Intervista

INTERVISTA EKSKLUZIVE/ “Dy arsyet e forta”, Biberaj: PD po punon 24 orë në ditë për fitoren e 25 prillit

11:00 - 08.02.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Aleksandër Biberaj, ish-deputet dhe aktualisht anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, bën përgjegjës Kryeministrin Edi Rama që sipas tij pushtetin e ka shndërruar në një oligarki të inkriminuar deri në palcë. Biberaj thotë për “Gazeta Shqiptare” se qeveritarët aktualë janë pasuruar në mënyrë marramendëse nëpërmjet vjedhjes, korrupsionit dhe abuzimit me buxhetin e shtetit. Në një situatë të tillë, ish-deputeti demokrat sheh si zgjidhje programin elektoral të PD-së dhe garancinë e Kryeministrit të ardhshëm Lulzim Basha se kjo platformë zgjidh situatën e rëndë ekonomike, sociale dhe politike në vend. Pjesëmarrës i të gjitha fushatave elektorale të PD-së që nga fushata e parë e 31 marsit 1991, Aleksandër Biberaj, zgjedhjet e afërta parlamentare i konsideron si më të rëndësishmet e tranzicionit shqiptar pas atyre të 22 marsit 1992. Ai shprehet se deri më 25 prill do të punohet 24 orë në ditë për fitoren e zgjedhjeve.




Biberaj, si e shihni situatën në këtë prag fushate dhe pse zgjedhjet e 25 prillit konsiderohen si më të rëndësishmet për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë?

Kjo fushatë elektorale dhe zgjedhjet e 25 prillit janë më të rëndësishmet e tranzicionit shqiptar pas atyre të ndryshimit të sistemit politiko-ekonomiko-social të 22 marsit 1992. Atëherë kishim përballë një parti-shtet që kishte mbjellë dhunë, terror, persekutim politik, luftë klasash, varfëri ekstreme dhe skamje për 50 vjet, por që në vitin 1992 “i kishin rënë dhëmbët”, pasi komunizmi ishte përmbysur në gjithë Europën Juglindore. Kështu që, fitorja jonë e 22 marsit do të vinte natyrshëm si nevojë dhe domosdoshmëri kombëtare për ndryshim, për të kapur ‘trenin’ e vendeve të tjera që kishin fituar lirinë dhe vraponin nga diktatura në demokraci. Ndërsa tani kemi po të njëjtën parti-shtet por me emrin Rilindje, ku militojnë pinjollët e diktaturës, por tashmë të shndërruar në një oligarki politiko-financiare të pasuruar në mënyrë marramendëse nëpërmjet vjedhjes, korrupsionit dhe abuzimit me buxhetin e shtetit (taksat tona) si dhe me pasuritë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ky pushtet është shndërruar në një oligarki të inkriminuar deri në palcë, të lidhur me 1001 fije me bandat, me botën e nëndheshme të krimit, me grupet e organizuara kriminale dhe me mafien ndërkombëtare (Ndrangheta), ndërkohë që populli është varfëruar në ekstrem dhe detyrohet çdo ditë të braktisë vendin në shifra të frikshme, më të larta se vendet që janë në luftë, si Siria, Iraku apo Afganistani. Por, pavarësisht situatës së zymtë ku e ka katandisur Rilindja vendin, gjithmonë ka një shpresë, ka një besim. Dhe pikërisht në këto kushte po fillon edhe kjo fushatë elektorale që do të jetë jetike për vendin sot dhe përcaktuese për 20 vitet e ardhshme. Më 25 prill do të kemi përballjen e dy botëve; nga njëra anë qëndrojnë krimi, korrupsioni, grupet mafioze, anti-shqiptaria të mbledhura në kupolën rilindëse, që kanë mbjellë kudo vetëm papunësi, pasiguri, skamje dhe varfëri, ndërsa nga ana tjetër qëndron Shqipëria dhe fati i saj, qëndrojnë qytetarët shqiptarë, populli opozitar dhe opozita.

Partia Demokratike, grupet e ekspertëve dhe kryetari Lulzim Basha po shpalosin çdo ditë programin elektoral me të cilin do të qeverisin nesër shqiptarët. Si e zgjidh situatën e vështirë ekonomike, sociale dhe politike ky projekt?

Është një program i përgatitur me shumë kujdes, me shumë profesionalizëm, me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri të lartë nga ana e ekspertëve më të mirë shqiptarë të fushave përkatëse në bashkëpunim me ekspertë të huaj, aleatët tanë politikë. Është punuar prej dy vitesh për këtë program, i cili është shumë realist, konkret për çdo fushë, i prekshëm dhe, mbi të gjitha, i realizueshëm. Programi është një program i inspiruar, frymëzuar dhe bazuar në ideologjinë dhe filozofinë e qendrës së djathtë, por për specifikën që ka Shqipëria ka edhe shumë elementë socialë. Programi e vë theksin te shtresa e mesme, si lokomotiva e zhvillimit ekonomik të shoqërisë, por edhe si amortizator dhe rregullator social i shoqërisë, por ka edhe politika sociale për shtresat në nevojë, totalisht të braktisura nga Rilindja gjatë 8 viteve të fundit. Mbi të gjitha ky është program për qytetarin shqiptar, pasi prek të gjitha shtresat shoqërore dhe grupet e interesit. Në germë dhe në frymë në qendër të programit është qytetari, sipërmarrësi, i punësuari apo i papuni, profesori apo studenti, arsimtari apo nxënësi, mjeku, infermieri apo pacienti, fermeri, peshkatari, i sapolinduri, i riu, pensionisti, çiftet e reja dhe familjet e reja.

Ndërkohë që z.Basha ka emëruar drejtuesit politikë të qarqeve, si po shkon ky fillim fushate?

Fillimi është shumë i mirë dhe shumë premtues. Drejtuesit politikë të qarqeve janë prezantuar dhe kanë filluar takimet me strukturat dhe qytetarët, për të garantuar një fitore plebishitare më 25 prill. Besoj se çdo njeri i angazhuar politikisht në Partinë Demokratike, që nga z.Basha, drejtuesit politikë të qarqeve, anëtarët e kryesisë së PDSH-së apo kryesive të degëve, anëtarët e Këshillit Kombëtar, çdo drejtues dege, grupseksioni apo seksioni, çdo anëtar i PD-së e di se ne duhet të punojmë 24 orë në 24 orë deri më datë 25 prill. Kjo edhe për dy arsye të forta. Arsyeja e parë është se ne përpara nuk kemi një parti politike që ka një program apo personalitete politike me të cilët mund të debatosh apo konkurrosh, por kemi një monstër që quhet Rilindje, një makinë krimi, një grup të strukturuar kriminal dhe mafioz, që bën gjithçka për të vjedhur dhe manipuluar votat. Realiteti dhe koha ka treguar se Edi Rama dhe banda e tij (përfshirë edhe delet që ka rrotull për makijazh) i kanë vjedhur gjithmonë votat për të bërë miliarda, dhe miliardat që kanë bërë gjatë këtyre 8 viteve do të përpiqen që t’i përdorin për të manipuluar dhe vjedhur zgjedhjet. Dhe arsyeja e dyta ka të bëjë me faktin se shqiptarët ka kohë që ne si opozitë na shohin jo vetëm si alternativë qeverisëse, por edhe si rikthyese të shpresës dhe besimit se ky vend bëhet, na shohin si një parti dhe opozitë që do të sjellë një ndryshim të madh në vend duke i dhënë fund këtij tranzicioni të tmerrshëm, rraskapitës dhe zhgënjyes 30-vjeçar. Dhe kjo na jep një përgjegjësi të jashtëzakonshme përpara kombit, përpara qytetarëve shqiptarë, si kurrë më parë gjatë këtyre 30 viteve.

Sa rëndësi merr cilësia e Grupit të ardhshëm Parlamentar të PD-së dhe të qeverisë që do të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, nisur edhe nga kualiteti intelektual i opozitës aktuale në Kuvend që realisht kanë dalë nga listat e PD-së dhe aleatëve të saj?

Është akoma shpejt, pasi deri tani kemi vetëm drejtuesit politikë të qarqeve, por kam besim se vendimmarrja e z.Basha do të jetë e matur, e pjekur, e peshuar mirë, e ekuilibruar, me përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë që i takon këtij momenti shumë të rëndësishëm për të ardhmen e vendit, me qëllim shpalosjen e një liste cilësore dhe dinjitoze kandidatësh për deputetë, listë intelektualësh, kontribuesish për demokraci, si dhe personalitetesh në fushat e tyre respektive të ekspertizës. Në të njëjtën frymë besoj se do të krijohet edhe kabineti qeverisës i pas 25 prillit. E rëndësishme është që PD-ja ka resurse njerëzore dhe intelektuale pa fund; përgjegjësia mbetet e lidershipit për të bërë zgjedhjet më të mira.

Si po shkojnë negociatat me aleatët tuaj opozitarë, përfshirë PR-në, PDIU-në apo PBDNJ-në, ndërkohë që keni mbyllur negociatat me PDK-në, LZHK-në dhe PAA-në?

Procesi i negocimit besoj se do të kurorëzohet me sukses. Ne jemi të hapur dhe po krijojmë një koalicion të madh opozitar, duke respektuar çdo parti, shoqatë, grup apo individ opozitar, që është në opozitë me bandën e Rilindjes në pushtet. Koalicioni ynë opozitar dhe aleanca që kemi ne sot me qytetarët shqiptarë, do të na bëjnë fitues të padiskutueshëm të zgjedhjeve të 25 prillit, pasi ky është interesi i Shqipërisë dhe shqiptarëve sot.

Si i gjykoni partitë e reja që janë krijuar nga ish-drejtues të PD-së, ndërkohë që ato janë regjistruar edhe në KQZ për votimet e 25 prillit?

Nuk e kam pasur në plan që të merrem më këto “partiza” ose, siç i thonë korçarët “partiçka”, por përderisa po më pyesni, po ju përgjigjem, për korrektesë dhe respekt për ju dhe lexuesit tuaj. Ajo që ka ndodhur me themeluesit e këtyre partive është realisht për librin e “rekordeve guiness”, dhe është rast i veçantë në historinë e politikës botërore, pasi të gjithë ata janë ish-anëtarët e kryesisë së vogël të PD-së që ka qenë në lidershipin e PD-së për rreth dy dekada. Së pari ata kanë vendosur për fatin dhe karrierat e qindra e mijëra intelektualëve, kontribuesve qëndrestarëve demokratë, kandidatë për në forumet drejtuese të partisë, kandidatë për deputetë, kryetarë bashkish apo këshillash bashkiakë, kandidatë për në ekzekutiv, institucione të pavarura kushtetuese, sistemin e drejtësisë apo shërbimin diplomatik. Po ashtu ata kanë vendosur për fatet e vendit dhe reformat e rëndësishme kur PD-ja ka qenë në pushtet, dhe sot dalin dhe krijojnë parti, duke bërë gjithë ditën dhe gjithë natën opozitën e opozitës, opozitën e PD-së që iu dha gjithçka, me sa duket në mënyrë edhe të pamerituar. PD-ja iu dha pushtet, karrierë dhe lavdi pa fund, i pasuroi, por koha si gjykatësi më i mirë tregoi se investimi i demokratëve tek ata ishte një investim fals. Gjithsesi këto zgjedhje janë një gur prove edhe për ta. Nëse ata janë të sinqertë dhe duan me të vërtetë largimin e Edi Ramës, le të vijnë në koalicion me ne. Nëse janë opozitarë realë dhe jo krijesa në shërbim të Edi Ramës, le të vijnë me ne në zgjedhje; dera e koalicionit të PD-së mbetet e hapur për çdo parti, grup, shoqatë apo individ që është në opozitë me Edi Ramën dhe mafien e tij qeverisëse.

Përveç sloganit “Shqipëria fiton”, që me sa duket do të jetë edhe slogani kryesor i fushatës, cilat janë sloganet e tjera që do të ketë PD-ja?

Natyrisht, në këtë situatë “shkretëtirë” ku e ka katandisur vendin Edi Rama, gjithçka mund të konvertohet në një slogan fushate, por gjykoj se sfida kryesore sot, që mund të jetë edhe lajtmotiv kryesor i fushatës, do të jetë ndeshja ndërmjet Edi Ramës dhe bandës së tij nga njëra anë dhe Shqipërisë dhe shqiptarëve nga ana tjetër, pra motoja do të jetë “Edi Rama, bandat e tij, Shqipëria e shpopulluar, e varfëruar në palcë” ose “Opozita e bashkuar për një Shqipëri me shqiptarë në një vend të prosperuar, të zhvilluar dhe të integruar në BE”. Zgjedhja u takon shqiptarëve më 25 prill.

Bashkëpunimi juaj me z.Basha në Partinë Demokratike ka nisur që kur drejtonte KOP-in, ndërkohë që ai po shkon drejt mandatit të Kryeministrit të ardhshëm të shqiptarëve. Si e shikoni projektin e tij për të qeverisur shqiptarët?

Është e vërtetë që bashkëpunoj me z.Basha që kur erdhi nga Kosova (UNMIK) në vitin 2004, dhe përveç marrëdhënieve shumë të mira miqësore dhe shoqërore, kemi edhe një bashkëpunim të shkëlqyer. E çmoj z. Basha, e respektoj dhe e vlerësoj për atë që përfaqëson dhe për ato që ka bërë në politikën shqiptare, dhe jam i bindur se do të jetë një model i ri kryeministri, një model modern. Këtë e bazoj jo vetëm në edukimin e tij perëndimor dhe eksperiencën ndërkombëtare që kishte deri në vitin 2004, por edhe në performancën dhe arritjet e tij politike (3 herë ministër, kryetar i Bashkisë Tiranë dhe lider i PD-së për 8 vjet) dhe modelin bashkëkohor që është përpjekur të implementojë gjatë këtyre 17 viteve në politikën shqiptare. Kam një bindje se nën lidershipin e Lulzim Bashës, Shqipëria do të anëtarësohet në BE.

Anëtarësia e PD-së ju ka propozuar për deputet në shumicën e qarqeve dhe në të gjitha degët e Tiranës, dhe po ashtu “komisioni pesësh” ju ka nominuar si kandidat për deputet. Cili do të jetë “fati juaj politik” deri më 25 prill dhe pas 25 prillit?

Fati im politik është i lidhur pazgjidhshmërisht politikisht me lirinë, demokracinë, shtetin e së drejtës, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, ndarjen, balancimin dhe kontrollin e pushteteve, ndërsa shpirtërisht dhe moralisht, kuptohet, është i lidhur me Shqipërinë, shqiptarët dhe shërbimin ndaj tyre, që nga data 8 dhjetor 1990 që unë kam filluar aktivitetin politik.

Kështu që, edhe në këto zgjedhje, si gjithmonë fati im politik është pjesë e fatit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Përfitoj nga pyetja juaj për të falënderuar të gjithë ata demokratë që më kanë propozuar për deputet, si dhe kolegët e grupit pesësh që kanë vlerësuar aktivitetin tim politik. Për më tutje, vendimi i përket Lulzim Bashës. Në jetën time kam pasur dhe kam një parim: gjithmonë unë e bëj timen, bëj maksimumin tim, të tjerët le të bëjnë të tyren dhe gjithsecili le të bëjë të veten, dhe bashkimi i gjithë këtyre vullneteve individuale bën të , duke të çuar te suksesi. Gjithsesi, mbi të gjitha ka rëndësi fitorja plebishitare e 25 prillit dhe gjithçka tjetër është në shërbim të saj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.