OPINION

Dhëmbët e drejtësisë së re

08:29 - 20.02.21 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Arrestimi i një gjyqtereje që lironte nga burgu përpara afatit kriminelë të dënuar për vrasje dhe i një mjeku të njohur që nuk operonte në shtet pa marrë përpara rryshfet të majmë, tregoi se drejtësia e re ka nisur të funksionojë. Sigurisht që në front të parë ndodhet SPAK, por nuk është i vetem. Në mënyrë që qytetari të ketë besim të patundur në kompetencën dhe integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të drejtësisë së re, është i domosdoshëm verifikimi, kontrolli i veprimtarisë së tyre nga një strukturë e specializuar. Këtë rol në drejtësinë e re e luan Inspektori i Lartë i Drejtësisë, i cili është një institucion krejtësisht i ri, i ngritur në frymën e reformës në drejtësi, të sponsorizuar dhe mbështetur nga aleatët tanë strategjikë, SHBA-të dhe Bashkimi Europian. Ky inspektorat nga koha kur është formuar ka regjistruar mbi 3 mijë denoncime për veprimet abuzive të gjyqtarëve dhe prokurorëve në drejtësi. Në shumicën dërrmuese denoncimet janë për vendime të padrejta. Tetë gjyqtarë dhe prokurorë janë marrë nën hetim gjatë vitit 2020 nga Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për shkelje të rënda gjatë detyrës. Ndërkohë ka nisur verifikimi i 2780 praktikave të dyshimta në drejtësi, të denoncuara nga qytetarët, institucionet publike dhe organizata të ndryshme. Ky është bilanci për periudhën shkurt-dhjetor 2020 i veprimtarisë së organit që kontrollon punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe shërben si pasqyrë besimi për opinionin publik. Që nga formimi i tij, Inspektoriati ka trajtuar 3054 denoncime për abuzime të pretenduara të gjyqtarëve dhe prokurorëve gjatë detyrës. Në ankesat denoncohen vendimet e padrejta të gjyqtarëve, zvarritja e gjykimit si dhe shkelje të etikës. Nga këto 3054 ankesa, Inspektoratit i kanë mbetur për të shqyrtuar edhe 2780 raste, për të parë nëse ekzistojnë shkeljet e pretenduara, për të nisur më pas hetimin disiplinor. Nga 8 vendimet për të nisur procedimin disiplinor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar ndëshkimin e katër magjistratëve, ndërsa vijon hetimet për katër të tjerë. Konkretisht, ai ka qenë i pari dhe i vemti institucion që ka kërkuar shkarkimin e gjyqtares së Krujës Enkelejda Hoxha, e cila u arrestua disa ditë më parë nga SPAK, si dhe të prokurorit Bujar Memia, i cili ka heshtur për veprimtarinë e gjyqtares, kur kjo lironte nga burgu të dënuarit për vrasje. Ende nuk ka një vendimmarrje nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për dy magjistratët në fjalë. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar shkarkimin e gjyqtarit Markelian Kuqo, pasi ky i fundit liroi nga burgu Gerd Gjeneralin, i dënuar me burgim të përjetshëm. Kërkesa për shkarkim u pranuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Ndërkaq, sipas Inspektoratit, nuk është pranuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë kërkesa për procedim disiplinor ndaj prokurores Elina Kombi, e cila kërkoi të lihej në burg një 43-vjeçar për vjedhjen e 1 200 lekëve, i cili vari veten më pas në qeli. Gjatë vitit 2021, Inspektori i Lartë i Drejtësisë do të përqëndrohet tek vendimet e lirimit me kusht të të dënuarve, ku ndodh edhe “bursa” më e lartë e pagesave nën dorë sot në drejtësi. Ndërkaq, Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) po heton 23 ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë të profilit të lartë, për pasuri të paligjshme, fshehje dhe mashtrim me deklaratat e pasurisë. Gjatë vitit 2021, ILD do të fokusohet tek vendimet e lirimit me kusht të të dënuarve. Ndërkaq, Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) po heton 23 ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë të profilit të lartë, për pasuri të paligjshme, si dhe fshehje dhe mashtrim me deklaratat e pasurisë. Paralelisht, puna e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë do të bëjë që sistemi i drejtesisë së re të mos jetë një çështje e keqpërdorur politikisht. Nga ana tjetër, procedimi disiplinor i gjyqtarëve dhe prokurorëve të kapur në shkelje të ligjit dhe të etikës profesionale, i shërben dhe është në funksion të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së tyre përpara ligjit dhe qytetarit.




 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.