshim që ndihet mungesa e Ngo, Kobinah, Hasanit apo Dungas, që bashkë kanë realizuar gjithsej 30 gola, ndërsa këtë sezon vetëm Muçi dhe Batha e “mbajnë” sulmin e kryeqytetasve. Ndeshja Tirana-Skënderbeu do të luhet të shtunën, në orën 13:45, dhe do të jetë prova më e rëndësishme, si për trajnerin Shehi te Tirana, ashtu edhe për Memellin te Skënderbeu. Duke lënë mënjanë trajnerët, klubi bardheblu ka marrë një lajm të keq, pasi presidenti i klubit, Refik Halili ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Gjithsesi, deri tani ai nuk shfaq ndonjë problem shumë serioz dhe gjendja e tij është e stabilizuar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.