Opinion-Komente

Zonja të hekurta apo zonja të vërteta?

19:16 - 30.03.21 gsh

Në fundjavë më erdhi një email me linjën e lëndës (subject line) “”Njihuni me “zonjën e hekurt” të kuvendit të ardhshëm””. Emaili, që shpërndahej nga një kompani reklamash, përmbante jetëshkrimin e zonjës e cila kishte mbajtur ofiqe shtetërore të larta dhe tashti kandidonte sërish për Partinë Socialiste. Meqë ajo ishte renditur në segmentin jofitues të listës partiake në Tiranë, diku nga të njëzetat, fushata e kandidates lypte përveç votës partiake edhe votën preferenciale, në mënyrë që kandidatja të avanconte drejt segmentit fitues të listës. Ky mekanizëm vjen falë formulës “lista të hapura” që PS e miratoi vjet në Kuvend e që për mendimin tim është jo vetëm një shaka e madhe por druaj se do të jetë një problem jo i vogël për zgjedhjet tona. Por këtë le t’a trajtojmë në një shënim tjetër.



Ajo që më bëri përshtypje ishte cilësimi “zonjë e hekurt”. Dikur nga viti 2003 një ministre e qeverisë Nano faksonte njoftime shtypi në media ku shkruhej se ” ministrja, e cila konsiderohet si zonja e hekurt e qeverisë,  tha kështu e bëri ashtu.” Këtë truk piari e ekspozoi një media pranë Nanos, duke shpotitur hidhur teknikën vetëpromovuese të ministres.

Në vitet 2005-2013 kur qeveriste PD, kryetarja e Kuvendit të Republikës gjithashtu kultivoi imazhin e një zonje të hekurt. Këtë e bëri përmes një verbalizmi herë herë të ashpër por më shumë përmes medias “miqësore”. Si zakonisht!

Padyshim që të treja këto zonja, e ndonjë tjetër e ngjashme me to, meritojnë të vlerësohen pozitivisht për aktivitetin politik të spikatur të tyre, të cilin e realizuan në një shoqëri me traditë patriarkale.

Ajo që më bezdis mua në këtë treshe është fiksimi për t’u prezantuar si të forta e si të hekurta; si gra me cilësi luftarako-mashkullore madje në tejkalim të amazonave mitologjike; si vendimmarrëse e aktiviste të ftohta, të ashpra e mbase të vrazhdëta.

A e ka të domosdoshme këtë gjë një grua ambicioze në politikë? A është ky modeli i nevojshëm për t’i ofruar shoqërisë? Dikush mund të më kujtojë kryeministren britanike Margaret Thatcher me të cilën u krijua edhe metafora “zonjë e hekurt”. Por Thatcher ishte shefe e partisë dhe e qeverisë, e para grua në ato poste ndër shekuj dhe mbase i nevojitej emulimi i figurës burrnore. Në rastin tonë flasim për poste hierarkike nga dyshi tek dymbëdhjeta ku gjithkush mund të ndërtojë profile personale më natyrale.

Dhembshuria për njerëzit, dashuria për familjarët, përkujdesja për ata në nevojë, janë cilësi, mbase lipset të them virtyte, që ndonëse universale tek njeriu, asociohen më shumë me gruan në traditën kulturore tek ne. Promovimi publik  i tyre mbetet i dobishëm; sidomos kur ballancon personazhet që pretendojnë se janë veshur me parzmore e vringëllojnë arme metalike virtuale për të projektuar forcë e dhunë. Por edhe shoqëria heshturazi i dëshiron ato virtyte; për pasojë edhe elektorati me votë preferenciale.

Ndoshta unë nuk i premtoj dot votën time kandidates në fjalë por përzëmërsisht i uroj asaj të mbledhë sa më shumë vota për vete; mundësisht të avancojë e të parakalojë edhe Grupin e Strukturuar Inceneratorik që udhëheqja e ka renditur në ballë të listës.

Por më fort i uroj asaj që, tok me shoqe e me kolege, të ofrojë e të inkurajojë virtyte femërore që kaq shumë i duhen sot shoqërisë.

Genc Pollo

Ish- ministër e deputet

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.