AKTUALITET

Prof. dr. Kristaq Bërxholi: Virusi zoonotik H5N8 dhe lidhja me COVID-19

11:28 - 01.03.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Mjeku i njohur virolog-imunolog: Nëse shikoni shpendë të egra të vdekura, lajmëroni shërbimin veterinar




Në një kohë që vëmendja është përqendruar te koronavirusi, një tjetër virus po qarkullon. Përkatësisht bëhet fjalë për virusin H5N8, i njohur ndryshe edhe si gripi i shpendëve, me origjinë nga Kina. Në një intervistë për suplementin ‘Life Pages’ në ‘Gazeta Shqiptare’, prof.dr Kristaq Bërxholi, virolog-imunolog tregon në mënyrë të detajuar mënyrat e përhapjes së virusit dhe rrezikshmërinë që ai mbart.
Çfarë janë sëmundjet zoonotike?
Sëmundjet që kalojnë nga kafshët apo shpendët tek njeriu quhen sëmundje zoonotike. Këto sëmundje zoonotike, shkaktojnë ose jo sëmundje tek kafshët ose tek shpendët, por në mjaft raste janë me rrezikshmëri të lartë kur prekin njëriun. Gjithnjë e më tepër, për faj të njeriut, sëmundjet zoonotike po bëhen më problematike. Këto, jo vetëm që shkaktojnë sëmundje me përhapje në një rajon ose vënd, por ato, për shkak të cilësive të virusëve mund të shkaktojnë edhe përhapje botërore, apo me prekje të një numuri të madh vëndesh dhe që quhet pandemi. Gjatë këtyre 20 apo 30 vjetëve, bota ka kaluar disa pandemi, ndër të cilat e fundit e shkaktuar nga një coronavirus, me orgjinë nga lakuriqët e natës, ka qënë më shqetësuesja, më problematikja për shoqërinë njerëzore, mbas pandemisë të shkaktuar në vitin 1918-1919, nga virusi i influencës A H1N1, ku u infektuan mbi 100 milionë njerëz dhe vdiqën thuajse 40-50 milionë prej tyre. E parë nga kjo pikëpamje, virusët e avian influencës tipi A, janë jo vetëm virusë me potencial pandemik, por edhe me patogjenitet të lartë, që mund të kenë pasoja të rënda në shoqërinë njerëzore. Ne nuk do të analizojmë pandemitë, por do të ngelemi tek një përfaqësues më i ri i këtij grupi, VIRUSI H5N8, i shfaqur në skenë, atu nga viti 2014-2016.
Çfarë është virusi H5N8?
Virusi H5N8, është një serotip i viruseve të influencës të grupit A, që prek si kafshët dhe njeriun dhe si i tillë është emërtuar virus zoonotik. Virusi është një rikrijim nga bashkimi dy geneve më të rëndësishëm i H5(hemoaglutinina) dhe N8(neuroaminidaza), të virusëve të ndryshëm, por të afërm shumë nga pikëpamja gjenetike, që infektojnë qelizën në të njëjtën kohë. Këto gene janë pjesët më të rëndësishme të virusit apo si quhen ndryshe dhe (spike, maja, ligandë). Virusët e influencës janë të përhapur në të gjithë botën, si dhe thuajse në të gjitha llojet e specieve të shpendëve, kafshëve, të egra apo shtëpiake si dhe tek njeriu. Virusi H5N8, si të gjithë virusët e influencës, janë vdekjeprurës për disa lloje shpendësh e kafshës, por për disa lloje të tjera nuk janë të tillë. Virusi në fjalë, mbartet nga shpendët e egra, kryesisht zogjtë migratorë dhe nëpërmjet tyre përhapet në thuajse të gjithë botën. Sot është e vështirë të gjesh vënd, pa prezencë e virusëve të influencës. Thuajse cdo vit, këta patogjenë janë përgjegjës për vdekjen e miliona shpendëve të fushës, të egra, por edhe të njerëzve.
Virusët e influencës janë shumë të vjetër, por virusi në fjalë është shfaqur në 50 vjecarin e fundit të shekullit 20 dhe fillimit të shekullit të 21. Është një virus që është parë gjithmonë me interes dhe shqetësim nga shkënca botërore. Asnjëherë njerëzimi të mos mendojë se shfaqja e viruseve me karakter tepër përhapës dhe me pasoja deri në pandemi, është nga zoti, apo krijuar nga ndonjë laborator. Përgjegjës për lindjen dhe përhapjen e pandemive është vetëm njerëzimi, nga pangopësia dhe mosnjohja apo mos dashja e njohjes së rrezikut dhe pasojave që vijnë nga ky shkatërrim i mjedisit.

Si paraqitet situata e virusit të H5N8 në Europë dhe më gjerë?
Virusi H5N8 aktualisht është mjaft i përhapur. Në Europë ai është diagnostikuar që nga viti 2016 dhe vazhdon të evidentohet edhe në ditët e sotme. Prezenca e tij është vërtetuar thuajse në të gjithë shtetet europiane, në shpendët e egra, por edhe në ato shtepiake, duke shkaktuar dëme të rënda ekonomike si nga vdekje të shpendëve, por edhe nga eliminimi paraprak i tyre. Virusi në fjalë, e ka orgjinën e vet nga Kina. Viruset lindin në këto zona, për shkak të faktorvë ekologjike, socialë dhe të ndryshimit të temperaturave globale. Kina është vendi me dëndësi të madhe të popullatës animale dhe humane, për kilometër katrorë më të madhe në botë, është vendi i madh me shumë llojshmëri klimatike si dhe shumëllojshmëri të madhe kafshësh dhe shpendësh, të cilat i favorizojnë lindjen e këtyre lloj virusëve. Virusi H5N8 është evidentuar edhe në kontinentin amerikan, afrikan, në Korenë e Jugut, Japoni, Rusi etj. Pra, thuajse në të gjithë botën. Pra, siç shihet, virusi gjëndet kudo. Kjo përhapje kaq e madhe, krijon kushte të favorshme për prekje masive të shpendëve, por edhe të njerëzve.
A ka raste të infektimit të njeriut?
Që nga momenti i shfaqjeve të para të këtij virusi, aty nga viti 1983 në Irlandë dhe deri në vitin 2021, nuk ishin vërejtur raste të prekjes së njeriut, me gjithë rrezikshmërinë e tij. Kjo gjë i dedikohet asaj që quhet surveillanca aktive, e cila ka mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm dhe të përhershëm popullacionin e shpendëve të egra. Surveillanca aktive është një nga format më të mira të njohjes paraprake të shkaktarëve dhe të lerjon të ndërmarrësh hapa për të mbrojtur popullatën animale si dhe atë humane. Kjo praktikë cila realizohet nga shumë shtete. Gabimet e bëra me pandeminë aktuale, i kushtuan shumë botës në të gjithë sektorët e saj e mbi të gjitha në vdekjet njerëzore. Aktualisht, por dhe më përpara, që mbas vitit 1990, ne, si Shqipëri, jemi ende shumë mbrapa këtij momenti, në raport me vendet e tjera, pavarësisht faktit që vendi ynë është jo vetëm në rrugët e shtegtimit të shpendëve të egra, porse ka dhe kushte të favorshme klimatike dhe ekologjike, për jetesën dhe shumëzimin e tyre si lumenj, linjë bregdetare të gjatë, liqene si dhe një klime të pëlqyeshme, jo shumë agresive në dimër, me mesatare prej rreth 12 gradësh në muajin shkurt, me reshje si dhe temperatura jo shumë të lartë në muajt e verës. Kjo gjë kërkon që ne si vend, duhet të ndryshojmë konceptet për rrezikun e vazhdueshëm të këtyre lloj virusesh, evidentimin e hershëm të prezencës ose jo në vendin tonë si dhe marrjes së masave parandaluese për mos prekjen e shpendëve shtëpiakë dhe njeriut. Rasti i parë i prekjes së njeriut u raportua para disa ditësh nga Rusia, ku ishin infektuar rreth 7 persona, ku sipas mediave ruse pa klinike të dukshme, në një fermë në jug të Rusisë. Në këto raste, sipas njoftimin të shërbimit veterinar dhe human të Rusisë, nuk ishin vërejtur raste të kalimit të infeksionit nga njeriu tek njeriu. Sipas rusëve, të shtatë punëtorët u shëruan pa pasoja nga ky infeksion. Rusia menjëherë mori masa drastike për bllokimin e mëtejshëm të infeksionit nëpërmjet eliminimit të shpendëve të ndjeshme në zonat përreth. Me përjashtim të këtij rasti, deri tani në Europë, me gjithë prezencën e shpeshtë si në shpendët e egra dhe në ato shtëpiake, nuk janë raportuar raste në njerëz.
Si paraqitet situata në vendin tonë?
Në vendin tonë, deri tani nuk ka raportime të rasteve të shfaqjes së këtij virusi. Kjo është një e dhënë apriori, pasi deri tani, megjithëse ka raste të vdekjes së shpendëve të egra të llojeve të ndryshme, askush nuk ka hulumtuar për prezencën ose jo të këtij virusi në vendin tonë, në shpendët e egra apo dhe në shpendët shtëpiake si rosa, pata dhe gjela deti. Kjo gjë, sipas meje duhet vlerësuar, pasi si u përmend dhe më lart, për shkak të pozicionit gjeografik të vendit tonë, kushteve klimatike dhe pranisë së një vije të gjatë bregdetare, luginave, liqeneve si dhe të rrugëve ajrore të kalimit të shpendëve migratorë, sidomos të rosave e patave, që kalojnë mbi apo afër vendit tonë. Një nga vendqëndrimet e rosa migratore është zona në veri të liqenit të Shkodrës. Me keq ardhje më duhet të them se, me gjithë shqetësimin e ngritur, askush nuk e ka vënë ujin në zjarr. Ne kemi një institut qendror -ISUV- i cili është në gjendje që të diagnostikojë këtë infeksion, por ai kërkon mbështetje financiare dhe organizim për realizimin e këtij momenti. Unë mendoj se Ministria e Bujqësisë, e cila ka thuajse 20 vjet që ende nuk është në rolin e vet, duhet të dalë nga plogështia dhe të kryejë detyrat e saj, për të mos u gjendur përpara të papriturave. Është detyrë e ministrisë, që të sigurojë menjëherë bazën materiale, si vezë SPF, të embrionuara, kitet diagnostikë, materiale për mbrojtjen e personave përkatës, organizimin e marrjes së mostrave dhe menjëherë të fillojë nga puna. Theksoj se tek ne, për shkak të mos njohjes fare të situatës, duhet të fillojë me një surveillancë aktive. Ngulja këmbë tek një surveillancë pasive, në këto kushte, sipas meje është të rish e të presësh mbase bie ndonjë shpend i vdekur nga qielli. Në urdhrin e nxjerrë nga ministria, në kuadrin e evidentimit të prezencës së infeksionit në vendet e Europës, ku ndalohet importi etj etj, megjithëse kjo ishte domosdoshmëri, nuk ka asnjë moment të shkruar për këto që unë përmenda më sipër. Është më se e domosdoshme, që duhet të çelet një fond emergjente nga dikasteri përkatës dhe të blihen materialet e nevojshme për diagnostikimin, më se paku, për kushtet tona të virusit deri tek H5. Shpendët e egra të infektuara nuk kalojnë në doganë. Me keqardhje e them, pasi nuk duhet të kemi të njëjtën situatë si me gripin H5N1, që e gjeti vendin të papërgatitur në vitin 2006. Nuk di nëse pandemia aktuale, ka ndikuar ndopak në mendjet që merren me këto probleme. Në faqen e OIE, nuk vërejmë asnjë raportim nga Shqipëria.
Sa i rrezikshëm është ky virus dhe sa është niveli i patogjenitetit?
Viruset e këtij lloji, ndahen në dy grupe të mëdha, viruse me patogjenitet të lartë të avian influencës(HPAI), të cilët shkaktojnë sëmundjeve dhe vdekje masive në shpendët shtëpiakë, por edhe në disa shpendë të tjerë si mjellmat apo ato në kopshtet zoologjike etj, dhe viruse me patogjenitet të ulët të avian influencës (LPAI). Ndryshueshmëria e viruseve të avian influencës , në speciet aviare dhe transmetimi viral midis zogjve të egër tek shpendët shtëpiakë, ndodh për shkak të ndryshimeve gjenetike të tipit shift. Në vitin 2010 u rikrijua virusi i H5N8 i cili u gjet tek rosat në lindje të Kinës. Për shkak të numrit të madh të prezencës së Hemoaglutininave(Ha) dhe të neuraminidazave N, ekziston mundësia, nga rikrijimet të krijohen mbi 270 lloje virusesh të rinj. Virusi mbahet i gjallë, ose si quhet ndryshe rezervuarët, nga disa lloje të shpendëve të egra, si rosat e patat, tek të cilat virusi jeton dhe shumëzohet, rikrijohet dhe nuk shkakton vdekjen e tyre. Ky virus është gjetur në shpendët e gjalla, rosat, pa shkaktuar dëme. Duhet të theksojmë se patogjenë, sidomos për njeriun deri tani, janë parë kombinimet me gjenet H5 dhe H7. H5N8 llogaritet ndër viruset me patogjenitet të lartë dhe me një indeks patogjeniteti 1.2, e cila do të thotë që nëse futet në një kompleks, ai shkakton vdekjen e mbi 75% të krerëve prezent në stallat e populluara me shpendë.
Cili është potenciali i H5N8 për të infektuar njeriun?
Aftësia potenciale e viruseve të avian influencës për të qenë eficient në transmetimin dhe infektimin e sisorëve, përfshi dhe njeriun, është një problem madhor i shëndetit publik. Kapërcimi i barrierës së species, apo adaptimi i viruseve të shpendëve është i lidhur me një numër ndryshimesh molekulare, të cilat i japin mundësi atij për të njohur dhe ngjitur në receptorët e qelizave të njeriut. Kështu virusi H5N8, proteina HA(hemoaglutinina) ka glutaminën në pozicionin 226, e cila njihet si mundësi dhe ngjashmëri me receptorin avian dhe ka preferencë për tu lidhur me receptorin aviar á-2,3-sialic acids. Kjo është tepër favorizuese për të. Ngjitja dhe përshtatja e ligandit të virusit tek receptori i njeriut lidhet me nivel të lartë patogjeniteti. Ky virus, nuk ka nevojë që të kërkojë ndryshime adaptive edhe të proteinës së kompleksit polymerazë. Të dyja këto fakte, kanë treguar se minjtë, që shërbejnë si model studimi për virulencën e këtyre viruseve, që korrelon me njeriun, janë infektuar dhe kanë vdekur 100%. Pra, parë në këtë prizëm, patogjeniteti i këtij virusi kundrejt sisorëve është mjaft i lartë. Për këtë kërkohet domosdoshmërisht gjurmimi i prezencës dhe ndërmarrja e masave të menjëhershme. Këtu nuk përjashtohet njeriu.
Cilat janë kategoritë më të rrezikuara?
Kategoritë më të rriskuara në radhë të parë janë gjuetarët e shpendëve të egra. Kjo për arsye se ata ende nuk e kanë informacionin e duhur dhe strukturat e shërbimit veterinar, nuk shpërndajnë informacionin e nevojshëm midis këtyre kategorive. Gjuetarët, krahas rrezikut për prekjen e tyre, ata me transportin e shpendëve të vrara dhe hedhjen andej këtej të organeve, bëhen njëkohësisht edhe shpërndarësit më të mëdhenj të infeksionit duke rrezikuar kategori të tjera kafshësh, sisorësh dhe njeriun. Duke ditur që ky virus, në kushtet natyralë infekton edhe rosat, patat dhe gjelat e detit shtëpiakë, këto veprime rrezikojnë direkt apo indirekt edhe personat që merren me rritjen e tyre dhe bile familjarët. Mbi të gjithë të rrezikuar janë fëmijët, të cilët lozin me këto shpendë(rosat, patat e gjelat e detit)
Si bëhet transmetimi i H5N8?
Si përmendëm dhe më lartë, rezervuarët e këtij virusi janë shpendët e egra. Shpendët migratorë, të cilët lëvizin nga një kontinent në tjetrin, bëhen përhapësit më të mëdhenj të tij. Në periudhën e dimrit, në liqenet ku qëndrojnë një pjesë shpendësh që nuk emigrojnë, temperaturat e ujit janë të favorshme për ruajtjen e viruseve. Rosat, dhe patat e egra, me anën e feceve eliminojnë edhe virusin në ujë, i cili përhapet në gjithë territorin ku jetojnë shpendët. Si pasojë e kësaj, uji bëhet burim gjithashtu i përhapjes së tij. Gjatë periudhës së verës, rosat dhe patat e egra migratore, të cilat kalojnë këtë periudhë të kohës në linjën bregdetare, nëpër luginat e lumenjve, në liqenet(shumë të preferuara), gjatë natës lëvizin me kilometra të tëra nga vendi i tyre i ndjenjës për ushqim. Më të pëlqyera janë vendbanimet në zonat rurale, ku në shumicën e rasteve, shpendët shtëpiakë(pulat e fushës, rosat, patat, gjelat e detit), mbahen në ambiente të hapura dhe këtu ushqehen. Gjatë ditës, ngelet një sasi ushqimi dhe shpezët e egra vijnë pikërisht për këtë ushqim. Si rezultat i kësaj, këto hanë ushqimin dhe njëkohësisht me anën e feceve, përhapin dhe virusin duke rrezikuar jo vetëm shpendët e fushës, që janë të ndjeshme kundrejt tij, por edhe infektimin e rosave, patave dhe gjelave të detit, të cilët e mbajnë virusin dhe e shumëzojnë atë, duke u bërë përhapësit e dytë më të mëdhenj të virusin, Kështu virusi “stabilizohet”, por dhe ka një rezervuar të ri. Nga këto shpendë, infektohen fëmijët më së pari, mandej personat e tjerë, duke e marrë virusin si nga kontakti direkt me shpendin e infektuar, nëpërmjet sekrecioneve, ushqimi, kafazëve, por edhe me mjetet e tjera të kontaminuara. Virusët me patogjenitet të lartë mund të jetojnë për një kohë të gjatë në ambient dhe sidomos kur temperaturat janë të ulta. Kështu përhapen thuajse të gjithë viruset e avian influencës. Për më tepër, shih skemën përkatëse.
Ky moment, ndodh mbasi vendi ynë përfshihet dhe mbulohet totalisht me rrugën e detit të zi dhe Mesdheut ku kalojnë shpendët migratore, (shih skemën përkatëse). Si pasojë e këtyre të dhënave, vendi ynë nuk është i garantuar nga mosprekja e këtij infeksioni. Është kjo arsyeja që ne këmbëngulim për një surveillancë aktive.
Cilat janë shenjat e infeksionit?
Infeksioni në kategori të tilla si rosat, patat e egra apo të buta, gjelat e detit dhe disa shpezë të tjera, nuk shkakton asnjë shenjë klinike. Virusi bashkëjeton me to gjatë gjithë jetës së tyre. Është kjo arsyeja që ato janë gjithmonë burim infeksioni. Në shpendët e fushës, mjellmat etj., virusi shkakton vdekjen e menjëhershme. Ato shpezë që ngelen gjallë gjatë kalimit të infeksionit, duhet eliminuar si burim i mundshëm i infeksionit. Njerëzit e prekur shfaqin shenjat e një gripi, të cilat me kalimin e kohës rëndohen. Prekja e traktit respirator lidhet me vështirësi në frymëmarrje kollë, temperaturë e lartë. Gjithsesi rastet e deri tanishme të vrenjtura në Rusi, flasin për një klinikë jo të rëndë. Personat u shëruan shpejt dhe pa pasoja. Në Europë dhe në vende të tjera si Amerikë e më tej, deri tani nuk ka raste të këtij infeksioni në njerëz.
Si mund te mbrohemi nga virusi në fjalë?
Më së pari duhet të kemi një pasqyrë të qartë të prezencës ose jo të tij në vendin tonë. Për këtë, duhet filluar menjëherë surveillanca aktive, për të parë nëse qarkullon ose jo virusi. Gjithsesi, rastet e para në njerëz, japin indikacionin që virusi e ka kapërcyer barrierën e species njeri dhe mund ta infektojë atë. Për këtë, më së pari, duhet të aktivizohet shërbimi veterinar, sidomos në shpendët e egra, nëse ka raste vdekjesh apo jo. Gjuetarët, si persona në kontakt të parë me këtë infeksion, duhet të mos përdorin shpendët e egra të vrara, pa kaluar më parë në kontrollin veterinar, apo dhe në laborator. Një bashkëpunim i ngushtë midis Ministrisë së Bujqësisë dhe federatës së Gjuetarëve është e domosdoshme. Shpërndarja e njohurive për këtë infeksion si dhe leksione të ndryshme, rrisin nivelin teknik të mjekëve veterinerë si dhe të gjuetarëve. Në disa zona rurale është traditë që ende shpendët mbahen në ambiente të hapura, edhe natën, ku dhe ushqehen. Në këto raste duhet bërë kujdes me ushqimin e shpendëve në këto ambiente ambiente dhe është mirë që natën të mos lihet ushqim jashtë. Kategorikisht e ndaluar fjetja e shpendëve shtëpiake nëpër pemë. Të mos lejohen fëmijët të lozin sidomos me rosat, patat dhe gjelat e detit pa njohur më parë statusin serologjik të tyre. Kontrolli serologjik i rosave, patave dhe gjelave të detit është një detyrë e përhershme e shërbimit veterinar dhe institucioneve të tij. Dezinfektimet me antiviralë dhe në mënyrë të herëpashershme të ambienteve, sidomos në zonat rurale, ku mbahen shpendët është gjithashtu një mjet efikas. Punonjësit që merren me shpendët, duhet të pajisen me mjete mbrojtëse. Kujdes duhet të tregohet sidomos me rosat, pata e gjelat e detit. Organet e brendshme të shpendëve të egra apo dhe të rosave, patave e gjelave të detit, nuk duhet të hidhen andej këtej, por detyrimisht duhet të groposen. Kontrolli i shpendëve fluturuese të vdekura, duhet të jetë në vëmendje të shërbimit veterinar. Kujdes duhet të tregohet në marrjen dhe ambalazhimin e shpendëve të egra, që gjenden të vdekura për laborator. Nëse shikoni shpendë të egra të vdekura, pavarësisht llojit të tij, njoftoni menjëherë shërbimin veterinar. shërbimi veterinar duhet të hartojë, si të gjitha vendet programin e parandalimit të këtij infeksioni. Kujdes duhet të tregojnë fermerët e komplekseve që merren me rritjen e shpendëve. Hyrja e këtij virusi në komplekse, është fatale dhe shkakton vdekjen e mbi 75% të tyre. Mbani larg kompleksit shpendët familjarë. Groposni shpendët e vdekura dhe mos lejoni përdorimin e ushqimit në ambientet e kompleksit, apo lënien në oborret jashtë të ushqimit të derdhur. Në dyshimin më të parë, njoftoni shërbimin veterinar. Nuk ka asnjë vlerë kontrolli serologjik i shpendëve të komplekseve, për gjoja prezencën e H5N8. E ritheksoj: po hynë shtamet e influencës a aviare në komplekse, ato shkaktojnë vdekjen e menjëhershme të shpendëve. Mos mbani në komplekset e populluara me shpendë, rosa, pata apo gjela deti si dhe sisore të tjerë.
A ka ndonjë lidhje midis H5N8 dhe COVID-19
Kjo është pyetje shumë interesante. Më së pari më duhet të them se nuk ka lidhje gjenetike apo imunitare midis COVID-19 dhe viruseve të influencës. Të dy këta viruse janë viruse zoonotike si dhe bëjnë pjesë në familje shumë të largëta midis tyre. Lidhja e vetme është së të dy këtO viruse, janë patogjenë të traktit respirator të njeriut si dhe janë viruse zoonotikë. Antitrupat e njërit nuk shërbejnë për neutralizimin e tjetrit. Antitrupat e coronaviruseve të të ftohtit, që gjenden zakonisht tek njerëzit, kanë lidhje serologjike me antitrupat e SARS-CoV-2. Edhe pse nuk ka lidhje gjenetike, midis viruseve të influencës dhe SARS-CoV-2, megjithatë është parë një bashkëveprim midis të dy këtyre viruseve (VIA dhe SARS-CoV-2), gjatë një procesi patologjik në organizëm në kohën që këta infektojnë në të njëjtën kohë me njeri tjetrin (coinfection) qelizat e traktit respirator, apo në distancë midis njeri tjetrit. Për këtë ka një debat të madh, i cili lidhet me një veprim praktik nëse: Vaksina kundër viruseve të influencës aviare duhet bërë tek personat me risk apo jo? Sipas të dhënave më të fundit për këtë moment, është parë që viruset e influencës aviare, ndikojnë direkt apo indirekt në procesin patologjik të COVID-19 në organet e frymëmarrjes, në të kundërtën e veprimit me viruse të tjerë si parainfluenca humane, virusi sincicial respirator human apo rhinovirusët humanë, të cilët nuk kanë asnjë ndikim në këtë drejtim. Ky ndikim është i lidhur me një shtim të fuqishëm receptorëve specifikë të SARS-CoV-2, ACE-2. Kjo rritje në nivelin e geneve, shfaqet 2-3 herë më e lartë mbas infeksionit të organizmit me virusin e influencës (ACE2 mARN). Ky receptor, së bashku me proteazën 2, Catepsinën dhe Furinën, ndihmojnë DUKSHËM NË DEPËRTIMIN E SARS-CoV-2 në qelizat humane. Gjithashtu, si rregull infeksioni i virusëve të influencës shoqërohet me prodhimin e interferonit, por në këtë rast kjo nuk ndodh. Ka edhe të dhëna të tjera molekulare, të cilat nuk janë objekt i këtij shkrimi. Si konkluzion mund të themi që: vaksinimi me vaksinën e influencës aviare (sidomos me vaksinë të inaktivuar) duhet të rekomandohet tek personat me risk të lartë për një coinfeksion (infeksion te përzier) sidomos në periudhën e dimrit. bashkë me këtë inkurajohet edhe mbajtja e maskës dhe distanca sociale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.