Kryesore

COVID-19, Ermand Mertenika: Respiratorët dhe të pathënat e procesit të intubimit

10:06 - 22.02.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Pandemia globale COVID-19 vazhdon të jetë tejet problematike. Vala e tretë mesa duket nuk po kursen as të rinjtë, të cilët shfaqin gjendje klinike të rënduar. Ndërkohë nëse terapia intensive nuk funksionon pacientët e prekur nga koronavirusi përfundojnë në intubim; një fjalë e frikshme për këdo nga ne. Por si kryhet intubimi dhe sa janë shanset për të dalë gjallë prej tij? Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në ‘Gazeta Shqiptare’, inxhinieri i respiratorëve, Ermand Mertenika flet në mënyrë të detajuar mbi maskat e oksigjenit dhe procesin e intubimit.
Si ndodh infektimi nga sars cov2?
COVID-19 transmetohet në dy mënyra: me anë të gojës dhe hundës (rrugëve respiratore). Siç e kemi përmendur dhe më parë ky element viral akoma i panjohur pasi kalon në pulmonet tona (mushkëritë) menjëherë lokacionohet në njësitë më të vogla të mushkërive të cilët janë “ALVEOLAT”. Mushkëritë tona përbëhen nga dy lobe (lobi i majtë dhe lobi i djathtë), lobet strukturohen nga njësi akoma më të vogla në trajtë degëzimesh, të cilët quhen “BRONKE” dhe bronket përbëhen akoma në njësi më të vogla të cilët emërtohen “BRONKIOLA”. Bronkiolat përbëhen në njësi më të vogla të cilët emërtohen “ALVEOLA” (Njësia më e vogël dhe kristali jetik i cili na mban gjallë). ALVEOLAT janë njësitë më të vogla në të cilën bëhet e mundur oksigjenimi i gjakut.
Pikërisht ALVEOLA është njësia më e vogël mikroskopike e mushkërive në të cilën oksigjeni O2 kalon në arteret e gjakut për t’u shpërndarë në të gjithë organet e trupit dhe për të na mbajtur gjalle, dhe, gjithashtu, në ALVEOLA del CO2 (Dioksidi i karbonit nga venat në atmosferë). Nëpërmjet “ALVEOLAVE” bëhet e mundur ruajtja e diapazonit normal të oksigjenit në vlerat 94-100%. COVID-19 CORONA godet njësitë më të vogla pulmonare “ALVEOLAT” (aty ku ndodh oksigjenimi i gjakut). Ky agjent viral i rrezikshëm infekton qelizat e shëndosha të alveolave duke i shkaktuar modifikimin gjenetik (MUTACIONIN DNA) të këtyre qelizave dhe më pas i konverton këto qeliza ne bio-gjeneratorë të covid-19.
Si ndodh që mushkëria të kalojë në fazën që nuk mund të funksionojë siç duhet?
Si pasojë e infektimit të qelizës dhe modifikimit gjenetik të saj, COVID-19 fillon të shumëzohet aq shumë duke shkaktuar bllokimin e këtyre njësive atë që emërtohet sëmundje Intersticiale Pulmonare (Bllokim të alveolave, bllokim i kalimit të oksigjenit në gjak) dhe si pasojë e shumëzimit të këtyre viruseve bëhet i mundur bllokimi i alveolës. Si rezultat gazi i oksigjenit O2 do ta ketë shumë të veshtirë të kalojë në gjak për të oksigjenuar qelizat dhe, gjithashtu, gazi toksik CO2 (Dioksidi i karbonit do mbetet në organizëm si rezultat i pamundësisë së daljes së tij në atmosferë për shkak të alveolave te bllokuara (rrugëve ajrore të frymëshkëmbimit). Pacientët e rënduar kanë deficiencë respiratore (vështirësi të madhe në frymemarje), këtyre pacienteve si rezultat i vështirësisë së frymëmarrjes për shkak të progresit COVID-19 iu ka rënë vlera oksigjenit nën vlerën normale që do të thotë që qelizat e gjakut të pacientit (Eritrocidet – qelizat e kuqe, leukocidet – qelizat e bardha dhe trombocidet) nuk oksigjenohen, kjo do të thotë që pacientët janë në rrezik për jetën e tyre pasi qeliza nuk furnizohet me oksigjen dhe kjo shkakton atë që quhet degjenerim metabolik qelizor që do të thotë gradualisht qeliza fillon të vdesë.
Cilat janë pajisjet që përdoren për trajtimin e këtyre pacientëve?
Pajisjet, të cilat mundësojnë trajtimin e këtyre pacienteve në gjendje shumë të rënduar janë Ventilatoret e Reanimacionit (Respiratorët).
Respiratorët janë aparatura, të cilat njihen ndryshe “Mushkëri Artificiale” dhe iu mundësojnë pacientëve shumë të rënduar frymëmarrjen artificiale, sepse pulmonet ose mushkëria e tyre nuk është në gjendje të kryeje funksionin e saj (Cikli Spirometrik / frymëshkëmbimi). Respiratorët janë të vetmet pajisje, të cilët u vijnë në ndihmë pacientëve në gjendje shumë të rëndë me COVID-19. Respiratorët janë pajisje automatike të cilët me anë të disa protokolleve dhe vlerave të përcaktuar u jepet oksigjen pacienteve shumë të rënduar nga COVID-19, por jo vetëm kaq, por ata iu mundësojnë këtyre pacienteve frymëmarrjen artificiale. Respiratorët punojnë me disa protokolle, të cilët përcaktohen në mënyrë specifike. Për trajtimet intensive përdoret respiratori me maske oksigjeni Oralo-Nazal dhe për trajtim ekstremisht intensiv përdoret respiratori me tubin e quajtur trajtim me Intubim-Endotrakeal (trajtimi i pacientit në gjendjen super-intensive me anë të tubi endo-trakeal)
Kur përdoren respiratorët me maskë oksigjeni?
Pacientët në gjendje shumë të rënduar trajtohen me anë të respiratorit me maskë hermetike oralo-nazale oksigjeni e cila u mundëson oksigjenim në vlera shumë herë më të larta për të mirëmbajtur në normalitet vlerën e oksigjenit. Nëse pacienti i rënduar me covid nuk është në gjendje rreziku për jetën atëherë aplikohet respiratori me maskë oksigjeni. Maskat e oksigjenit janë 2 lloje: Maska Nazale dhe Maska Oral-Nazale. Maska e oksigjenit është e lidhur me dy tubat e respiratorit ku njëra është tubi i inspirimit dhe tjetri tubi i ekspirimit.
Çfarë është intubimi dhe kur lind e nevojshme që një pacient të kalojë në këtë fazë të fundit?
Kur pacientët në trajtim intensiv janë në një shkallë të lartë rrezikshmërie për jetën dhe nëse niveli i parë i respiratorit me oksigjenim me maskë nuk është efektiv atëherë përdoret faza e fundit për të mbajtur pacientin gjallë. Pacienti në gjendje shumë të rëndë dhe akute për jetën intubohet, pra vendosja e tubit endo-trakeal në fytin e pacientit.
Si mund të evitojmë përhapjen e koronavirusit?
Për të evituar të gjithë këtë përshkallëzim të COVID-19 në gjendjen shëndetësore të organizmit tuaj respektoni rregullat ANTI-COVID.
Mbani të paktën maskën më të lehtë FFP1! Dezinfektoni duart shpeshherë me xhel dezinfektues me përmbajtje alkoli deri në 70%! Ruani distancën fizike të paktën 1m nga njëri- tjetri! Ruani veten dhe të tjerët dhe të parandalojmë së bashku përhapjen e COVID-19.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.