BOTA

Amnesty bën thirrje për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së autorëve të masakrës së 1988-ës

23:24 - 12.04.21 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në 1988-ën, regjimi iranian ekzekutoi mijëra të burgosur politikë brenda pak muajve




Në raportin e saj të përvitshëm, Amnesty International bën thirrje për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së autorëve të masakrës së 1988-ës ndaj të burgosurve politikë në Iran.

“Autoritetet kanë vazhduar të kryejnë krime kundër njerëzimit duke e fshehur sistematikisht fatin dhe vendndodhjen e disa mijëra disidentëve politikë të zhdukur me forcë dhe të ekzekutuar në mënyrë jashtë-gjyqësore në fshehtësi në vitin 1988. Varret masive ku besohet se ndodhen eshtrat e tyre kanë qenë objekt i shkatërrimeve të vazhdueshme,” deklaron Amnesty International.

Amnesty International përmend gjithashtu faktin se autoritetet iraniane e kanë vazhduar përfshirjen e tyre në zhdukjet me forcë duke e fshehur sistematikisht fatin dhe vendndodhjen e disa mijëra disidentëve politikë që u zhdukën me forcë apo u ekzekutuan në mënyrë jashtë-gjyqësore në fshehtësi në vitin 1988, dhe duke shkatërruar varret masive të pashënuara ku besohet se ndodhen eshtrat e tyre.

“Forcat e sigurisë dhe inteligjencës i kërcënonin me arrestim familjet e viktimave nëse kërkonin informacione për njerëzit e tyre të dashur, zhvillonin përkujtimore, apo e ngrinin zërin,” shkruan Amnesty në raportin e saj.

Amnesty International thekson se pandëshkueshmëria ka mbizotëruar për krimet e shkuara e në vazhdim kundër njerëzimit, të lidhura me masakrat e 1988-ës në burgje, dhe shumë nga personat e përfshirë në këto krime vazhdojnë të mbajnë pozicione të larta gjyqësore e qeveritare, duke përfshirë Kreun aktual të Gjyqësorit dhe Ministrin e Drejtësisë.

Kreu aktual i gjyqësorit, Ebrahim Raisi, ka qenë anëtar i “Komisionit të Vdekjes” të Teheranit, një treshe zyrtarësh që vepronin si gjyqtarë dhe i dërgonin në trekëmbësh mijëra të burgosur pas gjyqeve që zgjasnin vetëm pak minuta.

“Asnjë zyrtar publik nuk është hetuar apo mbajtur përgjegjës për krimet e vrasjeve të paligjshme, torturimeve e zhdukjeve me forcë apo dhunimeve të tjera të rënda të të drejtave njerëzore. Autoritetet gjyqësore nuk kanë kryer hetime të pavarura e transparente mbi përdorimin e forcës vdekjeprurëse nga ana e zyrtarëve të zbatimit të ligjit kundër individëve që nuk përbënin kërcënim të menjëhershëm për jetën apo për plagosje të rënda,” lexon raporti i Amnesty. “Zhdukjet me forcë, torturimet, dhe keqtrajtimet e tjera janë kryer me pandëshkueshmëri në mënyrë të gjerë e sistematike. Autoritetet gjyqësore kanë dhënë ndëshkime trupore të barasvlefshme me torturën, duke përfshirë rrahje me kamxhik dhe prerje të gjymtyrëve.”

Amnesty International thekson gjithashtu se regjimi iranian ka vazhduar ta përdorë dënimin me vdekje si mjet për represionin politik në 2020-ën. “Janë kryer ekzekutime, një në publik dhe disa të tjera në fshehtësi. Të ekzekutuarit përfshijnë persona që kanë qenë nën 18 vjeç në kohë e kryerjes së krimit,” thotë Amnesty.

Sipas Amnesty International, qindra protestues janë akuzuar për “armiqësi ndaj Zotit” (moharebeh) dhe “përhapje të korrupsionit mbi tokë” (efsad f’il arz), akuza që mbartin dënimin me vdekje. Një numër protestuesish janë dënuar me vdekje pas gjyqeve të padrejta të mbështetura në “rrëfime” të nxjerra me anë të torturës. “Janë kryer ekzekutime pas gjyqeve të padrejta,” shkruan Amnesty.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.