AKTUALITET

“Kërcënoi mësuesit, infermierët dhe administratën me vendin e punës. Ja 4 veprat penale për krimin elektoral të tij”, PD padit kryeministrin Rama në SPAK

20:00 - 07.04.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Partia Demokratike padit në SPAK kryeministrin Edi Rama për 4 vepra penale në lidhje me zgjedhjet. Sipas PD, në themel të padisë qendron “kërcënimi dhe shantazhimi i Ramës për të punësuarit në arsim dhe shëndetësi përmes portaleve ‘Mësues për Shqipërinë’ dhe ‘Infermierë për Shqipërinë’”.




PD deklaron se gjatë një bisede me Milva Ekonomin ditën e djeshme, Rama u shpreh se e mbrojnë vendin e punës vetëm duke votuar PS .
“Duhet ta mbrojnë pozicionin e tyre me votë. Në drejtim të paditur përfundon çdo gjë, edhe puna e tyre. Se e fillojnë prapë ata, se nuk dinë gjë tjetër”.- citohet Rama në padi.

Për Partinë Demokratike, Edi Rama ka konsumuar 4 vepra penale, për te cilat i kërkon SPAK të hapë hetim:

– Shpërdorimi i detyrës
– Korrupsion aktiv në zgjedhje
– Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore
– Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje

“Intimidimi i administratës publike për tu përfshirë në fushatë, presioni për të sjellë deri në 20 vota të sigurta për Partinë Socialiste dhe kërcënimi për largim nga puna janë fenomene që hasen në çdo institucion, por një deklaratë me përmbajtje kërcënuese nga vetë Kryeministri është shumë e rrezikshme, aq më tepër kur për 17 ditë do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare”, deklaron PD.

PD sjell në vëmendje se në administratën publike punojnë 185 mijë persona, nga 85 mijë që ishin të punësuar në vitin 2013. “Nga këta 10 mijë persona janë punësuar vetëm gjatë muajve të fundit për qëllime elektorale, pa përfshirë 2.500 punonjës me kontrata të përkohshme në pushtetin lokal”- thuhet në padinë e PD, e cila thekson se kërcënimi i drejtpërdrejtë i Ramës që të votojnë PS është për të 185 mijë punonjësit e administratës dhe familjarëve të tyre.

“Me këtë veprim, vetë Kryeministri jo vetëm që ka cënuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, por mbi të gjitha ka konsumuar një sërë veprash të rënda penale, pasojat e së cilave ndikojnë drejtpërsëdrejti në rezultatin e zgjedhjeve.”- thuhet në padinë e PD, që i kërkon SPAK veprime të shpejta e konkrete, me qëllim parandalimin e mëtejshëm të pasojave të këtij krimi elektoral dhe venien para përgjegjësisë të autorit të këtyre veprave penale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.