KULTURË

Viktima dhe persekutorë në një ekspozitë, kush e torturoi Muzafer Pipën e Marie Tucin

11:19 - 24.02.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Katër valët që e bënë Shqipërinë vend ateist, si u shkatërruan 2000 objekte kulti




Vaskë Koleci (Korçë 22 tetor 1923-Tiranë 9 maj 2000),Shef Seksioni dhe më pas drejtor i Sigurimit të Shtetit. Ka torturuar deri në vdekje në hetuesi Muzafer Pipën, avokati mbrojtës i organizatës “Bashkimi Shqiptar”. Më 1 nëntor 1948  lirohet nga funksionet politike dhe gjykohet bashkë me eprorin Koçi Xoxe.

Ky është veçse njëri prej emra të përsekutorëve gjatë regjimit komunist që vjen në një ekspozitë krahas atyre që u dënuan me vdekje, pushkatim a atyre që nuk u dihen ende vendvarrimet.

Ekspozita “Dritë përtej errësirës” është prezantuar në kuadër të Ditëve të Kujtesës, organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë. Në panelet e ekspozitës së ndërtuar nga “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër,  vijnë në emra dhe foto, kleri katolik, ortodoks dhe mysliman që vuajti persekutimin komunist, ata që u dënuan dhe u ekzekutuan bashkë me të dhënat për katër etapat në të cilat kleri u persekutua derisa vendi u shpall ateist.

Ajo që e bën ekspozitën të veçantë, tha Jonila Godole drejtuese e IDMC, është se krahas viktimave si priftërinj, hoxhallarë, imamë e deri prelatë të fesë, vijnë edhe imazhet e atyre që qenë përgjegjës për këto persekutime në kohë të ndryshme nga 1944 deri më 1990.

Më tej, Pjerin Mirdita, drejtor i “Vendit të Dëshmisë dhe Kujtesës”, prezantoi të gjitha panelet dhe u ndal edhe te shkatërrimi i objekteve të kultit, ku krahas emrave të klerikëve që humbën jetën, si Dom Lazër Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Alfron Tracki, Imzot Vinccenc Prenushi, At Anton Harapi, janë edhe emrat e atyre persekutorëve që morën pjesë në hetimet, gjykimet, torturat e dënimet e tyre.

Zoi Themeli, kryetar i degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, nga viti 1944 deri në vitin 1948. Ishte në krye të hetimeve që çuan në zbulimin e organizatës Bashkimi Shqiptar. Urdhërues dhe ekzekutues i torturave në hetuesi i kundërshtarëve politikë.

Nesti Kerenxhi (Korçë 5 shtator 1920-Tiranë 29 nëntor 2002), zëvendës dhe më pas drejtor i drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, anëtar i KQ të PKSH, zëvendës dhe më pas ministër i Brendshëm. Nga vitet 1947-1950 ishte deputet i Shkodrës. Shquhej si njeriu më i besuar i Koçi Xoxes për ekzekutimin e urdhrave të tij. Arrestohet më 1950.

“Prokurori i popullit” Aranit Çela (Vlorë 1923-2018). Në këtë gjyq ai kërkon dënimin me vdekje për 11 anëtarë të organizatës. Gjatë karrierës së tij ka marrë pjesë në mbi 650 procese politike. Ishte një ndër prokurorët më famëkeq të regjimit komunist.

Nevzat Haznedari (1915-1984). Në vitet 1946-1949 ishte prokurori i Gjykatës së Lartë Ushtarake dhe nga viti 1952  deri në vitin 1964 kryehetues i Drejtorisë së 7-të të Sigurimit të Shtetit. Përllogaritet pjesëmarrës në rreth 270 procese kryesore politike, shumë prej tyre kundër klerikëve si prokuror ushtarak, hetues dhe ekzekutor.

Hilmi Seiti, ishte Kryetar i Degës së Punëve të Brendshme në Shkodër nga viti 1949 deri në vitin 1960. Përmendet si pjesëmarrës në tortura kundër disa klerikëve veçanërisht Don Ejëll Kovaçit dhe Postulante Marie Tuci. Vdes në mënyrë misterioze në vitin 1960 në Shkodër.

Shyqyri Çoku (1929-2018). Hetues dhe shef i seksionit të hetuesis në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës në vitet ’60-’80. Pjesëmarrës në mbi 90 procese politike, sidomos në ato kundër klerit. Përmendet si pjesëmarrës në tortura kundër klerikëve.

Kjo ekspozitë pasqyron luftën që regjimi diktatorial zhvilloi kundër fesë, strategjinë që ndoqi shteti komunist për asgjësimin e saj, propagandën brutale, që shoqëroi jetën e shqiptarëve për 47 vite, por edhe rezistencën e admirueshme të klerit dhe besimtarëve në përballjen me terrorin përndjekës shtetëror. Të gjitha këto regjimi komunist i zhvilloi çdo ditë të pushtetit të tij.

Valët e persekutimit të klerit dhe besimtarëve mund të ndahen në periudha të ndryshme.

Në bazë të raportit informativ “Mbi rezultatet e luftës kundër fesë dhe disa masa për thellimin e mëtejshëm të saj” të datës 30 gusht 1967 në Shqipëri ishin shkatërruar gjithsej 2169 faltore, prej të cilave 740 xhami, 609  kisha ortodokse, 158 kisha katolike dhe 530 teqe.

Ekspozita 

Kjo ekspozitë pasqyron luftën që regjimi diktatorial zhvilloi kundër fesë, strategjinë që ndoqi shteti komunist për asgjësimin e saj, propagandën brutale, që shoqëroi jetën e shqiptarëve për 47 vite, por edhe rezistencën e admirueshme të klerit dhe besimtarëve në përballjen me terrorin përndjekës shtetëror. Të gjitha këto regjimi komunist i zhvilloi çdo ditë të pushtetit të tij.

Valët e persekutimit të klerit dhe besimtarëve mund të ndahen në periudha të ndryshme.

E para fillon menjëherë nga viti 1944 dhe vazhdon egërsisht deri në fund të vitit 1946, kohë kur si “bazë ligjore” shërbejnë vendimet e Këshillit Nacional Çlirimtar, i cili nuk ishte një organ legjislativ. Akti i parë (nëntor 1944) është ai i ndalimit përfundimtar të botimit të organeve të shtypit fetar. Më vonë arrestohen, torturohen, dënohen me burgime të rënda dhe ekzekutohen shumë klerikë.

Vala e dytë përfshin periudhën 1947-1950. Në këtë kohë goditet udhëheqja e lartë e klerit, për t’i hapur rrugë një manovre djallëzore që synonte t’i vinte strukturat fetare në shërbim të pushtetit.

Vala e tretë vazhdon pas vitit 1951. Shteti përpiqet të nënshtrojë klerin duke e futur nën ndikimin e vet, por ndesh në rezistencën e mjaft klerikëve katolikë, të cilët refuzojnë të nënshkruajnë Statutin e Kishës Autoqefale Katolike. Edhe pse jo i lartë në numër, persekutimi ishte njëlloj i egër, duke çuar në pushkatim disa klerikë.

Vala e katërt dhe e fundit është ajo që fillon në vitin 1967, vit kur Shqipëria vetëshpallet me krenari “i pari shtet ateist i Botës”.

Lufta ndaj fesë nuk kurseu as trashëgiminë kulturore, edhe pse ekzistonte ligji për mbrojtjen e saj. Bashkë me persekutimin e klerikëve, një valë shkatërruese përplaset edhe në objektet e kultit dhe bazën materiale të besimeve fetare. Librat e shenjtë u zëvendësuan me Veprat e diktatorit, simbolet fetare me simbole partiake. Feja e re ishte “marksizëm – leninizmi”, besimtari i ri ishte ateisti pa shpirt, “Njeriu i ri” – vepra më e çmuar e Partisë, ndërsa betimi në Zot u konvertua në betimin solemn “Për ideal të Partisë”.

Deri në vitet ’90 asnjë rit fetar nuk u celebrua. Derisa një ditë, si “drita përtej errësirës”, praktikimi i fesë shfaqet publikisht në nëntorin e vitit 1990.

Po ashtu nëpërmjet kësaj ekspozite përkujtojmë të gjithë ato njerëz që u dënuan, vuajtën në burg, vdiqën në tortura apo u ekzekutuan, vetëm për shkak të besimit dhe funksionit të tyre fetar. Është e rëndësishme që të evidentohet edhe aktiviteti i atyre që ishin në anën tjetër të “llogores”. Persekutorët që dhanë dënime, hetuan, torturuan apo ekzekutuan njerëz të pafajshëm janë përgjegjës të drejtpërdrejt të asaj çfarë ndodhi në Shqipëri gjatë viteve të regjimit komunist. Bashkë me diktatorin dhe pjesën tjetër që udhëhoqën Shqipërinë gjatë asaj periudhe, janë përgjegjës edhe drejtuesit e organeve ndëshkimore, për çdo dënim të dhënë për bindje fetare, politike apo shoqërore. Shqipëria është në një proces të gjatë të ballafaqimit të saj me të kaluarën e errët dhe nëpërmjet kësaj ekspozite synojmë të japim kontribut.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.