OPINION

Atëherë kur hodhën rrënjë leksikografia, etnologjia dhe etimologjia shqipe

09:30 - 20.02.21 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Organizimi i administratës kishtare i Selisë së Shenjtë, si udhëheqës i përgjithshëm dhe kujdestar për furnizimin e popullsisë me prelate,për të pasur kontrollin mbi jetën kishtare katolike, nuk është i ndërtuar mbi baza kombëtare ose politike-shtetërore, por sipas administratës së vet juridike. Prandaj është e ditur se në jetën kishtare katolike shërbimi i ndonjëprelati, në të kaluarën e largët, nuk varej gjithaq nga dëshira dhe vullneti oseedhe nga përkatësia kombëtare e tij, sepse për emërimin e tij vendoste Senati i Kardinalëve i Selisë së Shenjtë, i cili, jo gjithmonë, ka përfillur dëshirën e prelatit. Ndaj edhe shumë prelatë, shqiptarë e të tjerë, i gjejmë të shërbejnë nëpër qendra kulti të vendeve të ndryshme të Dalmacisë, Bosnjës ose gjetiu deri edhe në vendet tejoqeanike; dhe e kundërta, shumë joshqiptarë do të shërbenin nëpër kishat e qendrat administrative kishtare shqiptare. Këtë organizim të hierarkisë kishtare, gjysmëshekulli pas Buzukut, do ta kundërshtojë Pjetër Budi, por që do t’i kushtojë jetën.




“Mendohet se Budi ka gjasa ta ketë njohur drejtpërdrejt ose tërthorazi Buzukun me anë të traditës së Pal Hasit, sepse në alfabetin e tij hasen gjurmë të alfabetit të Buzukut”.   Mbisundon mendimi se Frang Bardhi në hartimin e fjalorit të tij përdorshenja grafike të ngjashme me ato të Buzukut, ndaj “është e pamundur tëpranohet se ai, në kohën kur ishte student në Romë, nuk e ka përdorur ose nuk e ka njohur librin e tij”.  Edhe pse është dhënë hipoteza se ndër të parët që e përmend si Ungjijt në gjuhën shqipe është Pjetër Bogdani, megjithatë, me siguri të plotë nuk mund të pranohet, në është fjala pikërisht për Mesharin e Buzukut, apo për ndonjë libër tjetër, të panjohur nga historiografia shqiptare. Shuteriqi dhe Sedaj janë të bindur se Bogdani këtu e ka fjalën për Mesharin e Buzukut.

E përbashkëta është se tek të gjithë këta krijues të kulturës kombëtare dhe mendimit shqiptar është i pranishëm po  ai vullnet i çeliktë i Gjon Buzukut për ta ndërtuar dhe ngritur gjuhën shqipe në gjuhë kombëtare;  përbartet po ai shqetësim dhe zell për lëvrimin e gjuhës shqipe; nënvizohen po ato nevoja të ngutshme dhe të domosdoshme të botimit të librave në këtë gjuhë; përtheksohet po ajo dashuri e zjarrtë e Gjon Buzukut për arsimimin e popullit shqiptar; përvijohet po ai vullnet dhe po ai angazhim për ngritjen e vetëdijes së tij kombëtare me shkolla në gjuhën kombëtare shqipe; përthekohen po ato ndjenja të dhimbshme për gjendjen e mjeruar ekonomike dhe politike të popullit shqiptar dhe për gjendjen e përkeqësuar të gjuhës shqipe.

Pjetër Budi në parathëniet e veprave të veta, kudo thekson e nënvizonse shkruan për dashurinë e madhe që ndjen ndaj gjuhës që, si thoshte FrangBardhi,po baretë e po bastardohetë saa maa parë të ve, njësoj sikurse populli që e fliste këtë gjuhë, që për çdo ditë që kalonte po humbiste pjesë të identitetit të tij, po zhytej në terrin e thellë të mjerimit arsimor dhe po merrte një identitet të ri.

 

Edhe Budi, në kohën e tij, sikurse Marin Barleti me Buzukun në shekullin e mëparshëm, ishte i vetëdijshëm për ekzistimin e një kategorie tjetër njerëzish “të ditur” e “diekëqi”, që ishin edhe më të ditur nga ai. Kështu, ankohej edhe Buzuku në “Pasthënien”e famshme të Mesharit: se ata që këndonjinë e ma të ditur se unë nuk bënin asgjë? Për më tepër këta “diekëqi” nuk linin dy gurë bashkë ta pengonin në punën e tij. Pjetër Budi u përpoq, si edhe Buzuku, me aq sa mundi, në mënyrën e tij, t’i bëhet levë e digë kësaj dukurie. Të paktën organizoi një Kuvend (në tetor 1621 në Mat), në vendimet e të cilit shprehu shqetësimin dhe mllefin e vet dhe të klerit shqiptar kundër Kishës së Romës, e cila tregohej e shurdhër para një gjendjeje të këtillë si të popullit shqiptar, ashtu edhe të gjuhës shqipe. Frang Bardhi, edhe pse vdiq shumë i ri (vetëm 7-8 vjet e ushtroi detyrën e priftit), në rastin e parë që iu dha ankohet, njësoj si Buzuku e Budi më parë, për mungesën e librave në gjuhën e popullit të tij, mungesën e shkollavedhe mosinteresimin e klerit të huaj për këtë situatë e për këtë dukuri.

Pjetër Bogdani, duke jetuar në kohërat e trazirave më të mëdha rajonale të shekullit, nuk harroi ta përkujtojë Kishën për mosinteresimin e moskujdesjen, mosndihmesën dhe mospërkrahjen e popullit shqiptar në luftën për të drejtën e tij natyrore të jetesës, në shembullin e popujve të tjerë. Ia vlen të kujtojmë këtu letrën e arqipeshkëvit të Tivarit Gulielm Ade, të vitit 1332, me të cilën e luste dhe e njoftonte Mbretërinë francezepër aspiratat e arbërve në kohën e tij, njësoj si Budi e Mazreku, Bardhi e Bogdani që njoftonin Vatikanin për aspiratat e shqiptarëve dy-tre shekuj më pas.

Nisën kështu tëhapen shkolla në gjuhën shqipe krahas shtrirjes mirëfilli baritore e fetare dhe mësues në to u bënë priftërinjtë. U botuan libra, u organizuan edhe kuvende të vogla nëpër krahina e zona që idetë e kryengritjeve të shkonin deri te njeriu më i thjeshtë. Mund të themi se kjo lëvizje pati një organizim të përsosur, madje në vitet 1620-30-40, ajo arriti nivele të larta zhvillimi nën drejtimin e patriotëve e intelektualëve të ngarkuar me detyrat e ipeshkëvinjve Pjetër Budi nga Guri i Bardhë i Matit dhe Frang Bardhi nga Nenshati i Zadrimës. Këtyre duhet t’u ketë prirë Pjeter Bogdani, me veprimtarinë e tij politike 40-vjeçare, sidomos me rolin që luajti si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689. Pavarësisht se duket e shkëputur në veprimtarinë e secilit prej këtyre autorëve, burimi etnik përgjatë gjithë 150 viteve të hapësirës kur ata punuan, krijoi një platformë të brendshme, që u bazua te sinteza e mendimit që lidhte gjuhën dhe lëvizjen për shkollim dhe liri, e cila u përcoll si një trashëgimni e pakëputur tek secili autor, derisa kulmoi tek Bogdani, për të cilin gjuhëtari A.Kostallari ka shkruar:“Njerëzit e mëdhenj punojnë jo vetëm për kohën e vet, por edhe për të ardhmen. Pikërisht këtu qëndron madhështia e jetësia e veprës së tyre. I tillë ka qenë dhe mbetet Pjetër Bogdani

Po njëllojndodh edhe me Frang Bardhim, i cili ende student në Propagandën e Fides në Romë, shqetësohet e shkruan: “Pasi vrava mendjen për ca kohë se me ç’lloj libri do të mundja nga njëra anë të ndihmoja gjuhën tonë që përherë e më tepër po bdaret e po bastardhohet dhe, nga ana tjetër, të ndihmoja të gjithë ata që janë në shërbim të Zotit e të Kishës së Shenjtë Katolike e që nuk e dijnë gjuhën latine, pa të cilën askush nuk mund t’u shërbejë ideve, zakoneve dhe ceremonive pa bërë gabime të mëdha, mendova se do të ishte ide e mirë të hartoja e të përktheja një fjalor nga gjuha latine në gjuhën shqipe…”

Hartohet kështu e para vepër shqipe, pa brendi fetare të drejtëpërdrejtë, një Fjalor dygjuhësh (latinisht-shqip me rreth 2500 fjalë), i cili përball për herë të parë shqipen me një nga gjuhët më të lëvruara të botës (për shekuj me radhë gjuhë e kulturës e shkencës dhe e letërsisë). Autori, në të, bëri regjistrimin shkencor të mijëra lemave shqipe si fjalë aktive të kohës kur u hartua Fjalori. Por dashuria për gjuhën e shpie deri aty saqë brenda Fjalorit, të japë disa të dhëna gramatikore, fillestare për shqipen si dhe të pasqyrojë një pjesë të thesarit folklorik shqiptar, me 113 proverba, mbase të gjitha pronë e visarit tonë popullor.

Ishte më parë Pjetër Budi, autori më prodhimtar i epokës me tre vepra religjioze siDoktrina e Kërshtenë (1618), Rituali roman (1621), Pasëqyra e trëfyemit(1621), të përkthyera nga italishtja dhe latinishtja, ai qëe kish përballur gjuhën shqipe me gjuhët e lëvruara perëndimore. Shqipërimet e Budit dëshmuan mundësitë shprehëse të gjuhës sonë, siç thoshte ai … e tue paam ashtu ende se këta diesitë e letërorët hollë, qi u vjen ndore ashtu gjaakafshë me ndimuom, e lanë shkret e gjaa maa spo ndimonjënë; maa skeshë tjetër qish me baam, veçëse hina mbarë e prapë, sido sido munda, shkrova mbë gjuhu tanë maaparë… (153)Përveç kësaj, tek ky autor letërsia shqipe do të gjejë fillimet e veta në krijimtarinë poetike, me qindra vargje me tematikë jo vetëm fetare, por edhe atdhetare. Shkrimtari i fundit i kësaj radhe mjeshtrash të gjuhës shqipe, është Bogdani, i cili zë fill me veprën e parë origjinale Cuneus Prophetarum (“Çeta e profetëve”) (1685). Ky shkrimtar nuk e përballi shqipen me gjuhë të huaja, por faktoi dhe dëshmoi se gjuha jonë ka mundësi e shprehësi për fusha të ndryshme të dijes, si: teologji, pedagogji, filozofi, e drejta morale.

Të katër këta autorë (studiuar në fushë të leksikut nga gjuhëtari Kol Ashta) pasqyrojnë me mjaft vërtetësi qëndresën e shqipes ndaj gjuhëve  përreth si dhe depërtimin e orientalizmave, të cilat vijnë e rriten nga Buzuku tek Bogdani.  “Shqipja e autorëve shqiptarë të shekullit XVII është letrare par exellence. Ajo shpesh paraqet veçori mbidialektore në shkallën që filologët e kanë të vështirë të identifikojnë të gjitha elementet specifike të idiomave të tyre natyrore. Ata madje jo rrallë kanë folur për procese të mirëfillta koineizimi brenda gegërishtes lidhur me gjuhën e Bogdanit…”  Megjithatë, produkti më i rëndësishëm i gjithë kësaj veprimtarie që synonte të ngrinte shqipen në një gjuhë të vërtetë, mbidialektore, është fillesa që kjo veprimtari dha në një sërë fushash të trajtimit të shqipes, sidomos në leksikografi, folkloristikë dhe etimologji. Më i shquari i kësaj dege është Frang Bardhi, i cili lindi në Sapë të Zadrimës, nga familja e Bardhajve. Pinjollë të kësaj dere të shquar në librat e kulturën shqiptare zihen në gojë ndër dokumentet kishtare dhe ndër ato të jetës politike të vendit në gjithë shekullin e XVI e XVII.  Në 1628 hyn në Kolegjin Ilirian të Loretos, ku studion ndër të tjera edhe latinisht, italisht, sllavisht dhe pak turqisht. Bëhet mbështetësi i misioneve françeskane të varura nga Kongregacioni i Propagandës Fide në Shqipëri qysh më1631. Harton një projekt për të çuar në këmbë Shqipërinë kundër turqve me ndihmën e Venedikut. Fjalori latinisht-shqip, botuar në vitin 1635 shënon të parin fjalor të shqipes të hartuar nga një shqiptar e jo një i huaj (një meritë të tillë mjaft vende nuk e kanë). Shumë fjalë ose kuptime fjalësh do të ishin harruar e zhdukur, po të mos ishte ky Fjalor, i cili ka mbetur jo vetëm  vepra e parë në leksikografinë shqiptare, por deri diku dhe vepra më e rëndësishme ndër njëzet e dy fjalorët shqip që do të botoheshin më pas deri më 1850. Madje, duke e renditur fjalorin e tij të shqipes sipas pjesëve të ligjëratës, Bardhi na jep skeletin edhe tënjë gramatike të shqipes.

Në këtë kuptim, ky nuk është një fjalor i latinishtes klasike, sepse qëllimi i tij nuk ishte që të bënte një fjalor për leximin e veprave klasike. Si bazë, u mor gjuha kishtare latine, sepse ishte e nevojshme, që të gjithë njerëzit që i shërbenin kishës, të dinin latinisht. Vetëm me gjuhët klasike mund të fitohej një kulturë e lartë.

“Ai e dinte mirë gjendjen e ulët kulturore të klerit shqiptar, që lexonte për ditë librin e meshës dhe lutjet e ndryshme, por… për t‟u ardhur në ndihmë këtyre hartoi të parin fjalor latin – shqip dhe për ta bërë më të lehtë e më të sigurtë përdorimin e tij nuk i ngarkoi fjalë me kuptime të ndryshme, por u mjaftua me kuptimine tekstit të vjelë”. Për hartimin e Fjalorit”autori zgjodhi rrugën më të vështirë dhe më shkencore, duke lexuar një sasi veprash fetare dhe regjistroi fjalët që do të përfshiheshin duke i marrë nganjëherë bashkë me kontekstet. Në botimin e tij për Frang Bardhin, gjuhëtari Mustafa Kruja nënvizon: “Në këtë vepër të përvûtë shqiptare, kënduesi s’ka për të gjetun vetëm nji listë alfabetike të thatë të fjalëvet shqipe të Frangut të Bardhë ( kund nja 2500), por diça edhe mâ tepër, qi kam shpresë se mund t’i sjellë një dobi praktike studimit të gjuhës s’onë përgjithësisht”.

Gjithashtu, ky studiues, është i mendimit se, pothuajse nga të gjitha fjalët e parashtruara në Fjalor, nuk ka ndonjë që të mos përdoret në shqipen e sotme.  Sa i takon pasurisë së shqipes, studiuesi dhe përkthyesi Pashko Geci, ka vënë në dukje: “Për një gjuhë të pasur, sikurse ishte latinishtja, ky numër ishte tepër i vogël, duke pasur parasysh se fjalët janë vënë vetëm në një kuptim, në kuptimin e tekstit. Kështu Fjalori pasqyron vetëm një pjesë të leksikut të latinishtes, kjo sasi fjalësh mund të mjaftonte vetëm për fjalë të rralla të latinishtes”.    Pavarësisht lëndës së pakët që ka në shqip, kjo vepër kavlerëtë madhe gjuhësore, jo vetëm për paraqitjen e fondit leksikor të gjuhës sonë, por edhe për formimin e disa neologjizmave të krijuara sipas bazave gramatikore të gjuhës shqipe. Bardhi kishte si qëllim që të bënte një fjalor praktik që t’u shërbente edhe atyre që nuk kishin njohuri gjuhësore. Por një tjetër shtegshënjim i veprës që ai krijoi është dhe ai që vëren studiuesi Begzad Baliu, kur thotë se: “Tek Frang Bardhi zbulohet një shenjë e traditës etnografike dhe etnologjike shqiptare, në mos ajo ndërtohet në frymën dhe gjedhën e traditës europiane të kohës. Konstatimi i tezës së fundit do të dëshmonte edhe një vlerë të karakterit dhe frymës evropiane, të cilën e solli Frangu i Bardhë në traditën shqiptare”.

                           

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.