Kryesore

Mjeku urolog: Rezart Xhani: Gurët në veshka dhe infeksionet e aparatit urinar

18:33 - 05.04.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gurët në veshka janë depozitim i mineraleve dhe kripërave në brendësi të mureve të veshkave. Si fillim, ato grumbullohen në kristale që ngjiten dhe më pas formojnë gurët në veshka. Vendi ku formohen gurët e veshkave janë vendet ku segmentet tubulare bashkohen në tubulin përmbledhës kortikal. Në një intervistë për suplementin ‘Life Pages’ në ‘Gazeta Shqiptare’ mjeku urolog, Rezart Xhani tregon mënyrat e trajtimit të dhimbjeve të shkaktuara nga gurët në veshka. Ai thekson se infeksionet më të shpeshta hasen në moshat e reja.
Si formohen gurët në brendësi të veshkave tona?
Veshka eliminon nëpërmjet urinës substanca të tilla, si oksalatet, kalciumi, acidi urik, normalisht këto substanca janë të holluara dhe nuk shkaktojnë problem. Në rast të një urine të koncentruar (pra kur nuk konsumojmë ujë) këto substanca precipitojnë, bashkohen me njëra- tjetrën duke formuar kështu gurët në veshka.
Si mund ta kuptojmë që kemi gurë në veshka, ku lokalizohet dhimbja e tyre?
Në rastin e një guri, i cili ndodhet në veshka dhe migron në uretër (kanali i urinës që lidh veshkën me vezikën urinare) dhimbja do të shfaqet menjëherë, e fortë, në pjesën e pasme të kurrizit (këndi midis brinjëve dhe vertebrave) si edhe përgjatë kanalit të urinës duke u lokalizuar në organet gjenitale mashkullore dhe femërore (kur guri ndodhet në fund të kanalit urinar – ureterit).
Çfarë duhet të bëjmë në rast dhimbjesh të forta?
Përkundër bindjes së rrënjosur në popull që duhen pirë lëngje me shumicë, në këtë rast duhet të mos pimë lëngje, sepse vetë aparati urinar është nën presion të lartë dhe pirja e lëngjeve vetëm sa e shton këtë presion e për rrjedhojë edhe dhimbjet. Medikamentet kryesore janë antalgjikët (si p.sh. paracetamoli) dhe anti-inflamatorët (si p.sh. voltareni). Duhet patur kujdes në përdorimin e voltarenit tek personat të cilët kanë hipertension arterial të pakontrolluar apo insuficiencë renale.
A duhet të shkojmë në urgjencë apo të qëndrojmë në shtëpi në rast se dhimbjet qetësohen?
Këshilla ime është që të gjithë pacientët, të cilëve iu qetësohen dhimbjet pas përdorimit të paracetamolit apo voltarenit duhet të qëndrojnë në shtëpi. Nuk ka vlerë të shkosh në urgjencë dhe të presësh me orë të tëra për të bërë një injeksion të cilin shumë lehtë mund ta bësh në kushte shtëpiake.
Cilat janë ekzaminimet që duhen kryer?
Ekografia është një nga ekzaminimet më të mira, ajo na tregon nëse guri është në veshkë apo ka zbritur poshtë në kanal si edhe sa e fryrë është veshka. Në 70% të rasteve guri del vetë (për gurë < 6mm).
A mund ta kuptojmë nëse guri ka dalë?
Po, pacienti e kupton nëse guri ka dalë apo jo, sepse në radhë të parë dhimbja qetësohet menjëherë pas daljes së gurit. Ndjenja e urinimit të shpeshtë është një shenjë e mirë, sepse tregon që guri është duke dalë. Këshilla ime është që të gjithë pacientët të filtrojnë urinat (me ane të një nape) në mënyrë që guri të kapet dhe të dërgohet për ekzaminim pranë një laboratori (në mënyrë që të veçohen përbërësit e këtij guri).
Çfarë lloj uji duhet të pimë dhe në çfarë sasie?
Çdo person duhet të pijë mbi 2 l ujë në ditë, uji oligomineral është më i këshilluari. Në rastet e gurëve të acidit urik nevojitet alkalinizimi i urinës dhe në këtë rast këshillohet pirja e ujit me limon apo uji mineral, i cili ka edhe bikarbonate.
Cilët janë shkaktarët e infeksioneve urinare dhe si e kuptojmë që kemi infeksion urinar?
Shkaktarët janë ete thjeshtë si p.sh. çrregullimet e zorrëve që cilëve çojnë në shfaqjes e cistiteve, marrëdhëniet e para seksuale tek gratë. 50% e grave do kenë të paktën një episod cistiti gjatë jetës së tyre. Këto infeksione hasen më shpesh në moshat 18-35 vjec.
A mund të kemi urinim me gjak gjatë infeksioneve urinare?
Po mund të urinojmë me gjak kur cistiti është violent dhe kemi djegie të shumta. Kjo nuk duhet të na trembë, sepse për sa kohë nuk shoqërohet me gjendje febrile mbetet një cistit i pakomplikuar.
Në çfarë zone ndjehet dhimbja e cistitit?
Dhimbja mund të lokalizohet në zonën mbi pubis apo në vete uretrën. Tek femrat uretra (kanali i jashtëm i urinës) është shumë i shkurtër dhe preket më shpejt nga infeksionet, sepse bakteret ngjiten me lehtësi nga aparati digjestiv ne aparatin urinar.
A mund të kemi fryrje të barkut gjatë infeksioneve urinare?
Po, patjetër, sepse bakteri që shkakton infeksionin urinar Escherichia Coli vjen pikërisht nga zorrët.
A duhet të pimë ujë me shumicë në rast infeksioni urinar?
Po kjo është e vërtetë, por përveç kësaj duhet edhe një dietë e pasur në fibra dhe të merren pro-biotike (fermentet laktike që gjenden në kos). Duhet, gjithashtu, të konsumojmë frutat e pyllit dhe boronicë të kuqe (cranberry në anglisht) sidomos në rastin e cistiteve të përsëritura.
A duhen përdorur antibiotikët?
Është shumë e rëndësishme që në fazën akute të përdoren antibiotikët, në rastet e cistiteve të thjeshtë duhet marrë një dozë e vetme Fosfomycine 3 gram. Ndërsa në rastet e infeksioneve të përsëritura përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve mund të seleksionojë baktere të veçanta duke i bëre ato rezistente ndaj mjekimit. Asnjëherë nuk duhen përdorur antibiotikët pa bërë një analizë urine me mbjellje dhe pa u konsultuar me mjekun urolog apo me mirë akoma atë infeksiolog.
Veshjet intime sintetike mund të favorizojnë shfaqjen e infeksioneve?
Jo në mënyrë direkte, por në rast intolerance ndaj këtyre materialeve mund të kemi ulje të imunitetit dhe në këtë mënyrë shfaqjen e infeksioneve.
Kur duhet të shqetësohemi për një cistit (infeksion urinar)?
Në rast se infeksioni nuk kalon, por vazhdon të përsëritet në kohë atëherë duhet të drejtohemi tek mjeku urolog apo ai infeksiolog në mënyrë që të kërkohen shkaqe të tjera.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.