BLUETOOTH

Rrëfimi i këngëtarit: Burrat e vërtetë derdhin edhe lot. Eli G Senaj: Jeta ime mes familjes dhe karrierës, ja krenaria ime më e madhe

12:00 - 07.02.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

E ka nisur me muzikë që në moshë të re, duke pasur suksese me shumë hite. Elsamed Senaj për vite me radhë ka realizuar bashkëpunimet më të suksesshme në karrierë, më pas ka qenë pjesëmarrës në “Big Brother 9”, ndërsa sot punon edhe si producent në realizimin e klipeve për këngëtarë të ndryshëm. Me të kemi realizuar një intervistë në të cilën i thotë të gjitha. Ai madje pritet që së shpejti të bëhet baba.




Çfarë është lumturia absolute për ju?

Lumturia më e madhe është të jemi mirë me shëndet, dhe njerëzit që kam përreth të mos kenë probleme. Mendoj që nuk ka lumturi absolute.

Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?

Unë mëngjesin e kam të shenjtë për gjumin; zakonisht e kam zgjimin gjithmonë pas orës 10:00, por gjithmonë zgjohem herët kur kam punë.

Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?

Jam tip që qesh rrallë, në fakt, më karakterizon më tepër serioziteti, por kam qesh me shpirt këto ditë në karantinë me pjesën e familjes duke zhvilluar biseda të ndryshme.

Tipari kryesor i karakterit tuaj?

Tipari kryesor është këmbëngulja ime. Gjithashtu jam tip që gjithmonë i realizoj qëllimet e mia.

eli3 eli1 eli4 eli
<
>

 

Defekti juaj kryesor?

Defekti? Mendoj që janë shumë defekte te një person, sepse nuk ekziston uniciteti. Jam tip që i dua gjerat shumë shpejt, ndoshta po e quaj defekt, sepse praktikisht dua të jem shumë i saktë dhe deri në detaj me çdo gjë, për këtë arsye jam i tillë.

Ndaj cilave gabime jeni më tolerantë?

Jam një njeri që njerëzve përreth u kam falur shumë gabime, kështu që, mendoj që janë shumë.

Hera e fundit që jeni përlotur?

Hera e fundit që jam përlota ishte kur po shikoja një film, “Mrekullia në qiellin e 7”. Jam emocionuar jashtë mase, saqë as lotët s’i mbaja dot, por jam tip që qaj nëse emocionohem për diçka. Besoj një burrë është i vërtetë kur derdh lot.

Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë?

(Qesh) Nuk i kam njohur nga afër personalitet e njerëzve që kanë bërë histori. Mendoj që personaliteti i çdo personi është unik në formën e vet.

Udhëtimi juaj i preferuar?

Një udhëtim që bëra në shtator në Mauritius (provincë e Indisë). Tani dua të vizitoj Singaporin, duke parë zhvillimin e jashtëzakonshëm që është atje.

Shkrimtarët tuaj më të dashur?

Ismail Kadare, Franz Kafka, Shekspir, Edgar Allan Poe, Oscar Wilde, Klaudia Shehu (kjo është gruaja). Ka shkuar libër dhe, nëse nuk ia vendos emrin, hajde dije se ç’më gjen (qesh).

Cilin virtyt vlerësoni më shumë te një femër?

Te një femër vlerësoj shumë besnikërinë dhe karakterin e saj: janë dy gjëra bazë që unë gjithmonë i shikoj, pastaj është edhe bota ku një femër lundron me mendjen e saj.

Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?

Zakonisht kur bëj dush nuk dëgjoj muzikë.

Ngjyra juaj e preferuar?

Ngjyra ime e preferuar është e zeza dimrit dhe e bardha verës.

Kë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?

Që i vogël jam marrë me shumë gjëra njëkohësisht. Muzika ka qenë gjithmonë parësore për mua dhe shumë këngë kanë pasur shumë sukses. Festivali “Shkodra Fest” ka nxjerrë goxha sukses për 3 vite që u realizua. Tani kemi investuar dhe jemi përqendruar 100% te kompania ime, për artistët nga gjithë estrada “Fullmoon Production”, ku kemi realizuar një pjesë të mirë të klipeve që publiku shikon çdo ditë artistë të ndryshëm. Mendoj se çdo gjë ka nxjerrë suksesin e vet dhe ka formuar karakterin tim, mbi bazën e biznesit ku përqendrohem më tepër.

Pija juaj e preferuar?

Nuk jam tip që e ekzagjeroj me pijen; vera është e preferuara ime.

Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?

Për asgjë që kam bërë në jetë me vetëdije të plotë nuk pendohem, i lumtur për çdo gjë që më ka ndodhur.

Çfarë urreni më shumë në këtë botë?

Urrejtja nuk ka qenë kurrë gjuha ime. Ndoshta maskilizmin e tepërt… Urrej fjalët e njerëzve kur merren me punët e mia apo të dikujt tjetër, por edhe njerëzit falsë.

Frika juaj më e madhe?

Zotin e kam frikë; çdo gjë tjetër çfarë sjell ai, mirë se vjen!

Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?

Kam një problem, që them gjithmonë të vërtetën, shkaku që humbas shumë gjëra. Nëse gënjej, dallohem direkt, sepse skuqem. Realisht unë gënjeshtrën e urrej për vete, sepse nuk jam tip që i preferoj.

Keni dhënë ndonjëherë ryshfet?

Kam dhënë shumë herët, para shumë vitesh, dhe s’i kam marrë kurrë, derisa mora vendim me veten që nuk do jepja kurrë, kështu që ndoshta shumë miq janë prekur nga kjo gjë, por nuk e thyej vendimin tim.

Cila është motoja juaj?

Lejojeni pasionin të bëhet qëllimi juaj dhe një ditë bëhet profesion! Me punë dhe vullnet arrihet çdo gjë që dëshiron në jetë!

Si do të dëshironit të vdisnit?

Jam shumë i mirë për të pasur një dëshirë se si do të vdes…

Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t’i thoshit?

Nëse një ditë do ta takoja Zotin, vetëm do ta falënderoja për çdo gjë që më ka dhuruar në jetë. Do ta falënderoja për mundësinë që më dha të vija në këtë botë i shëndetshëm dhe do t’i kërkoja falje për shumë gabime që bëjmë çdo ditë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.