Kryesore

“Na pret një periudhë e vështirë”, Vuçiç: Pres presion nga SHBA e BE që Serbia ta njohë Kosovën

20:45 - 23.02.21 Gazeta Shqiptare

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se mund të pritet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me Bashkimin Evropian, të bëjnë presion ndaj Serbisë për të njohur Kosovën në periudhën e ardhshme.



Pas një takimi të Partisë së tij Përparimtare Serbe, Vuçiç tha se Serbinë e pret një “periudhë e vështirë”, gjatë së cilës do t’iu ekspozohet “të gjitha presioneve, fushatave dhe të pavërtetave të mundshme”.

“Është e rëndësishme të kuptohet pesha e pozitës në të cilën jemi sidomos tani, pas ndryshimit në administratën amerikane. Duhet të pritet presion i përqendruar i BE-së dhe SHBA-së mbi Serbinë, për të përmbushur kërkesat për, siç e thonë hapur amerikanët, njohjen e Kosovës… ndërsa, BE-ja do të përdorë një fjalor pak më ndryshe, por do të shkojë drejt të njëjtit qëllim”, tha Vuçiq.

Ai tha se në takimin e partisë së tij janë analizuar edhe rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe se Lista Serbe ka arritur “dominim absolut” në mesin e serbëve në veri të Kosovës. Ajo ka pasur një rezultat pak më të dobët në mjediset në jug të Lumit Ibër, tha Vuçiç.

“Do të marrim hapa dhe masa që, me mjete demokratike, t’i kundërvihemi dhunës së subjekteve politike shqiptare, që abuzojnë me përfaqësues të caktuar serbë… [Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje] Albin Kurti thotë se dëshiron të flasë vetëm me disa serbë nga Kosova, e jo me Beogradin, në mënyrë që të mund të thotë se Kosova është e pavarur. Populli serb e ka kuptuar këtë dhe kjo është arsyeja përse e ka votuar Listën Serbe në atë masë. Por, jo të gjithë në bashkësinë ndërkombëtare do ta kuptojnë lehtë këtë”, tha Vuçiç.

Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë. Vuçiç tha se në takimin e partisë së tij u fol edhe për vizitën që do të realizojë javën e ardhshme përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Do të flasim për atë që Serbia mund të bëjë, për atë që nuk mund të bëjë, për atë që dëshiron dhe për atë që nuk na shkon në mend me asnjë kusht”, tha Vuçiç.

Ai po ashtu njoftoi se, në ditët në vijim, do të mbajet një takim në qytetin serb të Kurshumlisë me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.
Vuçiç tha se rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë i kanë garantuar Listës Serbe vend në Qeveri, por shtoi se i takon asaj të vendosë nëse duhet pranuar.

Lidhur me sulmin ndaj djalit të politikanit serb në Kosovë, Nenad Rashiç, Vuçiç tha se askush nuk e rrahu djalin e Rashiqit për arsye politike. Ai tha se disa u përpoqën ta akuzojnë Serbinë dhe Listën Serbe për këtë. Nenad Rashiq është udhëheqës i Partisë Përparimtare Demokratike, e cila është në kundërshtim me Listën Serbe.

 

 

 

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.