KULTURË

ALDA MERINI/ Ledia Dushi sjell shqip poeten italiane, një “makineri e dashurisë”

16:15 - 12.02.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

M’i ka anda grykat e errëta t’pijetoreve t’përgjumuna,




 ku njerëzia t’ndërkryer këndojnë n’kupë t’kresë, dëshiroj gjanat e mallkuara e t’thjeshta,

gotat e thella të venës, ku mendja ngazëllen, trajtë e mendimit magjik.

I kotë ngashërimi për një dashuni t’humbun t’dhimbshme e t’egër, ma mirë avulli i venës së kulluar, ma mirë mendja e harlisun…

Shtëpia Botuese DITURIA sapo ka nxjerrë në librari një tufë poezish të italianes Alda Merini nën titullin “E çmendun, e çmendun, e çmendun pas teje” përkthyer në dialektin gegë nga Ledia Dushi.

Botimi vjen për Shën Valentin si një mundësi dhurate dhe si një rrugë drejt poezisë së Merinit. Dushi ka punuar me frazën për ta sjellë në aq gegnishte sa te mund te jetë megjithatë afër standardit.

Nga Roberto Vecchioni

Të “rinjtë e dashuruar” nuk kanë as moshë e as kufi, as vend të caktuar, as vetëdije aktuale për gjymtyrët, për farën, për mbështjelljen dhe çmbështjelljen e trupit: ngatërrohen në një të tërë, e qartë për momentin, por e paqartë “para” dhe “pas”, abstraktimi i pafund i ndjenjës, që tashmë është përjashtues dhe refraktar ndaj çdo thirrjeje të jashtme. Këtu qëndron ndrydhja e ankthshme që nuk ka mundësi tjetër përpos të shpërthejë (apo të bulëzojë): përkundruall regëtin hija e pakuptueshme dhe ngashëruese e dy gjendjeve të tjera shpirtërore, pritja dhe ndalimi, në të cilat kultura poetike e tejkalon përmes imagjinatës dhe dëshpërimit zgjidhjen e natyrshme të takimit të lumtur, të aktit sublim.

Alda është një “makineri e dashurisë”. Alda është një joshje e pareshtur, një provokim i pareshtur sfidues, për të lundruar përreth territorit dhe për ta pushtuar atë, sepse gjithnjë, edhe kur shtiret si e plogësht apo e mahnitur, është pikërisht ajo që e vërtit paktin dhe shkëmbimin, që shijon me mend intrigën dhe nuhat disfatën.

Dashuria për të është një fuqi shpërthyese e pafund. Gjithçka që ajo bën, gjithçka që ajo thotë kanë të njëjtin sfond, të njëjtin skenar: metafora është gjithnjë dashuri, një mbulesë mbështjellëse e gjerë sa qielli, një zotëri vetmitar i maskuar në palaçollëkun e ditëve të zakonshme, një dëshirë e papritur që është bërë rishtas histori në mendjen e saj, ende para se të bëhej realitet.

Kjo dashuri rrok një hark të pafund: shkon nga teoria e Titanit, që zuri të qante gjatë një skene të E.T.-së (“çdokush ka nevojë për dashuri”), deri në mbizotërimin e plotë e ziliqar të një zoti të pakapërcyeshëm: “Ndonjëherë Zoti / i vret dashnorët / sepse nuk dëshiron / që t’ia kalojnë / në dashuri”.

Alda në shumë vargje ka të njëjtën qasje që kanë me dashurinë poetet e mëdha si Dikinsoni, Ahmatova, Safoja dhe veçanërisht Jursenari, do të thosha. Por te asnjëra prej tyre, duke përjashtuar ndoshta Safon, nuk gjendet fuqi kaq monotematike, kaq e sëmurë, dhe kaq kapilare. Duket sikur Alda e tregon dashurinë duke e krahasuar me një person të gjallë, që ia vëzhgon, që nga çasti kur zgjohet nga gjumi, të gjitha veprimet, ato të thjeshtat, të rëndomtat, profanet, deri në kurthin që i ngre përreth e në të cilin herët a vonë do të bjerë vetë.

Ajo është një gjahtare e pagjumë, e paaftë për diçka tjetër, e paaftë të dallojë çfarëdo gjesti, ledhatimi, shkelje syri, grafullime, apo fjale prej kësaj grishjeje të thellë, prej kësaj loje të shenjtë.

Ajo që të rinjtë do të zbulojnë duke lexuar këtë përmbledhje tematike, është veçanërisht identifikimi i menjëhershëm.

I ka ndodhur kujtdo t’i përjetojë këto tri momente: atë të pritjes, kulmimit, ndalimit; pikërisht ndjesitë e holla, të kthjellëta që Alda i përkthen në një pasqyrë kaq vezulluese. Kjo ndodh sepse Alda, ndryshe nga poetet e tjera, por saktësisht ashtu siç ndodh te tjetri, nuk e shquan në “mënyrë kronologjike” pritjen, kulmin dhe shkëputjen, gëzimin dhe dhimbjen, por përzien gjithçka në të njëjtën frymë, që një herë është puhi, një herë është tufan ku gjithçka bashkëjeton e mbivendosur në ndijën tonë. Brenda pritjes gjendet tashmë “fuqia” e aktit, ndërsa gjatë aktit shfaqet edhe hija e përmbylljes.

Ajo që të rinjtë do të kuptojnë nëpërmjet Aldës, është se nuk mund të mos dëshpërohesh nga dashuria: vuajtja është rrënjosur në kontradiktën e brendshme të vetë përkufizimit, pra të konsiderosh të përjetshme një drithërimë të thellë kalimtare.

Ndoshta është shuma e pjesshme apo përfundimtare e do drithërimave, që na thotë se dashuria nuk njeh masë as kur jep e as kur merr.

Dashuria është një “DRAMË”, e vetmja e mundshme dhe duhet pranuar e jetuar si në të qenit bashkë ashtu edhe në ndarje. Ajo është gjithashtu akti më i madh krijues që mund t’i lejojmë vetes; na takon pikërisht ne ta ndalim atë në kohë të paktën dy herë: në kulmin e pranisë, si dhe në rindërtimin e kujtesës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.