Pak ditë më parë, Këshilli Koordinues i Diasporës i dërgoi një letër të hapur Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe kryetarëve të partive kryesore politike tek ne. I kërkoi me këmbëngulje të ndihmonin të kalohej ngërçi i krijuar me procedurat për regjistrimin e përfaqësuesve të diasporës për votim. Ky këshill u krijua me vendim të Këshillit të Ministrave në qershor 2018, si një strukturë lobuese dhe këshilluese për interesat e komuniteteve të diasporës sonë. Ka në përbërje personalitete të diasporës sonë, njerëz shumë aktivë, me kontribute dhe me peshë në opinionin e komuniteteve të saj. Këshilli përbëhet nga 3 përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 6 përfaqësues nga vendet kryesore të Bashkimit Europian, 2 përfaqësues nga Britania e Madhe, 2 përfaqësues nga Kanadaja, 1 përfaqësues nga Turqia dhe 1 përfaqësues nga Australia. Çështja e të drejtës së votës së diasporës ka qenë rregullisht përparësia absolute e të gjithë grupeve të interesit në Diasporë. Me krijimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), Këshilli Koordinues i Diasporës ka marrë pjesë aktive në procesin e realizimit të votës së diasporës për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Ka dhënë ndihmë në konsultimet me grupin e punës të KQZ-së, me propozime dhe zgjidhje konkrete për finalizimin e kuadrit ligjor. Në letrën e 15 shkurtit, ky këshill konstaton zvarritje dhe mungesë vullneti për realizimin e votës së diasporës. Ai nuk pajtohet me vonesat e shkaktuara dhe përmes kësaj letre i fton pritësit e letrës në një takim virtual, me qëllim zhbllokimin e ngërçit. Nuk dihet nëse ky takim do të mbahet apo jo, por një gjë dihet e sigurtë. Diaspora do të votojë! Ambasadat tona, sidomos në Greqi dhe Itali po shpërndajnë me qindra pasaporta çdo javë. Shifra 900 të regjistruar nga diaspora është një numër i një momenti të dhënë një javë më parë. Tani të regjistruarit janë me mijëra. Deri në fund të marsit do të shkojnë pa frikë, me këtë ritëm, në 50-60 mijë të regjistruar për të votuar. Votimi i diasporës është realitet tashmë dhe nuk mund të mbytet në djep nga asnjë parti e jona politike. Ai vetëm do i bëjë mirë jetës sonë politike, shoqërore dhe ekonomike. Me votën e përfaqësuesve të diasporës vjen mendimi i pjekur social dhe politik. Baraspeshimi dhe përgjegjshmëria që ne këtu na mungon aq shumë. Vjen demokratizimi i jetës së vendit, perëndimizimi i tij(nga 1.6 milionë qytetarët jashtë vendit, 96 për qind e tyre jetojnë në demokracitë e Perëndimit). Përfaqësuesit e diasporës kanë më shumë kapacitete se në ne këtu, për shkak të mundësive në vendet ku punojnë, jo aftësive. Diaspora është komuniteti ynë qytetar më i hapur si mendësi. Ajo nuk e shet kurrë votën. Diaspora ka aftësinë të largojë paranë kriminale nga politika, gjë që nuk e kanë bërë në dy dekada e gjysmë partitë tona. Ajo na afron më shumë me partnerët dhe organizmat ndërkombëtare. Mjafton të shikojmë ndikimin e jashtëzakonshëm pozitiv që diasporat përkatëse sollën në Itali, Rumani, Kosovë dhe kudo. Votimi i saj rrit ndjeshëm interesimin e dhjetëra mijëra sipërmarrësve të diasporës në zhvillimin ekonomik të vendlindjes. 25 prilli do të jetë një festë e angazhimit të plotë të diasporës sonë jo vetëm nëpërmjet dërgesave të parave(remitancave) në jetën e vendit(sikurse ka ndodhur tre dekada tashmë), por edhe si faktor i qeverisjes më të mirë dhe më të përgjegjshme në Shqipëri. Gati gjysma e popullsisë (1.6 milionë) që jeton jashtë atdheut, ka të drejtën kushtetuese, legjitime dhe jetike të ndihet pjesë e dheut amë. Të marrë pjesë në organizimin e tij politik, shoqëror, pse tashmë prej 3 dekadash po merr pjesë shumë fort në jetën ekonomike, nëpërmjet remitancave që dërgon. Por mund të marrë pjesë edhe më shumë, nëse do të shohë peshën e votës së vet. Tani nis një garë me kohën, që kërkon një fushatë të pashoqe informimi dhe komunikimi me përfaqësuesit e Diasporës. Po e bëjnë këtë strukturat shtetërore të ngritura nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko. Por nevojitet ndihma e çdo media të përgjegjshme të vendit, të cilat në mënyrë digjitale si portale dhe transmetime në ‘Youtube’ e ‘Facebook’ ndiqen me kërshëri e mall nga qindra mijëra përfaqësues të Diasporës në Itali, Greqi, Gjermani, Britani e Madhe, SHBA, Kanada e deri në Australi. 25 prilli do të jetë një shndërrim shumë i dëshiruar, një emancipim konkret dhe tejet i fortë i vetëdijes sonë kombëtare dhe ndërgjegjes shoqërore, pse ka shumë gjasa që diaspora të votojë edhe, pse jo, me njëqind mijë votues. Dhe diaspora do të votojë!
Opinion-Komente
Diaspora do votojë!

Shfaq Komentet (0)