Kryesore

Gazetari në kohët e pandemisë/ Sfida e medias shqiptare në epokën e “fake news”-it

23:55 - 28.02.21 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më 13 maj të vitit të kaluar, një letër e Autoritetit të Mediave Audiovizive e njoftonte televizionin “Ora News” se Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor e kishte gjobitur me 1 milionë lekë të reja. Arsyeja ishte pjesëmarrja në studio televizive e më shumë se 2 personave, që asokohe përbënte shkelje te masave të veçanta të vendosura nga qeveria në kushtet e pandemisë.




Ky vendim solli reagime që nga presidenti i Republikës, Ilir Meta deri tek Qendra Europiane për Lirinë e Medias, të cilët kujtuan që masat anti-COVID nuk duhet të cënojnë lirinë e fjalës.

Kufizimi i të ftuarve në studio ishte një nga pasojat më të vogla të pandemisë. Shumë profesionistë të medias humbën vendin e punës, të tjerëve iu ulën rrogat për shkak të tkurrjes së të ardhurave. Tregu i reklamave ra ndjeshëm. Shitja e gazetave u pezullua për një muaj në të gjithë vendin.

Sikur të mos mjaftonin këto probleme, shqetësim u bë cilësia e informacionit dhe në disa raste përhapja e “fake news”-eve mbi COVID-19.

“Jo vetëm portalet, por edhe media kombëtare shfaqën panelistë që i bënë jehonë teorive konspirative, jo se nuk e dinë çmendurinë e teorive të tilla, por e bënë për përfitime, për vëmendje dhe klikime.

Përvec një shkeljeje etike, kemi të bëjmë me një pamundësi për ta ndarë lajmin nga argëtimi. Teoritë e konspiracionit janë më shumë tek kjo e dyta. Ndërkohë që gazetaria merr një informacion, e certifikon. Certifikimi nuk ndodh tek mjeku popullor, por tek autoritetet serioze si OBSH, Instituti i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë, etj.”, vëren drejtuesi i Politiko.al, Alfred Lela.

Pavarësisht teorive konspirative që shpërthyen ngado, mediat luajtën një rol pozitiv për sensibilizimin e popullatës për rrezikun e virusit dhe respektimin e masave.

“Media sociale ishte jetike me raportimin e lajmeve për shpërthimin e pandemisë Covid-19. Postimet, ripostimet dhe rindarja e analizave, komenteve, paralajmërimeve dhe përmbajtjeve të tjera ishin masive. Po ashtu, ishin të pranishme edhe komentet, postimet dhe njoftimet me përmbajtje të pavërtetë që nxisnin panik, ku lajmet e rreme u bënë virale”, vlerësohet në një raport të Westminster Foundation for Democracy.

Si masë preventive ndaj problemeve të medias që lidhen me situata specifike si kjo e COVID-19, kryetari i Unionit të Gazetarëve në Shqipëri, Aleksandër Çipa propozon ngritjen e një strukture vetërregulluese të medias. Sipas tij, kjo do ta ndihmonte funksionimin e medias në situata specifike.

“Në jo pak raste, reporterët humbasin pikat e kontaktit me burimet e konfirmimit. Nuk iu referohen burimeve zyrtare ose nuk ndjekin principin tradicional të konfimimit të dy burimeve. Kjo e dëmton informimin dhe vazhdoj të mbajë në fuqi krizën e mosbesimit publik”, thotë Aleksandër Çipa.

Megjithatë, ai mendon se ka modele të mira.

“Në këtë spektër kaq anarkik të medias së re në Shqipëri, ekzistojnë dhe media të cilat po shndërrohen në modele pozitiviste, të ndjekjes së parimeve dhe kritereve deontologjike dhe të respektimit të kodeve të etikës”, deklaron ai.

Raporti special i Freedom House për demokracinë gjatë mby lljes totale të vendit vëren se medias së pavarur shpesh i mbyllej zëri gjatë pandemisë, duke e bërë të vështirë kërkesën e llogarisë dhe duke penguar përhapjen e informacionit të rëndësishëm.

Raporti evidenton se vendet e renditura si pjesërisht të lira (si Shqipëria) përjetuan kufizime ndaj mediave të lajmeve si pjesë e përgjigjes ndaj shpërthimit të koronavirusit.

“Problemet globale me shëndetësinë të shkaktuara nga COVID-19 kërkojnë masa efektive për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e njerëzve. Kjo përfshin luftën ndaj dezinformimit që mund të shkaktojnë panik dhe trazira sociale. Për fat të keq disa qeveri po e përdorin këtë imperativ si pretekst për të vendosur kufizime joproporcionale për lirinë e shtypit; kjo është një qasje kundërproduktive që duhet të ndalet. Veçanërisht në kohë krize, ne duhet të mbrojmë liritë dhe të drejtat tona të çmuara”, tha komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç.

Përgatiti: Voltiza Duro, E.M.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.