OPINION

Ambasadori i Italisë: Kalabria, viktimë e klisheve, njësoj si Shqipëria

17:57 - 26.02.21 Fabrizio Bucci
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




I dashur Kryeredaktor,

E lexoj gjithmonë me shumë vëmendje gazetën Tuaj. Artikujt që botoni përmbajnë jo rrallë ide interesante, disa herë edhe polemike e provokuese. Është padyshim provokues opinioni i shkruar disa ditë më parë nga Fatos Çoçoli me titull: “Pse shoqërohen politikanët me persona problematikë, zonja Kim?”. Po Jua shpjegoj. Jam tërësisht dakord me përmbajtjen e artikullit. Korrupsioni, veçanërisht për sa u përket politikanëve, është një tumor që duhet luftuar me çdo mjet në dispozicion. Ajo që, në fakt, shoh si provokuese, është referimi që i bëhet Kalabrisë, rajonit të Jugut të Italisë që vazhdon të përndiqet nga klishetë. Çoçoli përdor me shumicë klishe ndërsa shkruan: “zonën më të varfër të Italisë dhe më të pazhvilluarën e Bashkimit Europian … zonë ku mungojnë investuesit seriozë italianë e të huaj … një tokë në duart e ‘Ndrangheta’-s. Janë të gjitha këto deklarata që Çoçoli i përdor për të arritur në një përfundim: “ne [d.m.th. shqiptarët] nuk duam që Shqipëria të bëhet si Kalabria”.

Në fakt, askush nuk e mohon se në Kalabri krimi i organizuar është i pranishëm dhe përbën një kërcënim për jetën ekonomike, shoqërore e kulturore të së gjithë Italisë. Por, ajo me të cilën nuk pajtohem absolutisht është barazimi: Kalabri ‘Ndrangheta’. Jo vetëm, sepse ky barazim është një ofendim për të gjithë kalabrezët e ndershëm por, mbi të gjitha, sepse nuk është e vërtetë. Kalabria është shumë, shumë më shumë e shumë ndryshe. Nuk dua të përmend sukseset e arritura nga drejtësia dhe nga forcat e policisë në luftën kundër krimit të organizuar, sepse ato i njohim mirë. Janë të shumta e mjaft të rëndësishme. E nuk dua as të flas për njeriun e jashtëzakonshëm, Prokurorin Gratteri.

Ama, dua të flas për të gjitha ato gjëra të Kalabrisë që lexuesit Tuaj (ashtu si pjesa më e madhe e shqiptarëve) me shumë mundësi nuk i dinë. Duke u kufizuar vetëm tek ekonomia, ndoshta pak e dinë se në këtë rajon, në dhjetëvjeçarin e fundit janë rritur të ardhurat e sipërmarrjeve, është ulur borxhi i tyre dhe është shtuar gjendja e tyre financiare. Që prej fillimit të viteve dy mijë, punësimi në sektorin privat në Kalabri është rritur më shumë sesa mesatarja në rang vendi. Rritja është përqendruar në sektorin e shërbimeve e është karakterizuar nga kontributi i madh i dhënë nga shumë sipërmarrje të reja. Gjithmonë sipas të dhënave të Bankës së Italisë, në vitin 2019 më shumë se 80 për qind e sipërmarrjeve në Kalabri e kanë mbyllur vitin ushtrimor me fitim ose jo me humbje. Në dhjetëvjeçarin midis viteve 2008 e 2018 vlera e pasurisë neto të Kalabrisë është rritur me 8 për qind. Përmirësim shihet edhe për sa i përket pasurisë për banor (rreth 18 mijë euro në vit). Kalabrezët janë ndër italianët që kursejnë më shumë. Në vitin 2019 pasuria neto e familjeve kalabreze (popullsia e Kalabrisë është rreth dy milionë banorë) ishte e barabartë me 162 miliardë euro. Pikërisht kështu: njëqind e gjashtëdhjetë e dy miliardë euro.

Duke iu referuar shoqërisë, të dhënat më të fundit tregojnë se si në Kalabri numri i veprave penale (në mënyrë të veçantë vjedhjeve të banesave, vjedhjeve dhe grabitjeve) është shumë më i ulët se mesatarja e Italisë. Për nga mjedisi, standardet e Kalabrisë janë më të larta se mesatarja kombëtare italiane për sa i përket përdorimit të burimeve të ripërtëritshme, pranisë së zonave të mbrojtura dhe përdorimit të bregdetit për plazh. Rezultojnë gjithashtu të jenë mbi mesataren rritja e konsumit të energjisë elektrike nga burime të ripërtëritshme si edhe riciklimi i mbetjeve urbane, që, në periudhën kohore 2010-2018 është trefishuar. Por Kalabria është e përsosur në shumë sektorë. Ndoshta jo të gjithë e dinë se “Hitachi” e Reggio-s prodhon vagonët për linjën e metrosë së Kopenhagenit e atë të Milano-s si edhe të shumë qyteteve të tjera në botë.

Do të mjaftonin këta numra të thjeshtë për të përshkruar një situatë shumë më të ndryshme nga skenari prej filmi të vjetër western që shumëkush ka të rrënjosur në mendje. Por, e përsëris, Kalabria është shumë më shumë. Është rajoni që ka realizuar ëndrra e ka shfaqur shumë inteligjencë. Që mund të mburret me sipërmarrës të fuqishëm e histori suksesi e solidariteti, si ajo e Mimmo Lucano-s. Ndoshta pak shqiptarë e dinë se gjatë viteve të fundit Lucano është përzgjedhur nga revista amerikane “Fortune” ndër 50 personazhet më me ndikim në botë. I vetmi italian në listë, Mimmo Lucano është kryebashkiak i Riace-s, një komunë e vogël kalabreze me pak më shumë se dy mijë banorë. Një e katërta e banorëve të Riace-s nuk ka lindur në Kalabri: kanë ardhur nga Afganistani, nga Senegali, nga Mali dhe nga shumë vende të tjera të goditura nga lufta, varfëria dhe mungesa e ushqimit. Janë të gjithë njerëz që kanë rrezikuar jetën duke përshkuar Afrikën, Azinë dhe Mesdheun e në Riace kanë gjetur një shtëpi. Prandaj Mimmo Lucano ka zënë vendin e 40-të në renditjen e “Fortune” të njerëzve me më ndikim në botë, krah Angela Merkel-it, Papa Francesco-s dhe Tim Cook-ut të Apple-it.

Mund të flas edhe për historinë e bukur të Carmelo Basile-s, një inxhinieri të shkëlqyer kalabrez i cili zbuloi përdorimin dhe rëndësinë e biomasave në Gjermani dhjetë vite më parë. U kthye në shtëpi, themeloi një sipërmarrje bujqësore në të cilën punojnë punëtorë nga njëqind Vende. Prodhon produkte qumështi e sallame, por edhe energji duke mbledhur mbetjet bujqësore të së gjithë zonës. Së bashku me Carmelo-n, shumë të rinj të tjerë të suksesshëm po kthehen në Italinë e Jugut e në Kalabri. Janë të paktën 45 mijë, pothuajse të gjithë me diplomë universitare e me të ardhura të larta. Është ky një fenomen që Enciklopedia Italiane Treccani e ka emërtuar tashmë “South Working”.

Ja pra, do të ndalesha këtu, edhe pse do të mund të vijoja edhe më shumë. Do të më pëlqente vetëm që në të ardhmen, kur të dëgjojnë të flitet për Kalabrinë, lexuesit Tuaj dhe të gjithë shqiptarët të sillnin ndërmend të gjitha këto. Kalabria është një tokë shumë e bukur, e pasur dhe e jashtëzakonshme, viktimë, për fat të keq, e shumë klisheve. Pikërisht si Shqipëria, një vend që po mësoj ta dua.

Do t’Ju isha mirënjohës nëse do ta publikonit këtë letër timen.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.