OPINION

Meta, një burrë shteti në një institucion të tredhur nga kryeministri

19:55 - 04.04.21 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri Edi Rama në intervistën e tij të fundit në emisionin “Real Story” në “News 24” u orvat ta vinte në lojë Presidentin Meta duke thënë midis të tjerash se ai (Meta) flet me vete sa herë del në televizion. Duket se kryeministri është i irrituar nga që presidenti po përdor të vetmen “kompetencë” që i ka mbetur pasi Rama e trodhi institucionin e Presidencës me ndryshimet e tij kushtetuese duke prishur dramatikisht ekuilibrin e pushteteve që kishte përcaktuar Kushtetuta e votuar nga populli në 1998. Ilir Meta është një burrë president në institucionin e Presidencës që është tredhur nga kryeministri. Dhe Meta po përdor fjalën e tij për të kompensuar pafuqinë e institucionit që drejton, pafuqi që ka ardhur nga tredhja që Rama i bëri Presidencës.
Kryeministri nuk e duron dot as fjalën e presidentit. Arsyeja është e thjeshtë. Kur Meta flet, çfarëdo që thotë, Ramës i duket vetja si Makbethi, të cilit i flet fantazma e Bankos, duke i kujtuar krimin e tij. Kryeministri ka bërë një krim ndaj një institucioni, Presidencës së Republikës. Rama u tregua edhe më i sofistikuar se Pinoçeti, i cili kur bëri grushtin e shtetit në Kili vrau Presidentin e Republikës, z. Alende. Rama vrau institucionin e Presidencës, ose më saktë e trodhi atë, sepse Presidenca do të mbetet si institucion simbolikisht, por vetëm si zyrë noterie kryeministrore.
Makbethi kishte vrarë Mbretin Dunkan dhe mikun dhe bashkëpunëtorin e tij, Bankon. Fantazma e Bankos e përndiqte Makbethin. Edi Ramën duket se e përndjek fantazma e Ilir Metës- aleat dhe bashkëpunëtor të tij. Shekspiri na jep të kuptojmë se thellë-thellë ndjenja e fajit që Makbethi kishte për vrasjen e Bankos vinte ngaqë Makbethi i detyrohej shokut të tij Bankos për gjithçka. Për këtë gjë Makbethi e urrente Bankon. Edi Rama i detyrohet Metës për ardhjen në pushtet në 2013. Pikërisht atij Mete të cilin deshi ta eliminonte në 2011. Pa aleancën me Metën në 2013, Rama nuk do të kishte ardhur kurrë në pushtet. Këtë gjë e thonë shifrat por e ka pranuar edhe vet ai publikisht. Për këtë gjë Rama e urren Metën.
Rama e ironizoi Metën duke thënë se në çdo tre fjalë që thotë njëra është fjala “burg” dhe se e di vetë Meta se ku i rri mendja kur thotë këtë gjë. Harron kryeministri ynë se tanimë u bënë tetë vjet që është në pushtet dhe se ka bërë aq gjëra sa fjala “burg” në gojën e tij e thënë si ironi ndaj dikujt është siç thotë ajo fjala popullore, përmendja e litarit në shtëpinë e të varurit. Në këtë rast mund të thuhet se është njëlloj sikur i varuri të flasë për litarin.
Duke shprehur alergjinë nga fjalët e Presidentit Meta, kryeministri ynë nuk bën gjë tjetër vetëm se na tregon që mezi po pret të vendosë në Presidencën e tredhur prej tij, një ushtarin e tij gojëkyçur, ose të tillë që kur të flasë t’i thurë lëvdata Ramës.
Sjellja e Presidentit Meta nuk do të ishte normale nëse vendi do të ishte në kushte normale. Ashtu si sjellja e Alendes në Kilin e vitit 1973 nuk do të quhej normale në një vend normal. Por ja që në Kilin e vitit 1973 kishte një Pinoçet dhe në Shqipërinë e sotme ka një Edi Ramë që e ka përsosur metodën e Pinoçetit duke i bërë puçet jo me tanke por me ushtarë që votojnë ndryshime kushtetuese sipas dëshirës së kryeministrit.
Në këto kushte Presidentit Meta sot për sot nuk i ka mbetur gjë tjetër veç fjalës. Nesër kur të jetë i lirë nga pozita e tij institucionale ai mund të ndërmarrë edhe aksionet politike që e quan të nevojshme se duhen bërë. Por sot për sot, që Presidenti Meta të mos flasë për të keqen që shikon, kjo do të thotë të braktisë fare detyrën e tij kushtetuese. Detyrë realizimin e së cilës po ia pengojnë duke ia kufizuar në maksimum kompetencat e tij institucionale me ndryshimet kushtetuese të realizuara sipas vullnetit të kryeministrit Rama.
Me sa duket kryeministri kishte pritur që Presidenti Meta të ulte kokën dhe të nënshtrohej nga frika se drejtësia e re, që është hanxhar në dorën e kryeministrit do ta bënte të kalbej në burg. Kryeministri, duke qenë nga natyra frikacak, nuk e priste që Presidenti Meta në këtë situatë të sillej si një burrë. Për këtë arsye kryeministrit i vjen inat, ashtu siç i vinte inat Pinoçetit që Alende nuk braktisi Presidencën dhe të ikte jashtë vendit, por qëndroi në institucion edhe kur u rrethua dhe vdiq atje si burrë.
Mund të mos jesh dakord me shumë qëndrime të Metës në të kaluarën e tij politike, por sot nuk mund të mos jesh dakord me qëndrimin e tij për mbrojtjen e integritetit të institucionit të Presidencës së Republikës dhe për të frenuar vendosjen e diktaturës në vend. Sidomos intelektualët tanë nuk duhet të bëjnë gabimin që bënë një pjesë jo e vogël e intelektualëve kilianë në 1973, të cilët kur Presidenti Alende paralajmëronte rrezikun e diktaturës, ata merreshin me të kaluarën e Alendes dhe nuk shihnin hijen e zezë të Pinoçetit që po shfaqej rrezikshëm. Kur kjo pjesë e intelektualëve kilianë të asaj kohe e kuptuan gabimin, atëherë ishte vonë. Këta intelektualë, të cilët ishin kundër vendosjes së diktaturës dhe që më pas do të vuanin nën sundimin e Pinoçetit, megjithatë në atë kohë ishin rreshtuar pa dashjen e tyre në anën e Pinoçetit.
Të njëjtin gabim po bëjnë edhe shumë nga intelektualët tanë të cilët thonë se Meta ka të drejtë në parim por nuk është bindës për shkak të së kaluarës së tij politike. Kjo është njëlloj si sjellja e atij pacientit të cilit mjeku i tregon se ka një sëmundje të rëndë për të cilën duhet të marrë masa sa më shpejt për ta kuruar, i tregon rezultatet e skanerit, të analizave etj., ndërsa ky pacient e dëgjon me mosbesim duke thënë me vete se ky mjeku është ai për të cilin ka dëgjuar këtë apo atë gjë për të shkuarën e tij. Presidenti Meta sot është si ky mjeku që po na tregon një sëmundje të rëndë politike që e ka pushtuar organizmin e shtetit nga virusi politik i etjes për pushtet të kryeministrit Rama dhe për këtë na jep fakte të pakundërshtueshme. Nëse nuk e dëgjojmë “mjekun”- president, nesër do të vuajmë pasojat e sëmundjes që sa vjen e po rëndohet dhe që më 25 prill mund të arrijë në gjendje shumë serioze me pasoja të paparashikueshme, të cilat do t’ i vuajmë të gjithë. Veçanërisht ne intelektualët kemi përgjegjësinë për të mbështetur Presidentin Meta në këtë nismë të tij që meriton të quhet sipas një teze të Branko Merxhanit një formulë bashkëkohore e neoshqiptarizmës. Njerëzit e thjeshtë mund të mos e kuptojnë të keqen sa kohë nuk është shfaqur në formën më të rëndë të saj, por intelektualët mund të mos e shohin vetëm nëse bëjnë lojën e strucit duke futur kokën në rërë.
Në Kili të gjithë ata që më pas ishin kundër Pinoçetit, por që më parë e kishin parë me dyshim Alenden, e pranuan se kishin bërë një gabim fatal. Uroj të mos ndodhë kështu edhe me kritikët e Metës sot.




 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.