Kryesore

Vala e tretë e COVID/ Nis ora policore edhe në Maqedoninë e Veriut

10:55 - 06.04.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prej 6 prillit ora policore do të fillojë në orën 20:00 deri në ora 05:00, do të mbyllen të gjitha objektet hotelierike, bastoret, palestrat, ndalohet grupimi i më shumë se 4 vetëve.Të gjitha këto masa janë në fuqi deri më 20 prill.




Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se për dallim nga vala e kaluar, tani pacientët po shërohen me ritëm më të ngadalësuar. Filipçe tha se janë regjistruar raste, ku edhe pas ditës së 14 është përkeqësuar gjendja e pacientëve.

“Kemi pasqyrë klinike të sëmundjes më ndryshe nga e kaluara, hospitalizimi zgjat më shumë. Në dallim nga vala e kaluar ku në ditën e 14 të shërimit pacienti në të shumtën e rasteve shërohej, tani kemi karakteristikë edhe tek pacientët e rinj, përkeqësim në ditën e 12-13 dhe 14 të shërimit, një formë e rrallë, me përkeqësim të pasqyrës së mushkërive dhe gjakut”, ka deklaruar Filipçe.

Versioni britanik po merr hov, andaj jemi të detyruar për masa të reja, të cilat i ndërmorëm në konsultim me institucionet përkatëse, tha kryeministri Zoran Zaev.

“Vala e fundit e virusit nuk krahasohet me valët e tjera. Vala e fundit e virusit është shumë më agresive. Në këtë valë po preken edhe brezat e rinj, andaj është shumë e rëndësishme që të kufizohen kontaktet. Apelojmë, qëndroni në shtëpi. Këto masa po i ndërmarrim në prag të festave për të shmangur pasojat më të mëdha dhe që të ulim presionin ndaj punonjësve të shëndetësisë”, tha Zaev.

Hasani: Gjatë festave- kujdes më i madh për mosinfektim

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, tha se masat restriktive kanë qenë të paevitueshme për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

“Ky është realiteti ynë. Jemi të vetëdijshëm që masat që sollëm janë më restriktive. I sollëm me vetëdije të plotë që të gjithë së bashku me qetësi t’i kalojmë festat dhe të mos ballafaqohemi me situata ku të afërmit tanë dhe tuajt të jenë të sëmurë të hospitalizuar ose larg qoftë që të humbasin jetën nga virusi”, tha Hasani.

Hasani u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë masat kundër Covid-19 në prag të festave të muajit të shenjtë të Raazanit.

“Qytetarët gjatë festave të kenë kujdes, sepse ne kemi traditë që gjatë festave të vizitojmë më të moshuarit, por duhet të kemi kujdes se të moshuarit janë më të ndjeshëm. Masat që ndërmorëm kanë për qëllim që të ulin edhe presionin ndaj spitaleve, madje edhe për t’ju mundësuar qytetarëve që të festojnë në mënyrë sa më të sigurt”, tha Hasani.

Vaksinim masiv i popullatës

Në Maqedoninë e Veriut ka filluar edhe vaksinimi kundër Covid-19. Deri tani janë caktuar 3.000 orare për qytetarët që do të vaksinohen me vaksinën ruse “Sputnik V”.

Në këtë fazë do të imunizohen personat që i përkasin të ashtuquajturës infrastrukturë kritike, të punësuarit në ushtri, polici, gazetarët, zjarrfikësit, edukatoret në çerdhe, të punësuarit në pikëpagesa dhe të tjerë. Pritet që mesatarisht çdo ditë të vaksinohen 4 mijë qytetarë.

Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me virusin korona në Maqedoninë e Veriut është 134.867, numri i pacientëve të shëruar është 109.297, numri i atyre që kanë humbur jetën është 3.940./DW


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.