Kulturë

Ardian-Christian Kyçyku/ Monologu mes ëndrrës, vegimit dhe hijes – një utopi moderne në “Incógnito”

18:37 - 09.03.21 gsh

Nga Emrije Krosi



Perceptimi i një vepre kur e lexon në bashkëkohësi, jo vetëm si eptim të reales dhe irreales apo edhe si ravgim ndërkuptimor, jo vetëm si vlerë interpretimi, por edhe si një reagim i lexuesit për rrëfimet në (tej)kohësi, letrariteti i Ardian-Christian Kyçykut ngërthen kohë, histori dhe jetë njerëzore dhe disa të vërteta, sidomos për njeriun dhe vdekjen. Por vdekja, një kod i gjithëpranueshëm, sepse në çdo vepër të tij qenia dhe shpirti autorial janë thagma e fundit në rrugnajat e fatit, derikur njeriu duhet të pranojë vetveten, derikur njeriu duhet të besojë se fati është litari që na mban lidhur pas jetës, derikur njeriu rropatet për të kuptuar njësinë e Qenies së tij, të ndarë nga njësia Supreme, për “t`i falur jetës jetën” (Dushi: 1017), se tharmi postmodernist, që ndërlidh ngjizjen e këtij romani, nuk është thjesht një “individ” që (ri)tregon duke zhvendosur leksikun postmodern, por edhe proceset kontradiktore, me/dhe veten radikalizohen në një unitet të pandarë, me qendërzim vetë-përcaktues të vetëdijes, duke sfiduar një lloj “cogito”-je term kartezian, se “elementet postmoderniste”, (Hacion: 1989), janë një postalterego e teorisë së intelektualitetit në tërë rrafshet e shkrimit letar. Ka një nyje lidhëse aksiomatike, të karakterit të heroit (rrëfyesi/ i rrëfyeri), është ai element që tregon qëllimin moral dhe raportin e subjektit (protagonistit) me objektin (temën) për të cilën flet, në marrëdhënie “përfaqësore të kodit narrativ me elemente postmoderne”, (McLeish: 2003).

Për të krijuar një pamje sa më të plotë të profilit të shkrimtarit Ardian-Christian Kyçyku, si një shkrimtar që nisi të botonte pas’90-ës (shkruan në shqip e rumanisht, duke pasur njëherazi edhe karrierë akademike), lypset të qëmtosh më në thellësi të poetikës së tij, pasi ka lëvruar, si romanin, ashtu edhe tregimin, dramën dhe skenarin për kinema.

Duke iu qasur romanit “Incógnito” (Kyçyku: 2016), gjendemi përpara një enigme në bazë të këtyre elementeve:

-përshkrimi metafizik i fatit të njeriut,

-zbulesa e shpirtërores dhe (tej)shpirtërores,

-raporti (khâ)vetja dhe (përtej)vetes porsi “këndellje shqisash”, (Velaj:2020), ku vetë nëntitulli [Copëza nga jeta e rojeve dhe anasjelltas], për të cilin autori shënon: “Sipas disa fjalorëve të besueshëm, incógnito rrjedh nga incógnitus i latinishtes, alias dikush i njohur (i famshëm, i shquar), që udhëton nën emër tjetër, pa dashur të bjerë në sy. Ka edhe kuptimin person që dëshiron të mbetet i panjohur ndaj botës dhe të tjerëve, duke u fshehur, ose duke dalë nga dijenia e njerëzve”.

Mënyra se si lexojmë, kur jemi vetëm me vetveten, sjellja e “poetikës kulturore” (Bloom: 2001), si pritje ideologjike, duhet të jetë dhe një “mashtrim estetik”, që i adresohet lexuesit vetmitar, projekt për mendjen dhe shpirtin dhe ndërvetëdijet e një të panjohuri (që ka harruar vetveten), apo hiqet kinse dhe ndërdyshas “rrëfen” për ekzistencën e së panjohurës dhe së padukshmes, në tri pjesë, të marra nga përmbledhja. Romani është një “zbulim” i njeriut që jeton për veten, nën iluzionin e ëndrrës dashurore sureale:

(ri)zbulesa e njeriut-roje, përmes metaforës së armëve dhe plumbit, se dyshimi për të rrëfyer një roman me monolog, duke u çliruar nga çdo kohë (jetësore dhe letrare), personazhi/rrëfimtar (i gjithëditur) luan me termin roje/loje/Loji, emërton personazhin si Loji. Nënvetëdija dhe vetëdija për të besuar se po kryen një detyrë të lartë, luan me plumbin, metafora që lidh jetën, ëndrrat dhe ngujimin.

“Në një kazermë perëndimore që të kujton mërgimin, gjatë një mërgimi që ngjan edhe me vdekjen në mungesë, edhe me çlirimin nga çdo e tashme, një i ri shqiptar, rritur me bunker në oborr (me nofkën Incógnito) caktohet roje, ose thjesht çon një jetë në dukje të rëndomtë. Për vite me radhë, tek shpreson të kthehet në dashurinë e hershme, ai ruan depo armësh e municionesh, salla librash, veten, kujtesën dhe disa të panjohur, i rrethuar nga eprorë e bashkëkohës që ndonjëherë sikur mishërojnë vetë fatin, në një hapësirë e kohë ku njeriu ka arritur të mos kushtojë më tepër se një plumb”, (Kyçyku: 2016),

Duke besuar tek një ëndërr, oshënari i ribeson tek e rrejshmja; kësisoj bëhemi zotërues të kodit narrativ me elemente të romanit postmodern, që janë:

-parabolë e narratorit që vepron dhe rrëfen, (zëri narrativ në vetën e parë që shtrihet në kohë, koha narrative) jashtë kategorisë së frekuencës: “të tregosh n herë atë që ka ndohur n herë” (Genete: 2014),

-parabolë e narratorit që di dhe rrëfen, (ose narratori-personazh që vepron, sheh dhe rrëfen, për edhe funksioni narrator-autor, (narratori autodiegjetik), kurse ky lloj personazhi, vetëm sheh dhe rrëfen),

-parabola e rrëfimi dhe përshkrimit,

-parabola e kronotopisë si funksion i “intertekstualizmit”(Kristeva: 1969),

-parabola e pastish-it (shumësia e diskurseve),

-parabolë e double-cooding, (nënkupton realizimin e qëllimit që autori ka në veprat postmoderne, krijon një rrëfim të dyfishtë për lexuesin e interesuar për fabulën dhe një rrëfim paralel për lexuesin erudit, i cili e kërkon esencën e veprës), “veprat e artit postmodernu drejtohen njëkohësisht një publiku pakicë elite, duke përdorur “kode të larta”, dhe publikut masë, duke përdor kode popullore”, (Jenks: 1968).

-parabola e kohës së tashme mund të quhet edhe koha e “ngrirë” që realizohet nëpërmjet një sistemi përshkrues, është një yjësi fjalësh, i varur nga një koncept, ose një fjalë-bërthamë (nucleus),ose zbulimi i kohës 0, ose si dëshmim i ngjarjes së ngjarë dhe “lindjes së matricës” (Jorgo: 2021), kuptojmë nivelin e tekstit dhe funksionin e shenjës.

-(Ri)zbulesa dhe (de)kodimi i ngujimit dhe ankthit, duke monologuar me veten mes jermit dhe ankthit, përballë tjetrit dhe vetvetes, në marrëdhënie me veten, ai komunikon me plumbin, jermimi dhe ankthi i një njeriu që pranon të tjetërsohet me dëshirë, jashtë dhe brenda bashkësisë (bashkëjetesës) për veten/përtej vetes me fatin e (vetëpërjashtuar) nga jeta sociale, ku tjetri është një elipsë në paragrafin: shumë vetë, me përkëdheli e me një mllef bashkëjetese të detyruar, e ledhatojnë “Arma Dolores”. Nuk e vrasin mendjen për saktësinë e latinishtes, mjafton që nofka e saj të na kujtojë dikë të tipit armë kundër dhembjeve, ngujimit të tepruar në vete, sulmeve të çmendurisë, maktheve, tundimeve për të vrarë veten, ose kujt t’ia zërë, njëfarë nënë për të plagosurit”, f.17, se monologu i brendshëm, është një teknikë narrative (ndërgjegjen e personazhit ) dhe zhanër narrativ (vetëkomunikimi i heshtur i një mendjeje fiksionale), “një rast i kufizuar i narracionit në vetën e parë” (Cohn: 1978), një ngjashmëri narrative me romanin “Oh” të Pashkut, (autori vetërrëfen për ngërçin, makthin e vetëzolimit) zhdukja e autorit nga rrëfimi është një nga elementet karakteristikë për monologun e brendshëm, duke e parë si një zhanër jokomunikativ me lexuesin, “e cila reflekton marrëdhëniet jonarrative mes dhënësit e marrësit “brenda mendjes vetëkomunikuese të personazhit, dhe informatori (informuesi), që është komunikimi mes autorit dhe lexuesit” (Tumanov:1994 ), “zhdukja”e autorit nuk është e munduar, por në (nivelin mikrokomunikativ), nuk mund të zhdukë nivelin e parë, atë të komunikimit të autorit me lexuesin. Mëtimi i monologut të brendshëm është pjesë e iluzionit të vetëkomunimit me lexuesin: “thjesht nuk dua të kem miqësi me ty. Po. Dua të kem miqësi me një të vdekur, me dy të vdekur, ose me një lugat. Ose me stërgjyshin tënd, ose me Hitlerin. Hiqmu sysh!… Përndryshe nuk do të isha bërë kaps në birucë, dhe pas dy javësh m’u duk se po nxirrja plumba, por në fakt po nxirrja një orë grash, që ai Zot e di ku dhe kur e pata gëlltitur…”f.19, shembulli tipik i rrëfimit mbi bazën e monologut të brendshëm autonom, krahasimisht argumentohet, por në formë të përmbysur edhe me kapitullin e fundit [“Moli”/ “Uliksi], (Joyce: 2009), përtej gjuhës së përroit të ndërgjegjes, duke iu referuar këtij monologu të brendshëm me normat e gjuhës shqipe.

(Ri)zbulesa dhe (de)kodimi i dritës (Irisi) dhe errësirës, skëterra e makthit dhe jermit është lidhur me shpirtin ku Uni dhe Ego-ja, (janë në konflikt) janë matrica sa të një enigme të frikshme njerëzore, aq edhe të shpirtit njerëzor, (Incógnito është rritur brenda kullës si roje) se Kulla -roje, është:

-shpëtimi nga asimilimi i jetës jashtë kullës,

-frika e ndryshimit në një tjetër qenie (njeri),

-plotmëria individualiste për detyrën,

-“njeriu i tepërt”, të cilin shoqëria e përjashton përtej monologut, dashurinë e përjetshme (dashurinë trupore) dhe dashurisë hipotetike në paragrafin: “Irisi. Irisi më pyeti: “Ç’pate kështu, shpirt?!” Iu përgjigja:“Asgjë. Paska çaste kur as vetëvrasja s’të nxjerrka në dritë…”Po shumë pak gjëra të errëta mund të të nxjerrin në dritë, qeshi ajo”, Irisi jo vetëm si dashuria e vetme (hipotetike) e Incógnitos, është drita [Irisi=bebja e syrit], drita që përndrit shpirtin, drita që njeriu zbulon brenda errësirës së tij, plotëson dikotominë[dritë-errësirë], thyen pasqyrën e utopisë së ngujimit, jo vetëm të vdekjes si utopi, por edhe të ndriçimit shpirtëror dhe dritësor se ekzistenca e Jetës së Njeriut ndërvaret nga Universi dhe Drita e Epërme, që shkatërron çdo kod të errësirës së ngujimit brenda kullës, në kërkim të shpirti universal, pra, çlirim nga errësira (ngujimi) përsëri është utopi, se prania e dashurisë (Irisit) nuk është e mjaftueshme, përtej çdo matrice dhënëse dritë/dashuri, errësirë/utopi, për prof. Kristaq Jorgon, është “matrica thelbësore jo vetëm gjeneron gjithçka, ajo njëheri njëmendësohet në të tëra nivelet e tekstit, nga ai tematik deri në ata më formal. Kjo matricë është vetëzhvilluese. Ka në gjenezë karakter unitar, por njëkohësisht përmban në bërthamë një strukturë di- apo multikotomike, që e shpërfaq në procesin e vetëzhvillimit” (Jorgo: idem), pasi si përjetim vetëmbrojtjes (vetëngujimi) ashtu edhe parimi i përjetimit¸ esenca e brendisë tonë njerëzore e jetës, dritës, zjarrit, shpirtit që gjenden brenda vetvetes, por edhe si frikë nga tjetërsimi, por edhe mosgjetja e vetes në një tjetër rrethanë, kohore, historike dhe shoqërore.

– (Ri)zbulesa(de)kodimi i tepricës, ëndrrës dhe vegimit, ligjërimi romanor, dukshëm rrëfen për dy kulla, a) Kulla e Rojës (kazerma perëndimore), ku Incógnito, si “ndëshkim” vetizolohet, dëshira dhe instinktet seksuale janë edhe dëshira shqisore (bebëzat e dritës së Irisit), “ekstaza delirante ose baza e homoerotizmit” (Bloom; idem), por edhe si lojë e ëndrrës dhe vegimit, që vazhdon me teorinë e udhëtimit në të tashmen e përjetshme (koha X), b)Kulla e Telefonave, ose (roja i librave), mundohet të çlirojë veten vetëm nëpërmjet jermit ose delirit erotik/të (pa)kryer.

“Ligjërimi i romanit rrjedh mbi tehun që bashkon e ndan metaforën nga e përditshmja dhe vendos një baraspeshë të çuditshme midis ngjarjeve, qenieve dhe sendeve të ngjashme e të kundërta, duke u dhënë mjaft fjalëve kuptime të pahasura më parë. Gjërat rrjedhin, herë si në ëndërr, herë si në zhgjëndërr herë si në vegim, herë si në të gjitha bashkë, brenda e jashtë një bote tashmë të globalizuar. Kaosi i mendimeve, i shprehjeve dhe i ngjarjeve hyn në qenien e protagonistit dhe i nënshtrohet fjalës-kyçe “anasjelltas”, që sundon natyrshëm nëntekstin e librit” (Kyçyku: Idem).

Krijimi “postmodern dhe intertekstual” (Alen: 200) shkon drejt kërkesës për një poetikë të hapur, që largohet prej normave ku sistemet janë përcaktesa të rendit zhanror, ku postmodernizmi e thekson më së shumti si një “definim të caktuar”, drejt poetikave të hapura, ku strukturat teorike herë-herë janë të ndërrueshme bashkë “me procedimet teorike” (Bertens: 2012). Postmodernizmi konteston jo vetëm sistemet e qendërzuara dhe të totalizuara si hierarki të mbyllura, por edhe “rrënimin”, atë që konsiderohet e paprekshme.

Në ndërtimin e monologut, mes kohës reale dhe asaj të ngujimit, – që zgjat sa koha biologjike (rritet dhe plaket në ngujim), – ai kërkon kohën, dijen, që e ka me teprí, por teprica si matricë e kohës letrare është edhe izotopi në formë nënshtrese, “apo ndërfutje tekstore”(Lotman:1976 ) dhe stilistikore (e nënkuptuar) në çdo fjalë, “sui generis”, gjeneron mijëra izotopi, “të integrales tipike e të surplus-eve” (Xhindi:2018), nëpërmjet Autorit Model të (Eco-s), autori shpalos rrëfimin e oshënarit, në të dy kohët (para ngujimit ishte vetëm një oshënar ngujues në kullë), ku vrojtonte nëpërmjet frëngjisë lëminë e jetës, ku njerëzia shkujdesur lëvronin si gjallesa të (pa)lira, dhe koha kur oshënari ëndërronte, jermonte, vegonte, (në formë iluzioni) faktik dhe letrar, për të përshpejtuar veten drejt çlirimit seksual, shpëtimit (tjetërsimit), por në fund refuzon. Oshënari që kërkon ëndrrën, ushqimin, lutjen, mbijetesën, në kurthin e (ç)’gjëndrrës, por refuzon shpëtimin, tregon konfliktin mes Qenies (Njeriut) dhe Hyjit (Krijuesit) se njeriu është në konflikt me lirinë e tij, vetëngujimi është edhe mosgjetja e vetes, në një ambient tjetër të ri, si ai i demokracisë.

 

– (Ri)zbulesa dhe (de)kodimi i mbijetesës nga mostjetërsimi. Qëndresa e esenciales në lëmin e poetikës së veprës, ku autori ngrihet mbi normën e traditës duke kanonizuar mundësinë e diskursit, në një opozicion të një poetike të hapur, ku strukturat verbale mund të klasifikohen si detaje përfundimisht domethënës, së brendshmi apo së jashtmi, drejtimi përfundimtar për lexuesin është së jashtmi, në përshkrimin e fatit, qenies tragjike të njeriut nën totalitarizëm, ku liria është mungesë dhe teprí (për të lexuar libra, për të marrë kulturë, për të mësuar gjuhë të huaja etj.) ndërlidhet me fenomenin e shenjave verbale, “se letërsia është një formë e specializuare gjuhës, siç është gjuha formë e specializuar e komunikimit” (Fray: 1990).

“Brenda 24 vjetëve gjatë të cilëve shkruhet romani, kufijtë hapen; kazerma, ose mërgimi zgjerohen; po ashtu edhe vendlindja, – në kahe e kohë të ndryshme, – ndërsa Incógnito jeton disa jetë, i bindur se vërtet “mund ta nxjerrësh njeriun nga mërgimi, por s’mund ta nxjerrësh më mërgimin nga njeriu”. Roja është shndërruar tashmë në diçka krejt tjetër; Incógnito nuk pranon të tjetërsohet edhe ngaqë di me përafërsi se sa të gjatë e ka jetën trupi i tij – dhe ndjen me saktësi se sa të gjatë mund ta ketë jetën shpirti i tij. Ai nuk del nga “hija”, duke vendosur që më mirë të mbetet “një askush i zgjedhur, se sa një dikush me një jetë të vetme”(Kyçyku: Idem).

Kompetenca gramatikore ka të bëjë edhe me topikën e ligjërimit, si objekt pragmatik, koncepti i izotopisë (teksti koherent), ku vetë lexuesi mbërrin në përfundime të caktuara, se është struktura izotopike ajo që lejon përcaktimin e topikut, është “veprueshmëria e tekstit”, për lexuesin normal është jashtë kompetencave të tij, se vetë “Autori Model, e parashikon Lexuesin Model” (Eco:1979), ku vetë autori mendon shkallën e “hapjes” dhe “mbylljes” së tekstit. Tekstet e “mbyllura” kanë vetëm një mënyrë interpretimi, kurse tekstet e “hapura” kanonizojnë shumësi leximesh dhe interpretimesh, por autori, qysh në fillim luan me strukturalizmin e ngurtë, aq me një lloj empirizmi sociologjist të semës “roje”, “lojë/Loji”, “fillimisht mua më ra roli i një rojeje. Një roje i pavarur, por jo i lirë, mund të them, një roje që nuk ishte me asnjërën palë, por që ruante e ruante pa folur, pa pyetur, pa kërkuar sqarime e shpjegime, njëlloj siç do të kish ndodhur po të ruaja vetë fatin. Të ziun, jo të mbarin. Një roje i fatit mbi vetveten, ose një roje i vetvetes mbi fatin” (f.133). Topika shenjore në raport me njësinë referenciale, “ekzistojnë tre rrokje të ndryshme të teksteve” (Geninasca: 1997),

-rrokja morale (interpretimi enciklopedik),

 

-rrojka semike (analiza e tekstit duke mos ndalur vetëm tek niveli sipërfaqësor i shenjave),

-rrokja mbresore (raporti ndjesor që teksti prodhon mbi subjektin). Postmodernizmi “po vdes”, duke ia lënë kohës emërtimin e epokës së re, “tash qarkullojnë shumë emra – performatizmi, metamodernizmi, dixhimodernizmi, post-postmodernizmi, po i përmend vetëm disa. Ndoshta duhen vite para se të arrihet një konsensus i vërtetë”(Eshelman:2014), forma e një metanarrative si teknikë postmoderne “i nënshtrohet keqpërdorimit” (Walker:1996), se brenda një vepre arti është krejt normale, sidomos sot, kur arti shihet më tepër si kombinim sesa si krijim. Autori postmodern nuk e koncepton origjinalitetin si shpikje ex nihilo, por si mënyrë specifike e trajtimit të një objekti; në postmodernizëm shpjegimi i këtij procesi kthehet në parim krijues dhe njihet me emrin “poioumenon”(Fowler: 1989).

“Thonë se tashmë njihni çdo të fshehtë të së ardhmes”

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.