OPINION

Të votosh për Edi Ramën sot është njëlloj sikur të votosh për Esat Pashën e ringjallur

19:01 - 19.04.21 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nëse Esat PashëToptani do të ishte gjallë sot dhe do të ishte në vend të Edi Ramës si kryeministër dhe kryetar i PS-së, ai do të sillej dhe do të fliste njëlloj siç sillet dhe flet sot Edi Rama në pushtet. Madje edhe fakti që Edi Rama garon si kandidat për deputet në Vlorë dhe në Durrës, është një gjë që e bën atë të ngjashëm me Esat Pashën. Ky i fundit, në 1913, pasi shiti Shkodrën shkoi në Vlorë gjoja për t’ u bashkuar me Ismail Qemalin që kishte shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Por në fakt Esat Pasha shkoi për të pastruar fytyrën e ndotur nga tradhtia me mjekrën e bardhë të Ismail Qemalit, pra shkoi për të përfituar nga reputacioni i Plakut të Vlorës. Por Ismail Qemali, vlonjatët dhe patriotët e mbledhur në Vlorë me qeverinë e përkohshme, e zbuluan shpejt cili ishte, nuk u gënjyen nga “shpjegimet” e tij për tradhtinë në Shkodër. Ismail Qemali nuk pranoi të bëhej pis nga Esat Toptani.




Dhe Esat Pasha iku natën nga Vlora nëpërmjet detit, jo nga toka siç kishte ardhur atje Ismail Qemali, i cili zbriti në Durrës dhe shkoi në Vlorë duke kaluar nëpër Myzeqe, përmes njerëzve. Edhe Edi Rama shkon në Vlorë dhe shfaqet gjoja në mes të popullit, por në fakt njerëzit në mes të të cilëve shfaqet ai janë shumica roje të tij të veshur civilë dhe punonjës të administratës e familjarët e tyre, që janë të detyruar të marrin pjesë në këto takime të liderit me “popullin”. Edi Rama takohet me popullin aq sa u takua Esat Pasha kur iku natën nëpër det nga Vlora në Durrës. Kur Esat Pasha arriti në Durrës gënjeu “popullin” që e priti duke e thënë se në Vlorë e kishte pritur një det me njerëz të popullit të cilët i ishin ankuar kundër Ismail Qemalit. Dhe populli i Durrësit ia dha përgjigjen Esat Pashës një vit më pas, në maj 1914, kur e dëboi dhe e detyroi të ikte përsëri nëpërmjet detit jashtë Shqipërisë.

Nëse Esat Pasha do të kishte qenë gjallë sot, ai njëlloj si Edi Rama do të tentonte të fshihej pas portretit të Ismail Qemalit. Esat Pasha provoi që ta bënte këtë gjë në vitin 1913.Sot Edi Rama ka vënë në zyrat e shtetit portretin e Ismail Qemalit për t’ u fshehur pas tij si Esat Pasha njëqind e ca vjet më parë. Madje Edi Rama e ka rritur mjekrën e thinjur për t’ i ngjarë edhe fizikisht Ismail Qemalit. Ashtu siç do të kishte bërë me siguri edhe Esat Pasha nëse do të kishte jetuar aq sa t’ i thinjeshin mjekra dhe mustaqet si Edi Ramës sot. Por përpjekja për të klonuar Ismail Qemalin në pamje nuk e bën Edi Ramën Ismail Qemalin e Ri të Shqipërisë. Ismail Qemali nuk dha koncesione sa kohë ishte në pushtet megjithëse pati kërkesa për to. As nuk shiti prona shtetërore të cilat atëherë ishin të paprekura.

Edi Rama është i ngjashëm edhe në një gjë me Esat Pashën. Ky i fundit fajësonte fuqitë e mëdha mike të Shqipërisë për intriga ndaj tij, sa herë e dëbonte populli nga Shqipëria. Edi Rama fajëson zyrtarët e Brukselit dhe madje edhe të Washingtonit, Zërin e Amerikës, sa herë që këta kritikojnë qeverisjen e keqe të tij.

Esat Pasha e dinte se nuk e donte populli prandaj mblidhte rreth vetes njerëz të hurit dhe të litarit si veten, me të cilët donte që ta bënte zap popullin.Nëse Esat Pasha do të kishte qenë sot në vend të Edi Ramës, ai do ai do të kishte mbledhur kriminelë dhe banditë për të mbushur listën e kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkish.

Nëse Esat Pasha do të ishte sot kryeministër i Shqipërisë ai nuk do të kishte shitur Shkodrën te Mali i Zi, as nuk do të kishte shpallur Principatën e Shqipërisë së Mesme sepse këto gjëra nuk ia lejonin partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Në kushtet e sotme Esat Pasha do ta kishte shitur Shqipërinë duke shpërndarë pronat publike me rryshfet te oligarkët, kriminelët dhe gjithfarë biznesmenësh të dyshimtë nga bota.

Nëse Esat Pasha do të kishte qenë në vend të Edi Ramës sot ai do të kishte shpërndarë leje për ndërtim grataçielash, lagjesh rezidenciale, resortesh turistike në bregdet, si dhe koncesione te oligarkët vendas dhe të huaj, te mafiozët, duke marrë prej tyre rryshfetin në përqindje që sa vijnë dhe rriten gjithmonë e më tepër.Nëse Esat Pasha do të kishte qenë në vend të Edi Ramës sot ai nuk do të ndalej para asgjëje që i mundësonte të fitonte para për vete dhe për rrethin e njerëzve të tij. Ashtu si Edi Rama ai do ta kanibisizonte Shqipërinë, do ta bënte korridor të kalimit të heroinës dhe kokainës. Ashtu si Edi Rama, Esat Toptani do të kishte bërë ligje

Nëse Esat Pasha  do të ishte sot kryeministër si Edi Rama ai do të justifikohej për të gjitha këto bëma të tij, ashtu si Edi Rama duke thënë se Shqipëria duhet të zhvillohet, pa u shqetësuar se ky i ashtuquajtur zhvillim do të sillte një xhungël betoni që edhe vetë Haxhi Qamilit po t’ ia lije në dorë të drejtën për të dhënë leje ndërtimi nuk do ta kishte bërë më mishmash. Dhe që ndoshta do ta kishte tronditur edhe vetë Esat Pashën e pangopur.

Eqrem bej Vlora në kujtimet e tij na sjell një skenë me Esat Pashën në Vienë, që është shumë e ngjashme me sjelljen e Edi Ramës sot me ndërkombëtarët. Eqrem Vlora na thotë se Esati në kancelarinë e perandorisë austro-hungareze u përpoq të dukej si një gjeneral intelektual, si një lloj eksperti i Ballkanit. Eqrem Vlora na tregon se si ai kur ishte duke bërë përkthyesin e Esatit nuk i përktheu shumë nga budallallëqet që tha ai, dhe shtoi nga vetja gjëra që nuk do ta turpëronin pashain që kishte shkuar atje si përfaqësues i Shqipërisë. Edi Rama kur thotë marrëzi në bisedat me të huajt, në shumicën e rasteve nuk e ka fatin e mirë që të ketë një përkthyes i cili ia mbulon gafat sepse Rama i thotë ato në anglisht, frëngjisht dhe italisht.

Në fakt ky është zhvillimi i vetëm që është bërë te personazhi i Esat Pashës të ri, në krahasim me Esat Pashën e para njëqind e ca vjetëve. Esat Pasha i ri flet gjuhë të huaja.  Esati i vërtetë fliste vetëm turqishten si gjuhë të huaj. Por njohja e gjuhëve të huaja vetëm sa e zbulon më tepër mendësinë prej Esat Pashe të Edi Ramës.Kur Edi Rama kërkon të hiqet si intelektual, ai bëhet qesharak si Esat Pasha në kryeqytetet e Europës.

Nëse Esat Pasha do të kishte qenë në vend të Edi Ramës sot ai nuk do ta merrte pushtetin me armë siç bënte në kohën e tij, por do të vidhte zgjedhjet me njëmijë mënyra. Duke bërë premtime të gënjeshtërta, duke vënë militantët partiakë në administratë dhe duke iu kërkuar të sjellin vota për partinë, duke blerë vota, duke nxjerrë kriminelët në terren për të siguruar vota etj.

Megjithëse Edi Rama mban në zyrë portretin e Ismail Qemalit dhe e imiton atë edhe në pamje, Edi Rama në fakt adhuron Esat Pashën si personazh historik por nuk e thotë dot këtë gjë hapur. Arroganca e Edi Ramës është e ngjashme me atë të Esat Pashës, jo me komunikimin etik prej diplomati të stërvitur të Ismail Qemalit.

Të votosh për Edi Ramën sot është njëlloj sikur të  votosh për Esat Pashën e ringjallur. Ata shqiptarë të cilët akoma nuk janë bindur se Edi Rama është e keqja e madhe e këtij vendi dhe do të votojnë për të që të marrë një mandat të tretë, gjatë katërvjeçarit të ardhshëm do ta kuptojnë plotësisht se ç’ gabim të rëndë që kanë bërë me votën e tyre. Pas katër vjetësh do të jetë vonë për ta rregulluar këtë gabim. Fan Noli na thotë se Faik Konica u pendua që e kishte mbështetur Esat Pashën në 1913, kur ky i fundit iku nga Vlora në Durrës. Vetë Faiku na thotë se Esati i dërgoi xhandarët për ta dëbuar nga Durrësi pak kohë pasi Faiku kishte arritur atje. Kuptohet që Faiku, megjithëse kishte kritika për qeverinë e Vlorës nuk ishte dakord me shpalljen e principatës së Shqipërisë së Mesma nga Esati prandaj u armiqësua shpejt me të. Veçanërisht intelektualët e sotëm shqiptarë që deri tani kanë mbështetur Ramën duhet të mësojnë nga ky precedent historik dhe të kenë kurajën e Faikut për të pranuar gabimin, për të mirën e vendit. Kuptohet nëse nuk kanë interesa të tjera të pjesës në “tepsinë” e qeverisjes.Faik Konica me ndarjen e tij me Esatin dhe demaskimin që i bëri atj tregoi se nuk ishte shitur te ai. Një shembull i etikës intelektuale në politikë që është për t’ u ndjekur sot.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.