OPINION

Dembelët elektoralë të Zvicrës

09:17 - 24.02.21 Enver Robelli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Për aq kohë sa Kosova e lejon dyshtetësinë, mërgatës nuk mund t’i merret e drejta e votës në Kosovë. Po të bëhej kjo, Kosova do të etablonte një shtetësi dyklasore: një për të privilegjuarit (vendasit) dhe tjetra për jo të privilegjuarit (mërgimtarët). Një ndryshim i tillë i ligjit nuk do të kishte bazë juridike dhe do të rrëzohej mbase nga Gjykata Kushtetuese, e me siguri edhe nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut (në atë moment që kosovarët kanë të drejtë që lëndët t’i paraqesin në këtë gjykatë).




Mërgata kosovare është një grup shoqëror i karakterizuar nga kujtimet e gjalla, shumica e mërgimtarëve i ruajnë në kujtesë tmerret e luftës së fundviteve ‘90 në Kosovë, pothuaj të gjithë kanë një pjesë të familjes në Kosovë. Digjitalizimi i komunikimit dhe shpeshtimi i lidhjeve ajrore mes Prishtinës dhe qyteteve të mëdha nga hapësira gjermanishtfolëse e ka bërë shkëmbimin mes atdheut dhe mërgatës pothuaj muhabet si në kafen e lagjes: aty shkon sa herë që ke kohë. Si nga Prishtina në Durrës.

Lidhjet e ngushta të mërgatës me atdheun u panë edhe në prag të zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë. Rreth 102 mijë persona jashtë Kosovës fituan të drejtën për të votuar. Sa kanë votuar realisht, sa zarfe kanë arritur në Kosovë deri më 12 shkurt (kur ishte afati i fundit) dhe sa fletëvotime janë të vlefshme nuk dihet ende. Po ashtu, nuk dihet sa mërgimtarë erdhën me avionë apo me mjete të tjera transporti për të votuar. Pamjet e njerëzve euforikë nga mërgata duke festuar në Aeroportin e Prishtinës janë pamje momentale dhe nuk duhet mbivlerësuar në vështrimin e përgjithshëm të realitetit. Problemet që dolën në pah sërish me votat nga mërgata kërkojnë një zgjidhje. U mbetet partive politike të gjejnë së bashku një zgjidhje–qoftë për të lehtësuar pjesëmarrjen e mërgatës në zgjedhje (në ambasada e konsullata) apo për të rregulluar në përgjithësi participimin politik të mërgatës në parlament. Fakt është: mërgata ka probleme specifike, të cilat duhet të trajtohen nga shteti i origjinës, në këtë rast Kosova. Këto probleme duhet të artikulohen në Parlament dhe në debatet publike.

Por jo të gjitha problemet e Kosovës janë probleme të mërgatës. Rrjedhimisht, pas brohoritjeve elektorale në Kosovë, mërgata është mirë të interesohet shumë më tepër për politikën në Zvicër (vlen edhe për vende të tjera ku jetojnë shqiptarët). Sepse vendimet që merren, për shembull, në Bernë dhe në kantone, kanë ndikim më të madh në jetën e mërgatës se vendimet e qeverisë në Prishtinë. Më 7 mars në Zvicër do të mbahen një sërë referendumesh mbi tema të ndryshme që kanë të bëjnë me politikën nacionale dhe atë lokale. T’ia nisim nga niveli lokal: në qytetin e Zürichut qytetarët me të drejtë vote (pra, edhe shqiptarët me shtetësi zvicerane) do të votojnë nëse policia në komunikatat e saj do të bëjë të ditur nacionalitetin e shkelësve të ligjit. Në vitin 2017 shefi për çështje të sigurisë i qytetit të Zürichut, një politikan i partisë super të majtë, Lista Alternative, vendosi që policia mund të njoftojë publikun për nacionalitetin e shkelësve të ligjit vetëm nëse kjo kërkohet shprehimisht (për shembull nga mediat).

Kundër këtij vendimi reagoi partia populiste SVP. Ajo mblodhi nënshkrimet e nevojshme dhe imponoi një referendum: SVP kërkon që policia të bëjë publik nacionalitetin e shkelësit të ligjit, madje po qe nevoja policia duhet të tregojë origjinën e delikuentit edhe nëse ai është shtetas zviceran. Për secilin komunitet të huaj kjo çështje është me rëndësi. Në njërën anë ekziston e drejta e publikut për të ditur më shumë për shkelësit e ligjit, nga ana tjetër politikanët e majtë frikësohen se me publikimin e nacionalitetit mund të rriten edhe më shumë paragjykimet ndaj një komuniteti të caktuar. Shqiptarët në Zvicër hyjnë në mesin e komuniteteve më të diskriminuara. Por po aq e vërtetë është se në faza të caktuara të dekadave të fundit roli i shqiptarëve në botën e delikteve ka qenë sinjifikant.

Më 7 mars zviceranet dhe zviceranët do të vendosin në referendum në nivel nacional nëse janë për apo kundër ndalimit të bartjes së burkës, mbulesës gjithëtrupore, që e bartin disa gra myslimane. Burka (sidomos versioni që bartet nga gratë afgane dhe pakistaneze) mbulon trupin dhe kokën. Para syve gjendet një lloj “shlici”, por edhe ky i mbyllur me një rrjet. Pra, gruaja me burka shikon përmes “shlicit” me rrjet. Ndalimi eventual i burkës në Zvicër nënkupton edhe ndalimin e nikabit, pra shamisë që mbulon edhe fytyrën dhe bartet kryesisht nga disa gra arabe. Edhe gratë që bartin nikab shikojnë përmes një “shlici”, por pa rrjet. Nikabi shpesh bartet në kombinim me abajën, mantelin apo pelerinën tradicionale të grave arabe.

A duhet të ndalohet një veshje e tillë në jetën publike? A guxon shteti t’ua caktojë njerëzve rregullat e veshjes? Në Zvicër aktualisht është duke u zhvilluar një debat intensiv. Anketat tregojnë se shumica e votuesve do të përkrahin ndalimin e burkës (dhe nikabit). Është një aleancë e çuditshme që e përkrah këtë ndalesë: partitë e djathta bashkë me feministet radikale laike dhe antiislamiste. Kundër janë partitë e majta, por edhe publicistë liberalë, të cilët theksojnë se në Zvicër burka është fenomen jashtëzakonisht periferik. Sipas një vlerësimi në Zvicër e bartin burkën (apo nikabin) mes 20 deri 30 gra. A ia vlen që për këto gra të shtohet një nen në Kushtetutën e Zvicrës që ndalon mbulimin me nikab dhe burka? Qeveria e Zvicrës nuk e përkrah direkt nismën, ajo propozon që burka të mos ndalohet eksplicit, por gratë që e bartin atë të jenë të detyruara të tregojnë fytyrën gjatë kontrollit të biletës në tren apo në pika kufitare. Qeveria thekson se çështjen e burkës duhet ta rregullojnë kantonet. Dy kantone (Tiçino dhe St. Gallen) tashmë e kanë ndaluar burkën.

Një komitet i ekstremit të djathtë ka arritur t’i mbledhë mbi 100 mijë nënshkrime dhe kështu e ka imponuar një referendum në mbarë Zvicrën. Në këtë mënyrë funksionon demokracia direkte zvicerane: nëse dikush arrin t’i mbledhë 100 mijë nënshkrime, ai mund ta nxjerrë në referendum çdo temë, e cila bëhet ligj (nëse miratohet nga shumica e popullit). Njerëzit duhet të votojnë për apo kundër. Më 2009 zviceranët me referendum e kanë ndaluar ndërtimin e minareve në Zvicër.

Në viset shqiptare fenomeni i grave që bartin nikab është tejet, tejet, tejet periferik. Por nuk është joekzistent. Ka raste kur gra të tilla bien në sy – në rrugë, dyqane, lagje që konsiderohen si vatra të besimtarëve të regjur myslimanë. Po të mbahej në Kosovë një referendum i tillë si në Zvicër – cilat do të ishin shanset për ndalimin e nikabit (dhe burkës)? Kjo pyetje është hipotetike, por mbase ia vlen të diskutohet. A do të kishte sukses një nismë e tillë në Parlamentin e Kosovës (meqë Kosova nuk e njeh demokracinë direkte si Zvicra dhe a ka kandidatë për deputetë që në Kuvendin e ardhshëm do të lansonin një nismë të tillë)?

Tani për tani për këtë çështje do të vendoset në Zvicër (Franca dhe Austria i kanë ndaluar burkën dhe nikabin). Të thirrur për të marrë pjesë në referendumin e 7 marsit janë edhe ata shqiptarë që kanë shtetësi të Zvicrës. Këto dy çështje (publikimi i origjinës së shkelësve të ligjit dhe burka e nikabi) mund të duken tema periferike. Ndonëse nuk është ashtu, duhet përkujtuar se shpesh në referendumet zvicerane vendoset për çështje shumë konkrete që prekin jetën e shqiptarëve. Për shembull: hapja e tregut të punës në Zvicër për shtetas të Bashkimit Europian prej vitesh paraqet një konkurrencë të pakëndshme për punëtorët shqiptarë. Befas ata në sektorë të ndryshëm (ndërtimtari, hoteleri) përballen me punëtorë sllovakë, çekë apo polakë që janë të gatshëm të punojnë për rroga shumë më të ulëta.

Më 7 mars votueset dhe votuesit duhet të vendosin për ligjin mbi shërbimet identifikuese elektronike (E-ID-Gesetz). Kjo tingëllon shumë burokratike, por mund të shpjegohet lehtë: gjithnjë e më shumë njerëz blejnë online. Kush blen online duhet të identifikohet me username dhe password (për shkak se këto dy fjalë janë aq ndërkombëtare, po i japim këtu në origjinal në anglisht). Deri më tani sa i përket identifikimit online nuk ka kurrfarë rregullash specifike dhe as garanci për siguri nga ana e shtetit. Për të plotësuar këtë boshllëk, Qeveria dhe Parlamenti kanë shkruar projektligjin me të cilin rregullohet identifikimi i personave në internet. Kësisoj të gjitha palët e involvuara në procesin e shitblerjes do ta kenë të qartë me kë kanë punë.

Është jashtëzakonisht me rëndësi që mbi 200 mijë shqiptarë në Zvicër, të cilët kanë origjinë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës, të tregojnë interesim shumë më të madh për zhvillimet në Zvicër. Në kantonin e Zürichut është propozuar që të drejtë të votës në nivel komunal të kenë edhe shtetasit e huaj me lejeqëndrim të përhershëm, pra nuk do të ishte më parakusht pasaporta zvicerane. Për këtë pritet të vendosin qytetarët në të ardhmen në referendum. Sipas një shkrimi të gazetës “NZZ am Sonntag”, në zgjedhjet komunale në kantonin e Gjenevës më 2015 pjesëmarrja e zviceranëve ishte 41,5 për qind, e të huajve 27,7 për qind.

Në Zürich pjesëmarrja në zgjedhje e personave që sapo kanë marrë shtetësinë duket kështu: në zgjedhjet nacionale më 2007 pjesëmarrja ka qenë 20,5 për qind, në zgjedhjet e vitit 2019 kjo shifër arriti në 44,5 për qind. Por kur shikohen nacionalitetet e veçanta sa i përket pjesëmarrjes, shifrat nuk janë fare të mira: derisa 72,4 për qind e gjermanëve që sapo janë pajisur me pasaportë zvicerane marrin pjesë në zgjedhje, në rastin e kosovarëve janë vetëm 10,8 për qind, ndërsa në fund të listës janë shtetasit zviceranë me origjinë nga Maqedonia e Veriut: vetëm 6,3 për qind e tyre marrin pjesë në jetën demokratike të Zvicrës. Madje edhe në mesin e irakianëve me shtetësi zvicerane interesimi për pjesëmarrje në zgjedhje është më i madh (12,3 për qind) se në mesin e kosovarëve dhe shtetasve të Maqedonisë së Veriut. Kjo mungesë interesimi është skandaloze dhe tregon se një pjesë e madhe e ballkanasve në Zvicër janë të interesuar vetëm të marrin pasaportën zvicerane, me të cilën (së paku në kohërat pa koronë) mund të udhëtosh pa vizë në gati mbarë botën. Mosinteresimi për pjesëmarrje në jetën demokratike të Zvicrës është i nivelit të njëjtë edhe në rastin e shtetasve serbë dhe të Bosnjës që kanë marrë shtetësi zvicerane.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.