AKTUALITET

“Rekord i zymtë në muajin shkurt”/ Sa shqiptarë u infektuan dhe humbën jetën nga koronavirusi

18:50 - 01.03.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Muaji shkurt shënoi një rekord të zymtë sa i përket numrit të infektimeve dhe të viktimave nga pandemia e koronavirusit të ri, ndërkohë që masat shtesë të qeverisë të ndërmarra më 10 shkurt duket se nuk ndihmuan shumë. Sipas statistikave zyrtare, 29,040 shqiptarë ose 1 për qind e të gjithë popullsisë rezidente u sëmur me COVID-19, ndërsa numri i pacientëve të shtruar në spitale u rrit me shpejtësi dhe po kështu edhe numri i viktimave.




Gjatë muajit janar, të sëmurët me COVID-19 ishin afro 20 mijë vetë dhe po kaq edhe në dhjetor. Mesatarja lëvizëse dyjavore e infektimeve të reja ka qëndruar në mbi një mijë që nga data 10 shkurt. Në atë ditë, qeveria shqiptare ndërmori masa shtesë, përfshirë vendosjen e ndalimqarkullimit nga ora 8 e mbrëmjes.

“Dy javët e ardhshme janë vendimtare. Janë vetëm dy javë dhe nga gjithsecili kërkohet një sakrificë. Janë dy javë kur zinxhirit të infeksionit duhet t’i vëmë përballë zinxhirin e solidaritetit mes nesh,” deklaroi në atë ditë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Përgjatë dy javëve që pasuan, deri më 23 shkurt, afro 15 mijë shqiptarë të tjerë u sëmurën nga COVID-19 ndërsa pas përfundimit të periudhës dyjavore, numri i infektimeve ditore pësoi vetëm një rënie të lehtë.

Ndërkohë, java e fundit e shkurtit ishte edhe java më e trishtë për sa i përket të sëmurëve që nuk i mbijetuan dot sëmundjes. Sipas statistikave zyrtare, 130 shqiptarë humbën jetën nga COVID-19, numri më i lartë i viktimave brenda një jave i regjistruar deri më sot.

Që nga fillimi i pandemisë, 107 mijë shqiptarë janë sëmurë nga COVID-19 nga të cilët, afro 70 mijë janë shëruar ndërsa 1796 pacientë kanë humbur jetën. Këto të dhëna përfshijnë numrin e të infektuarve dhe të vdekurve sipas statistikave zyrtare.

Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2020, pati 3,976 më shumë vdekje se sa në të njëjtin tremujor të një viti më parë. Shkaqet e rritjes së numrit të vdekjeve nuk dihen./BIRN


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.