OPINION

Duke mbajtur flamurin e bashkëpunimit, le të krijojmë bashkë një të ardhme të bukur

09:05 - 22.02.21 Ambasadori Zhou Ding
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më datë 9 shkurt, u zhvillua në mënyrë virtuale Samiti i Udhëheqësve të Kinës dhe të Vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore (EQL). Presidenti i Kinës Xi Jinping drejtoi këtë samit dhe mbajti fjalim, ndërsa udhëheqësit e Kinës dhe të vendeve të EQL-së diskutuan bashkëpunimet në fusha të ndryshme si lufta kundër pandemisë, rimëkëmbja ekonomike, ndërlidhje, zhvillimi i gjelbër dhe inovativ, etj. Ky samit ka kuptim të rëndësishëm në historinë e bashkëpunimit kino-europian dhe të Bashkëpunimit mes Kinës dhe të Vendeve të EQL-së.




Së pari, ky samit u zhvillua tamam në kohën e duhur. Qysh nga viti 2020, pandemia COVID-19 është përhapur në mbarë botën, e cila po përballet me sfida të rënda shumë-dimensionale. Pandemia, e cila ka ndryshuar jetën tonë, na ka bërë të kuptojmë më qartë cenueshmërinë e qenieve njerëzore ndaj natyrës, të ndiejmë më qartë lidhjen e ngushtë mes nesh, dhe të perceptojmë më mirë rëndësinë e multilateralizmit dhe kuptimin e ndërtimit të Komunitetit të Një të Ardhme të Përbashkët të Njerëzimit. Tamam në këtë kohë që është plot me sfida por ekziston shpresa, palët iu përgjigjen nismës kineze, dhe u mblodhën në Samitin e Udhëheqësve të Kinës dhe të Vendeve të EQL-së. Gjatë samitit, Presidenti Xi Jinping dhe udhëheqësit e tjerë shkëmbyen mendime lidhur me gërmimin e potencialit të bashkëpunimit mes Kinës dhe Vendeve të EQL-së, përballimin e sfidave shumë-dimensionale, për të shkruar kapitullin e ri të këtij bashkëpunimi.

Së dyti, ky samit ka dhënë rezultate të shumta duke treguar vitalitetin e fortë të kësaj nisme. Prej 9 vitesh nga krijimi i Nismës së Bashkëpunimit mes Kinës dhe Vendeve të EQL-së, palët pjesëmarrëse ndajnë bindjen se hapja sjell mundësi dhe gjithëpërfshirja siguron diversitetin. Bashkëpunimi bazohet në respekt të ndërsjellë dhe nuk ka kushte politike. Të gjitha vendet e përfshira, pavarësisht nga madhësia e tyre, janë partnerë të barabartë në këtë nismë bashkëpunimi që karakterizohet me konsultime të gjera, kontribut të përbashkët dhe përfitime të përbashkëta. Prandaj, rruga e bashkëpunimit të 18 vendeve po zgjerohet më tej, duke u bërë një bashkëpunim i gjithanshëm, i gjerë dhe shumëdimensional. Në vitin 2020, vëllimi i tregtisë mes Kinës dhe 17 vendeve të EQL-së kaloi 100 milionë dollarë amerikanë, duke u rritur me 85% krahasuar me 9 vite më parë, dhe numri i turistëve në dy drejtime është rritur nga 500 mijë deri në 2.6 milionë. Me pandeminë e papritur, palët kanë dhuruar materiale të shumta mjekësore në kanale mes qeverive, kompanive dhe individëve, dhe kanë ndarë informacione e eksperienca kundër pandemisë. Treni Kinë-Europë ka rritur kapacitetin e mallrave me më shumë se 50% përkundrejt trendit të rënies ekonomike, duke u bërë “treni i jetës” që sjell materiale kundër pandemisë. Kemi një fjalë të urtë, rruga e gjatë tregon fuqinë e kalit. Pasi kanë kaluar 9 vite dhe provimin e pandemisë, bashkëpunimi mes Kinës dhe vendeve të EQL-së tashmë është bërë një platformë e rëndësishme ku palët ndihmojnë njëri-tjetrin dhe zhvillohen së bashku.

Në këtë samit u publikuan afro 90 dokumente të bashkëpunimit praktik dhe lista e rezultateve me vlerë totale 13 miliardë dollarë amerikan, duke përfshirë fushat e transportit, infrastrukturës energjetike, financës, bujqësisë, biznesit digjital, turizmit, arsimit, kulturës, mbrojtjes së mjedisit etj.. Këto dokumente dhe lista pasqyrojnë nevojat dhe pritjet e vendeve, dhe rezultatet prej të cilave do të përfitojnë drejtpërdrejt  qytetarët e të gjitha vendeve. Ndër këto, janë edhe dokumentet e bashkëpunimit Kinë-Shqipëri si Memorandumi i Mirëkuptimit për Ngritjen e një Grupi Pune të Përbashkët për Bashkëpunim Investimi, dhe protokollet mbi inspektimin dhe kushtet e karantinës për eksportimin e mjaltit dhe produkteve të bulmetit nga Shqipëria për në Kinë, të cilat ofrojnë mundësi të reja për zgjerimin e investimit dhe të tregtisë mes dy vendeve tona.

Së treti, ky samit ka hartuar planin e ri të bashkëpunimit në të ardhme. Udhëheqësit pjesëmarrës kanë shprehur dëshirën dhe besimin në forcimin e mëtejshëm të nismës së bashkëpunimit, duke rënë dakord se bashkëpunimi mes Kinës dhe vendeve të EQL-së është një provë e mirë e bashkëpunimit të hapur mes vendeve që janë me kultura të ndryshme, sisteme të ndryshme dhe në faza të ndryshme të zhvillimit. Kryeministri i Shqipërisë Z. Edi Rama ka vlerësuar pozitivisht Bashkëpunimin Kinë-EQL si dhe këtë samit, duke u shprehur se Shqipëria dhe Kina gëzojnë një histori të gjatë të marrëdhënieve miqësore, dhe Kina është partneri i rëndësishëm i tregtisë dhe i eksportit bujqësor i Shqipërisë. Aktualisht, komuniteti ndërkombëtar po përballet me dy sfida të mëdha, pandeminë dhe rimëkëmbjen ekonomike. Vendet po kuptojnë më thellë rëndësinë e bashkëpunimit ndër rajonal dhe të multilateralizmit. Bashkëpunimi Kinë-EQL jo vetëm sjell përfitime të gjitha palëve, por edhe është në favor të bashkëpunimit midis vendeve në rajon.

Samiti ka përcaktuar parime të përshtatura me nismën dhe të pranuara nga të gjitha palët, që janë konsultimi i përbashkët, bashkëpunimi i ekuilibruar dhe praktik, hapja dhe gjithëpërfshirja, inovacioni. Me bindjen se “17+1 bëjnë më shumë se 18”, samiti inkurajon palët të shfrytëzojnë avantazhet e veta, për të realizuar përfitime të përbashkëta. Palët përcaktuan drejtime dhe rruga të bashkëpunimit në fazën tjetër, duke aprovuar Plan Veprimin e Pekinit të Bashkëpunimit mes Kinës dhe Vendeve të EQL-së 2021. Presidenti Xi ka propozuar 4 pikat: të bashkohemi për të mposhtur pandeminë; të përqendrohemi te konektiviteti për të nxitur zhvillimin e ndërlidhur; të promovojmë tregtinë, investimin dhe shkëmbimin njerëzor, për të rritur rezultatet e bashkëpunimit; t’i kushtojmë rëndësi zhvillimit të gjelbër dhe inovacionit teknologjik, për të krijuar energjinë e re të bashkëpunimit. Xi deklaroi se, pala kineze do të vazhdojë të promovojë shpërndarjen dhe përdorimin e drejtë të vaksinave anti-COVID në të gjithë botën, dhe është e gatshme për bashkëpunim me vaksinat me vendet e EQL-së. Kina synon të importojë, në pesë vitet e ardhshme, më shumë se 170 miliardë dollarë amerikanë mallra nga vendet e EQL-së. Kina do të përpiqet të dyfishojë importet bujqësore nga vendet e EQL-së dhe të rritë tregtinë bujqësore të dyanshme me 50 për qind gjatë pesë viteve të ardhshme. Gjithashtu, në kuadër të bashkëpunimit Kinë-EQL, Kina do të mbështesë krijimin e mekanizmit të dialogut mbi bashkëpunimin e tregtisë digjitale, krijimin e aleancës për industrinë e shëndetit publik, dhe krijimin e qendrës kërkimore të shkencës e teknologjisë inovative. Me rastin e vitit 2021 si viti i zhvillimit të gjelbër dhe mbrojtjes së mjedisit të bashkëpunimit Kinë-EQL, ne do të thellojmë edhe bashkëpunim dhe shkëmbim në fushat e ekonomisë të gjelbër, të energjisë së pastër etj.

Së katërti, ky samit i ka dhënë fuqi të re marrëdhënieve Kinë-Europë. Bashkëpunimi Kinë-EQL, si pjesë përbërëse dhe plotësuese e dobishme e marrëdhënieve Kinë-Europë, do të nxisë zhvillimin përkatës të Kinës dhe vendeve të EQL-së, dhe, gjithashtu, do të ndihmojë për një marrëdhënie më gjithëpërfshirëse dhe të ekuilibruar Kinë-Europë. Kina dhe Europa ndajnë shumë pika të përbashkëta bashkëpunimi dhe interesi, që po thellojnë vazhdimisht bashkëpunimin me përfitime reciproke në shumë fusha. Në vitin 2020, Kina u bë partneri më i madh i tregtisë së BE-së. Të dy palët nënshkruan Marrëveshjen për Treguesit Gjeografikë, përfunduan sipas planit negociatat mbi Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për Investimet, dhe ndërtuan dialogun për bashkëpunimin e gjelbër dhe digjital. Marrëveshja Gjithëpërfshirëse për Investimet Kinë-Europë pasqyron se të dy palët gëzojnë konsensus për tregtinë e lirë dhe multilateralizmin, dhe do të sigurojë investimeve të dyanshme një akses më të madh në treg, një mjedis më të përmirësuar të biznesit, dhe një garanci më të fortë të sistemit. Aktualisht BE-ja po shpejton procesin e neutralizimit të karbonit, ndërkohë Kina ka premtuar se do përpiqet të arrijë pikun e emetimit të dyoksidit të karbonit deri në vitin 2030 dhe neutralitetin e karbonit deri në vitin 2060. Kina dhe Evropa do të diskutojnë bashkëpunimin e gjelbër dhe digjital, do të promovojnë bashkë zhvillim të qëndrueshëm, për të mirën e të gjithë njerëzimit.

Mund të themi se, këto pika të përbashkëta bashkëpunimi përshtaten po ashtu me Bashkëpunimin Kinë-EQL. Të gjithë vendet e EQL-së janë anëtarë të BE-së ose në procesin e integrimit në BE. Përvojat e 9 viteve dëshmojnë se, bashkëpunimi Kinë-EQL ndihmon në ngushtimin e hendekut të zhvillimit brenda Evropës, arritjen e një zhvillimi të ekuilibruar midis vendeve, kështu që është i favorshëm në procesin e integrimit të BE-së. Bashkëpunimi Kinë-EQL i përmbahet konceptit të hapjes, gjithëpërfshirjes dhe transparencës, ndjek rregullat ndërkombëtare dhe përputhet me parimet e tregut dhe standardet e BE-së. Në çdo takim të udhëheqësve, do të ftohen BE-ja dhe të gjitha vendet që kanë interes të marrin pjesë.

Në filozofinë kineze, themi se kriza dhe mundësia shkojnë dorë për dorë. Aktualisht, pandemia ende po përhapet globalisht. Vendet ende përballen me sfida të mëdha, qoftë në parandalimin dhe kontrollin e pandemisë apo në rimëkëmbjen ekonomike. Kina është gati që, bashkë me vendet e EQL-së, duke përfshirë Shqipërinë, të krijojnë e të shfrytëzojnë mundësi në këtë krizë. Kina pret vendet pjesëmarrëse të kësaj nisme të përfitojnë nga avantazhet e tyre, të gërmojnë potencialet, të zbatojnë sa më mirë konsensuset e udhëheqësve në samit, për të nxitur bashkëpunimin në fusha të ndryshme të ecë përpara në mënyrë të vazhdueshme. Tani, Kina ndodhet në fazën e re të zhvillimit, po zbaton konceptin e ri të zhvillimit, dhe po ndërton model të ri zhvillimi, për të realizuar një zhvillim më cilësor. Zhvillimi i qëndrueshëm i Kinës do t’i japë fuqi të madhe rimëkëmbjes dhe rritjes së ekonomisë botërore, dhe pikërisht do t’i sjellë hapësirë të re bashkëpunimit Kinë-EQL. Le të ngjitemi në trenin drejt pranverës, dhe të realizojmë dorë për dorë zhvillimin e gjelbër e të qëndrueshëm. Rroftë miqësia kino-shqiptare!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.