Intervista

”Domosdoshmëri të rreptësohen masat, jemi në prag të valës së tretë”, Dr. med. Aurora Dollenberg: Masat e lehta anticovid në Shqipëri mund të çojnë në katastrofë

11:50 - 10.03.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro




Pas një viti nga konfirmimi i dy rasteve të para pozitive me koronavirus, Shqipëria gjendet në një situatë tejet delikate, në një kohë që masat në vend janë shumë më të lehta sesa në Europë e më gjerë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” dr. med. Aurora Dollenberg, mjeke e njohur e Urgjencës dhe Psikoterapisë në Gjermani, njëkohësisht kryetare e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë tregon se masat e lehta në Shqipëri çojnë në një rrezik shumë të lartë të përhapjes sidomos të mutacionit të ri dhe në një kolaps ose katastrofë biologjike për muajt që vijojnë. Ajo shton se vala e tretë është në fillim dhe nëse vendi ynë nuk ashpërson masat anticovid mund të mos ketë sukses për përballimin e kësaj vale.

Sa mutacione të COVID-19 qarkullojnë aktualisht dhe a janë më të rrezikshme? A shfaqin forma më të rënda klinika pacientët e prekur?

Në Shqipëri nuk ka të dhëna të sakta me mutacione të reja, sepse edhe aparatet e nevojshme për identifikimin e mutacionit të Afrikës dhe Amerikës së Jugut nuk janë të disponueshëm, por nga rastet, të cilat janë identifikuar në aeroporte si gjermane ose edhe ato të tjera europiane është parë që shumë pacientë që kanë ardhur nga Shqipëria kanë qenë pozitive me këto mutacione.

Po virulenca dhe rrezikshmëria e COVID-19 klasik ka ngelur po njësoj apo ka ndryshuar?

Tendenca e rastit klasik me COVID-19 është më e ulët sesa mutacionet e reja të cilat kanë një infektueshmëri deri në 70% më të lartë sesa covidi klasik. Prandaj rrezikshmëria e mutacioneve të reja është klasifikuar shumë e lartë dhe përbën arsyen më të fortë për një valë të mirëfilltë të tretë të COVID-19.

A na mbrojnë maskat nga format e reja të virusit?

Maskat na mbrojnë nga të gjitha format e virusit, sepse çojnë në një mbrojtje deri në 7 herë më të lartë nga infektimi qoftë me virusin e ri qoftë me atë klasik.

Ju personalisht si e vlerësoni situatën e pandemisë në Shqipëri?

Situatën në Shqipëri unë e quaj shumë delikate pasi masat karakterizuese nuk janë shumë të rrepta. Në kohën që prej tre muajsh e gjithë Europa është në karantinë, Shqipëria akoma ka masa të lehta kufizuese të cilat çojnë në një rrezik shumë të lartë të përhapjes sidomos të mutacionit të ri dhe në një kolaps ose katastrofë biologjike për muajt që vijojnë.

Në Shqipëri numri i vdekjeve vijon të mbetet i lartë, madje shqetësues është fakti që ka vdekje në mosha shumë të reja. Pse këto vdekje në moshat e reja pa sëmundje bashkëshoqëruese? Diagnostikohen vonë, keqmjekohen apo agresiviteti i virusit është më i madh?

Rritja e numrit të vdekjeve tek të rinjtë ka mobilizuar edhe Federatën që të shtunën e kësaj jave, datë 13.03.2021 ora 16 p.m të mblidhemi dhe të shohim studimet më të fundit përsa i përket terapisë të mutacionit klasik qoftë edhe të atij të ri. Prekja e të rinjve është edhe theksimi që po i bëjmë ne mutacioneve të reja, sepse aty edhe eksperienca terapeutike që kemi është akoma e pakët.

1 2
<
>

A ka nevojë Shqipëria për masa më të rrepta për parandalimin e përhapjes së sëmundjes?

Sigurisht dhe duhet të bëhet një strategji nacionale e cila të kufizojë të gjitha aktivitetet publike. Duhet të ketë rreptësim të masave ndëshkuese për ata që nuk i përmbahen distancës, mbajtjes së maskës dhe masave higjienizuese, sepse nëse nuk disiplinohemi tani në prag të valës së tretë mund të mos kemi sukses për përballimin e saj.

Pas sa ditësh shfaqen simptomat e prekjes nga koronavirusi? Cilat janë simptomat e prekjes së mushkërisë nga COVID-19? A këshillohet oksigjeno-terapia në shtëpi? Kur nevojitet shtrimi në spital?

Simptomat e Coronavirusit shfaqen shumë shpejt deri në 5-6 ditë pas infektimit me COVID-19 në varësi të ngarkesës virale që kemi. Nëse nuk kemi mbajtur maskën ose dorashkën, nuk kemi ruajtur higjienën; ndodh ngarkesë shumë e lartë virale dhe kemi simptoma shumë të shpejta pas infektimit. Në qoftë se ngarkesa virale është shumë e vogël simtomat mund të shfaqen edhe 10-14 ditë pasi të jemi infektuar me COVID-19. Osigjenoterapia në shtëpi është një masë ekstreme që nuk ka eksistuar para COVID-19. Oksigjenoterapia duhet të bëhet vetëm në spital, por për shkak të tejmbushjes së spitaleve është zbatuar si masë terapeutike edhe në shtëpi. Gjithmonë duhet të bëhet nën mbikëqyrjen e mjekut, sepse rreziku që pacientit t’i jepet më shumë oksigjen sesa është e nevojshme i shkaktojnë ekfekte toksiske të pariparueshme mushkërisë është shumë i lartë. Ne, mjekë të federatës e kemi paralajmëruar disa herë këtë fenomen që duhet një mbikëqyrje shumë e rreptë.

A mund të ndodhë që virusi të shkatërrojë mushkërinë dhe pacienti të mos shfaqë asnjë simptomë?

Virusi shkakton dëmtime fibrotike në mushkëri, të cilat mund të jenë të pakthyeshme. Kështu që pacienti mbetet me një kapacitet të ulët pulmunar dhe herë pas here ka marrje fryme në aktivitet. Ndryshimet pulmunare pa u vënë re nga pacienti janë të rralla, sepse në qoftë se mushkëria është dëmtuar çon gjithmonë në marrje fryme.

Jo rrallëherë në Shqipëri recetat tejmbushen nga ilaçe të forta dhe antibiotikë që në ditët e para të prekjes nga virusi. Kur duhet të nisë marrja e antibiotikëve? Çfarë mund të shkaktojë marrja e medikamenteve të panevojshme?

Në Shqipëri gjatë periudhës së pandemisë në pjesën ambulatore sidomos atë privat janë dhënë receta të mbushura me vitamina të panevojshme dhe sidomos me antivirale dhe antibiotikë shumë të shtrenjtë. Kjo polifarmaci ka efekte shëndetësore dhe ekonomike për të gjithë popullatën shqiptare. Në aspektin mjekësor dimë se sa më shumë antibiotikë dhe antiviralë të japim dimë që rritet rezistenca që krijohet në organizëm duke bërë që trupi i pacientit në të ardhmen mos të reagojë ndaj këtyre medikamenteve dhe mund të vdesë nga infeksionet. Atëherë kur nuk ishte e nevojshme u dhanë dhe tani që janë të nevojshme nuk bëjnë më dobi. Efektet anësore janë shumë të dukshme sidomos në dëmtimin e pariparueshëm të mëlçisë, veshkave dhe jo rrallë edhe të florës gastrointestinale ku pacientët vuajnë pastaj në mënyrë afatgjatë nga kapsllëku ose diarreja pasi stomaku dhe zorra janë dëmtuar në mënyrë të pariparueshme.

Çmimet e medikamenteve për trajtimin e pacientëve janë tejet të larta aq sa shumica e familjeve shqiptare nuk i përballojnë dot. Po ashtu edhe tarifat e shtrimit në spitalet private. A duhet të ketë një rregullator?

Çmimet e medikamenteve në tregje janë shumë të larta dhe nuk rimbursohen nga shëndeti publik. Kjo është edhe një arsye shumë e fortë që mjekët në poliambulanca duhet ta mendojnë dy herë përpara se të përshkruajnë një medikament, por duhet ta japin në mënyrë shumë të reflektuar dhe me argumente të forta. Dëmtimi është edhe shëndetësor, por edhe ekonomik duke parë të ardhurat e paketat që kanë shqiptarët. Duhet të ketë një komision asnjanës të parashikuar dhe të udhëzuar nga Ministria e Shëndetësisë, i cili të kontrollojë shërbimin privat dhe shtetëror, por të njëjtën kohë të shqyrtojë edhe ankesat që vijnë nga qytetarët.

Sa kohë qëndron imun një person që e ka kaluar covidin? Po vaksina për sa kohë na jep imunitet?

Një person që ka kaluar COVID-19 krijon antitrupa që qëndrojnë në gjak deri në 6 muaj. Pra, pas 6 muajsh ai është i rrezikuar përsëri që të riinfektohet.

Sa na mbron vaksina? A mund të infektohet një person që ka bërë vaksinën dhe a mund të infektojë persona të tjerë?

Vaksina krijon një imunitet një vjeçar prandaj duhet të jenë të parët personat që nuk e kanë kaluar virusin. Ndërsa ata që e kanë kaluar duhet të listohen të fundit për të marrë vaksinën pasi ata e kanë një mbrojtje tashmë 6 mujore.

Sa mund të zgjasë kjo situatë e vështirë në Shqipëri dhe më gjerë? Çfarë na pret në muajt në vijim?

Ne urojmë që ardhja në kohë e vaksinës të çojë në imunitetin e tufës dhe në qoftë se kemi arritur të vaksinohet në Shqipëri të paktën 60 % e popullatës atëherë mund të themi zyrtarisht që në Shqipëri pandemia është e kaluar si dhe urojme dhe kemi besimin e mirë që në fund të këtij viti edhe për Shqipërinë do ketë një dritë në fund të tunelit dhe jeta t’i kthehet normalitetit. Shëndet dhe ditë të gëzueshme pranvere për të gjithë shqiptarët pasi kemi kaluar ditë shumë të vështira.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.