Kryesore

Amik Kasoruho/ Rrëfim për fisnikun e letërsisë

21:39 - 07.05.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Një ditë dimri gri në Tiranën e shumë viteve më parë, një burrë i thinjur deri në ngjyrën e reve, me gishtërinjë të hollë, shihte nga xhami i syzeve sheshin qendror të qytetit. I afrohem duke i kërkuar ndjesë për vonesën 30 minutëshe. Ai buzëqesh pa bartur asnjë grimcë nervozizmi duke më çliruar nga ankthi i turpit. I ngjante një personazhi klasik. Dhe i veshur me të bardha sic ishte më ndërmendi imagjinatën time fëmijërore për Zotin të ulur diku mes reve, me sy të ujtë. Mes dy qasjeve pindarike fillestare, me kohën, mes Zotit dhe një fisniku, do të gjeja gjithnjë te ai, një fisnik letrash, që me pamjen e urtinë, do më joshte drejt “Moshës së pafajsise”, “Damkës së turpit”, “Revoltës së Atlasati”, “Rebekes” dhe vetë jetës së tij, të cilës i qenë mohuar vite të tëra pa ia kthyer kurrë vitet e kausheve.




Por, atë ditë të parë që e takova, e kujtoj qartë.

Dija pak për të. Që kish qenë i internuar, që babain ia kishin pushkatuar në komunizëm, që kish qenë mik per Shvarcin, që shkruante e përkthente. Atë ditë do të zbuloja një nga përmasat më të bukura të qenies njerëzore. Aftësinë humane për të falur, jo vetëm nje gazetare që vonohet plot 30 minuta por edhe aftësinë per të falur ata që ia kishin kthyer jetën në një zvarritje. Amik Kasoruho kishte fituar mbi të gjithë, duke gjetur paqen me botën. Për aq sa qe gjallë, Kasoruho do të kthehej për mua në një prej njerëzve më të shtrenjtë, për gjithë sa më lart e për gjithë atë që nuk përshkruhet: mirësinë e thjeshtësinë e tejskajshme të një burri që jetoi pa mëri. Katër majin e 2014-ës ai gjeti paqen e përjetshme duke lënë pas një zbrazëti të pazëvendësueshme në jetën publike të një qyteti ku ligjërimi publik e prek vdekjen përditë pa gjetur kurrë paqen.

Për romanin “Mosha e pafajësisë” të Edith Wharton, Amiku thoshte se “pasi u përkthye një ndër pjesët më të bukura të romanit, darka e lamtumirës, mendova se edhe kësaj here më shkau rasti të shkruaja për sakrificën e ndier të një personazhi burrë, për hir të dashurisë”. Kasoruho ka transmetuar gjithnjë imazhin e një zotërie fisnik.

Botuesja e “Pegit”, Loreta Berhami, në një intervistë per Gazeta Shqiptare, rrëfen bashkëpunimin disavjeçar me Kasoruhon dhe librat që erdhën në shqip prej tij.

-Si e keni njohur ju Amik Kasoruhon? E Kujtoni si ishte takimi i parë me të?

Jemi takuar në një bar-kafe, në një qendër tregtare, jo larg apartamentit ku jetonte. Kishte pranuar kërkesën për takim që i kisha dërguar unë. Më ishte dukur i matur në atë kontakt të parë dhe teksa gjerbnim kafen e parë, kishte ruajtur një farë largësie, me siguri të diktuar nga dyshimi për mua si botuese dhe person të panjohur për të.

Unë e kisha parë në një intervistë në televizor dhe më kishte lënë përshtypje shumë të mirë. Më pas isha interesuar për përkthimet e tij dhe mendoja se kisha gjetur personin e duhur që të mund të perkthente “The scarlet letter” që ishte një nga titujt e parë që seleksionova për botim.

Në atë takim të parë, fola më shumë unë. Prezantova Botimet Pegi, synimet dhe ëndrrat e mia. Amiku dëgjonte dhe më bënte pyetje. Mendoj se fakti që i propozova një klasik, ia zbuti menjëherë ndjenjën e dyshimit përkarshi meje. E pranoi atë angazhim të parë me Botimet Pegi, firmosëm kontratën dhe më pas gjërat rrodhën natyrshëm. Komunikimi i shpeshtë na lejoi të njihnim njëri-tjetrin dhe të zbulonim se qëllimet tona ishin shumë të ngjashme, se puna e secilit prej nesh e nderonte tjetrin dhe se respekti i sinqertë dhe i ndërsjelltë ishte një bazë e mirë për të ndërtuar një marrëdhënie që pak nga pak filloi t’i ngjasonte miqësisë.

Amiku ishte fjalëpakë, i mençur në kuptimin e parë të fjalës dhe tejet modest. Në takimet e shumta që pasuan, më ka rrëfyer me raste, ndodhi të ndryshme nga jeta e tij, gjatë dhe pas regjimit. Edhe kur tregonte diçka nga vetja e tij, i maste mirë fjalët, nuk ngutej dhe më jepte përshtypjen se ndjenjat që kishte përbrenda vlonin, por dëshira, apo nevoja e tij, për t’u treguar racional, korrekt dhe i paanshëm, e shtynte që t’i mbante ato ndjenja gjithmonë nën kontroll. Janë të pakta rastet kur i ka lejuar vetes që të shfaqej më emocional në praninë time dhe këto ndodhën pasi bashkëpunuam në disa përkthime.

-Ai ka sjellë në shqip një vepër të madhe dhe të jashtëzakonshme, si “Revolta e Atlasit” e Ayn Rand. Si e priti propozimin?

E priti me pozitivitet që në fillim, por pasi filloi të punonte me të, shfaqi një entuziasëm të theksuar. Në një farë mënyre, “Revolta e Atlasit” është shkruar enkas për njerëz me të kaluarën si të Amikut, njerëz që janë nëpërkëmbur, shfrytëzuar dhe dënuar nga një sistem i cili deklaronte se punonte për të mirën e të gjithëve. Mbi të gjitha Revolta synon të denoncojë hipokrizinë e një sistemi të tillë dhe nëse mund të thuhet me siguri diçka për Amik Kasoruhon ishte fakti që ai neveriste çdo lloj hipokrizie.

-Çfarë meraku kishte ai gjatë punës për të?

Amiku punonte në mënyrë jashtëzakonisht të pavarur dhe të shpejtë. Meraqet tipike kishin të bënin me pjesë të caktuara të tekstit, përcjelljen e frymës dhe kuptimit të duhur. Si poliglot që ishte, punonte shpesh me më shumë se një tekst, pra i referohej edhe përkthimeve të tjera, në gjuhë të dyta, në mënyrë që të kishte një rehati në lidhje me interpretimin e tekstit.

-“Rebeka” e Daphne du Maurier qe romani i fundit që ai solli në shqip. A kujtoni, si u zgjodh ky libër dhe çfarë thoshte ai vetë për të?

Romanin e përzgjodha unë si pjesë e koleksionit Lotus, ishte një nga dhjetë titujt e parë që përzgjodha për këtë koleksion. Amiku e njihte romanin, gjë që më surprizoi pasi Du Maurier nuk ishte botuar kurrë në shqip dhe nuk para përflitej si autore që duhej përkthyer. I pëlqeu puna me të, e bëri shumë shpejt dhe mirë dhe u tregua entuziast që bashkëpunimi ynë vazhdonte me sukses.

-Në një intervistë për librat më të bukur që ka përkthyer, ai ka folur për atë me titull “Damka e turpit” nga Nathaniel Hawthorne. Si ishte qasja e tij ndaj librit, si një njeri që i kish vuajtur ‘damkat’ e tij në komunizëm?

Damka qe nismëtarja e miqësisë me Amikun, siç përmenda më parë. Është një klasik i pakohë dhe vështirë se një njeri i letrave do të tregohej indiferent ndaj saj. Amiku ishte shumë krenar për punën e bërë me Damkën, u angazhua jashtëzakonisht shumë në promovimin e botimit në shqip. Nga pikëpamja letrare, me gjasa është një nga romanet më cilësore që ka përkthyer, prandaj edhe mendoj e kishte kaq përzemër.

-Ju keni botuar edhe librin e tij “Pa mëri”, atë që tregon njeriun Kasoruho. Nëse gjykojmë nga titulli, duket se ai përgatitej të ikte pa mëri, duke lënë në një libër, intervista, shkrime e shënime. Çfarë e nxiti për këtë libër?

Titulli “Pa mëri” mendoj se është titulli më përfaqësues dhe afër të vërtetës së thellë të njeriut Amik Kasoruho. Ai ishte vërtet person që nuk mbante mëri, jo se ishte lindur i tillë, por se e kishte vendosur me vetëdije, gjatë një rrugëtimi të gjatë e të mundishëm, që mëria nuk do t’i shërbente askujt. Në këtë kuptim, e quaj të mençur, të urtë, dikush që arriti të merrte më të mirën nga vuajtjet që i serviri jeta dhe arriti të lartësohej mbi vogëlsinë e zakonshme që sjell urrejtja apo hakmarrja.

Kur ai u nda nga jeta, ju keni thënë se ato kohë ai do niste të përkthente një libër të Gollsuorthit. Çfarë la në mes ai?

Amiku kishte shumë projekte dhe dëshira për të vazhduar punën me përkthimet nuk i reshte kurrë. Në emailin e fundit që kam prej tij, ndër të tjera, më shkruan “Jam mire. Ose, me sakte, jam me mire. Po perpiqem te bej sikur nuk kam probleme dhe ndoshta keshtu duhet te bej.” Në të njëjtin email më shkruante që donte të përkthente një tjetër libër të Harold Robbins. Nuk e mbaj mend tashmë se çfarë projektesh të tjera kishte, por këto të dyja i kam të sigurta.

– Ai fliste për nevojën për të lënë gjurmë dhe diku thoshte se do donte që pas ikjes së tij, jeta të ishte e zbrazët. Ju ka folur për kohën pas tij?

Më ka thënë se mbi të gjitha donte të kujtohej për vlerën e punës së tij, se përkthimet ishin gjëja për të cilët ndihej më krenar. Mendoj se druhej që si person autodidakt, me një të kaluar të vuajtur, në një kohë ku formalizmi, titujt dhe dukja janë vendosur në piedestale të kota, do të ishte gjithmonë pjesërisht i margjinalizuar, jo mjaftueshëm i përfillur. Ai dëshironte që vepra e tij të jetonte pavarësisht personit të tij, pavarësisht atyre që thuheshin apo shkruheshin për të. Mendoj se ia ka arritur dhe nëse bota e përtejme ekziston, mendoj se po na lexon me një buzëqeshje të lehtë që i endet në fytyrë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.