KULTURË

Niki Zaimi: Sytë i kam te muzika, në piano mishëroj shpirtin

10:00 - 06.04.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Njihuni me talentin në muzikë, futboll dhe në shkenca, marrëdhënia me babain këngëtar




“Bashkëpunimi me babain, sfidë me veten”

Egla Xhemali – Një shtëpizë e kthyer në studio, ku lehtësisht mund të gjesh vegla muzikore e nëse hyn edhe pak më tepër, mund të kënaqesh me tinguj dhe të mbushesh me pozitivitet. Atje pastaj takon Niki bukuroshin, djalin e talentuar, që ka ushqyer nga i ati pasionin e jashtëzakonshëm për muzikën dhe dëshirën e madhe për të lënë gjurmë, ashtu sikurse ai (Alketi), në artin shqiptar. “Atdheun mos e lërë bir” është bashkëpunimi, që realizoi ëndrrën e të dyve për të ardhur së bashku në një klip, e për të përçuar mesazhe të forta për të gjithë fëmijët e prindërve, që duan të largohen nga vendi. Niki Zaimi rrëfen rrugëtimin nëpër muzikën, impresionet e atyre që e kanë dëgjuar këngën, marrëdhënien e ngushtë me prindërit, si dhe dëshirat për të nesërmen. Një djalë që premton shumë, i apasionuar pas muzikës rrok, me një të shkuar të artë në modeling dhe futboll, një instrumentist i zoti, nxënës i dalluar në shkollë, Niki Zaimi po sjell një frymë tjetër në muzikë dhe jo vetëm. Ai është versioni i përkryer i një djaloshi, që do ta rroki famën pa buja të mëdha, madje pa rënë në sy, ama, nga sot duhet ta fiksoni mirë emrin e Niki Zaimit, pasi nesër përmes talentit mund të bëjë krenarë të gjithë shqiptarët.

Një talent që ka prekur thuajse të gjitha dimensionet e artit. Djali bukurosh, që i vlon së brendshmi një energji e jashtëzakonshme. Besoj këtë përshtypje kanë të gjithë për ty, Niki. Si e zbulove pasionin për muzikën? I mban mend hapat e parë drejt saj?
Shkëndija e parë drejt muzikës për mua, ka qenë një tastierë e vjetër në bodrumin e shtëpisë, ku që tre vjeç më dërgoi notë pas note në botën e muzikës. Më pas, ka qenë shkolla dhe kurset e ndryshme të pianos, që më zhvilluan më tej artistikisht.
Një shpirt si yti duket sikur ka qenë i destinuar të ‘humbasë’ në art. Ti i bie pianos dhe kitarës. Pse pikërisht këto instrumente? Ka ndonjë lidhje specifike mes tyre apo është rastësore?
Pianoja ka qenë dhe do të jetë gjithmonë instrumenti, ku pikoj emocionet dhe shpirtin. Është një portal për mua që më çon në një vend nuk e di se ku, por di që aty shprehem më lirshëm. Ndërsa, kitara ka qenë një pasion që ka ardhur më vonë, kujtoj një shprehje që më ka thënë Keti: “Kitara është femra më e mirë që mund të gjesh”, dhe deri tani qëndron e vërtetë”.

168968277_453918699218726_5004429413590663448_n 161324690_481999499497269_6068465798779174906_n
<
>

Niki, ti ke shumë vite që merresh me muzikë. Ke bashkëshoqërues dhe babain, i cili është një prej zërave më të mirë të muzikës shqiptare. Bashkë keni publikuar cover-a të ndryshëm. Sa e vështirë është të performosh me një artist të afirmuar?

Nuk do mund ta quaja vështirësi, por më shumë si një sfidë për veten. Ka të bëjë dhe fakti që është babai im dhe kam më shumë afrimitet dhe tolerancë në një farë mënyre. Përsëri, si një ambient artistësh, ka mospërputhje mendimesh, por në fund zgjidhen me të qeshura dhe sigurisht me ndonjë dolli.
“Atdheun mos e lërë bir”, është bashkëpunimi yt me babain, Alketin, që sapo është publikuar. Kënga vjen me mesazhe të forta. Çfarë ndjesie ke tani që kënga është mirëpritur nga dashamirësit e muzikës?
Më vjen shumë mirë që marr komente dhe komplimente në lidhje me këngën. Gjithashtu, më ka bërë përshtypje, që këtij grupi mbështetësish hyjnë brenda dhe dëgjues të rrymave të ndryshme, të cilët, gjithashtu, kanë qenë një pjesë e madhe e suportit kundrejt këngës. Shpresoj që të qëndroj kështu dhe për projektet e ardhshme.
Tani që kënga me babain është publikuar, keni menduar për bashkëpunime të tjera?
Po, sigurisht. Kemi disa projekte në fakt, por më të afërtat janë disa mini-projekte le të themi si cover-a të ndryshme, akoma më cilësore se herët e kaluara.
Përtej artit, si është marrëdhënia jote me babain? Po me mamanë? Sa mbështetje janë ata për ty?
Përveç marrëdhënies baba e bir, më tepër jemi si dy shokë të ngushtë, dhe pa u habitur, si dy bashkëmoshatarë, që qëndrojnë gjithë ditën bashkë. Mamaja është ndërtuesja e karakterit, etikës dhe personalitetit tim, e cila më ka ndjekur në çdo hap timin. Ata janë çdo pikë e motivimit tim dhe pa ata nuk do të isha këtu.
Tani po e lëmë pak muzikën dhe po prekim pasionin tënd për fushën e blertë. Je sulmues i zoti, ashtu si në muzikë?
Futbolli ka zënë një pjesë tepër e rëndësishme ne jetën time. Edhe pse kam disa vjet që nuk e ndjek më, akoma ngelet pasion i imi. Zakonisht ekipet kundërshtare më njihnin si “ai flokëgjati”. Te kjo nuk kanë ndikuar vetëm flokë, por diferenca që bëja në fushë. Di të them që sa herë luaja, i shkaktoja adrenalinë Ketit, dhe jo vetëm.
Por, në fund duhet të bëja një zgjedhje dhe aty e përfundova rrugëtimin e futbollit.
Një djalë bukurosh si ty besoj ka dhe një varg të gjatë me vajza, që i lë në pritje. (qesh) Dikur ke qenë dhe model. Pse ke zgjedhur të tërhiqesh nga pasarelat?
Modelingu ka qenë pasion i fortë i mamit. Nga një audicion i rastësishëm, rezultat i të cilit ishte tepër i pëlqyer, më solli në pasarelë dhe, gjithashtu, në disa projekte kinematografike. Por, përsëri, zgjedhja ime ishte muzika dhe, në atë kohë, futbolli.
Ç’ngjyra ka e nesërmja sipas syve të tu?
Ku do ta takojmë Nikin? Ç’drejtim do të marrë jeta jote? (E kam fjalën për shkollën dhe profesionin, që do të zgjedhësh)
Sigurisht, sytë e mi janë në skenat shqiptare, dhe pse jo të huaja, me piano ose kitare në dorë, duke përcjellë muzikën time drejt publikut. Gjithashtu dhe shkolla nuk mbetet mbrapa. Shkencat kompjuterike janë synimi im, por duke pasur parasysh të kaluarën time, mund të dali diçka tjetër e papritur që të më prishi mendjen. Kjo i ngelet vetëm kohës për ta caktuar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.