OPINION

Nga sjellja dhe statura kryeministrore europiane!

08:00 - 31.03.21 Dr. Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më 17 Mars, në zgjedhjet parlamentare në Holandë bëri bujë fitorja për të katërtin mandat rradhazi e Kryeministrit 54 vjeçar Mark Rutte. Megjithë «  amortizimin » 10 vjeçar në krye të ekzekutivit, gjëndjen e nderë të krijuar nga COVID – 19 dhe dorëheqjen e gjithë qeverisë  dy muaj më parë, pas një afere abuzimesh me ndihmat ekonomike për fëmijë, Rutte në krye të Partisë së tij liberale « VVD », jo vetëm nuk pësuan « firo zgjedhore» por siguruan dhe 2 deputetë më shumë se më 2017. Veç të tjerash, ky sukses zgjedhor   argumentohet   me besueshmërinë e tij më të madhe politike kundrejt liderëve të 35 partive të tjera pjesëmarrëse në zgjedhje. Sipas ekspertëve dhe vëzhguesve të shumtë  të fushës,  këtë besueshmëri  e ka çimentuar Sjellja dhe Statura politike e Mark Rutte. Kështu, ai jeton në të njëjtën shtëpi modeste në Hagë, shkon në punë më biçikletë dhe mban po atë  shoqëri të 10 viteve më parë ! Ndaj e quajnë «  Zotëria normal » ose «  njeri nga ne »




Sjellja dhe statura, si pjesë e dukshme e cilësive të lidershipit politik, për shkak të  problematikës ulëritëse te lidershipet qeveritare, bëhen dhe  më intriguese për Shqipërinë, sidomos tani, në prag të zgjedhjeve të 25 Prillit. Ndaj dhe ambasadorët e BE-së në Tiranë javën e kaluar bënë thirje për vetëpërmbajtje nga gjuha e urrejtjes dhe retorika konfrontuese.

Në literaturën përkatëse, në krye të katalogut të vetive të një lidershipi të suksesshëm renditet komunikimi, i ndjekur nga integriteti, e pastaj vijnë me rradhë,  llogaridhënia, përulësia, vizioni, pozitiviteti, rezistenca, influenca dhe delegimi. Sipas Steve Jobs, këto cilësi bëjnë dhe dallimin midis «  menaxhimit, i cili duhet të bindë njerëzit të bëjnë diçka që nuk duan dhe  lidershipit, që i frymëzon ata të bëjnë gjëra që nuk u ka shkuar ndërmend »

Pa hyrë në analiza akademike, le t’i shohim këto cilësi të mishëruara te disa nga kryeministrat më të spikatur në Europë dhe pranë nesh.

Padyshim që mishërimi i sjelljes, kulturës dhe staturës politike është  Kancelarja gjermane Angela Merkel. Siç kemi shkruar dhe më parë, jetëgjatësia e saj rekord mbi 15 vite si kryeqeveritare në një federatë me 16 shtete( lande)  dhe 80 Milionë banorë shpjegohet me faktin se veç të tjerash; ndaj Merkel nuk ka patur: asnjë aludim për afera personale dhe biznesi; ajo nuk ka përdorur në asnjë rast të vetëm thumba, kunja, batuta dhe satira ndaj kundërshtarëve politikë, brenda dhe jashtë vendit; se për gjuhë të drunjtë dhe sulme politike personale as që bëhet fjalë. Merkel ka zbatuar me rigorozitetin më të madh  «  ligjin e pashkruar » që një shef qeverie nuk duhet në asnjë rast të fyejë, qesëndisë, denigrojë dhe degradojë në terma verbalë, fizikë, krahinorë, fetarë, gjinorë, etj kundërshtarët politikë, median, etj.

Ndonëse e kanë sulmuar dhe ekstremistë të çdo kallëpi me lloj lloj etiketimesh dhe karrikatura ofenduese, Merkel kurrë nuk është ndalur në emra dhe as në stigmatizimet e tyre; ajo i përmbahet strikt thelbit të problemit, zgjidhjes së tij dhe  me sqarimet përkatëse të detajuara. Dhe tani kur korona po « bën kërdinë »  në Gjermani, Merkel e ka mbajtur të paprekur staturën e saj të lartë me gjakftohtësi, « higjienë » gjuhësore politike model, si një « Kryemarkë » ku gjen vetëm shpresë, qetësi dhe pozitivitet. Ajo shfaqi  në mënyrë spektakulare  përulësinë dhe përgjegjësinë tipike të një lideri politik më 24 Mars, kur kërkoi ndjesë publike, si përgjegjësja e vetme për gabimin që u bë lidhur me shtrëngimin e masave anti COVID -19.

Në të njëjtat linja janë dhe Kryeministrat belgë. Ka një konsensus të gjerë se pa sjelljen e tyre politike me tolerancë, lëshime, konsensus, përulësi dhe komunikimin pa fyerje « kompromisi à la belge » do të ishte  «  mision i pamundur« Mirëpo kompromisi për belgët është si buka për shqiptarin, pra jo «  luks » por jetik për Belgjikën që në 75 vitet e fundit është qeverisur vazhdimisht me koalicione tejet të vështira shumëpartiake në një vend me kontraste unikale: veriut të djathtë, protestant, të zhvilluar dhe industrial,  me origjinë dhe gjuhë holandeze, dhe jugut të majtë, katolik, bujqësor, të prapambetur, me origjinë dhe gjuhë franceze, me një komunitet të vogël gjerman dhe Brukselin si kryemetropol ndërkombëtar;  monarki kushtetuese me l1 milion banorë, me rreth 200 kombësi, 7 parlamente, etj.

Ashtu si parardhësi i tij, Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, edhe Kryeministri i tanishëm, 45 vjeçari Aexsander De Croo dallohet për cilësitë e lartpërmendura; veç baballarëve të tyre politikanë të njohur europianë, pak kush ua njeh fëmijët dhe bashkëshortet, le pastaj vëllezërit e motrat, sepse familja mbetet private në rrjetet sociale dhe media. Liderët belgë i përmbahen Thomas Merton  se « krenaria të bën artificial, ndërsa përulësia real »

Tanimë edhe  social-demokratët europianë kanë modelin, shpresën  dhe pikën e tyre të referimit te Kryeministri spanjoll, 49 vjeçari Pedro Sanchez.  Më 2015 ai u largua nga kreu i partisë pas një humbje të rëndë të saj në zgjedhjet parlamentare. Por nuk  shau e mallkoi, as ngarkoi njeri me faj; përkundrazi, me ndjenjën e përgjegjësinë, Sanchez veproi siç thoshte Arnold Glasow » lideri i mirë merr pak më shumë faj dhe shumë më pak merita »

Madje, pas dorëheqjes, ai shkoi kudo në bazën socialiste,  duke i ftuar militantët t’i drejtoheshin  për çdo hall, tanimë si shok i tyre. Mirëpo, siç thotë Kryebashkiakja socialiste e Parisit, Anne Hidalgo, Pedro Sanchez është luftëtar dhe rezistent, që «  dhe kur bie, ngrihet prapë më i fortë »  Dhe librin e tij ai e ka titulluar«  Manual i rezistencës »

Kështu ndodhi gjatë fushatës zgjedhore 2018, kur duke  ngarë vetë  « Peugeot 407 » udhëtoi qytet më qytet, duke rifituar besimin  në krye të PS-së.

Me durim dhe kurajo e çoi vendin tri herë në dy vjet në zgjedhje të parakohshme derisa e krijoi qeverinë e koalicionit; një konstelacion  që vetëm ai mund ta ndërtonte me  të majtët e Podemos, independistët e Katalonjës e  duke « lënë  në stol » baskët. Ai është përherë gojëëmbël, me respekt ndaj kundërshtarëve politikë dhe pa « ia kthyer reston me të njëjtën monedhë » Falenderon përherë me mirësjellje gazetarët për çdo pyetje, sado e gjatë apo provokuese, aty në këmbë  dhe me bllokun e shënimeve në dorë.

Në Danimarkë dy vitet e fundit drejton Kryeministrja 41 vjeçare Mete Frederikson, karizmatike dhe « me këmbë në tokë ». I ka hyrë politikës në moshën 15 vjeçare, dhe u bë ministre kur ishte 24 vjeç e me radhë. Në periudhën e pandemisë e shihnin duke pastruar vetë xhamat e shtëpîsë. Për shkak të COVID – 19 dhe angazhimeve me BE-në, e shtyu tri herë martesën, duke e ndryshuar thënien e njohur  nga e «  Treta në  «  E katërta e vërteta » Pak më tutje, në Finlandë, ka një vit që drejton  34 vjeçarja, Sanna Marin, e para kryeministre në atë vend dhe më e reja në Europë. Qysh kur ishte studente, për të përballuar studimet bënte punë nga më të ndryshmet. Me mbarimin e universitetit filloi si arkëtare në një magazinë shitjesh. Falë angazhimit dhe në politikë qysh e re, i ngjiti një e nga një shkallët e saj deri në këtë post të lartë.

Fitoi shumë pikë në opinionin publik me përgjigjen e goditur ndaj një politikani populist estonez, i cili e quante «  vajza shitëse » Por Sarin, me pozitivitetin dhe finesën e vet,  u përgjigj se «  Po, është e vërtetë, ama ja që kjo është Finlanda,vendi ku nga arkëtare bëhesh Kryeministre » Populisti estonez kërkoi ndjesë, ndërsa  popullariteti i  Sarin « mori dhenë. »

Me përjashtim të ndonjë lideri populist, të tillë kanë qenë e mbeten dhe liderët italianë. Kryeministri i sapoemëruar 73 vjeçar Mario Draghi, falë karrierës brilante veç sektorit privat e publik, dhe në krye të Bankës Italiane dhe tetë vitet e fundit të Bankës Qëndrore Europiane mbetet shembull dhe për sjelljen/staturën e tij. Nuk gjen asnjë incident apo rast të vetëm të pakëndshëm në prononcimet e tij publike dhe zyrtare. Madje, ai hyri në histori më 26 Korrik 2012, kur në kulmin e krizës financiare,  në krye të BEQ-së në Frankfurt, shqiptoi me ton të lartë frazën emblematike në anglisht « do whatever it takes » ( do të bëjmë gjithçka duhet) duke shpëtuar EURO-n. Po aq diskret është me familjen, ndonëse bashkëshortja e tij vjen nga një familje aristokrate.

Edhe shembulli i « Super Mario » siç njihet, konfirmon  vetinë kryesore të komunikimit të një lideri të mirë: të dëgjojë sa më shumë dhe të flasë sa më pak. Madje, dhe kur të flasë, jo me megallomani, por me shifra, fakte dhe projekte. Po aq i rëndësishëm është që ky komunikim të jetë me etikë, gjuhë dhe kulturë politike, që të çojë në mirëkuptim, besim dhe frymëzim.

Në Greqi pasardhësi i dinastisë politike familjare, Kyriakos Mitsotakis bëri një  ngjitje të fuqishme, pa zhurmë  dhe të shpejtë në krye të politikës greke. Pavarësisht nga kualifikimet e larta në Athinë, Londër dhe Harvard, suksesit si sipërmarrës elitar dhe deputet, ai ka spikatur me modestinë dhe xhentilesën e tij. Si djali i ish Kryeministrit historik, kërkon të mos  gjykohet nga mbiemri, por CV-ja e tij. Në fushatën zgjedhore vitin e kaluar, ashtu si  sfidanti majtist Alexis Cipras nuk përdori fjalor ordiner, etiketime dhe sulme personale, por u paraqit përpara zgjedhësve  me programe dhe alternativa konkrete. Ndaj elektorati  besoi Mitsotakis të qeverisë i vetëm.

Veç sa sipër, sipas ekspertëve, tashmë ka filluar tranzicioni nga faza kur Kryeministrat  « punonin » e bënin vetë gjithçka, në atë të « drejtimit » Te ky i fundit spikat delegimi i përgjegjësive te ekipet e  bashkëpuntorëve. Pa xhelozi për ta kur u ecën puna, se mund t’u zenë vendin nesër. Me ndonjë përjashtim të rrallë, kryeministrat sot në Europë, nuk janë « të kudo ndodhur » , ata nuk shihen e dëgjohen «  orë e çast » në  inspektime, inaugurime, takime, vizita dhe vaki festive ; as  me ec e jake nëpër aeroporte për të pritur vaksinat e ca më pak duke kqyrur në vend vaksinimin e njerëzve; në fakt, ata drejtojnë me vendime e jo me propagandë institucionet përkatëse zbatuese në gjithë vendin; madje, mbasi kanë përcaktuar objektivat& kornizat vepruese, ata qënrojnë disi të tërhequr, duke ua lënë hapësirën më të madhe të veprimit institucioneve dhe agjencive zbatuese.

Së fundi, kjo sjellje, e cila  ndikon dhe çon natyrshëm në Staturën politike nuk është thjesht çështje luksi, etike dhe kortezie. Madje, ndryshe nga tanët, kryeministrave gjetkë u duhet të  lëvizin në një « tell të hollë ekuilibri » për shkak të koalicioneve shumëpartike dhe  në kushtet e pranisë, jo të  një, por të disa partive opozitare të forta, një media agresive dhe publik tejet i ndjeshëm, që nuk kanë të krahasuar me homologet e tyre  në vendin tonë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.