Intervista

Intervista/ Familja Kaceli, një institucion arti më vete

10:00 - 08.02.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

(Intervistë me piktorin Buron Kaceli, pinjoll i këtij fisi autokton tiranas)




Nga Prof. dr. Fatmir Terziu – Me piktorin e mirënjohur shqiptar Buron Kaceli jemi njohur në atdhe. Natyrisht, njohja ishte në vrulle të tjera angazhimesh të kohës, që shënonte ndryshimin dhe formën e re demokratike. Në këtë mori angazhimesh e shihja dhe kuptoja se ishte forca e brendshme, kultura e gjatë e trashëgimisë dhe mënyra e mirësjelljes që dallonte në tërësinë e tij të komunikimit. Më tej, arti me të cilin ai gatuante tërë atë udhë të gjatë e bënte akoma më shumë një fisnik në detaj, një intelektual të tipit perëndimor, një njeri mjaft të respektuar. Dhe kështu kohërat ikin shpejt, ndërsa vetë koha mbetet një arsye më shumë që kërkon të shpjegohet me njerëzit që e përfaqësojnë atë. Në këtë përfaqësim, natyrshëm ndjenja jonë e njohjes më të gjerë na obligon të bëjmë këtë intervistë, që mbetet një dritare më shumë në një fis që ka kaluar normën e një institucioni arti në tërësinë e paraqitjes së tij. Në këtë realitet është dhe vetë piktori Buron Kaceli, një pjesë gjithnjë në rritje, një vlerë e merituar e kulturës shqipe, e pse jo dhe më gjerë, që gjithnjë e në të gjitha kohërat meriton Nderin e Kombit. Më poshtë ju sjellim intervistën e piktorit Buron Kaceli për “Gazeta Shqiptare”.

– Ku qëndron e pathëna dhe e panjohura në këtë udhë jetike midis mbiemrit dhe veprës?

Familja Kaceli është një ndër familjet e vjetra autoktone tiranase. Kaceli u rrit dhe u edukua në gjirin e kësaj familjeje të madhe me tradita të shquara patriotike si dhe me një moral, moralin qytetar tiranas, ku dallimi ndërmjet të mirës dhe jo të mirës, të bukurës dhe jo të bukurës, të vërtetës dhe jo të vërtetës ishte shumë i ndjeshëm. Gjyshi i tij Ismaili, ushtarak dhe akademik me gradë të lartë, do të binte dëshmor, duke luftuar heroikisht në Lidhjen e Prizrenit. I ati, Osmani, do të ndërronte jetë nga një i ftohtë i marrë në luftën për mbrojtjen e Shkodrës, duke e lënë Sadikun në një moshë të re. Ishte koha kur frytet e Rilindjes kombëtare po ndiheshin në mbarëvajtjen e punëve në çdo fushë, vendi po përparonte në çdo drejtim dhe po ashtu edhe familja Kaceli po gëzonte një mirëqenie ekonomike në rritje. Sadikut, vëllait të vogël prej katër vëllezërve të mrekullueshëm, nuk do t’i mungonte asgjë që do t’i duhej për zhvillimin e talentit të tij, që u shqua që në shkollën fillore. Vëllai më i madh Ismaili, i cili mbante emrin e gjyshit të tij, ishte specializuar për këpucari në Çeki, pranë firmës së famshme të këpucëve “Batta”, ndërsa tre vëllezërit e tjerë, Aliu, Ramazani dhe Jonuzi do të tregtonin në një dyqan në tokën e tyre pranë Sahatit të Tiranës. Ishin me shumë sqimë dhe mallrat që tregtonin ishin mallrat më të mira të kohës, të cilat i merrnin nga Milano.

Buron Kaceli
Buron Kaceli

Im atë kujtonte kur kish qenë shumë i vogël, kur një ditë e kishte zënë gjumi duke parë vëllezërit e tij që në një faqe të madhe të bardhë muri të shtëpisë kishin pikturuar rrapin madhështor të Tabakëve. I kishte bërë jashtëzakonisht përshtypje dhe nuk do ta harronte kurrë. Një zeje e hershme e familjes kishte qenë dekorimi i arkave të nuseve dhe ndoshta kjo zeje, dekoracionet e ndryshme floreale do të bënin që Kaceli, një ndër nxënësit më të mirë të Shkollës së Vizatimit të Tiranës, do të admironte artistin e madh francez Matisse, të cilin e kishte njohur përmes enciklopedisë britanike në bibliotekën “Karnavon” të Tiranës. Do t’i shkruante artistit duke i kërkuar që të bëhej nxënës i tij, por Matisse e drejton te miku i tij André Lhote, sepse ai ishte i vjetër, nuk mbante më nxënës. Kaceli do të shkojë në Paris, por nuk do të shkojë te shkolla private e Lhote-it, duke menduar kthimin në Tiranë, ku do t’i duhej një diplomë zyrtare dhe jo private. U regjistrua në “Ecole Superieure des Beaux Arts” të Parisit. Pas mbarimit të studimeve me shumë sukses dhe pjesëmarrjeve në ekspozitat më prestigjioze të Parisit, do të kthehet në Tiranë me disa metodika për dhënien e mësimit të vizatimit në shkollat fillore, sepse shumë më vonë do të hapeshin shkollat profesionale. Më vonë, kur do të hapej Liceu Artistik, do të jetë një ndër mësuesit e parë të kësaj shkolle, ku do të punojë deri në daljen e tij në pension. Në të njëjtën kohë zhvilloi një krijimtari shumë të madhe artistike, duke bërë një art të tijin jashtë çdo influence, ashtu siç i kishte thënë pedagogu i tij, mjeshtri Sabatte kur kishte parë Sadikun të bënte një nudo alla Matisse: “Sadik, ti duhet të bësh artin tënd”. Dhe Kaceli vërtet bëri një art të tijin, një art që i buronte nga shpirti i tij i ndjeshëm, një art që do t’i burojë nga përjetimet në atdheun e tij që e donte aq shumë.

– Duke parë këtë udhëtim mes artit, mund të thuhet fare hapur se jeta juaj dhe tradita e këtij fisi është Institut i Artit më vete?

Arti ka qenë prezent që herët në familjen tonë. Familja kishte një traditë dhe një qasje të mirë ndaj së bukurës, ndaj artit. Gjyshi i Sadikut, Ismaili, ishte njëkohësisht dhe një lahutar i mirë. Fishta kur vizitoi Shkollën e Vizatimit të Tiranës dhe mori vesh se Sadiku ishte i vëllai i Aliut, mikut të tij, i recitoi vargjet e tija nga Lahuta e Malësisë: “Merr Kacel një herë lahutën e na thuj një kangë shqipëtare, smajm na zi pa na qit faret….” Kur rritej im atë, ndodhi që muzika klasike, ariet me të bukura të dëgjoheshin çdo ditë ngaqë Banda e Tiranës së kohës me një dirigjent grek bënte prova ngjitur me shtëpinë e Kacelëve. Im atë kalonte një kohë të mirë duke dëgjuar këto arie dhe ishte bërë gati një përkthyes i dirigjentit grek. Do ta kishte të përhershme të luajturën me mandolinë dhe violinë kur pushonte së pikturuari. Dekorimi siç thashë më sipër ishte prezent në familje që herët. Kështu që mund të themi se arti dhe e bukura ishin në çdo aspekt të veprimtarisë së familjes. Gëzim Ali Kaceli, nipi i tim eti, mbetet një ikonë e vyer e baletit dhe koreografisë sonë kombëtare. Një ndër themeluesit e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Gëzimi me krijimtarinë e tij e ngriti vallen popullore në nivele të larta artistike, pa ia lënduar thelbin e tabanit mbi të cilën u mbështet dhe u frymëzua. Vallet e tij kanë përfaqësuar me nder Ansamblin në vende të ndryshme të botës dhe sot luhen sikur të jenë burimore. Është autori i dy baleteve, “Kecat dhe ujku”, me muzikë të A. Peçit dhe “Legjenda e Lules Honine”, me muzikë të Hajk Zaharianit. Për gjithë këtë kontribut ai gëzon titullin “Artist i Merituar”, por realisht ky titull është shumë pak për atë çka ai i ka lënë trashëgim kulturës sonë kombëtare, duke e pasuruar shumë atë. Renis Kaceli, djali i Gëzimit, ishte një ndër balerinët e shquar të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. I diplomuar me titull nderi pranë “Accademia di Danza del teatro alla Scala” të Milanos. Sot ai bashkë me Aleksandrën, bashkëshorten e tij, i dedikohet mësimdhënies në shkollën “Realballet” të hapur prej tyre në Kalabri. Po ashtu e motra, Sonila Gëzim Kaceli, që ka mbaruar studimet pranë Universitetit dhe Konservatorit të Bolonjës, është arsimtare dhe bën pjesë në mënyrë aktive në jetën kulturore dhe artistike të qytetit të Bolonjës. Shija ndaj së bukurës do të shfaqet edhe te mbesa e tim eti, Qefsere Ramazan Frashëri, që njihej në të gjithë Tiranën si një rrobaqepëse dhe stiliste e shkëlqyer. Motra e saj, Lule Kaceli Borova dhe motra ime, Heroina Kaceli Saraçi, do të punojnë dhe krijojnë në artet e aplikuara, ndërsa motra tjetër e imja, Lumnika Kaceli Triest, do të realizojë disa portrete dhe në Holandë, atje ku jeton, do të hapë edhe një ekspozitë me motive nga Holanda. Një nga djemtë e Heroinës, Omer Alush Saraçi, mbaroi Akademinë e Arteve për pikturë dhe realizon me sukses fotografinë artistike. Fëmijët e xhajës tjetër, Jonuz Osman Kaceli, “Martir i demokracisë”, do të shquhen po ashtu për shije të hollë ndaj së bukurës. Drita Jonuz Kaceli do të punonte në Artistiken Migjeni, po në Artet e Aplikuara, ndërsa motra e saj, Dhurata Jonuz Balena po jeton dhe pikturon bukur në Itali. A ka qenë një institucion arti? Mund të themi që arti dhe biseda për të bukurën ka qenë dhe mbetet prezent në familjen Kaceli dhe me mjaft rezultate.

Prof. dr. Fatmir Terziu

– Le të ndalemi te ju. Thuhet se preferoni peizazhin, por te ju dhe peneli juaj shohim mjaft risi të tjera; si e shpjegoni për lexuesit tanë?

Im atë ka lëvruar të gjitha gjinitë e artit të pikturës. Përveç kompozimit, portretit, peizazhit dhe natyrës së qetë, ai është i pari që ka realizuar gravurat, pllakatin si gjini etj. Por kur erdhi koha që kërkesa ndaj artit të kompozimit u bë nga pushteti tepër tendencioze në drejtim të kompozimeve tematike, im atë iu drejtua peizazhit. Në atë kohë unë, nxënës në Liceun Artistik, e shoqëroja tim atë nëpër daljet e tija në natyrë. Ai realizonte peizazhe të atdheut të bukura e plot poezi në teknikën e vajit, ndërsa unë pikturoja peizazhe në teknikën e akuarelit (ngjyrave të ujit). Pasazhi ishte dhe mbetet për mua një dashuri e madhe. Lëviz mjaft nëpër Shqipëri dhe më gjerë, por përveç peizazhit, unë realizoj edhe mjaft portrete. Portreti është po ashtu një gjini që e çmoj shumë. Gati-gati, për mua janë njësoj portreti i njeriut, fizionomia e tij e veçantë, psikologjia e tij, ashtu si peizazhi që ka veçoritë e veta. Natyra po ashtu të shfaq gjendje nga më të ndryshmet, që përkojnë me gjendjet shpirtërore të njeriut. “Natura humanum est” thoshin latinët. Natyra është njerëzore. Kur thellohem për të bërë një portret, më duket gati-gati sikur po pikturoj një peizazh. E dua shumë këtë gjini, më pëlqen kur thellohem në botën e brendshme të njeriut.

Po ashtu trajtoj edhe kompozimin, gjininë komplekse siç është romani në letërsi, ku të gjithë elementet duhet të flasin dhe të shprehin një gjendje e të përçojnë një mesazh. Dhe kur bën portretin dhe peizazhin, nuk ka sesi të mos duash të realizosh edhe kompozimin. Më pëlqejnë të gjitha gjinitë e pikturës, i trajtoj ato dhe realisht nuk mund të them se ku jam më mirë.

– A ka qenë jeta një përkëdhelje për ju?

Nuk mund të them se ka qenë një përkëdhelje, ndonëse, edhe kur më ka ardhur disi mbrapsht, nuk më ka penguar asgjë që të jem vetvetja e të vazhdoj me kujdes, por me vendosmëri t’i marr jetës më të mirën e mundshme. Pas një fëmijërie të bukur në gjirin e familjes së ngrohtë me prindër të mrekullueshëm, Sadikut dhe mamasë Safijes, arsimtare që la punën për të qenë më pranë nesh teksa rriteshim, si dhe pas një rinie të këndshme, çka e bënte të tillë përfshirja totalisht në botën e artit, më pas kam pasur edhe probleme dhe vështirësi. Për atë regjim ishte problematike biografia politike e familjes Kaceli dhe ai regjim ishte shumë i ndjeshëm për të kuptuar mospërshtatshmërinë me të. Tri herë më kanë emëruar jashtë Tirane. Në atë kohë nuk ishte e lehtë, aq me tepër për një të ri të përkushtuar ndaj artit, të përballonte reagimin jo dashamirës të strukturave të ndryshme shtetërore që dirigjonin jetën e shoqërisë dhe të çdo individi. Nëse jam përkëdhelur në këto periudha, jo vetëm prej disa miqve të afërm që nuk m’u larguan për asnjë moment, por, dhe e them me plot gojën, jam “përkëdhelur” nga njerëzit e thjeshtë, qoftë në Tropojë kur më emëruan në fillim, e qoftë në Malësinë e Tiranës, kur dy herë më larguan prej Institutit të Monumenteve të Kulturës, ku punoja jo pa sukses në restaurimin e veprave të artit. Në një farë mënyre jam vetëpërkëdhelur me aktivitetin tim krijues, pikturën, që nuk e lashë asnjëherë, përveçse në periudhën e ndërrimit të sistemit, ku iu përkushtuam me idealizëm të madh, gati-gati infantil, dëshirës për transformimin e jetës.

– Një ndalesë te disa nga veprat tuaja. Kë do të dallonit (veçonit) më shumë në syrin tuaj profesionist?

Kur rriteshim katër fëmijë dhe im atë shiste ndonjë pikturë, dhe gëzoheshim të gjithë sepse plotësonim nevojat e ndryshme të jetesës, im atë, sigurisht që gëzohej, por edhe me një lloj ndjenje të lehtë pakënaqësie, sepse siç thoshte ai, pikturat i kam si fëmijët e tij, pjesë shpirti. Ashtu si prindi nuk bën dallime te fëmijët, edhe piktori krijues nuk e ka të lehtë të vlerësojë krijimet e veta. Siç thashë më lart, unë i trajtoj të gjitha gjinitë, dhe ndër to po listoj ato vepra të miat që të tjerët i kanë vlerësuar më shumë. Për shembull në gjininë e kompozimit po përmend: “Tokë Shqipëtare”, “Bendo Buzi”, “Violinisti”, “Cigania”, “Lypësi” etj. Te peizazhet: “Porti i vogël i Sarandës”, “Tirana në muzg”, “Drenova”, “Valbona”, “Liqeni i Pogradecit” etj. Dhe te portretet: “Portreti i Kacelit”, “Portreti i nënës”, “Pranvera”, “I braktisuri” etj.

– Si e shikoni artin dhe artistin në këto vite të demokracisë?

Të gjendurit direkt në një liri të plotë dhe të papritur, direkt nga një periudhë e gjatë izolimi prej botës së qytetëruar, artistët shqiptarë, ndonëse të përgatitur profesionalisht shumë mirë me një formim akademik, me gjithë keqshfrytëzimin në kuadër të metodës së realizmit socialist, nuk e kishin të lehtë të njehsonin hapin me kolegët e tyre, artistët e botës së lirë, që gjatë 50 viteve kishin rrugëtuar normalisht në një jetë në zhvillim e sipër, me zhvillimet teknologjike si dhe me zhvillimin e koncepteve të reja për jetën dhe artin. Megjithatë, me shumë sakrifica dhe përkushtim, mendoj që mjaft artistë si jashtë, ashtu edhe brenda vendit, rezultuan të suksesshëm dhe në përgjithësi arti pamor shqiptar po ndjek një zhvillim të mirë. Dhe kjo, fatkeqësisht, jashtë vëmendjes dhe kujdesit të shtetit.

– Ku qëndron forca dhe e fshehta e një shpirti artisti si ju?

Mendoj që forca dhe e fshehta për çdo artist qëndron te shpirti i paracaktuar për të pasur sukses në art, nëse edhe rrethanat do të jenë dashamirëse dhe nëse nuk do të mungojë përkushtimi i artistit për artin. Sigurisht që ndjeshmëria karshi së bukurës, dëshira dhe rendja pas saj e jo thjesht dhe vetëm për ta ndjerë siç ndodh te shumica e njerëzve, por edhe për ta prekur atë e për ta hedhur e fiksuar të bukurën në telajo. Nuk është e lehtë, por të lehtëson dashuria për të bukurën. Kërkon shumë forcë, por herë-herë të jep një kënaqësi të tillë të madhe që të mos pushosh së renduri pas së bukurës, së bukurës dhe së vërtetës, sepse e bukura dhe e vërteta nuk janë veçse një, një dhe e pandarë.

– Ku qëndron rëndësia dhe vlera e ekspozimit të veprës së artistit nga studioja tek ekspozitat?

Si të gjithë artistët kur janë në proces të realizimit të një vepre që do ta ekspozojnë në publik, edhe unë e vendos veprën në një sipërfaqe të lirë të studios për ta parë sikur do ta shihja në ekspozitë. Dhe ndodh gjithmonë që, në studio e mendon të mbyllur dhe gati për ta dërguar në publik, kur e shikon veprën tënde të ekspozuar krahas veprave të tjera të kolegëve, gjithmonë do ta shohësh me shumë më tepër objektivitet. Të duket sikur po e shikon për herë të parë dhe e shikon sikur po e shohin dhe vizitorët e tjerë. Ekspozimi ka shumë rëndësi. Aty ballafaqohen vlerat dhe vlerën se si e shikojnë punën tënde të tjerët, pavarësisht nëse je ose nuk je dakord, shkëmben mendime me krijuesit e tjerë, si dhe me personalitete të ndryshme të kulturës, dhe kështu del në konkluzione të vlefshme për krijimtarinë tënde në vazhdim. Për këto arsye, ekspozitat janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e krijimtarisë krijuese të çdo artisti dhe të artit në përgjithësi. Fatkeqësisht, në Tiranë artistët e kanë problem ekspozimin. Tiranës, kryeqytet me një milion banorë, i mungon sot e kësaj dite një sallë e mirë ekspozimi dhe artistët e ndjejnë shumë këtë mungesë, me gjithë ekzistencën e dy-tri sallave të vogla private.

-Çfarë mesazhi përcillni ju te kjo pjesë shqiptare, që mbetet me sy dhe zemër në atdhe, ndërsa ka hyrë në katalogun “Diasporë”?

Diaspora, pjesë shumë e ndjeshme e shpirtit të kombit, e shpërndarë nëpër botë, ku çdo pjesëtari të saj i rreh zemra me zemrën e nënës Shqipëri, është një vlerë e madhe dhe e patjetërsueshme për mbështetjen e zhvillimeve pozitive në Shqipëri nëse ajo nuk qëndron e kataloguar në termin “Diasporë”, por ndihet dhe merr pjesë aktive në zhvillimet e Shqipërisë. Sigurisht që, arritjet individuale të shqiptarëve nëpër botë, për fat jo të pakta, influencojnë pozitivisht për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë, por nëse elementët më të shquar të diasporës do të organizoheshin në një lëvizje të mirëformuluar, atëherë do të mund të ndihmonin shumë më tepër në përmirësimin e politikëbërjes në shërbim të vendit sesa votimi i thjeshtë që edhe mund të manipulohet. Nëse ky mesazh mbetet i paplotë në sensin e një bisede, konteksti i së cilës është arti, atëherë diaspora, atje ku ndihet mirë dhe e ka të mundur do të mund të kontribuonte në propagandimin dhe krijimin e mundësive të ekspozimit për artistët shqiptarë, çka do të ishte shumë e mirëpritur. Por për të qenë efiçente, e rëndësishme është që diaspora të jetë e mirëorganizuar, jashtë përkatësive dhe detyrimeve partiake dhe me të vetmen dëshirë dhe objektiv, zhvillimin e përgjithshëm kombëtar.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.