Intervista

Tirana si Sodoma, Mit’hat Frashëri si Loti, metaforat e “Flamës” së Kel Demit

11:45 - 26.03.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli




Mit’hat Frashëri është ndërgjegjia e qytetit. Rishfaqet në letërsinë time pas “Hide në kalldrëm”, por kësaj here është shëndetlig, sepse e këtillë është shoqëria që jetojmë, e cila përqesh sipër gjirizit ku jeton. Mit’hat Frashëri është Loti i qytetit. Është njeriu që na thotë, por ne nuk e dëgjojmë, sepse shurdhëria jonë është kolektive”. 

Një kurbatkë shkurtane që sheh filxhanë gjendet e vdekur pak pasi qyteti është nën mbretërinë e Flamës. Kryehetuesi Di Hima, zbulon skutat e mëhallave, pa e ditur që zbulimi i krimit mund të risjellë jetën në nje qytet që i ngjan Sodomës, e ku mëkati ka sjell mynxyrën.

Ai do të zbulojë një kuplara të kthyer ne spital, një mjek që drejton kuplaranë, kthinat ku lind e shuhet jeta, një uloke të dhunuar si gjenezë e së keqes, ndonëse shpesh ku shkel këmba e tij, shkel edhe ajo e vrasësit që kërkon të shuajë zërat që çojnë kryehetuesin drejt tij.

Një gjëmë e madhe e ka përfshirë qytetin dhe Tom Kukës i mbetet veçse të mbledhë derë me derë të humburit e lëngatës, derisa karroja e tij, bëhet kapicë.

Në një tablo ku ndërgjegjja e qytetit mbetet Mit’hat Frashëri dhe rrekja për te mbijetuar përfaqësohet nga Di Hima e doktori, skajet dhe qendra fshehin deri ne fund shkaktarin e gjëmës, katallanin e madh që banon pas një shtëpie me dyer te rënda.

Kel Demi që ruan ne kopertinë emrin Tom Kuka, rrëfen në këtë intervistë detaje nga romani, duke na grishur më shumë drejt një te shkuare që ngjan sërish e tashme, kur gjëma të reja na kanë pllakosur, kur tomkuke te tjerë mbledhin viktimat e lëngatës e kur kurbatkat fytprera pak mund të thonë.

 – Tom Kuka këtë herë është një personazh që mbledh përditë fatkeqët e Flamës me një karro. Pse e nxorët Tomën përtej kopertinës për ta vënë në zemër të veprës, ku bëhet shkasi i zbulimit të nje serie krimesh?

Në të gjithë librat e fundit që kam botuar me “Pegi” Tom Kuka është i pranishëm; diku më i pazëshëm, diku pak më shumë. Në romanin “Flama”, një farë pasuesi i “Hide në kalldrëm”, kam një personazh të rëndësishëm, i cili është varrmihës. Më vinte shumë e natyrshme ta quaja Tom Kuka, ndoshta për të plotësuar një dëshirë timen për të qenë jo vetëm shkrimtari, por edhe personazh i librit, në mënyrë që ta shoh nga brenda atë botë të trilluar prej meje. Tom Kuka në këtë rrëfim mund të jetë vrasësi, mund të jetë një njeri i punës, por mund të jetë edhe Kel Demi.

 

– Vrasja e kurbatkës, ajo që nxjerr të palarat e njerëzve, ajo që tregon atë që fshihet, ajo që nuk ruan asgjë për vete, me një prerje në fyt që ndal fjalën mund të lexohet si metaforë e lirisë, e zërit, e mbretërimit të heshtjes. Kush është kurbatka?

Kurbatka nuk është një misionare e së vërtetës. Ajo është një grua rome, e cila ka ardhur në këtë botë shkurtane. Shtati i saj plot cene, e detyron të ngulet në një vend sikur me qenë shkurre, prandaj ajo e sheh botën vetëm nëpërmjet filxhanit të kafesë. E vërteta e kësaj bote gjendet sak tek llumi në fundçen e filxhanit. Ajo këtë lexon dhe thotë, sepse e vërteta nuk është kripë që tretet, por mbartet diku në honet më të thella. Fjala vjen, ne të dy sa të vërteta kemi ndryrë brenda qenies sonë dhe nuk guxojmë t’i themi.

Kurbatka bën veç këtë punë; çel të tëra “kutitë e Pandorës” që gjithsecili nga ne ngarkon në shpinë.

– Ndihet atmosfera e Shqipërisë së viteve ’30, aroma vjeneze e baltovina vendëse. Në këtë gjiriz me sytë nga Perëndimi dhe këmbët në Lindje, një kryehetues merr përsipër të na zbulojë një qytet skutë me skutë dhe tërë mynxyrën e tij, që nis me kobin e një ulokeje e mbulon tërë qytetin? A besoni te hakmarrja e një qyteti, te një gjëmë gjithëpërfshirëse, pothuaj biblike si e Sodomës?

Tek kjo pyetje qëndron thelbi i romanit “Flama”. Dikur, në vitin 1947, Mitrush Kuteli shkruante një libër, i cili sipas meje është një kryevepër e letërsisë botërore. Më pas në vitin 1993, kur e pa dritën e botimit e thirrëm “E madhe është gjëma e mëkatit…”.

Unë besoj se një komb, një vend, një atdhe mund të përpihet prej fajeve të tij, të cilat i gatuan çdo ditë pak e nga pak. Sodoma është qyteti i lapërdhive, korrupsionit, hajnisë, cubave, por e shtynte se kishte Lotin (dashurinë, besimin, moralin, vlerat), por kjo nuk mjafton asnjëherë. Gjëma vjen, sepse mëkati nuk është zgjidhur. Shqiptarët e sotëm jetojnë sypërmbys dhe nuk duan ta shohin fajin. Përse themi që ky vend nuk bëhet? Përse ikim? Përse, kur nuk shkojmë nga sytë këmbët ndjehemi si minj të zënë në çark? Unë mendoj se është gjëma e mëkatit të pazgjidhur që do të na çojë drejt humbjes së pakthyeshme.

 

– Kam gjetur në vepër, jo pa çudi por edhe në vendin e tij, Mit’hat Frashërin. I rrethuar me librat e tërë botës, por pa një përgjigje që mund të jetë ndihmëse per kryehetuesin. Mit’hat Frashëri rri pa lavd e kreni në një qoshe të qytetit. Cilin portretizon ai? A është mendja e gjithmotshme që ka pak mundësi të ndalë flamën?

Mit’hat Frashëri është ndërgjegjia e qytetit. Rishfaqet në letërsinë time pas “Hide në kalldrëm”, por kësaj here është shëndetlig, sepse e këtillë është shoqëria që jetojmë, e cila përqesh sipër gjirizit ku jeton. Mit’hat Frashëri është Loti i qytetit. Është njeriu që na thotë, por ne nuk e dëgjojmë, sepse shurdhëria jonë është kolektive. Është ai që mbart dijen, historinë, kulturën, të shkuarën, por nuk e përfillim, sepse kujtesa jonë i ngjan një përroi të thatë në zhegun e vapës.

Mit’hat Frashëri është në shumë pak faqe të librit, por aq duhet të jetë, sepse nuk ia vë veshin kush as në Tiranën e dikurshme, jo më pastaj në Tiranën e sotme.

 

  E gjejmë kuplaranë si spital e gratë e përgjithshme si infermiere. A mund të jetë kjo një tezë që ndihmën mund ta gjejmë, ku nuk e presim, e shi, mu në ato vende që i kemi gjykuar më fort?

Nëse do të shprehesha me të folmen e sotme, gratë e përdala janë vaksina. Të gjithë e dimë që vaksinat klasike krijohen në bazë të një virusi të dobësuar. Ky virus i vobekt’ injektohet në organizmin tonë, i cili reagon dhe krijon antitrupat, por mbi të gjitha kujtesën e qelizave, në mënyrë që sa herë ta hasim sëmundjen (mëkatin) ta luftojmë që në dekikën e parë.

Gratë janë virusi i dobësuar që kthehen në infermiere dhe po luftojnë të shërojnë ata klientë që Flama i gjeti tek ofshanin mbi gjiret e tyre.

 

– Ka elemente legjendash pothuajse, me zogj që ikin, me foshnja mbi lumë e me mallkime që barten. Te gjitha i vishen një qyteti që po e humbim gjurmë pas gjurme. A është kjo një elegji, a është kjo një paralajmërim dhe Toma këtë herë me ndihmën e një kurbatke, si fatthënëse po na lajmëron?

Toma Kuka nuk ka çfarë të lajmërojë, kur historia ka ndodhur. Tom Kuka nuk është orakull, sepse zezona ka ngjarë. Këtu jetojmë dhe po shohim ç’po bëhet me këtë qytet, me këtë vend, me këtë komb. Tom Kuka vetëm sa po e përflet këtë për t’ju bashkuar një sërë njerëzish që e kanë thënë para tij.

Legjendat, largimi i shpendëve më ndihmojnë që ta bëjnë rrëfimin magjik, tërheqës, sepse e këtillë është kjo tokë, ku kemi mbirë. Ajo që unë i druhem është se mos ky atdhe shndërrohet në shkretëtirë. Për fat të keq gjasat janë.

 

 Një katallan i gjatë, thotë Tom Kuka në libër, ka shkaktuar gjithë këtë mynxyrë, e që qyteti të shpëtojë duhet që ai të vdesë. Sa mund ta mundim një katallan? 

Unë nuk jam fatalist. Unë besoj që e mira ka për të fituar, sepse rrugët e saj janë përherë të pafundme. Por, që të triumfojë e mira, ne duhet të fitojmë mbi vdekjen. Besimi në lartëson mbi kobin dhe na kthen në vazhdues të jetës. Edhe katallani shembet, edhe e mira fiton, por na duhet mos ta harrojmë gjëmën.

“Flama” është një roman që e shëtit lexuesin në një botë të robëruar në ndyrësi, por që gjen dritën tek Kumtmadhi, tek një mjek, tek një plakë që nuk i del nga mendja kurrgjë. “Flama” është një libër i ambjentuar në shkuarën, por që përpiqet të shpjegojë të tashmen dhe të ardhmen e afërt.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.