SPORT

Jordi Alba vulosi fitoren e katalanasve ndaj Granadas. Barcelona e Koeman po rikthehet në ditët e arta

09:19 - 05.02.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Një ndeshje për t’u mbajtur mend ajo e së mërkurës mbrëma nga ana e lojtarëve të Barcelonës, por sigurisht edhe nga trajneri Ronald Koeman. Me plot gojën mund të thuhet se ishte një nga përmbysjet më të mëdha në historinë e klubit pas asaj ndaj PSG në Champions League. Një dopietë nga Jordi Alba, një nga Griezmann dhe një gol i De Jong i dhanë fitoren e madhe skuadrës katalanase, që tashmë shkon në gjysmëfinalen e Kupës së Spanjës. Përveç dy gabimeve në mbrojtje që i kushtuan të tre golat e pësuar, çdo gjë tjetër, duke filluar nga skema e deri te goditjet në portë, ishin thuajse në kufijtë e perfektes. Me një De Jong që po kalon një super formë dhe që u shpreh pas ndeshjes se ndihet komod, por gjithsesi ka ende vend për përmirësime. Në një intervistë të shkurtër, ai u shpreh: “Trajneri ka shumë besim tek unë, por e di që kam më shumë potencial në veten time. Megjithëse nuk është shumë e rëndësishme, unë po shënoj më shumë gola tani dhe duhet të vazhdoj kështu. Jemi përmirësuar shumë dhe do të vazhdojmë të bëjmë mirë”. Lajmi i vetëm i keq është se Sergi Roberto është dëmtuar sërish në të njëjtin vend si herën e kaluar, por duhet parë shkalla e dëmtimit. Ndeshja nisi mjaft mirë për Barcelonën, që bëri plot 4 gjuajtje në portë brenda 10 minutave të para, por u ndal nga portieri Escadell, që ishte më i miri në fushë për Granadan. Më pas ishte Messi ai që tentoi nga goditja e dënimit, por ishte sërish portieri, i cili me një hedhje akrobatike e ndaloi topin pak centimetra përpara se të hynte në portë. Shumë raste, por në të vetmin moment që Granada shkoi në portë kundërshtare erdhi goli. Ishte Umtiti që rrëmbeu topin, por me vetëm pak presion nga kundërshtari e humbi kontrollin e tij dhe Soro, duke kaluar topin mes këmbëve të Busquets, gjeti Kenedy, i cili nuk fali me portën bosh. Pjesa e parë mbyllet me Granadan në avantazh. Vetëm dy minuta pas fillimit të së dytës, Barcelona sulmon, por Montero vetëm e largon topin nga zona e tij, por ky top shumë i gjatë shndërrohet në një asist për Soldadon, i cili në pozicion të rregullt tregohet më i shpejtë se Umtiti dhe me eksperiencën e tij nuk e kishte të vështirë të mposhtte Ter Stegen. Me golin e 38-vjeçarit, Barcelona hidhet e gjitha në sulm të kërkim të një goli. Granada vazhdoi të qëndronte në mbrojtje dhe çdo top që merrte, vetëm e largonte nga zona, pa u përpjekur të sulmojë. Më vonë, Roberto dëmtohet dhe në fushë hyn Dest. Kalojnë 17 minuta dhe Barcelona nuk po e gjen golin. Koeman vendos të bëjë 2 ndryshime të menjëhershme. Largohen Trincao me Umtiti dhe në lojë aktivizohen Dembele dhe Braithwaite për një skuadër ultraofensive. Vetëm Araujo qëndronte pak i kthyer pas, madje ndonjëherë edhe ai avanconte në zonën kundërshtare. Më vonë, me futjen e Puig në minutën e 76-të, loja ndryshoi dhe aksionet kishin më shumë shpejtësi. Pas shumë tentativash dhe 15 goditjesh nga këndi, një krosim i lehtë i Messit nga qendra gjen Griezmann në cepin e zonës së 5-metërshit, i cili kthen topin që përplaset fillimisht në shtyllë, më pas te portieri dhe në rrjetë. Ajo shtyllë që Barcelona mund ta konsiderojë “të mallkuar”, pasi u godit plot 4 herë gjatë 120 minutave. Goli i Griezmann në minutën e 88-të i dha më shumë shpresë një ekipi që kurrë nuk u dorëzua. Arbitri akordon 4 minuta shtesë dhe tek e dyta, ishte e njëjta skemë: Messi kroson nga qendra për në cepin e zonës së 5-metërshit dhe gjen Griezmann, ndërsa ky i fundit e kthen me kokë për te Jordi Alba dhe vjen barazimi. Granada mbetet e shtangur dhe me të drejtë, sepse deri në minutën e 88-të ishin në avantazh 2-0. Ndeshja shkon në kohën shtesë dhe Barcelona është e pandalshme. Në minutën e 100-të, Jordi Alba kroson në zonë, ku Griezmann kërcen mbi të gjithë dhe dërgon topin në rrjetë për golin e përmbysjes së madhe. Megjithatë, asgjë nuk mbaron këtu, pasi në një kundërsulm të bardhekuqve, Dest bën një ndërhyrje të gabuar dhe gjyqtari akordon penallti. Këtë të fundit e merr përsipër Fede, i cili dërgon Ter Stegen në krahun e kundërt duke rikthyer baraspeshën. Rezultati 3-3 dhe këtu Barcelonës i kthehet “inati”. Në minutën e 108-të, Messi driblon 4 kundërshtarë dhe godet drejt portës, por gjuajtja e tij kthehet nga portieri. Aty ishte De Jong, i cili e dërgon topin në fundin e rrjetës. 5 minuta më vonë, pas një aksioni perfekt, Griezmann ngre topin për Jordi Alban, që me një goditje të jashtëzakonshme në ajër, shënon dhe golin e pestë. Këtu përfundon gjithçka dhe Barcelona në gjysmëfinale. Statistikat e ndeshjes janë tronditëse: 36 goditje në total, 20 prej të cilave në kuadrat dhe 18 goditje nga këndi, me një mbajtje topi 80%. 36 goditje drejt portës, Barcelona nuk i bënte që nga sezoni 2014-2015, në të cilin fituan edhe Champions League. Notat e futbollistëve janë impresionuese, me Messin me një 10 të plotë, dhe Griezman me një 9.9. Meritë për këtë ka pa dyshim trajneri Ronald Koeman, që nuk e fshehu entuziazmin pas ndeshjes: “Ishte e pabesueshme, futbolli është i pabesueshëm. Mendoj se bëmë shumë mirë. Kishim shanse më përpara por ekipi ishte i shkëlqyer. Koha shtesë ishte e pabesueshme. Ajo tregoi mentalitetin e kësaj skuadre. E pabesueshme. Ne nuk u dorëzuam kurrë. E dinim që fati nuk ishte në anën tonë, kishim shanse që nuk hynë në portë. Goditëm shtyllën. U duk se do të humbnim”. Ndeshja e së mërkurës tregoi se futbolli është i paparashikueshëm. Mund të thuhet me siguri se, nëse luhet kështu, Barcelona është favorite për të fituar Champions-in. Me Koeman në krye dhe me Messin kapiten, që gjatë gjithë ndeshjes vetëm i kërkonte ekipit të ruanin qetësinë, çdo gjë është e mundur. Kjo është magjia që dhuron futbolli. Pas takimit, edhe Puyol dhe Pique kanë mbetur të shtangur, me këtë të fundit që në rrjetin e tij social “Twitter”, u shpreh: “Urime Barcelona, jo për kualifikimin, por për sjelljen, për karakterin… kam parë një skuadër të uritur. Rroftë Barça!” Me këto fjalë e mbylli Puyol, ndërsa Pique ishte i shtangur dhe u shpreh me vetëm 2 fjalë: “Çfarë përmbysjeje!”

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.