KULTURË

Oliver Jens Schmitt: Shqipëria, Koreja e Veriut të Europës? Klishe! Intelektualët ende përballen me nomenklaturën

10:00 - 20.02.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli- 30 vite nga rrëzimi i shtatores së diktatorit Enver Hoxha, raporti ynë me të shkuarën duket ende kaotik. Historiografia shqiptare ka ofruar qasjet e saj të reja, por ato jo gjithnjë janë pasqyruar në raportin tonë me diktaturën, diktatorin, shtresat e nëpërkëmbëura. Gjithaq, artet që dikur qenë të detyruara t’i shërbenin propagandës, e kanë pasur të vështirë të distancohen nga ngjyrimet politike që asokohe, shërbenin si ‘pasaportë’ drejt ekranit të madh a librarive, ekspozitave a sistemit të artit që kontrollohej në çdo qelizë nga komisionet shtetërore.
30 vite më pas, në diskursin publik, ka vend për të gjithë: të përndjekur e komunistë, ish-hetues e ish të dënuar, ndajnë të njëjtat hapësira, ndërsa drejtësia nuk u vu kurrë.
Mbi qasjen tonë ndaj diktaturës, përtej frazës klishe “ashtu ishte koha”, prej vitesh një sërë aktivitetesh mbahen. Në edicionin e tyre të VI, “Ditët e kujtesës”, shtruan pikërisht pyetjet se sa e njohim ne komunizmin, 30 vite pas rrëzimit të shtatores së diktatorit, që u kthye në ditën simbol që shënoi rënien graduale të sistemit totalitar.
Ndër vite, pyetjet që janë shtruar, janë disa: a ra diktatura gjysmëshekullore komuniste përmes një “revolucioni popullor nga poshtë”? Cilat ishin sfidat e drejtësisë tranzitore për dënimin e krimeve të komunizmit? Cilat janë politikat e kujtesës që u aplikuan në këto dekada dhe si e ndikojnë ato qasjen e shoqërisë shqiptare ndaj kësaj periudhe të errët historike?
Sa e njohim ne komunizmin dhe sa dijeni kemi për ato që ndodhen gjatë dekadave të pushtetit autoritar? Sa të vetëdijshëm jemi për pasojat e asaj periudhe dhe sa ka ndikuar qasja ndaj të shkuarës ndaj qasjes që kemi kundrejt të përditshmes sonë? Çfarë u bë me dënimin e politikave dhe emrave të përfshirë në krime? Kultura e pandëshkueshmërisë, që nisi po tri dekada më parë, a është riprodhuar në të përditshmërinë tonë kundrejt dukurive të demokracisë?
KËNDVËSHTRIMI AUSTRIAK
“Ditët e Kujtesës” e çelën siparin e aktiviteteve, me forumin online: “30 vjet më pas, sa e njohim komunizmin?”. Folësi kryesor i këtij edicioni është historiani i mirënjohur, Prof. Dr. Oliver Schmitt (Austri), i cili referoi në ceremoninë e hapjes temën “Komunizmi në Shqipëri- perspektiva krahasuese”.
Akademiku austriak ka folur për raportin e Shqipërisë me komunizmin në këto 30 vite me një qasje kritike. Historiani i njohur, vërejti se “hulumtimi kritik i historisë bashkëkohore mund të zhvillohet shumë vështirë, veçanërisht nuk mund të zhvillohet në universitete dhe akademitë e shkencave, edhe për shkak të vazhdimësive personale me regjimet komuniste. Brenda këtyre vendeve, janë kryesisht grupe të vogla ose intelektualë individualë që nuk janë vetë historianë që përpiqen të fillojnë një debat kritik”.
Sipas Schmitt, përpjekjet e intelektualëve pothuajse gjithmonë hasin në rezistencë të fortë, shpesh të formuluar në mënyrë agresive nga ish-nomenklatura komuniste dhe pasardhësit e tyre. Duke folur për Lindjes, ai tha se “asnjë nga këto shtete (por edhe të tjera si Bullgaria ose Rumania) nuk ka një kulturë koherente dhe të dukshme kritike të përkujtimit të komunizmit – Shqipëria zyrtare përpiqet deri më sot t’i mënjanojë ose shpërfillë kampet-burgjet komuniste, ish të burgosurit margjinalizohen, shoqërisht dhe në kujtesën zyrtare”.
Në fjalën e tij, mbajtur në tryezën e diskutimit të organizuar nga “Ditët e kujtesës”, ai vëren se “nuk është për t’u habitur që hulumtimi profesional i komunizmit shqiptar bëhet në radhe të parë jashtë Shqipërisë – kryesisht nga intelektualë të rinj të emigruar. Ekspertë joshqiptarë të komunizmit shqiptar ka pothuajse aspak”.
Schmitt që prej vitesh është marrë me studime mbi dhe për Shqipërinë, vërejti se “institucionet shkencore shqiptare nuk u ofrojnë këtyre historianëve perspektivë për të ardhmen, botimet e tyre nuk vihen pothuajse aspak re. Historiografia në Shqipëri dhe ajo e shqiptarëve jashtë Shqipërisë përfaqësojnë dy botë që rrallë prekin njëra-tjetrën”.
Edhe vëzhgimi i tij i dytë ishte jo pak kritik. Sipas akademikut austriak, hulumtimi ndërkombëtar mbi komunizmin punon shumë në formë krahasimore. “Në këtë kontekst”, -tha ai, “historianët që punojnë në Shqipëri janë në të vërtetë inekzistent. Nga shtetet sovrane të epokës komuniste sipas ligjit ndërkombëtar (dhe këto nuk përfshihen tri republikat ish-Jugosllave!), vetëm Shqipëria nuk përfaqësohet në debatin ndërkombëtar me institucione shkencore. Nëse Shqipëria është ndopak e dukshme, kjo është në sajë të grupit të vogël të sipërpërmendur të intelektualëve jashtë vendit. Në kontekstin e sipërpërmendur të hulumtimit krahasues të komunizmit pozicioni i tyre megjithatë nuk është i lehtë. Kjo, sepse ato rezultate që ata kanë për të ofruar nuk korrespondojnë gjithmonë me mendimet dhe teoritë mbizotëruese të hulumtimit të komunizmit”.
Për Schmitt, “një perceptim i veçantë i Shqipërisë komuniste ndikon ende tek historianë që janë pak ose aspak të njohur me historinë shqiptare (d.m.th. shumica dërrmuese): ideja e një rasti të veçantë, e një zhvillimi anormal në krahasim me sistemet e tjera komuniste, e një rasti ekzotik studimor që më së shumti mund të përdoret si kontrast për të ndërtuar tipin e regjimeve komuniste të zakonshme. Shkurt: Koreja e Veriut të Evropës. Kaq shumë klishe janë të rehatshme, por ato shpesh zëvendësojnë analizën e vërtetë”.
Historiani austriak, thotë se “mund të formulohet si tezë e mëtejshme: komunizmi shqiptar i pak-hulumtuar mund të kuptohet kryesisht në një sfond krahasues ballkanik, si një variant shqiptar i një përpjekje ballkanike për diktaturë modernizuese radikale të bazuar në terror në një mjedis post-osman – Shqipëria do të duhej të krahasohej me ato rajone që kanë qenë osmane më së gjati, pra, me Maqedoninë, Kosovën, por edhe me Bullgarinë, dhe jo kryesisht me Poloninë ose RDGJ-në”.
Deklaratat e tij u bënë në takimin që po bëhet në kuadër të “Ditëve të Kujtesës”, ndërsa kumtesa e Scmitt, përqëndrohej te tema “Komunizmi në Shqipëri- perspektiva krahasuese”.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.