Intervista

E 15 në listën e Tiranës, Pampuri: Në lojë janë fatet e vendit, jo interesi i ngushtë

14:25 - 22.03.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani




Orjola Pampuri, hyri në politikë me një karrierë profesionale të admirueshme. Personazh publik nuk e bëri politika,por duke ruajtur disa balancatë rëndësishme parimore edhe atëherë kur ushtronte profesionin e psikologes apo atë të pedagoges. Me të njëjtin përkushtim punoi edhe përgjatë 4 vite në opozitë duke parë nga afër shqetësimet e banorëve nga Rrogozhina në Kavajë e deri te banorët unazës së re. Jo rrallë edhe në përballje me policinë e shtetit gjatë protestave. Ndaj ajo thotë për “Gazeta Shqiptare” se fitorja e PD-së është shumë më e rëndësishme sesa triumfi personal.

Për Orjola Pampurin është njësoj si vitin 2017 kur ishte e dyta në listën e qarkut të Tiranës, edhe sot në vendin e 15 sepse ajo beson se “nuk ka asnjë mundësi tjetër veç punës sime që më çon përpara”. Ajo apelon se në lojë janë fatet e vendit ndaj dhe askush në PD sipas saj nuk ka luksin që të mendojë se si të përfitojë një mandat deputeti por se si mund të rikthejë shpresën te shqiptarët. “Më e rëndësishme se pozicionimi në listë është e ardhmja e Shqipërisë”,- shprehet Orjola Pampuri.

Zj.Pampuri, 25 prilli do të jetë dëshpërim apo shpresë për shqiptarët?

25 prilli pa diskutim do të jetë shpresë për shqiptarët. Shqiptarët sot janë të demotivuar, kanë humbur shpresën, nuk ndjehen të sigurtë, kanë paga të ulëta, ka një nivel të lartë papunësie, shumë biznese të vogla janë mbyllur, biznese të mëdha gjithashtu, kosto e jetesës është tepër e lartë dhe shumë qytetarë nuk mund ta përballojnë, e si rrjedhojë kemi një numër të lartë të familjeve të cilat jetojnë në varfëri. Shtresa e mesme është tkurrur, numri i mjekëve e infermierëve, të cilët kanë lënë Shqipërinë në këto 8 vite është tepër i lartë, çka ka çuar edhe në uljen e numrit të mjekëve në më pak se 1.1 në 1000 banorë, e kështu me radhë, çdo hallkë e rëndësishme, nga sistemi arsimor, shëndetësor, social dhe ekonomik, kanë dështuar dhe nuk kanë bërë asnjë hap përpara në këto 8 vite.

Shqiptarët kanë nevojë për një kryeministër që e do Shqipërinë, dhe do të punojë për shqiptarët, ndaj programi i Partisë Demokratike premton një ndryshim thelbësor në të gjitha hallkat e sipërpërmendura, duke nisur me taksën e sheshtë 9%, çka do të mundësojë më shumë biznese të mëdha dhe të vogla të rigjallërohen, do të rrisë punësimin, do të përmirësojë ekonominë, gjithashtu, rritja e pagave të mjekëve në 1200 euro dhe infermierëve 700 euro, zerimin e kuotës së specializimit për studentët e Mjekësisë dhe do të paguhen gjatë periudhës së specializimit me një pagë mujore 950 euro, përpos të tjerave dyfishimi i pagesës së ndihmës ekonomike, pagesë për bebet prej 3000 lekë të reja në muaj për pesë vitet e para të jetës, çdo vit të qeverisjes 5000 çifte do të përfitojnë nga subvenciomi I plotë i interesave të kredive për strehim, do të mbulojmë shpenzimet arsimore për tarifat universitare për 90%të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura më pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj, e shumë pika të tjera të programit që janë shpalosur tashmë, të cilat janë në mbështetje të të gjitha grupeve të interesit, të cilat do të nisin menjëherë të implementohen përmes ekipit qeverisës së kryeministrit të ardhshëm Z. Lulzim Basha, e që pa diskutim janë pika të forta që rikthejnë shpresën dhe motivojnë çdo qytetar të këtij vendi.

Ju jeni diplomuar në psikologji ndaj nga ky këndvështrim si e vlerësoni shëndetin mendor të shqiptarëve në këtë situatë të vështirë pandemie, por edhe pas 8 viteve qeverisje të socialistëve? Si mund të shkohet drejt mirëqenies mendore?

Përgjatë këtyre 8 viteve, shqiptarët janë përballur me shumë vështirësi, duke nisur me problemet social-ekonomike, emigracionin, me arrogancën e kryeministrit, të cilën e përdori për 8 vite për të mbuluar abuzimet dhe dështimet në çdo sektor, më pas tërmeti, pandemia, të gjitha këto i vendosën shqiptarët përballë vështirësive, të cilat disa i kaluan dhe me simptoma stresi, e ankthi. Sigurisht kushtet ekonomike kanë bërë që shqiptarët të përjetojnë e përballen me situata të vështira, të cilat nuk mund të shmangnin dhe ngarkesën emocionale, e cila mund të cenojë dhe mirëqenien e shëndetit të tyre mendor. E si pasojë e këtyre situatave, ka individë, të cilët jetojnë çdo ditë me simptoma të tilla, duke i anashkaluar, e duke mos marrë parasysh pasojat, duke mos vlerësuar riskun.

E gjithë kjo situatë, nuk cenon vetëm mirëqenien psikologjike të individit, por edhe të shoqërisë në tërësi. Kur individi ka shpresë, besim, siguri, përvetëson dhe një qetësi të brendshme, një mirëqenie psikologjike, të cilën e manifeston me sjellje pozitive në familje, e në shoqëri.

Edi Rama po kërkon sërish ‘timonin’, por a do ia merrni drejtimin e tij me 25 prill shoferit që e mbajti prej 8 vitesh?

Drejtimin e vendit e kërkoi në 2013 me premtime boshe, siç ishte shëndetësia falas, një nga sistemet që dështoi në mënyrë spektakolare nga keqmenaxhimi me dashje gjatë këtyre 8 viteve, në 2017 kërkoi timonin pa asnjë program konkret, por vetëm duke i rënë dajres e duke premtuar 300.000 vende pune, por dështimi u thellua duke rritur numrin e personave, të cilët largoheshin të pashpresë nga Shqipëria. Në 8 vite qeverisje u bë pengesë për shqiptarët që të realizonin ëndrrën për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane, e në vend që të plotësonte kushtet për hapjen e negociatave, Bashkimi Europian i shtoi kushtet, duke treguar pasiguri ndaj reformave të ndërmarra nga qeveria e Edi Ramës.

Timonin nuk mund ta pretendojë më një person, i cili nuk i deshi qytetarët e vendit të tij. Timonin nuk mund ta marrë më Edi Rama, i cili në 8 vite nuk përmbushi asnjë premtim, e atë që nuk bëri në 8 vite, nuk mund ta bëjë për 4 vite të tjera. Timonin nuk mund ta marrë më Edi Rama, i cili punoi vetëm për xhepin dhe miqtë e tij. Shqipëria është një vend më një pozitë gjeografike shumë të favorshme, e klimë për t’u admiruar, me njerëz bujarë, të durueshëm, e të mrekullueshëm, por ka nevojë që të drejtohet nga njerëz që e duan dhe e vlerësojnë vërtetë këtë pasuri, dhe duan e dinë ta vënë në shërbim të vendit e qytetarëve të tij, kanë nevojë për një kryeministër që të punojë për këtë vend, i cili nuk tallet me dajre e timon, por flet me programe e alternativa, e rrethohet nga një ekip fitues me integritet të lartë moral e profesional, dhe ky do të jetë Lulzim Basha dhe ekipi i tij.

Dhe cili është objektivi i opozitës, sa mandate synon të marrë në zgjedhje?

Partia Demokratike/ “Aleanca për ndryshim”, do të jetë fituese, dhe kjo bazuar jo vetëm në sondazhe serioze, por dhe nga fryma e jashtëzakonshme që shohim në terren, në takim me qytetarët. Në këto katër vite opozitë, kam pasur mundësinë për më shumë se dy vite të punoj në Kavajë e Rrogozhinë, ku kam shkelur disa herë në çdo fshat, kam takuar një numër të madh banorësh, gjithashtu, për një kohë të gjatë kam punuar dhe në zonën e Laprakës, dhe jo vetëm këto dy muaj para fushate, por zhgënjimin e qytetarëve e kam parë prej kohësh, ndaj dita e zgjedhjeve do të jetë momenti që ata kanë pritur për të bërë ndryshimin, për të rikthyer shpresën për veten dhe familjet e tyre si dhe për Shqipërinë e shqiptarët. Nuk mund të parashikoj një numër mandatesh, por mund të them që do të jetë një fitore e thellë.

Çfarë shihni tek njerëzit gjatë  takimeve me ta, çfarë dëgjoni prej tyre?

Në fakt, në terren takon një realitet totalisht ndryshe nga ai që u ofrohet qytetarëve me propagandë. Shumë varfëri, papunësi, të rinj që duan të arsimohen, por nuk kanë mundësi ekonomike, familje që jetojnë me një ndihmë ekonomike qesharake, e cila nuk mund të përmbushë nevojat bazë të ushqyerjes, as për 3-4 ditët e para të muajit, fermerë, të cilët nuk kanë parë asnjë lloj subvencioni në këto 8 vite e sa e sa herë prodhimet e tyre kanë shkuar dëm, apo nuk kanë pasur mundësi të mbjellin hektarë të tëra tokë për shkak të mungesës së subvencioneve në bujqësi.

Ky ishte një vit I vështirë, për shqiptarët përveç pandemisë, janë përballur edhe me tërmetin. Sot rreth një vit e gjysmë nga tërmeti familje të tëra jetojnë ende në çadra, duke kaluar aty të ftohtin e dimrit apo të nxehtin e verës. Gjithashtu, pandemia është një problem tjetër përballë të cilit qeveria jo vetëm u gjend e papërgatitur, por i nxori në pah të gjitha dështimet e këtyre 8 viteve. Qytetarë, të cilët kanë paguar shuma të  mëdha parash për t’u trajtuar në shtëpi, pensionistë, të cilët kanë marrë para borxh për të paguar trajtime e ekzaminime për covidin. Sa e sa halle dëgjon nga qytetarët, aq sa mendon se ky vend në 8 vite nuk paska pasur qeveri, por disa përftues të rëndomtë, të cilët shfrytëzuan çdo qindarkë të buxhetit të shtetit në favour të interesave të tyre dhe miqve të tyre.

Si është përballja mes realitetit të terrenit dhe ligjërimit politik?

Ligjërimi politik I mazhorancës përgjatë këtyre 8 viteve është përqendruar tek propaganda. Realiteti në terren nuk ka asnjë lidhje me atë çka shitet si sukses në media nga qeveria. Ajo për të cilën Edi Rama dhe stafi i tij kanë punuar fort përgjatë këtyre viteve është imazhi i tij. Një imazh i gënjeshtërt, imagjinar, për të cilin kanë instruktuar të gjithë ekipin qeverisës se si ta përdorin dhe të aktrojnë, nëpërmjet medias, ku u ofrojnë qytetarëve të kundërtën e asaj që janë, dhe asaj që bëjnë, duke ndërtuar kështu një realitet imagjinar të cilin e mbrojnë me fanatizëm të gjithë me radhë në ligjërimet e tyre politike, dhe kështu, ndoshta kanë filluar ta besojnë dhe vetë, kjo bazuar dhe në faktin që kërkojnë një mandate të tretë. Por shqiptarët sot kanë zgjedhur t’i besojnë realitetit me të cilin përballen çdo dite dhe jo atij që i ofron Edi Rama, ndaj dhe vota e tyre do të jetë masivisht kundër kësaj qeverie dhe realitetit të gënjeshtërt që ndërtoi në 8 vite.

Nga e dyta në listën e PD-së në 2017 qarkun e Tiranës, tashmë në vendin e 15. Si është të jesh në këtë pozicion?

Për mua është njëlloj, kam punuar si të isha e 15- ta edhe në 2017, ndaj nuk shoh ndonjë ndryshim. Unë kam 4 vite që jam në terren, nga Rrogozhina në Kavajë, më pas në Laprakë, kam qenë në terren edhe gjatë periudhës së pandemisë e tërmetit, gjithashtu, kam qëndruar krah banorëve të Unazës së Re në protestën e tyre, duke u përballur edhe me policinë, për mua nuk ka pasur për asnjë moment pushim, kam qenë non stop në terren. Nuk është as fushata e as pozicioni në listë arsyeja që më bën më shumë apo më pak aktive në terren.

Nëse ndërmarr një mision, siç është ky politik, për mua është përgjegjshmëri, përballë qytetarëve dhe liderit, që ta çoj deri në fund, pra ajo që kam bërë deri tani e do të vijoj ta bëj. Për mua nuk ka asnjë mundësi tjetër veç punës sime që më çon përpara. Kam hyrë në politikë me një karrierë profesionale të mirë, isha personazh public dhe nuk më bëri politika të tillë, duke ruajtur dinjitetin, personalitetin dhe disa balanca të rëndësishme parimore, kam punuar me përkushtim për 4 vite në opozitë, pa u ndalur në asnjë moment, ndaj për mua sot është shumë e rëndësishme fitorja e Partisë Demokratike, jo triumfi personal.

A besoni se do të jeni fituese në këtë pozicionim që keni në listën e Tiranës?

Ka ardhur momenti të mendojmë më gjerë, të mendojmë për të ardhmen e këtij vendi ku po rriten fëmijët tanë, dhe duhet patjetër ndryshim, në të kundërt nuk ka më shpresë. Ndaj nuk mund të ketë askush luksin të mendojë nëse do të përfitojë apo jo një mandate deputeti, por ajo që duhet të mendojmë është e ardhmja e Shqipërisë. Në këtë moment janë në lojë fatet e këtij vendi, e ardhmja e brezit të ri, e fëmijëve, e familjeve shqiptare, e profesionistëve, e intelektualëve të këtij vendi, e shumë e shumë shtresave të tjera, dhe përballë tyre, interesi i ngushtë i një mandati, do të kushtonte shumë për secilin prej tyre. Unë mendoj të domosdoshëm ndryshimin, fitoren e Partisë Demokratike, atë që kam uruar gjithnjë unë e familja ime edhe kur nuk kam qenë fare në listë, ndaj gjëja e fundit që mendoj është nëse unë do jem fituese apo jo, por gjëja kryesore për mua është fitorja e së djathtës.

Sa mandate besoni se do marrë Partia Demokratike në qarkun e Tiranës?

Nuk do të doja të përllogarisja e të parashikoja vendimin personal të qytetarëve, por bazuar në frymën e fitores që shoh kudo, mendoj që do të fitojmë shumë thellë edhe në Tiranë.

A iu dhanë vende të sigurta në Tiranë aleatëve ndërkohë që shumë demokratë mbetën jashtë listës së PD-së?

Aleatët janë pjesë e rëndësishme e ‘Aleancës për Ndryshim’, dhe fitorja vjen nga bashkimi. Më e rëndësishme se pozicionimi në listë është e ardhmja e Shqipërisë, është fati i qytetarëve të këtij vendi. Ndaj nevoja për të maksimizuar votat, prevalon përballë pozicionimit në lista.

Çfarë garancie kanë shqiptarët se PD do të qeverisë ndryshe nga socialistët?

Pas 8 vitesh me Ramën, Shqipëria ka nevojë të ndryshojë. Dhe ne jemi bashkuar të sjellim ndryshimin. PD/AN përbehet nga njerëz që do të punojnë për këtë vend dhe qytetarët e këtij vendi. Integriteti i kandidatëve është një prej pikave më të forta të listës sonë. Mes tyre nuk ka të akuzuar për krime, as të përfshirë në trafiqe e korrupsion. Janë profesionistë në fushat e tyre. Gjithashtu, PD/AN vjen me një program serioz për çdo sistem të rëndësishëm, nga arsimi, ekonomia, infrastruktura, shëndetësia, çështjet sociale e barazia gjinore, bujqësia, si dhe për pronarët dhe ish të përndjekurit, rininë, turizmin, energjinë, të cilat janë konsultuar me ekspertët më të mirë të fushave përkatëse. Ekipi, programi dhe kryeministri i ardhshëm Lulzim Basha, është garancia për një qeverisje ndryshe pas 25 prillit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.