BLUETOOTH

Sonela Pirani/ Një yll në tranzicion, bisedë për artin në Shqipëri dhe Europë

15:04 - 06.05.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Aroma e bojës, letrat e bardha që mbajnë erë pergameni, shkruar me një delikatesë prekëse, një pikturë në mur, për të udhëtuar nëpër kohë ose për të ikur larg përmes imagjinatës, asaj që jo doemos rroket, ca tinguj shpërthyes që përqafin ngrohtësisht zemrën, veshje që bien erë kaltërie e një dhomëz e ngrohtë, që s’i pa kurrë lajthitjet e dimrit. Dy sy ndritur qartësisht nga copëza reje dhe një e qeshur, që nuk i ikën mendjes edhe kur je larg saj. Sonela Pirani, me gjakun e ëmbël blu, lyer e kredhur në art, na fton për një shëtitje anekënd botës, për të dalluar madhështinë e veprave, për të zhbiriluar të gjitha ndjesitë që të krijon poezia, për të provuar një aventurë të vockël të realizimit të filmave, për të kuptuar thelbin e një kritike të mirëfilltë, për të marrë frymë thellë mesa e lejojnë flegat e hundëve e për të shijuar muzikën e mirë. Një rreth vicioz, shumëngjyrësh, i qartë deri në grimat më të thella ndiesore, i cili nis e përfundon me emërtimin që i shkon shumë flokëkuqes së përkëdhelur nga hyjtë: Art. Muzikaliteti i fjalive, vërtetësia dhe modestia hera-herës e ethshme do t’ju njohin me vajzën-poezi.
Një shpirt i shenjtëruar me art, natyrisht që frymon gjithandej ku gjen hapësirë për të shpalosur ato që gufojnë së brendshmi. Në këtë cikël të gjatë studimesh do të doja të bëje një prezantim, për të gjithë ata që nuk e njohin ende zonjushën, që do të kontribuojë në të nesërmen e vendit dhe jo vetëm të tij, sigurisht.
Një shpirt që frymon e lëvron në art, kështu mund të lejojmë gjithçka: të shenjtën e profanen. Studente që në 2012-tën e besoj deri në fund të jetës: gjithmonë do më ngacmojë diçka e re për të studiuar. Rrugëtimi fillon në Tiranë me shkencën e sociologjisë, vazhdon në Shën Peterburg me dashurinë e madhe për letërsinë ruse, merr formë në Genova me hulumtimet mbi historinë e artit dhe fiton thellësinë ne Ghent me përfshirjen në botën e ikonologjisë, teatrit, kinematografisë e muzikologjisë.




Muzika, poezia, filmi, historia, arti e shumë pjesëza të të krijuarit janë terreni i Sonelës. Si përthyhet tek ty gjithë kjo energji, që buron nga bekimi i shenjtërimit?
Përthyhet e përkthehet në një dhomë të vogël me qira në Europë ku gjen piktura modeste, rrëmujë bojërash akrilike, drafte skenarësh, letra të hedhura sirtarësh me poezi të papërfunduara, lap-topi gjithmonë në punë gati për konferenca e kritika arti, melodikën që shpesh shqetëson komshinjtë, Lunën, macen time që përkëdhelet nëpër shtrat, shishet e verës, ngarkesa emocionale që shpesh më vjedhin gjumin. Kaosi për t’i dhënë jetë krijimit e krijimi për t’i dhënë jetë shpirtit.
Si rri në sytë e tu gjithë shpërfillja që i bën politika artit në Shqipëri?
Rri si Kulla e Pizës, shtrembër: natyrisht i mungon estetika dhe eleganca e mrekullueshme e arkitekturës romaneske.
Mungesa e vendeve, për të prezantuar punimet e artistëve, kënde të pamjaftueshme ose më saktë të mungura. Galeritë boshe dhe duar që s’u panë kurrë në përpjekjet për t’i dhënë artistit një shpresë. E rrokur me horizonte të tjera, ke vizituar qendrat më të rëndësishme të artit jashtë. Një mënyrë për të ndryshuar realitetin artistik në kryeqytet, që do të ndihmonte edhe rrethet pastaj?
Një mënyrë është që të rinjtë, të cilët shpesh e vrasin kohën në biseda boshe, në rastin më të mirë kauzash të panevojshme e në rastin më të keq retorikash mediokre partish, të angazhohen në kultivimin e vetes me kulturë, me art, me udhëtime: kjo do të ndihmonte në njohjen e thellë të vetes e në krijimin e një shoqërie që di të rebelohet kundrejt çdokujt që i kufizon lirinë; vetëm në këtë moment të dëlirë lirie do lulëzonte arti.
Një frakturë e një pikture, si ridimensionohet tek ty, përmes analizës që do të ta kthente sërisht në jetë, ashtu pa gulçime?
Jam mësuar vitet e fundit me frazën: duhet të jesh objektive! Kushdo që do të studiojë një pikturë natyrisht që duhet të ketë njohuri mbi bazat e kontekstit dhe përmbajtjes. Duke qenë e lodhur me kufizimet e objektivitetit do të thosha se ajo çfarë më ngelet nga një pikturë është ndoshta thjesht një penelatë ndryshe nga të tjerat, një detaj, një ngjyrë që më del përballë me gjithë forcën e kryeneçësinë e vet e më thotë: Shijomë!

14-19sssa 14sasasa-19 14-1sasasa9 14fdfd-19 14-19
<
>

Pjesëmarrëse në festivale ndërkombëtare, një zë i fortë e kritikë e shëndosh. Mezi pres që të shoh të radhitur mes regjisorëve, skenaristëve dhe artistëve nga mbarë bota. Sa e afërt është kjo ditë? Pse nuk kemi akoma një film tëndin në kinema?
Kam bërë disa përpjekje në Shqipëri në lidhje me filmin e kinemanë, si skenariste. Problemi i madh qëndron në faktin se në atdheun tonë të dashur kemi producentë që nuk kanë as minimumin e kulturës së komunikimit dhe e gjendur në një situatë të tillë i zvarrita edhe krijimet e mia si veten nëpër botë. Jam në kontakt me disa festivale e shtëpi produksioni e me shpresë të madhe pres që në një të ardhme të mund të prezantoj projektet e mia si produkt i përfunduar, pra në salla kinemaje. Gjithsesi është industri e vështirë dhe kjo ngadalëson progresin.
Politikat që duhen ndërmarrë në mbështetje të talenteve të rinj, që e duan doemos rrugëtimin nëpër art?
Nuk jam e mirë në përpilim politikash, jemi indoktrinuar kaq keq këto vitet e demokracisë në Shqipëri me fjalën politike, po kam përshtypje se e kemi të deformuar kuptimin e konceptit. Ajo çfarë unë kam bërë deri më sot e do vazhdoj të bëj nga larg është ndihma ndaj çdokujt që më drejtohet, me aq sa kam hapësirë. Si fillim në Shqipëri duhet të sqarohen disa pika bazike në lidhje me artin, pastaj të mendohen politikat në lidhje me artistët e rinj, që fatkeqësisht vdesin që në gjenezë nga trajtimi cinik që u bëhet.
Çfarë e bënë të vështirë realizimin e filmave me metrazh të gjatë në Shqipëri, por jo vetëm?
Të gjithë përmendin mungesën e buxhetit: e vërtetë! Ka mungesë të theksuar, por unë kam marrë pjesë në shumë Festivale Filmi, herë si kritike e herë si skenariste. Kam dëshmuar triumfin e shumë filmave me buxhet të ulët. Rëndësi themelore ka skenari dhe mënyra se si trajtohet, ndërtimi i skenave e natyrshmëria e rrjedhës së historisë. Mungesa e historive, përsëritja e tematikave, e bën kinemanë në Shqipëri të lodhshme e jo-interesante. Kjo e thënë në përgjithësi, sepse fatmirësisht ka edhe përjashtime.
Poezia duket se fle tek ty, ashtu sikurse ajri furnizon mushkritë. Një arratisje në nënvetëdije, për të zbuluar botët e tua, por dhe dëshira për t’i ikur bardhezisë që ofron e sotmja. Cila gjendje vjen pas shkrimit të një poezie?
Është lehtësim, frymëmarrje e ngadaltë, që më në fund shkrove diçka që të ndihmon në kapërcimin e një momenti: e momentet shpesh janë të vështira.
Katharsisi që ndjen së brendshmi, sa herë që përhumbesh në tingujt shpërthyes të një muzike të mirë?
Më vjen në mendje termi që përdor Huizinga, ‘historical experience’, që në shqip do përshtatej në përjetim historik. Janë vetëm 5 minuta që të bëjnë të rijetosh një pjesë tënden, një emocion të caktuar dhe është fantastike sa dhe e egër të mendosh që ato 5 minuta po i ndan me dikë, diku në botë, që ndjen një tjetër lloj emocioni, që e lidh me një tjetër histori. Kjo është forca e muzikës: krijimi i këtyre kaleidoskopëve të ndjesive që bashkojnë qeniet pa njohur pushtet kufijsh.
Një bijëz shkodrane, që do çdo pëllëmbë të qytetit të saj. Si janë kthimet në vendlindje pas një mungese të gjatë?
Unë e dua shumë Shkodrën, bile shpesh herë miqtë e mi në Shqipëri me ngacmojnë në lidhje me këtë. Është e pashpjegueshme lidhja dhe nuk e përshkruaj dot atë që ndjej kur kthehem e me del përpara syve ‘Rozafa’. Kam qenë me fat që jam rritur ne atë qytet: ka histori në çdo cep! Përveç kësaj edhe lidhja ime me artin zë fill aty: Qendra Kulturore e Fëmijëve, Festivali i Fëmijëve, aktivitetet me teatrin “Migjeni”, organizimi i përvitshëm i Karnavaleve, Giffoni Film Festival. Nuk besoj se një qytet tjetër do kishte dhënë të njëjtin kontribut dhe po, Shkodra është mbretëresha e zemrës që mezi pres t’ia jetoj rrahjet.
Në gjithë rrugëtimin tënd, për t’u rritur profesionalisht e për t’u përmbushur shpirtërisht gjithmonë ke pasur pranë prindërit dhe motrën. Ka ndonjë moment ku dyjëzohesh për të lënë gjithçka që ke arritur deri tani e për t’u kthyer një herë e përgjithmonë në strehëzën tënde?
Familja ime është pa frikë kompozicioni më i çmendur ku unë jam pjesë integrale. Prindërit e mi kanë qenë gjithmonë njerëz me të cilët kemi bërë debate konstruktive, të shoqëruara me verë, në lidhje me Marksin, Hegelin, Çehovin, Nolin, pionierët e klasikes, muzikën rrok etj, etj. Nga babi kam marrë talentin e shkrimit, mami më shoqëruar në çdo vështirësi pa kushte e me shumë sakrifica. Motra ime, Sabina, është arsyeja pse unë zgjohem çdo ditë e motivuar për të ecur përpara. Mua nuk më intereson nëse jam ne mes të sezonit, konferencave, festivaleve: familja ime është gjëja më e rëndësishme në këtë bote, dashurinë e tyre nuk ma zëvendëson as arti e asgjë. Unë i kam gjithmonë me vete, pa u dyzuar: janë një frymë larg!
Meqë jemi në këtë pikë dhe pse nuk e kam të vështirë të imagjinoj fëmijërinë tënde. Kujtimi më i bukur që ruan nga ajo kohë?
Përtej avllisë së shtëpisë një komshi kishte fiq, ne si fëmijë donim të kacavirreshim për të marrë frutat (që asokohe me sfida ne lidhje me kufijtë e autoritetin), por problemi ishte që zotëria nuk na kishte me sy të mirë. Babi, në mënyrë që ne të mos vriteshim, ngjitej vetë në mur e këpuste fiq për ne. Kjo, jo pak herë, i ka krijuar telashe të panevojshme. Nga ky kujtim kam edhe lidhjen me Koliqin e “Kumbullën përtej murit”. Në fund jeta është e tillë, gjithmonë do të jetë diçka, dikush, sfida jonë, dëshira për të thyer rregullat (natyrisht pa qenë kërcënim për jetën a liritë e dikujt), pasioni për të shkuar përtej murit e për të shijuar kumbullat.
Duket ndonjëherë sikur ke bërë një jetesë pa një pikë të qëndrueshme vendndodhjeje, kjo për shkak të studimeve. Cili është vendi ku impresionet e kanë kaluar pritshmërinë? Ku ka ngelur pak nga fryma jote?
Tirana ka qenë inspirimi, vendi ku lindi ajo shkëndija, të cilës ia dija ekzistencën, por jo mishërimin. Në Rusi jam njohur me konceptin e rebelimit, anarkisë: kundër çdo dogme të krijuar nga shoqëria. Italia më ka dhënë kurajë për të marrë vendime të rëndësishme në respekt të vetes e së fundmi Belgjika më mësoi lirinë e forcën për t’u përballur me çdo gjë e çdokënd që bëri përpjekje për të më censuruar e cenuar. Kudo jam, në secilin vend, në këtë udhëtim, proces të gjatë, të lodhshëm, trasgresiv ku unë njoha, kuptova dhe mësova të dua personin që jam sot.
Vështirësitë më të rëndomta të jetesës në Belgjikë, me të cilat qesh herë pas here?
Kombinimi i djathit me verën: vështirësia më e madhe e përditshme! Pavarësisht batutës, unë kam qenë me fat që këtu kam një njeri shumë të rëndësishëm të familjes sime, gocën e xhaxhait Enin, me të cilën jam rritur. Ajo është manifestimi në mish e kocka i shtëpisë për mua. Mjafton një shëtitje në qendrën historike të Ghentit, shoqëruar me Nutella Waffle dhe espresso. Më ka dhënë të qeshurat e kujtimet më të mira, pavarësisht gjendjes së vështirë që po jetojmë.
Sonela e prekur, e mërzitur dhe pa humor. Gjëja më e shpeshtë që bënë në çastet kur tabloja ka ngjyrat që përmenda më sipër?
Shkruaj.
Një vështrim i joti për lirinë, koncept që në Shqipëri shtrembërohet ose nuk kuptohet ende?
Për shumë vite kam menduar se liria ishte çanta ime e shpinës dhe biletat e trenit: jo! Është zgjatim i lirisë, por jo liria në vetvete. Liria është çdo gjë që frymëzon, që të rrit shpirtërisht, që të bën të ndihesh e pranuar dhe e dashur: është të duash pa kushte e pa pritur diçka në këmbim; kjo mungon në vendin tonë, dashuria e mirëkuptimi, natyrisht aty ku zë rrënjë skamja është e vështirë të bësh përllogaritje të tilla.
Së fundmi, je bërë pjesë e një projekti interesant të quajtur “Oda e filmit”. Ku konsiston ky projekt dhe sa terren u jep të rinjve?
“Oda e filmit” është projekti i disa të rinjve që duan të ndihmojnë të rinjtë: janë ato politikat për të cilat “refuzova” të jap përgjigje. Jemi ne, të apasionuarit, që ndihmojmë njëri tjetrin. Flasim për një website që konsiston në një database për të gjithë artistët që kanë lidhje me filmin, kritike arti, recensione dhe shumë evente që do bëjnë bashkë të gjithë ata që e duan kinemanë: një shoqëri e mirëfilltë kinematografike! Jam shumë entuziaste dhe flas me shumë dashuri në lidhje me të, por jam edhe e vetëdijshme që na duhet të kërkojmë bashkëpunimin e institucioneve në Shqipëri e jo vetëm në mënyrë që të realizojmë të gjitha pikësynimet tona.
E nesërmja e ndritur, sipas një parashikimi të gjen nëpër botë apo në Shqipëri?
Në Shqipëri për të dhënë shumë dritë nga fanari im modest: gjithmonë me dëshirën për t’u gjetur me një të përngjashëm, herë pas here, duke udhëtuar me tren drejt tokave të panjohura.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.