OPINION

“Skaner” i rreziqeve të kapitalit të huaj për sigurinë kombëtare!

22:52 - 08.05.21 Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

E tepërt të zgjatemi te rëndësia e investimeve të huaja  për vendin tonë. Veçanërisht tani që në vijim të projekteve të mëparshme, qeveria po i vlerëson dhe më shumë si përparësi absolute. Krahas modernizimit të infrastrukturës, këto investime do të kenë ndikim të madh në punësimin masiv, në rritjen e qëndrueshme ekonomike, mirëqenien sociale dhe afrimin e vendit drejt standardeve të BE-së.




Mirëpo, sipas mendimit të përparuar ekonomik, krahas avantazheve, kapitali i huaj  me investimet e huaja bart dhe pasiguri& rreziqe të natyrës politike, financiare, monetare dhe teknike, me pasoja serioze dhe për sigurinë kombëtare të vendit. Këto rreziqe kanë  dalë më shumë në pah vitet e fundit, me përshkallëzimin e ekstremizmit, terrorizmit ndërkombëtar, krizave ekonomike dhe në përgjithësi të shtimit të  pasigurisë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për rrezikun ushtarak, por dhe në fusha të tilla jetike që kushtëzojnë  sigurinë kombëtare – energjitika, transporti, infrastruktura portuale dhe ajrore, etj.

Kohët e fundit, këto rreziqe  kanë  dalë dhe më shumë në pah në Ballkan dhe në vendin tonë, për shkak të ekspansionit ekonomik dhe tregtar të Kinës, Rusisë dhe vendeve të tjera jo europiane. Ndaj, SHBA-të, BE-ja dhe NATO e kanë ndryshuar përqasjen ndaj këtyre vendeve, duke i konsideruar  jo më vetëm partnere në tregti, por kryesisht konkurente dhe rivale.

Megjithatë,  Kina dhe Rusia kanë arritur të depërtojnë me strategjitë e tyre të njohura, përfshirë dhe atë të COVID – 19 në  vendet e rajonit, madje dhe në vende antare të BE-së. Mirëpo, nëse këto të fundit janë më të mbrojtura por jo të imunizuara nga këto rreziqe falë sistemeve të tyre më të zhvilluara të sigurimit, ato mbeten  kërcënim shumë më i madh për vendin tonë.

Natyrisht që këto rreziqe nuk shmangen vetëm me luftë apo lojra fjalësh,  duke bllokuar çeljen e negociatave, me masa ndëshkues apo dhe « duke i futur të gjithë në një thes ». As duke i mbajtur larg, duke i mbyllur e bllokuar këto investime, çka do të ishte me pasoja serioze dhe për imazhin e një vendi. Përkundrazi, mënyra më e mirë dhe efikase është shtimi i kujdesit, me masa dhe reforma konkrete për të shmangur/minimizuar rreziqet që ato paraqesin për sigurinë e vendit.

Ka shumë rëndësi që në këtë fushë me ndjeshmëri të madhe  të mësojmë nga përvoja e pasur e  SHBA-ve dhe BE-ja ku po duam të hyjmë, me të mirat por dhe mangësitë e tyre. Kohët e fundit, ato kanë  rritur ndjeshëm kujdesin dhe kontrollin mbi kapitalin e huaj në vendet antare, e sidomos nga Kina dhe Rusia.

Sot po ndalemi në përvojën më të fundit të 13 vendeve europiane, si Gjermania, Franca, Holanda, etj. Ato kanë krijuar komitete bashkërenduese për « skanimin » e këtyre rreziqeve. Tani së fundi, të njëjtën gjë po bën dhe Belgjika. Ministria e saj e Drejtësisë i ka  propozuar dhe tashmë po punohet për ngritjen e një Komiteti ndërdikasterial në Ministrinë Federale të  Ekonomisë, për të kaluar « në skaner « të gjitha  rreziqet e mundshme për sigurinë kombëtare që vijnë nga investimet e huaja në atë vend.

Në atë komitet do të ketë 7 përfaqësues nga Ministia e Jashtme, e Brendshme, e Mbrojtjes, Financave, Agjencia Federale e Inteligjencies dhe nga dy rajonet kryesore të vendit.

Objektivi kryesor i këtij komiteti do të jetë përditësimi i gjendjes, identifikimi i problemeve, shmangia dhe reduktimi i pasojave të mundshme të dëmshme për sigurinë kombëtare, si pasojë e këtyre rreziqeve. Vetëm kur e nëse shihet se një investim i huaj paraqet rrezik serioz për sigurinë kombëtare dhe pa alternativë tjetër për shmangien e tij mund të propozohet largimi ose mbyllja e një investimi të huaj,  sipas parimit « mishi të piqet dhe helli të mos digjet »

Dihet se Belgjika me pak a shumë të njëjtën madhësi gjeografike me vendin tonë por me 11 million banorë, falë rrjetit të sofistikuar infrastrukturor europian është «  eksportues » dhe «  importues » i madh i investimeve të huaja. Veç të tjerash, aty është Porti i Anversës, i treti më i madh në Europë, por që është bërë dhe burim i pasigurive të mëdha, për shkak të tranzitimit të drogës, krimit, prostitucionit, etj.

Nisur nga sa sipër, me të drejtë lind pyetja: kur këto vende të zhvilluara europiane po e trajtojnë me theks të veçantë këtë shqetësim serioz, po Shqipëria jonë? Përse të mos e bëjmë dhe ne « skanimin » e këtyre rreziqeve,  kur dihet se në të kaluarën kemi  patur jo pak probleme ? Sidomos kur si dhe vende të tjera dhe pse antare të NATO-s, nuk jemi kursesi të imunizuar nga këto rreziqe për sigurinë tonë kombëtare që mund të vijnë nga vende që nuk janë antare të BE-së dhe të NATO-s ; por që gjithsesi kanë të drejtën e tyre për të bërë investime kudo. Padyshim që po, madje jemi të vonuar.

Ndaj ka ardhur koha të shihet me urgjencë edhe ngritja e një komiteti të ngjashëm « skanimi ».

Kjo nuk jep garanci absolute, por gjithsesi është një kërkesë dhe nevojë e domosdoshme parandaluese ndaj rreziqeve të kapitalit të huaj për sigurinë tonë kombëtare.

Kjo kërkon paraprakisht krijimin apo përshtatjen e bazës së brendshme përkatëse ligjore me legjislacionin ndërkombëtar, sidomos atë të BE-së dhe zbatimin e tij efektiv. Me këtë rast, ia vlen të përmendim sërish punën mbresëlënëse dhe premtuese të Kuvendit gjatë viteve të fundit me strukturat përkatëse të kualifikuara për përafrimin në masë të legjislacionit tonë me atë të BE-së.

Lajmi tjetër i mirë është se ky proces nuk kërkon kohë, burime dhe mjete financiare/logjistike, aq më tepër që strukturat i kemi.

Ky proces « skanimi » nëpërmjet një forumi të specializuar ndërdikasterial  bëhet dhe më i domosdoshëm për faktin se energjitika, infrastruktura, portet dhe aeroportet që parashihen të modernizohen dhe zgjerohen në vitet e ardhëshme janë objektet  dhe objektivat kryesore të investimeve të huaja. Përmendim sa për ilustrim modernizimin e Portit të Durrësit me vlerë 2,5 miliard Dollarë nga investitorë të Dubait.

Së fundi, theksojmë se ky « skanim » nuk do kthyer në qëllim në vetvehte, as si sebep për  refuzimin dhe mbylljen e pajustifikuar të  biznesesve të huaja. Kursesi të mos përsëriten më  raste si me Becchettin dhe të tjera, mbasi faturat që do të na vijnë do të jenë tejet « të kripura ». Përkundrazi, ky proces skanimi të shoqërohet me bisedime, demarshe dhe përpjekje të përbashkëta për shmangien apo reduktimin në minimum të rreziqeve në fjalë. Duke bërë çmos ndërkohë që vendi të mos kthehet në «  han me katër porta » ku të hyjnë «  derri dhe dosa » Po, ta bëjmë vendin vërtet «parajsë investimesh », por pa cënuar dhe kompromentuar sigurinë tonë kombëtare.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.