Kryesore

Sfida e dyfishtë e pandemisë/ Si e përballojnë COVID-19 personat me aftësi të kufizuar në Shqipëri

21:48 - 27.02.21 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Për miliarda njerëz në të gjithë globin, pandemia e COVID-19 solli probleme dhe vështirësi të natyrave të ndryshme. Përtej fatkeqëve që humbën jetën, pothuajse gjithë të tjerët u afektuan dikush nga shqetësimet e shëndetit, dikush nga vështirësitë në lëvizje dhe dikush nga pasojat ekonomike.




Por, një kategori njerëzish e përjetuan këtë situatë, më keq se të tjerët. Ata janë personat me aftësi të kufizuar.

Sokol Murataj, kryetar i shoqatës së personave me dëmtime të shtyllës kurrizore në Shqipëri thotë se problemet janë të shumëllojshme. “Personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë nga mungesa e imunitetit janë më të prekshëm nga infeksionet, nga koronavirusi. Nga ana tjetër, ata jetojnë me familjarë të tjerë, të cilët duhet të bëjnë kujdes të veçantë mos ta sjellin virusin në shtëpi. Pra, sasia e madhe e maskave që përdoren është kosto financiare.

Në spitalet COVID, nuk ka kushte për personat me aftësi të kufizuar. Familjarët nuk futen dot dhe stafi nuk është i trajnuar për të trajtuar me COVID një tetraplegjik ose një paraplegjik”, thotë Murataj.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 15% e popullsisë së botës konsiderohet të ketë një formë të aftësisë së kufizuar.

Personat me aftësi të kufizuara nuk kanë qasje të barabartë në shoqëri, gjë që përfshin fushat e arsimit, transportit, punësimit e shërbimeve sociale.

E drejta për të marrë pjesë në jetën publike është thelbësore për të krijuar demokraci të qëndrueshme, qytetari aktive dhe për të zvogëluar pabarazitë në shoqëri.

Administratori kombëtar i shoqatës së të verbërve të Shqipërisë, Gjergj Smakaj rrëfen vështirësitë në përballimin e situatës së re që solli pandemia.

“Nuk janë ofruar shërbime ekstra për këtë kategori në banesë. Shumë prej të verbërve kanë dhe sëmundje të tjera shoqëruese dhe janë detyruar që të gjitha shërbimet t’i marrin aty ku ato ofrohen, p.sh në spitale.

Për arsye të ndryshme shëndetësore, një person me aftësi të kufizuar mund të mos mbajë dot një maskë. Edhe kjo është vështirësi e shtuar. Nga ana e autoriteteve, nuk pati një paketë të veçantë mbështetjeje për kategorinë tonë”, thotë Smakaj për “Gazetën Shqiptare”.

Një raport i publikuar nga organizata ‘Together for Life’  me mbështetjen e Fondacioni Westminster për Demokraci zbulon se personat me aftësi të kufizuar janë përballur me problematika shtesë gjatë pandemisë së Covid-19, veçanërisht gjatë periudhës së karantinës së detyruar nga masat kufizuese të ndërmarra nga qeveria gjatë pranverës së vitit 2020.

Sipas këtij raporti, i titulluar “Ndikimi i Covid-19 te Personat me Aftësi të Kufizuara,” 8 në 10 persona me aftësi të kufizuara kanë përjetuar probleme financiare në mënyrë të drejtpërdrejtë nga pandemia e COVID-19.

Sipas raportit të hartuar nga ‘Together for Life’, mbi 90% e të anketuarve deklaruan se nuk kishin përfituar mbështetje nga asnjë prej paketave financiare të akorduara nga qeveria gjatë pandemisë, por kanë gjetur mbështetje kryesisht nga organizatat jofitimprurëse, bashkitë si dhe miq dhe familjarë.

Kryeministri Edi Rama thotë me mburrje se Shqipëria nuk ka shënuar asnjë viktimë nga COVID në shtëpitë e të moshuarve.

Xhulia Musta, specialiste e Shërbimit Social Shtetëror e konfirmon me krenari këtë.

“Institucionet e kujdesit shoqëror kanë bërë një punë heroike, sublime sepse kanë qëndruar 24 orë për 7 ditë të javës në karantinë që nga marsi deri në fund të muajit gusht.

Jam shumë e gëzuar të ndaj lajmin se nga personat me aftësi të kufizuar në institucionet e kujdesit shëndetësor, nuk kemi pasur asnjë rast infektimi dhe për më tepër, asnjë rast të fatalitetit”, thotë Musta për “Gazetën Shqiptare”.

Përgatiti: Voltiza Duro, E.M.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.