OPINION

Lefter Çipa poeti i perlave popullore

10:59 - 19.02.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Piluri, kurora mbretërore e bregdetit, e gdhendur në gurë, i rri si ballkon, mbi krye Himarës, e i freskon ballin, me flladin e malit e puhinë e luleve, aromën erëndezëse të pyllit të harlisur, përzier me vallen çapkëne të detit, ka nxjerrë në shekuj burra të shquar, trima, e të mençur, që i bëjnë nder jo vetëm komunitetit vendas, por gjithë kombit. Ata janë të shumtë, por mjafton edhe një simbol të shkëpusim në galaktikën e tyre, për të identifikuar identitetin e këtij fshati. Objekti i këtij shkrimi, është poeti i perlave popullore, Lefter Çipa, që dje u nda nga jeta prodhimtare, që ka kalëruar tërë jetën në shpinën e poezisë tradicionale, labe, duke u përplasur nga njëri breg në tjetrin dhe duke lënë mbrapa majanë, fermentin, ku kanë ngjizur penën, breza të rinj poetësh. Në gunën e poezisë të Lefter Çipës, është mbështjellë e mbrojtur nga shiu, e ruajtur nga vapa, vargu i rëndë epik, si gurët shkëmbor të malit dhe vargu ledhatues lirik, “aromatik”, i spërkatur me esencën e portokallit e limonit. Në një nga poezitë e tija brilante, ai shkruan: ”Bregu është vend i ashpër, mos u nxit o zog i shkathët. Me shpirtin e tij të butë, me zëmrën kristal, me fjalën brilante, që e përcjell nëpërmjet vargut me tingëllim metalik, pikturon me penën e tij të artë dhe këndon me vargjet magjepse. Fisnikëria e shpirtit të tij, ka bërë që të punojë pa u lodhur, pa menduar për vete, duke e quajtur jetën një dhuratë që ia ka borxh të tjerëve. Ai ka pushuar, duke punuar pareshtur. Krijimtaria e tij, është një det pafund. Poezia e Lefter Çipës, është një katarakt që zbret nga mali, e gjen shtrat në bregdet, ku çlodh vrapin e merr shpejtësinë, për t’u përhapur në gjithë Shqipërinë. Ajo është një gurrë popullore, që kur e lexon s’ke të ngopur dhe të ngjan vetja me atë udhëtarin në zhegun e vapës së korrikut, që mezi pret, që në burimin më të parë, të verë buzët në krua, për të shuar etjen dhe s’ka të shqitur prej tij. Kur lexon poezitë e Lefter Çipës, e ke vështirë të ndahesh prej tyre, se ato kanë një forcë manjetike, që të mbërthejnë pas vetes, e s’të lëshojnë pa bërë një kompromis “korruptiv,” se së shpejti, do kthehesh në kopshtin e poezisë së tij multikolor. Kompromisi në heshtje, është të rrijë pa folur e pa i bezdisur për disa ditë, mbasi i mbaron së lexuari, i le në qetësinë e tyre dhe i fillon prapë nga e para. Vargu i tij, të çlodh, të rehaton, të gëzon, të duket sikur fluturon, ose je ulur në poltron e mediton, magjia e tij të shëron. Është mjeshtër i vargut popullor. Vargut i bën cirk, e përkëdhel si një fëmijë, e vërtit, e rrotullon, e çon në qiell, e ul në tokë, e zhyt në thellësitë e detit, e s’mbytet, del në breg si një notar i mirë, e çon në skutat e historisë, e ai s’harron, e ngre përmbi male mbuluar nga retë, e përsëri vargu duket si një kalorës mitologjik. E ka pajisur poezinë e tij me të gjitha organet, për të jetuar e shëndetshme. I ka dhënë sytë, të shikoj larg si shqiponja tërë hapësirën shqiptare, nga Kosova në Çamëri, që autori ka nostalgji e dashuri, veshët të dëgjojë zërat e bukur të natyrës, zëmrën të rrahë për Shqipërinë, edhe sot që nuk jeton më fizikisht. Poezia e Lefterit, është qëlluar me plumba, por nuk është plagosur, është penguar shtigjeve të monopateve, por nuk është rrëzuar, është vjedhur por është identifikuar hajduti, ka kaluar kufirin por nuk është tjetërsuar, se ka qenë e mbështjellë me Flamurin Kombëtar dhe në “xhep” ka pasur pasaportën me inicialet e princit të polifonisë labe. Këto tipare, kanë bërë që vargjet e tij të mos thahen e vyshken, as në vapën e nxehtë të verës, e as nga ngricat e bora në male, se ato ishin të strallta.




Kur lexon poezitë e Lefter Çipës të lëngëzon goja nga njomështia, nga shija që përcjellin, të qesh zemra për patriotizmin që transmetojnë, e të fluturon mendimi në gjurmët e historisë, ku ka shëtitur fantazia e tij, për të mbledhur nektarin e poezisë . Ai është treguar tërë jetën i palodhur, është rraskapitur, por nuk është rrënuar e ligështuar. Bashkudhëtar dhe shok i pandarë në jetën e tij, ka qenë pena në xhep, si gjahtari pushkën në krah, e çobani kërrabën në dorë. Lefteri, është gjahtari i perlave të poezisë, duke rendur brezareve të bukura të bregdetit, staneve e hijeve të tendave ku mërzejnë bagëtia, burimeve të ftohta, duke mbajtur veshur gunën e çobanit. Frymëzimin, ai e ka gjetur në bukuritë magjepse të bregdetit, që e stigmatizon shumë ëmbël nëpërmjet figurave letrare, me fërfërimën e gjetheve të pyllit, gurgullimën e ujërave, cicërimat e zogjve, këmborët e dhive e të lehurat e qenve, të konvertuara këto në një ansambël natyror. E kujtojmë sot dhimbshëm siç ishte në të vërtetë, me tipin e tij të shkathët e sanguin, që ka ditur t’i ngjitet malit, të griset e shpohet nga gjembat e drizave e murrizit, të gërvishet e vritet këmbëve nga gurët e thepisur të shpateve të maleve. Një jetë prodhimtare, me poezinë dhe folklorin, si bashkëpunëtor i Institutit të Folklorit të Kulturës Popullore. Udhëtar i palodhur, pjesëmarrës në ekspozitat etno-folklorike, në krahinën e Labërisë, e veçanërisht në fshatrat e bregut të Himarës. Nuk ka pasur veprimtari folklorike, ku të mos jetë “krushku“ i parë Lefteri, duke u bërë edhe autor i një filmi dokumentar, me përmbajtje etno-folklorike. Kosheren e poezisë, e ka mbushur me hoje shumë kate, duke e mbledhur nektarin nëpër lulet e malit, në gjethet e trëndelinës e borzilokut, në manushaqet e majit, nëpër korijet e Pilurit, ku kullon gjethja mjaltë, e duke zbritur buzë detit, në lulet e limonit e portokallit, që i bëjnë vargjet e tij me aromë e “parfum” kundërmonjës. Ai ka nisur krijimtarinë qysh në fëmijëri, derisa i veshi me kostumin popullor, e u fut në vallen e poezisë, me vëllimin poetik “Bejkë e bardhë”, “Shqipëri moj ballëhapur”, “Bilbilat e vendit tim”, botuar në 1981, e duke vazhduar me “Dheun tim përsipër mbaj”, “Për Kosovën prapë do ngrihem”, “Këngët e Akroqeranit”, “Kënga që tret lotin”, “Princi i dashurisë”, dhe së fundi “Njerëz me dritë”, e plot 24 vëllime poetike të botuara, më i mirë njëri se tjetri. Krijimtaria e Lefterit është një det pa fund. Ajo fle në 42 blloqe të lidhura në formën e librave, që presin dritën e botimit. Do ishte në nderin e ndonjë fondacioni, projekti apo edhe biznesmeni lab, që të mundësonte botimin e këtyre frutave të prodhuara me djersë e mund të pashoq, që la pas, që të vilen e të dalin në treg, për t’u shijuar nga konsumatori. Krijimtaria e tij, është e vështirë të milet, e të vilet nga një individ. Në këto vëllime poetike, me vargjet e tij mahnitëse, ja ka trazuar “zëmrën” detit, “duke e “rrokur” me të dy duart thellësinë e gjerësinë e Jonit”, i ka zgjeruar mushkëritë” e i ka rritur frymëmarrjen maleve të Akrokerauneve. Natyrën e bregdetit, e ka qëndisur, me penjtë e penës së tij të mprehtë poetike. Vargu i tij Naimjan, të çon në viset e Lefterit, e atij, mund ti pëlqente ta thërrisja Naimi i Bregdetit, pse jo, se kështu e ka quajtur i madhi Petro Marko, por unë me plot gojë do t’i shtoja edhe epitetin, Esenini i Bregdetit, i Labërisë e Shqipërisë natyrore. Me elegancën mjeshtërore të vargut, të ngjizur në tabanin popullor, i këndon fshatit, natyrës, jetës pastorale, zakoneve, traditave, historisë, kulturës të trevave të Shqipërisë, Kosovës e Çamërisë. Në vargun e tij të elektrizuar, lëvizin si elektrone të lira, figura magjike, poetike që të mahnitin për nga muzikaliteti, e që burojnë nga realiteti i prekshëm jetësor, nga frymëzimi pjellor, e jo nga fantazia shterp. Krijimtaria e Lefterit, është një kështjellë e poezisë popullore, që është vështirë të pushtohet dhe nuk e shembin dot as tramundanët e kohës, e as modernizmat e shfrenuara, që dalin lakuriq në emër të së resë. Për ta pushtuar, e mposhtur atë kështjellë, që ngrihet mbi valët e detit, duhet shumë talent, shumë punë e sakrifica, t’i falësh pagjumësinë jetës, e të pish qumësht në gjirin e hënës, ta gdhish natën pranë oxhakut, në acarin e dimrit, të mos frikohesh nga stërkalat e Jonit të harlisur, që ngrihen si një kalë perçengritur. Poezia e Çipës, depërton si vetëtimë në zemrën e lexuesit, prek ndjenjat, mendimet, gëzimet dhe hidhërimet e njerëzve. Edhe kur ai shkruante i zëmëruar, i revoltuar, i deziluzionuar, nga padrejtësitë, paudhësitë, e poshtërsitë e kohës, përsëri vargu i tij ka ngrohtësinë e ëmbëlsinë e fjalës, kthjelltësinë e shpirtit dhe dashurinë për jetën, që të thërret ta jetosh.

Lefter Çipa, ishte shtrati i ngrohët, ku fle kënga popullore labe. Krijimtaria e tij, është e vështirë të përshkruhet me një det me fjalë. Ajo është një minierë e mençurisë popullore, që sa më shumë ta gërmosh në thellësi krijimtarinë e tij, aq më shumë dalin margaritarë të çmuar, të vendosur në gjerdanin e poezisë popullore. Kjo poezi, ngjan si një tramundanë, që vjen si valët e detit, që në mjedise epike egërsohet, e në ato lirike ledhatohet. Duke e marrë si një tërësi të pandarë, jetën dhe krijimtarinë e Lefter Çipës, mund të themi me plot gojën, se ai nuk ishte një individ i veçuar, por një institucion i krijimtarisë popullore, kopsht i poezisë multikolor të Labërisë. Cilësitë e tij, si njeri e si poet, janë shumëdimensionale. Ai ishte strall i fortë, që shkrepte si vetëtima majë malit dhe u bënte dritë rrufeve. Poeti patriot, i pushtuar nga patosi i atdhetarizmit, s’jetonte dot pa krenarinë kombëtare. Në Himarën e trazuar, nga rrymat e nostalgjikëve të vorio-epiriotëve, nga ndikimet e rrymave të neohelenizmit, ka bërë që barka himarjote të marrë ujë e të lëkundet në detin me batica e zbatica, që synojnë të ndryshojnë etnin e fenë e shqiptarëve. Në ballë, të këtyre rrymave e korenteve që fryjnë nga Athina, e vijnë nëpërmjet detit Egje, që e përcjellin në detin Jon dhe spërkat Himarën e historive pafund të patriotizmave e heroizmave në shekuj, me pushtuesit e huaj, qëndronte një burrë i hollë si shufër dyfeku, që mbante mbi krye flamurin Shqiptar kuq e zi, që i bën karshillëk flamujve me emblemën greke, të disa himarjotëve të konvertuar në grek, për interesa ekonomike. Tërësia e krijimtarisë së Lefterit në 50 vite, karakteri i tij stoik e i veçantë, si një lab epik, ka bërë që të nderohet me disa dekorata e tituj nderi. Djepi që e përkundi, dhe e rriti, Labëria, nëpërmjet Shoqatës së saj, Atdhetare-Kulturore “Labëria”, i ka dhënë titullin më të lartë: “Personalitet i shquar i Labërisë”, Vlora, i ka dhënë “Nderi i Qarkut të Vlorës”, ndërsa për krijimtarinë poetike, është vlerësuar me urdhra e medalje të ndryshme, si Medaljen “ Naim Frashëri të klasit të Parë, të klasit të Dytë dhe të klasit të Tretë si dhe Laurant i 6-të festivaleve folklorike të Gjirokastrës. Kohët e fundit u nderua me titullin e lartë, të vonuar, “Nderi i Kombit”, nga Presidenti i Republikës.

Lefteri u nda nga jeta duke lënë pas një thesar të pavdekshëm, kolazhin e poezisë popullore, që nuk do shuhen kurrë nga kujtesa e lexuesit, që i është mirënjohës përjetësisht.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.